Nga: Feti Tunuzliu, Mitrovicë
KRIJIMTARIA SHKENCORE E PROF. DR. BARDHYL ÇAUSHIT
(1936 -1999)
- Në 87 vjetorin e lindjes
Prof. dr. Bardhyl Çaushit është padyshim njër ndër personalitetet më të shquara shkencore, pedagogjike e kombëtare shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.
Shkarazi të theksojmë se, i lindur më 15 gusht 1936, me të përfunduar shkollën fillore në vendlindje, në Gjakovë, ndërsa gjimnazin në Prishtinë, prof. Bardhyl Çaushi diplomoi për drejtësi në Shkup më 1959, bëri magjistraturën në Beograd më 1978 dhe doktoratën në Zagreb më 1989. Një dekadë (1959-1969) punoi në gjyqësor – gjyqtarë komunal në Gjakovë dhe gjyqtar i qarkut në Pejë. Tri dekada (1970-1999) në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë fillimisht si bashkëpunëtor i lartë profesional e më pas profesor i së drejtës romake. Ishte zgjedhur dekan i këtij Fakulteti për vitet 1999/2000.
Nëse analizojmë në përgjithësi trashëgimin shkencore të prof. Bardhyl Çaushit rezultojnë këto përfundime: rruga shkencore e prof. të nderuar ka fillesat në mesvitet e 70-ta e cila përmbyllet në fundvitet e 90-ta të shekullit XX; veprimtaria shkencore e prof dr. Bardhyl Çaushit është modeste në aspektin vëllimor por është me vlerë në aspektin shkencor juridik, shpërfaqur kryesisht përmes artikujve nëpër revista shkencore, juridike, shoqërore, kulturore dhe gazeta por edhe gjatë prononcimeve prej panelisti nëpër kongrese e seminare në Kosovë e jashtë saj; objekt i trajtesave të tij ishin institutet dhe fenomenet juridike të natyrës civile, reale, detyrimore, familiare dhe trashëgimore. Përtej këtyre, është angazhuar edhe si jurist edhe në çështje juridike kushtetuese dhe si humanist në procese të pajtimit të gjaqeve në Kosovë (1990-1992).
Veprimtaria shkencore e prof. dr. Bardhyl Çaushit reflektohet edhe përmes dy veprave të shkruara si punime pasuniversitare me të cilat ka marrë grada shkencore. Kështu, si punim i tezës së magjistraturës (mbrojtur më 1978), ka dalë teksti: “Përputhjet e të drejtës zakonore shqiptare me të drejtën romake”, ndërsa si punim i tezës së doktoratës (mbrojtur më 1989), ka dalë teksti: “Karakteristikat themelore të disa punëve juridike në të drejtën zakonore shqiptare dhe në të drejtën romake – e drejta krahasimore”.
Përkundër hulumtimeve tona, për fatin e keq, nuk ia dolëm që t’i sigurojmë ekzemplarët e tillë, për t’u futur në brendinë e përmbajtjes së tyre, rrethanë e cila pa asnjë mëdyshje do shpaloste shumëçka konkrete nga dora dhe mendja e autorit, me shumë rëndësi, besojmë, për avancimin e dijes, ideve kreative dhe shkences juridike.
Ndryshe, në kuadër të hulumtimeve juridike shkencore, në fokus të interesimit të ngushtë të tij kanë qenë institutet juridike: kontratat dhe testamentet. Pasojnë: shkurorizimi, besa dhe çështjet e ndërlidhura me pozitën kushtetuese të Kosovës në ish-Jugosllavi (1967-1999). Këto janë promovuar në dhjetë shkrimet dhe dy tekste që sapo u zunë n’goje e që përbëjnë opusin e trashëgimisë shkencore të prof. dr. Bardhyl Çaushit.
