Shkruan: Murteza OSDAUTAJ
_____
(Mbi protestat, mbi Shmitin, për Shqiptarët orientalë dhe rrezikun nga ortodoksizmi i kamufluar grek)
1.
Kur shkruaj për besimin fetar, matem e çmatem disa herë. Nuk dua ta ofendoj apo ta lëndoj ndjenjën e bukur të besimit në zot të askujt, cilitdo besim që i takon ngase, në njëfarë dore, brenda meje, për shkak të historisë dhe mënyrës se si është zhvilluar dhe formësuar kombi shqiptar, gjithmonë jam ndjerë, të shprehem simbolikisht, në një lloj kutie në të cilën bashke dyzohen dhe kombinohen të dyja besimet e mëdha shqiptare dhe të gjitha variantet e nënvariantet e tyre. Mendoj se një pjesë e identitetit shqiptar ka të bëjë edhe me këtë pjesë të ekzistencës tonë. Për këtë, pra, për dallim nga të gjithë kombet tjera, në kulturën tonë është normale që një mysliman ta pagëzojë të birin a nipin me emrin e Migjenit, të Asdrenit të Çajupit, të Donikës, të Fan Nolit, të Argjirës etj., të gjithë këto figura eminente historike dhe legjendare të kombit por që i përkisnin besimit të krishterë, ortodoks apo katolik. Po kështu, mund të gjesh edhe një Naim, Ismail apo një Frashër që janë ortodoks nga jugu apo katolikë nga Malësia e Shkodrës. Po kështu është normale në kulturën tonë ta kemi një Arbër që është mysliman dhe një Arbër që është katolik, një Teutë ortodokse dhe një Teutë bektashi, një Gjergj që është suni dhe një Gjergj që është protestant, një Sarandë që jeton afër Xhamisë së madhe në Prishtinë dhe një Sarandë që jeton te Katedralja françeskane në Shkodër, një Skender që mund të jetë dervish apo një Skënder që është bërë murg ortodoks. Te shqiptarët është normale që një djalë katolik dhe një vajzë ortodokse ta kenë të njëjtin mbiemër me rrënjë myslimane, p.sh. Hajdaraj ose, është fare normale, që myslimanë të devotshëm dhe të krishterë fanatikë të mbajnë një mbiemër me rrënjë të krishtera, p.sh. Gjonaj apo Gjergji. Gjithashtu, jo më larg se 50-60 vjet më parë, në Kosovë mund të gjeje familje të mëdha shqiptare në të cilat gjysma e pjesëtarëve të familjes ishin të krishterë e gjysma tjetër të besimit islam ku njëri nga burrat e shtëpisë kishte emrin Hysen dhe tjetri Ndue. Këta njerëz jetonin në një shtëpi (kullë), gjallonin së bashku, i luteshin zotit në të njëjtën odë burrash, festonin së bashku Bajram e Pashkë, flinin në të njëjtat ambiente, lëvronin të njëjtën arë, këndonin të njëjtat këngë, dëgjonin të njëjtat rrëfime për Marash Palin dhe për Ali Pashë Gucinë dhe i rrinin përreth të njëjtit lahutar që, në mbrëmjet e gjata të dimrit, për orë të tëra, këndonte këngët kreshnike për Gjergj Elez Alinë dhe për Gjeto Basho Mujin.
Po kështu, në kohët kur ishim të vegjël, gjyshet tona, myslimane apo të krishtera, në mësonin se si besimi i secilit nga ne ishte i shenjtë dhe se si, besove në Muhametin apo në Krishtin, me rendësi ishte ta kishe zemrën e bardhë dhe të ishte shqiptar ngase, sipas tyre, të jesh shqiptar do të thoshte ta ‘ishe i paçë në shpirt e në trup’. Gjyshet tona na mësonin se xhamia dhe kisha ishin ‘shtëpi të zotit’ dhe na mësonin se kudo që i lutesh zotit, ai do ta pranojë lutjen tënde. Ato flisnin për të shenjtët dhe ‘njerëzit e mirë’ shqiptarë dhe kur sëmureshim, kur manifestonim frikë e ankthe apo për t’u bërë nxënës të mirë, na dërgonin ose te ‘varri i mirë’ në manastir, në ndonjë kishë ose te tyrbet e njohura që gjendeshin kudo në Kosovë.
Ishte.
2.
Gjërat nuk janë kaq ideale aktualisht. Instrumentalizimi i shqiptarëve është bërë një fenomen i vërejtshëm dhe i prekshëm në të dyja shtetet tona dhe në Maqedoninë e Veriut. Islami politik, si një politikë ekspansioniste që bazë ka ‘përhapjen e islamit në perëndim’(siç pat deklaruar një zv.ministër i qeverisë së Kosovës) dhe që, pas viteve 2000, u përhap në Kosovës përmes ‘shoqatave humanitare’ nga lindja, filloi të ndikojë në mënyrë ekstreme në mënyrën e praktikimit të besimit që e praktikonin besimtarët islamë shqiptarë me shekuj dhe filloi ta ndryshojë qëndrimin e paparë të shqiptarëve ndaj besimeve tjera dhe ndaj objekteve sakrale të secilit lloj. Kjo formë besimi, e importuar nga lindja dhe, sidomos, nga hoxhallarët e rinj të shkolluar nëpër shkollat islame të Arabisë Saudite dhe nga politikat neootomane të shtetit Turk përmes agjencive ‘humanitare’, e ka rrënuar, në tërësi vëllazërinë fetare shqiptare dhe ka ndikuar tepër negativisht edhe në aspektet identitare në lidhje me përkatësinë kombëtare. Duke u përqendruar te shtresat e varfra, duke iu ofruar pagesa dhe ‘ndihma humanitare’, kjo rrymë e islamit bëri që këto shtresa të popullsisë të diferencoheshin kulturalisht, vizuelisht dhe shpirtërisht nga pjesa tjetër e popullsisë duke krijuar averzion por edhe mbështetje tek shtresat tjera të cilat nuk ishin influencuar direkt nga këto ‘shkolla’. Deri para disa ditësh manifestimet e tilla politike dhe ‘kulturore’ zhvilloheshin brenda ‘xhamive’ dhe institucioneve ‘humanitare’ ndërsa që në shkolla, sidomos në shkollat turke private, ky lloj indoktrinimi zhvillohej në heshtje dhe pa ndonjë zhurmë të madhe.
Në të njëjtën mënyrë, por me mjete më të sofistikuara, veprojnë edhe agjentë grekë në Kishën autoqefale shqiptare e cila është uzurpuar edhe fizikisht, edhe ideologjikisht nga agjentë të agjencive antishqiptare greke të cilët duke ‘punuar’ si murgjër dhe priftërinj po ndikojnë në mënyrë të palejueshme në komunitetin ortodoks të shqiptarëve për asimilimin dhe vetëmohimin e përkatësisë së tyre shqiptare dhe duke bërë që trashëgimia patriotike dhe historike e këtij institucioni kombëtar të dobësohet apo të zhduket fare.
3.