Kështu, artikulli “Shkurorizimi për shkak të jetës së padurueshme bashkëshortore” (“Përparimi”, nr. 6/70) është botuar me titullin “Bashkëshortët dhe shkurorizimi”, si fejton në të përditshmën “Rilindja” në Prishtinë, gjatë janarit 1971; Në kuadër të këtij shkrimi, artikullshkruesi shpalos një gamë shkaqesh për shkurorizim nga të cilat po i përmendim vetëm disa: mënyra e edukimit dhe shkalla e arsimimit, ndryshimet në pikëpamje për jetën, martesën dhe familjen, ndryshimet e mëdha në vjet …”. Mirëpo, sikundër nënvizon autori, “bashkëshortët shumë herë e fshehin arsyen e vërtet të shkurorizimit (për ta mbrojtur njëri tjetrin nga përgojimet e botës)”.
“Një vëshrim historik-krahasues rreth çështjes së autonomisë së vullnetit dhe interpretimit të kontratave” (“Përmbledhje punimesh 1961-1971, viti 1972 dhe “Pravni zivot”, Beograd, nr. 1/1971) reflekton një përqasje analitike të artikullshkruesit i cili fillimisht bën të ditur historikun e autonomisë së vullnetit. Sipas tij, “autonomia e vullnetit të titullarëve të të drejtave subjektive është e njohur në të drejtën antike e veçanërisht në atë romake.” Tutje pohon se, kjo autonomi “pas recipimit të së drejtës romake në Francë dhe në vende tjera të Europës së perëndimit, përjeton rininë e saj të dytë dhe si e tillë konsiderohet forcë motorike në zhvillimin e marrëdhënieve të reja në relacionin mall-monedhë.” Më pas gjen se “në planin e teknikës ligjdhënëse, madje edhe në praktikën gjyqësore autonomisë së vullnetit, përpos tërë respektit që akoma i bëhet, i shtohen përkufizime të ndryshme me karakter dhe natyrë të shumëllojshme.” Ai nënvizon se “në të drejtën është mëse kontestuese çështja se cilin vullnet duhet konsideruar të vërtet, atë të brendshmin apo vullnetin e shprehur.” Sipas tij, “as që ka kode civile në botën e tanishme të cilat qëndrojnë ekskluzivisht në pozitat e vetëm njerës nga këto shkolla”, kështu që gjenden “zgjidhje të mesme”, të kombinuara, vlerëson prof. Çaushi. Ndërkaq, duke bërë fjalë për procesin e interpretimit kontraktual, pohon se “procedura e interpretimit të kontratave bëhet më e ndërlikuar kur dihet se e drejta kontraktuese nuk shterret vetëm me disa kontrata që ndryshojnë bukur shumë midis tyre.”
“E drejta e parablerjes sipas të drejtës zakonore shqiptare” (“E drejta”, nr. 1/78, Instituti i kërkimeve juridike dhe shoqërore të Fakultetit juridike dhe Shoqatës së Juristëve të Kosovës) është një kontribut tjetër i prof. Bardhyl Çaushit, në vazhdën e studimeve të tij të së drejtës zakonore shqiptare. Duke shpalosur kuptimin dhe evoluimin historiko-krahasuese të së drejtës së parablerjes sipas të drejtës zakonore shqiptare, konstaton se kjo e drejtë “njeh vetëm të drejtën e parablerjes mbi sendet e paluajtshme”. Sipas tij, në Kanunin e Lek Dukagjinit “nuk përmendet ky institut”, megjithatë, vëren prof. Çaushi, “brendia e këtij nocioni juridik, rregullohet me të gjitha modalitetet e veta në tërësi me paragrafet 464-472”. Ndërkaq, përkitazi me të drejtën e kontraktuar të parablerjes konstaton se “burimin e vet e kishte pikërisht në akordimin e vet vullnetit të palëve kontraktuese të manifestuar në formë të një kontrate të caktuar.” Dhe së fundi, duke elaboruar shitblerjen me të drejtën e kontraktuar në favor të shitësit, gjen se “në të drejtën zakonore shqiptare nuk ka rregulla të veçanta të parapara për të ashtuquajturën shitje me të drejtën e kontraktuar të riblerjes.” Por, shton se “megjithatë nuk do të thotë se ky institut është krejtësisht i panjohur në mesin e fshatarëve shqiptar, e posaçërisht në periudhat kritike, kur dikujt i kërcënohej rreziku për jetë dhe shpëtimin e kërkonte jashtë mesit të gjerëtanishëm të tij.