Puna erdhi deri ty saqë për një performancë të paqëlluar që u mbajt në festivalin ndërkombëtar ‘Dokufest’ në Prizren, myslimanët e ‘devotshëm’, të prirë nga një ‘Hoxhë’ organizuan një protestë në të cilën, edhe njëherë, haptas dhe pa asnjë maskë u shfaq ‘vetëdija islame’ e ‘shqiptarëve’. U shfaq, fatkeqësisht, në një mënyrë të shëmtuar dhe përçoi te njerëzit kulturën e përgjithshme të kësaj mase dhe të kësaj shtrese të popullsisë. Protestuesit, ndër ta shumë fëmijë të moshës së mitur, mbanin pankarta dhe parulla që bënin thirrje për ruajtjen e moralit dhe të kulturës si dhe kundër drogave dhe shfaqjeve degjeneruese në shoqëri. Por kjo performancë e menduar mirë, që islami politik të paraqitej edhe haptas dhe me kërkesa sociale dhe politike, plasi si fluskë sapuni. Ata që flisnin para televizorit, edhe pse mbanin pankarta e parulla të shkruara shqip me kujdes, ose nuk dinin shqip fare, siç ishte rasti i dy a tre personave në protestë të cilët, të zënë ngushtë, u detyruan të deklarojnë se nuk dinin shqip dhe nuk e kuptonin përmbajtjen e pankartave që mbanin në duar, ose e flisnin shqipen me gabime fundamentale sintaksore dhe morfologjike siç ishte rasti i pjesës më të madhe të atyre që folën, ose nuk e kuptonin fare përmbajtjen e parullave që mbanin, siç deklaruan thuaja të gjithë fëmijët pjesëmarrës në protestë. Ajo masë njerëzish, me kulturën gjuhësore që shfaqen gjatë protestës, mund të ishin gjithçka por vetëm shqiptarë jo. Një shqiptar, së paku duhet ta flasë shqipen (qoftë edhe shqipen lokale dhe dialektore) pa gabime ngase elementi kryesor identifikues i shqiptarëve, tash e gjithmonë, është gjuha e tyre, kultura, zakonet dhe tradita. Hoxha i Prizrenit, duke dashur që ta paraqesë ‘fuqinë’ e ‘xhematit’ të tij shpërfaqi një pjesë të së vërtetës të cilën ne e fshehim dhe për të cilën nuk flasim, nivelin tejet të ulët kulturor të shtresave të gjëra të popullsisë dhe rrezikun që kjo shtresë e njerëzve të përdorët për ‘islamizimin’ kulturor dhe identifikues të qyteteve tona. “Hoxha’ ose agjenti politik i porositësve të vet u mundua ta paraqesë Prizrenin si çerdhe të islamit politik por, në të vërtetë, shpërfaqi edhe publikisht gjendjen e tmerrshme kulturore dhe identitare të popullatës së Prizrenit që veten e quan shqiptare dhe nivelin tejet të ulët arsimor, kulturor dhe kombëtarë të këtij ‘xhemati shqiptar’.
Studiuesi austriak, këto ditë, në një prezantim në Seminarin ndërkombëtar për gjuhën dhe letërsinë shqipe, i ndau shqiptarët në shqiptarë perëndimorë dhe në shqiptarë lindorë. Sipas tij, të tillë, pra shqiptarë ‘lindorë’ (orientalë), jemi ne shqiptarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët që kanë jetuar në ish-Jugosllavi ngase kjo pjesë e shqiptarëve, përveç rrethanave të tjera politike dhe shioqërore, ka qene shumë e ndikuar nga islami politik dhe otomanizmi dhe, për këtë arsye, kanë mbetur në atë zonë kulturore të orientit..
Disa nga ne mund të jemi prekur dhe mund të jemi ndier të fyer nga konstatimet e shkencëtarit Shmit. Por, ta zëmë, të premten që shkoi, në kafenetë afër universitetit, në të vërtetë në oborr të universitetit, Shmiti mund të ketë shkuar dhe mund të ketë pritur kot për ta pirë një kafe ngase, në ato kafene nuk shërbehet kafeja në këtë kohë të ditës sepse ‘stafi i kafeneve e ka lënë punën për të shkuar në faljen e gjumasë’. Shmiti mund të ketë shkuar në shitoret aty afër dhe mund të ketë kërkuar birrë ose verë. Të njëjtit, shitësit mund t’i kenë thënë se meqenëse birra dhe vëra janë ‘haram’ , pra të ndaluara nga feja, nuk i mbajnë në shitore. Shmiti mund të ketë dalë rrugëve të Prishtinës dhe mund të ketë parë qindra gra e vajza të mbuluara të cilat këtë veshje e mbajnë për ta treguar veten se sa lindore dhe sa ‘arabe’ e ‘turke’ janë e në anën tjetër mund të mos kenë lexuar një libër te vetëm në jetën e tyre.
Shmiti mund të jetë takuar edhe në ndonjë ‘hoxhë me shkollë’ siç u takua autori i këtyre rreshtave para disa ditësh dhe ‘hoxha’ mund t’i ketë thënë broçkulla te tipit se si Krishti ka qenë mysliman ndërsa Muhameti, edhe pse e kishte pranuar Krishtin si profet, nuk mund të ketë qenë i krishterë, pra vijues i pikëpamjeve dhe besimeve të Krishtit i cili paska qenë mysliman ngase islami është mbi krishterimin dhe se islami nuk e pranon trininë e krishterë.
Shmiti mund ta ketë përcjellë gjykimin e ‘rrahësve’ të Valon Sylës dhe mund ta ketë kuptuar se sa i rrënjosur në mendësinë e disa ‘shqiptarëve’ është islami politik. Këta ‘rrahës’ nuk e pranonin gjykatën e vendit të tyre, nuk iu bindeshin urdhrave dhe rregullave të gjykatës së vendit të tyre dhe, për më tepër, konsideronin se e vetmja gjykatë që mund t’i gjykojë ata është ajo gjykatë që bazohet në ligjet islame të sheriatit.
Shmiti mund ta ketë parë Hoxhën Shefqet i cili e bëri ngjarje konvertimin e një serbi në islam të cilin, për shkak të kësaj, e quajti vëlla mysliman ndërsa për Nënën Tereze dhe për Skënderbeun deklaronte se kenë shkuar në ferr (xhehenem) ngase nuk kanë qenë myslimanë edhe për arsye se Skënderbeu, për më shumë, kishte luftuar me myslimanë dhe i kishte vrarë ata. Shmiti mund t’i ketë parë videot e qindra hoxhallarëve dhe islamikëve të tjerë të cilët bëjnë thirrje për shkatërrimin e trashëgimisë ‘joislame’ të shqiptarëve, të cilët pjesën jomyslimane të kombit të tyre e quajnë kaurë dhe të pafe dhe, të cilët, flamurin e tyre kombëtarë e quajnë leckë dhe poçavër.
Shmiti mund ta ketë parë e dëgjuar zv. Ministrin e qeverisë Kurti duke bërë thirrje për përhapjen e Islamit në perëndim dhe duke potencuar se këtë detyrë e kanë myslimanët ‘shqiptarë’ të cilët qenkan në cepin më verior të kufirit të islamit. Ai, Shmiti pra, këto ditë mund të jetë takuar me shumë kolegë të tij ‘shkencëtarë’ historianë e gjuhëtarë të cilët, të ekzaltuar nga përkatësia e tyre e re ‘Islame’, më shumë i kanë folur për kuluvallahun se sa për zbulimet ‘e tyre’ të reja historike dhe arkeologjike në Ulpianë apo për ndonjë dokument të ri të zbuluar në Vatikan apo në ndonjë arkiv tjetër të lashtë kudo në botë.
Tash kush më thotë se kjo pjesë e ‘shqiptarëve’ nuk ‘është një mbetje orientale dhe neootomane që po bën gjithçka për ta ndryshuar identitetin historik dhe kulturor shqiptar me ideologjinë primitive të shkretëtirave të Arabisë dhe orekseve neokolonialiste filoturke. Kush mund të më bindë së gjithë ky manifestim politik i islamit nuk po bëhet me qëllim që te shndërrojë Kosovën në një vend oriental dhe që, në fund të fundit, do të rezultonte me shkatërrimin e identitetit të saj shtetëror. Kam frikë se, duke i parë këto zhvillime anakronike, shqiptarët, që nga rilindja kombëtare, nuk kanë qenë në krizë më të madhe të identitetit dhe të shtet bërjes se sa janë tash.