“Besa një ndër mbështetjet e vazhdimësisë iliro-shqiptare” (“Përmbledhje punimesh”, Fakulteti juridik, Prishtinë, 1974 njëherit është edhe diskutimi tij në Kuvendin mbi Ilirët, mbajtur në Tiranë prej 15-20 shtator 1972). Këtu, artikullshkruesi, përkatësisht panelisti, prof. Çaushi, vë në pah “një fenomen të lashtësisë sonë iliro-shqiptare” të cilin “bota e qytetëruar e quan besa shqiptare”. Sipas tij, “shqiptarët e sotëm si të vetmit pasardhës (pa asnjë alternativë tjetër) të ilirëve e kanë trashëguar edhe besën, sikurse edhe shumë të tjera prej stërgjyshërve të tyre ilirianë.” Përtej kësaj, besa ruajti “në esencë kontinuitetin e saj të pandërprerë”. Madje, konstaton prof. Çaushi, “as infamia e Romës nuk i afrohet pasojave fatale që kishte për elementin iliro-shqiptar thyerja e besës”. Si e tillë, besa “nuk e vuri asnjëherë në pyetje nevojën e ruajtjes me çdo kusht të besës”. Për më tepër, “zuri vendin qendror” te “Kanuni i Lek Dukagjinit, Kanuni i Skënderbeut, …” përfundon prof. Çaushi.
“Testamenti ne të drejtën romake”(“E drejta”, nr. 1-2/98) është një shkrim ku artikullshkruesi temën konkrete e trajton në kuadër të gjashtë nëntemave. Në kuadër të nëntemës së parë: “Disa vërejtje të përgjithshme”, ai thekson se “Testamenti në të drejtën romake paraqitet si një ndër institutet më të vjetra të kësaj të drejte” për të shtuar se ”ky institut është i panjohur për shoqërinë e parë gjentile të Romës, kur mjetet themelore të prodhimit ishin në pronësi kolektive.” Në periudhën klasike të së drejtës romake, testamenti “si mënyrë dhe bazë për thirrje në trashëgim, po bëhej gjithnjë e më funksional dhe efikas”. Ndërkaq, në periudhën postklasike paraqiten: testamenti gojor, i shkruar, privat dhe publik. Në kuadër të nëntemës së dytë: “Testatori dhe trashëgimtarët testamental”, autori pohon se në periudhën e parë të së drejtës romake, testatari, si shef i familjes “gëzonte të drejta dhe autorizime të pa kufizuara” sepse “ ai vendos për atë se kush do të emrohej trashëgimtar i tij dhe kujt sa do t’i takonte (nëse ishin disa sish) nga masa e trashëgimit.” Tutje, shton prof. Çaushi, personat alieni iuris bëhen pronarë masash trashëgimore “duke emruar trashëgimtarët e dëshiruar”. Ndërkaq, trashëgimtarë testamental do të bëhen “personat në gjini më të afërt agnate me trashëgimlënësin … kryesisht fëmijtë e testatorit” edhepse “u shfaq e drejta e domosdoshme e trashëgimit” sipas normave “rigoroze të iuris civile-s të lashtë”. Në kuadër të nëntemës së tretë: “Trajtat e formës dhe veçoritë e tjera të testamentit”, autori nënvizon se “në kohën më të lashtë të zhvillimit të institutit trashëgimoro-juridik … shfaqet testamentum calatis comitiis si një lloj i amanetit publik”. Pason “testamentum in procinctu” apo deklarata trashëgimore e ushtarit si testator dhënë “para bashkëluftëtarëve të rreshtuar në formacion lufte.” Tutje, zë n’goje edhe testamentin “me efekt të tërthort fiducia causa” sipas të cilit testatori bartë masën trashëgimore familiae emptor-it i cili “gëzonte