Po vazhdojmë…
Shmiti mund të ketë shkuar në vendet perëndimore, p.sh. në Zvicër, në Gjermani, në Norvegji, në Austri etj. dhe mund të ketë parë se si shqiptarët, në vend se t’i përdorin mundësitë që ua afrojnë shtetet që fëmijët e tyre ta mësojnë gjuhën shqipe, i dërgojnë ata në xhami apo punësojnë ‘emisarë fetarë’ të paguar kush e di nga cili shërbim antishqiptar për të mësuar fe. Shmiti mund të ketë qenë një ditë të mërkurë në disa kantone të Zvicrës kur ky shtet i lëshon shkollat publike në dispozicion të emigrantëve për ta mësuar gjuhën dhe kulturën e tyre të origjinës dhe mund të ketë qenë në ndonjë ditë të shtunë në ndonjë qytet të Norvegjisë ku po keqpërdoret në mënyrë kriminale mundësia që ofrojnë këto shtete për fëmijët emigrantë shqiptarë që ta mësojnë gjuhën e kulturën e tyre. Në këtë rast shqiptarët, sidomos nga Rrafshi i Kosovës, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut janë ata që, në mënyrë të palejueshme dhe masive, i privojnë fëmijët e tyre nga e drejta për ta mësuar gjuhën dhe për ta kultivuar kulturën dhe trashëgiminë e tyre në favor të mësimit të fesë nga ndonjë ‘hoxhë’ arab apo pakistanez i paguar kush e di se nga cili shërbim antishqiptar në Arabi apo në Evropën lindore duke filluar nga Serbia e duke u ndalur diku në Rusi a Iran. Ky fenomen nuk mund të quhet ndryshe përveçse shkombëtarizim i qëllimtë dhe, nga shteti duhet të konsiderohet krim kundër njerëzimit dhe gjenocid kulturor.
Shmiti sigurisht që nuk ka folur për këtë aspekt të shkombëtarizimit që po përjeton pjesa ortodokse shqiptare, sidomos ortodoksët shqiptarë që jetojnë në Greqi ku i nënshtrohen një propagande mirë të organizuar antishqiptare të shtetit grek të ndihmuar shumë mirë dhe besnikërisht nga shqiptarë të shitur dhe të instaluar me qëllime afatgjata politike në Kishën autoqefale e cila, tash për tash, mund të jetë gjithçka por shqiptare jo asnjëherë. Një shtet normal, e Shqipëria fatkeqësisht nuk është i tillë, do të ndërmerrte çdo mase që ta mbronte një nga asetet kombëtare më të rëndësishme e që është Kisha e tij autoqefale kombëtare. Do të duhej që, me një akt shtetëror apo brenda një periudhe të shkurtër (p.sh. njëvjeçare), të dëboheshin të tërë agjentët grekë e serbë të instaluar në institucionet kishtare shqiptare si ‘murgjër’ apo ‘priftërinj’. Mendoj se aleanca antishqiptare ortodokse-islamike e krijuar dhe e rikrijuar nga armiqtë tanë lindorë duhet të ndërpritet sa më shpejt që të është e mundur dhe aq shpejt sa të mos bëhet vonë për gjithçka. Unë e di se dikush do ta raportojë këtë shkrim në fejsbuk dhe e di se fejsbuku do ta heq nga faqja ime me çka kufiohet mundësia për tu parë nga sa më shume njerëz por e di edhe faktin se islami politik dhe ortodoksizmi grek janë duke e rrezikuar në fondament identitetit shqiptar dhe, për këtë, masat shtetërore kundër këtyre dy formave të politikave shkombëtarizuese duhet të jenë të shpejta dhe efikase.
Për dëshirën e shumë njerëzve ‘besimtarë’, nuk po flas më për ‘shqiptarët lindore’ ose orientalë por po them se Shmiti s’kishte të drejtë sepse ne nuk jemi orientalë dhe lindorë.(sic)
4.