besimin e pakufizuar të testatorit, bëhej kësisoj trashëgimtar universal i tërë masës trashëgimore” por me kusht që ”atë masë të trashëgimit, në momentin e vdekjes së testatorit, t’ua dorëzonte në pronësi personave të emruar nga testatori me nunkupacion”. Por, më vonë gjatë periodës klasike do të përpilohet me shkrim vullneti i fundit i testatorit (tabulae testament) nënshkruar prej shtatë dëshmitarëve. Sipas prof. Çaushit, në periudhën postklasike do të dominoi testamenti praetorian, do t’i ipet “rëndësi vendimtare deklaratës trashëgimore të testatorit.” Tani paraqiten testamenti verbal, olografik, alografik, privat, publik, i ushtarëve, i personave të verbër dhe analfabetë. Në kuadër të nëntemës së katërt: “Përmbajtja e testamentit” autori pohon se këtu ishin dy elemente: i pari, emrimi i trashëgimtarëve dhe i dyti, masa e saktë trashëgimore dhe mënyra e ndarjes. Në kuadër të nëntemës së pestë: “Substitutet testamentale”, duke aluduar tek zëvendësit e trashëgimtarëve që duhej caktuar për çdo eventualitet. Këta ishin: 1. Substitutio vulgaris, 2. Substitutio pupilaris, 3. Substitutio kuazipupilare dhe 4. Substitutio fideoikomisar. Në kuadër të nëntemës së gjashtë: “Legatet dhe fideikomiset”, sipas prof. Çaushi, legatet, ishin “në thelb, dhurata që testatori ia destinonte ndonjë personi të tretë në kurriz të trashëgimtarëve të tij universalë”. Në të drejtën e lashtë romake, “legati urdhërohej me fjalë solemne dhe urdhëruese”. Më vonë “legati varej juridikisht nga vetë testamenti dhe plotëfuqishmëria e tij.” Ndërkaq, fideikomiset, pohon prof. Çaushi, “ishin lutje jo formale të testatorit (fideiciarius-it)” drejtuar trashëgimtarëve, legatarëve, etj. që “sendin e caktuar t’ia dorëzonin ndonjë personi të tretë (fideicommisarius-it).
Ja edhe disa tituj artikujsh me autorësi të studiuesit, prof. Bardhyl Çaushit që janë pjesë integrale e krijimtarisë shkencore të tij. Në to, ai shpalos mendimin e avancuar shkencor në kuadër të fushës juridike: “Kontrata mbi dorëzanin në të drejtën romake (ad promissio)”, (“Përmbledhje punimesh, Fakulteti Juridik, Prishtinë, 1977); “Kontrata e shitblerjes në të drejtën romake (Përmbledhje punimesh, Fakulteti Juridik, Prishtinë, 1978); “Kontrata mbi huan në të drejtën zakonore shqiptare”, (“Përparimi”, Prishtinë, 1980, nr. 3); “Besa – bona fides ngjajshmëritë dhe ndryshimet midis tyre”, (“Përparimi”, Prishtinë, 1978, nr. 5).
Tani, sakaq duhet zënë n’gojë edhe një rrethanë shumë domethënëse që i atribuuohet angazhimit shkencor të prof. dr. Bardhyl Çaushit. Ç’është e vërteta, mendja e shkëlqyer ishte në përfundim të dorëshkrimit të veprës universitare E drejta romake. Por, e njejta, për fatin e keq, nuk do të dihet kurrë se si ishte disenjuar si projekt shkencor me që u dogj bashk me shtëpinë e prof. Bardhyl të cilës ia vënë flakën piromanët serb në Gjakovë gjatë luftës së fundit në Kosovë, luftë në të cilën do të pësojë edhe ai vet nga predhat e forcave të shtetit serb, më 10 maj 1999, duke u flijuar si martir i atdheut.