Edhe këto ditë, por më intensitet më të vogël vazhdon gajasja dhe përpjekja titanike e gazetarëve dhe analistëve për ta luftuar Kurtin. E kam thënë edhe njëherë se mediat janë shtyllë e pushtetit dhe detyrë e tyre kryesore është krijimi i opinioneve (koncepteve, pikëpoamjeve dhe mendësive) për të gjitha problemet që shqyrtohen dhe ndodhin në shoqëri. Në rastin konkret, as opozita dhe as mediat nuk po arrijnë ta krijojnë masën e mbështetësve të tyre. Ky fakt është i mjaftueshëm për t’i bërë të mendojnë se çka nuk po funksionon në tërë ketë veprimtarinë tyre plot inat antikurtiane. Më së shumti do të duhej të mendonte partia ime e vjetër, LDK-ja, e cila dikur ishte ajo që krijonte dhe mbante opinion, ide dhe ideologji për shtetin dhe pavarësinë e Kosovës e sot nuk mund t’ua ‘heqë asnjë bujashkë’ simpatizantëve të vet dhe askujt tjetër në opinionin kosovar në përkrahje të fushatës së saj antikurtiane. Lufta fanatike kundër Kurtit po bëhet një kurthë. Dalja nga kurthi i luftës kundër Kurtit dhe fillimi i rimëkëmbjes ideologjike dhe programore për një shoqëri të drejtë dhe për një shtet e komb shqiptar me orientime politike perëndimore dhe kulturë të lashtë oksidentale është shpëtimi i vetëm i LDK-së dhe i tërë popullit të Kosovës. Në rrugën që është duke e ndjekur LDK-ja, duke rënë në kurthin e fushatave të theshethemave dhe të propagandës së ulët kundër Kurtit dhe duke i mbyllur sytë ndaj paraqitjeve shkombëtarizuese të islamit dhe ortodoksizmit grek, do të rrezikojë që të futet në grupin a partive që mund ta kenë problem ‘pragun’ siç është aktualisht AAK-ja dhe siç ishin dje shumë parti që tashmë janë zhdukur nga skena politike. Shkatërrimi i LDK-së si parti kombëtare, konservative dhe perëndimore që kishte dhe ka platformë krijimin e një kombi garues me kombet tjera evropiane, do të ishte po aq e dëmshme sa janë të dëmshme lëvizjet që udhëhiqen nga islamistët politikë në Kosovë dhe ortodoksët grekofilë në Shqipëri.
5.
Dhe ndodh ajo që në cilindo vend do të ishte befasi. Për ta ‘mbrojtur’ idolin e tyre politik, një masë njerëzish organizojnë protestë në mbrojtje të Kurtit dhe kundër mediave e opozitës. Ata kryesisht ishin emigrantë nga diaspora dhe njerëz të cilët ishin lodhur nga politikat e dobëta të Kosovës në mbrojtje të shtetësisë dhe të sovranitetit shtetëror të saj. Ata nuk ishin të informuar mirë se sa fuqi ka opozita dhe mediat për ta përmbysur opinionin publik por, me idealizëm dhe nga pak edhe me naivitet i dolën ‘në krah’ Kurtit. Ata nuk e kishin kuptuar se Kurtin mund ta rrëzojë vetëm Kurti dhe se opozita e shkapërderdhur, pa njerëz të fortë me bagazh politik e kombëtar të pakontestueshëm dhe mediat me gazetarë dhe opoinionistë të pandershëm, të njëanshëm, të paguximshëm dhe të paaftë nuk mund ta rrezikojnë as për një milimetër pozitën politike të Kurtit.
Bile, në këtë rast, as zejtini dhe cilado ‘rezervë’ tjetër shtetërore nuk iu ndihmon dot.
Partitë opozitare dhe mediat duhet ta kuptojnë se pa një program konkurrent me atë të Kurtit, pa ndryshimin e imazhit mafioz që e kanë krijuar gjatë viteve të gjata në pushtet, pa dënimin publik të sjelljeve dhe vendimeve të dëmshme politike dhe akteve korruptive që i kanë kryer, vetëm sa mund të fundosën në baltën e pamundësive dhe rrëshqitjeve të tyre kronike politike.
Në anën tjetër derisa të gjithë merren me Kurtin, ‘dy rrahësit’ e Valon Sylës, e mohojnë sistemin ligjor dhe rregullimin kushtetues të vendit dhe dalin ‘pa therrë në këmbë’ nga procesi. Ata nuk janë ‘rrahës’ dhe delikuent të thjeshtë, as shpërndarës droge dhe as kriminelë ordinerë. Ata paraqesin një rrymë politike që po lulëzon fshehtas dhe ilegalisht në Kosovë, që po e sulmon rregullimin politik dhe rendin kushtetues të vendit, që po e rrezikon identitetin kombëtar e shtetëror dhe që po ngritet duke i frikësuar ata që kanë guxim që ta kundërshtojnë atë, haptas apo fshehtas. Të gjithë ne të tjerët merremi me prodhimin e sharjeve dhe me ‘zbulimin e aferave’ kundër Kurtit dhe klikës së tij. Për mua shteti dhe karakteri demokratik, sekular e perëndimor i tij është në rrezik ndërsa që askush nuk merret me këtë anë të problemit.
Tragjike!