Përtej kontributit shkencor, kryeprotogonisti ynë nuk anashkaloi as ndryshimet kushtetuese të 1967/68-ës ku kontribuuoi me diskutimet e veta për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në kuadër të ish-Jugosllavisë, në cilësinë e anëtarit të Komisionit Kushtetues të Kosovës.
Pos kësaj, duhet sjell në vëmendjen e lexuesit edhe ndihmesën e dhënë të prof. Bardhyl Çaushit, bashk me gjeneratat e shkëlqyera të kohës, për hartimin e dy “dokumenteve burimore të vetëpërcaktimit politik” për Kosovën, siç shprehej, i ndjeri akademik Esat Stavileci: “Deklarata Kushtetuese për Kosovën si njësi e mëvetësishme dhe e barabartë në kuadrin e Federatës (Konfederatës) së Jugosllavisë e 2 korrikut 1990 dhe “Kushtetuta e Republikës së Kosovës” e 7 shtatorit 1990 që sanksionoi politikisht pozitën e Kosovës për t’qenë njësi e barabartë me të gjitha republikat tjera të ish-Jugosllavisë (federale, përkatësisht konfederale).
Një tjetër zhvillim paraqet edhe dëshmia e prof. Bardhyl Çaushit në Gjykatën Kushtetuese të Jugosllavisë (1991) gjatë séancës së vlerësimit të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Serbisë për jokushtetushmërinë e Ligjit për veprimtarinë e organeve republikane në rrethana të veçanta (1990).
Ndryshe, nga fusha juridike kushtetuese prof. Bardhyl Çaushi ka publikuar tekstin “Rrënimi i autonomisë së Kosovës” (1992), botim i Shoqatës së Juristëve të Kosovës.
Në kuadër të aktivitetit intelektual profesor Çaushi bëri edhe përkthime. I njejti shqipëroi nga serbishtja dy tekste universitare: Sistemi ekonomik i Jugosllavisë (Gjorgje Mileviq, 1965) dhe E drejta romake (Ivo Puhan, 1971).
Prof. dr. Bardhyl Çaushi është nderuar me Medalen e Artë të Pavarësisë për meritat e tij për lirinë dhe pavarësinë më 2005 nga ish-Presidenti Ibrahim Rugova; me Medalen e Artë “Mësues i Merituar” nga ish Presidenti Fatmir Sejdiu dhe me Medalen e Artë Presidenciale të Meritave.
Fatkeqësisht, këtë copëz të jetës shkencore dedikuar prof. dr. Bardhyl Çaushi, pashmangshëm duhet përmbyllur me ndjenjën e zhgënjimit të thellë për të gjithë ne sepse po e përjetojmë momentin kur institucionet tona të arsimit të lartë – Fakulteti Juridik apo Universiteti “Hasan Prishtina” në kryeqendrën tonë as që vënë në dukje shenimin e jubileut të 87 vjetorit të lindjes së këtij punonjësi shkencor p.sh. përmes organizimit të ndonjë eventi shkencor: konference, seminari, simpoziumi jubilar apo ndonjë tryeze a tribune, pse jo, pasuar me ndonjë botim apo projekt të veçant përmbledhjesh të kumtesave të panelistëve dalë nga ndonjë organizim i tillë. Do ishte neveritëse dhe nuk do i bënte nder aspak këtyre dy institucioneve të larta të arsimit kosovar vetëm një postim (eventual) i tyre me disa fjali në shenjë përkujtimi të 78 vjetorit të lindjes së këtij njeriu të madh, shkencëtari të fushës së drejtësisë dhe dëshmori të rënë në luftë.