Studiuesi dhe përkthyesi nga Rumania, Marius Dobrescu, mori pjesë në edicionin e 41-të, të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili përfundoi më 25 gusht në Prishtinë. Dobrescu, përkthyesi i veprës së shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare në gjuhën rumune, përveç autorëve të tjerë shqiptarë, po e bën gati për botim në këtë gjuhë dhe “Koncert në fund të dimrit” të Kadaresë.

Ai ka përkthyer dhe autorë të tjerë shqiptarë në gjuhën e tij. Në intervistë për Radio Kosovën, ai thotë se: “Mund të konkludoj se para vitit ’90-të, letërsia shqipe ka qenë shumë pak e përkthyer në Rumani. Kemi pasur një profesor të Universitetit, Grigore Brenkush, akademik, që ka përkthyer shumë nga Migjeni, “Fruti i ndaluar” sidomos, në vitet ’67 – 68. Në vitin 1973 është përkthyer nga Foqion Miçaço “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe me këtë roman, Kadare ka hyrë në tregun rumun”.

Temë e sivjetme e Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare ishtë “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi”. A është në rrezik gjuha shqipe?

Marius Dobrescu: Gjuha shqipe është sikur gjuhët e tjera të Evropës. Ashtu mund të them edhe për gjuhën rumune që është në rrezik, por në fakt për aq kohë sa kemi studentë, profesorë, letërsi, shkrimtarë, gazetarë, e kështu me radhë, një gjuhë nuk mund të jetë në rrezik në asnjë mënyrë. Ajo do të rezistojë, siç ka rezistuar deri tani.

Dixhitalizimi, inteligjenca artificiale, nuk ndikon diçka në këtë?

Marius Dobrescu: Patjetër që ndikon, sidomos tek rinia. Por, ka dhe njerëz të moshuar si puna ime që e shfrytëzojnë këtë dixhitalizim dhe besoj që nuk ka asgjë të keqe në këtë. Pra, gjuha mund të zhvillohet edhe nëpërmjet dixhitalizimit, megjithëse reduktohet pak a shumë, shprehjet mund të jenë më të reduktuara, por prapë se prapë gjuha do të mbetet.

Jeni paraqitur me studimin tuaj në seminar, me temën: “Letërsia shqipe e përkthyer në Rumani, në gjysmëshekullin e fundit”. Sa është përkthyer letërsia jonë në rumanisht gjatë kësaj periudhe?

Marius Dobrescu: Para vitit ’90-të, në Shqipëri përkthehej vetëm një shkrimtar, e ai ishte Ismail Kadare, shkrimtar i njohur që atëherë. Para këtij viti u përkthyen katër ose pesë vepra të tij. Rastësisht, me rastin e ditës kombëtare të Shqipërisë, më 28 Nëntor, dilnin në shtypin ditor ose në revista shkencore artikuj ose përkthime nga letërsia shqipe, por vetëm njëherë në vit. Këto ishin shenja të miqësisë që shtetet socialiste i dërgonin njëra – tjetrës njëherë në vit. Pas vitit ‘90-të, tregu mori më shumë përkthime nga letërsia shqipe, edhe përkthyesit janë shumëzuar, d.m.th, tash jemi më shumë përkthyes. Janë disa që kanë mbaruar studimet në Shqipëri në vitet ’90-të. Por, prapë se prapë në vend të parë është Kadare. Për ta lënë me një anë modestinë, mund të them që kam përkthyer mjaftë nga Kadare, mbi 30 vëllime me mbi 50 e ca vepra, por janë përkthyer dhe shkrimtarë të tjerë si Thanas Medi, Bashkim Hoxha ose poet të ndryshëm nga Shqipëria në dy antologji poetike. Mirëpo, midis tyre letërsia kosovare e ka një vend shumë të vogël dhe është pak e njohur në Rumani, jo për faj të autorëve, por të autoriteve kulturore se nuk dinë t’i shfrtytëzojnë panairet e librave. Në vitin 2000 isha ftuar në Shqipëri, në Panairin e Librit, së bashku me disa përkthyes të tjerë të interesuar për letërsinë shqipe, ishim katër apo pesë veta. Atëherë, më këtë rast u bënë disa tavolina të rrumbullakëta, diskutime, dialogje, kemi njohur shkrimtarë të asaj kohe.Pas këtij evenimenti, kanë dalë nëpër vende të ndryshme të Evropës libra nga shkrimtarët shqiptarë, përkthime nga letërsia shqipe. Kjo është dhe një këshillë që mund t’ia bëj Ministrisë së Kulturës së Kosovës, sepse është në dobi të letërsisë shqipe të Kosovës dhe në dobi të vet shkrimtarëve sepse për një vend të ri siç është Republika e Kosovës, kjo është një gjë shumë e rëndësishme sepse ajo mund të bëj të gjejë miq të rinj dhe të hapë tregje të librit kosovar në vendet ku letërsia kosovare nuk njihet.

Profesor, sa është i rëndësishëm përkthimi letrar sot?

Marius Dobrescu: Përkthimi letrar tek ne i mbanë në jetë shtëpitë botuese sepse veprat e shkrimtarëve rumunë nuk shiten aq shumë siç shiten përkthimet. Domethënë, është një përfitim i dorës së parë, pastaj në këtë botë komplekse dhe të multikulturuar, ashtu siç është bota e tanishme, është shumë i rëndësishëm përkthimi sepse na vë në kontakt me popujt e tjerë, me letërsitë e tjera, me traditat e tjera, me shkrimtarë të tjerë të mirë dhe me rryma letrare të ndryshme që janë në botë, që ndoshta tani për tani nuk i njohim.

Cilat janë kriteret e juaja për përzgjedhjen e një vepre letrare për përkthim në gjuhën rumune?

Marius Dobrescu: Patjetër që në vend të parë është vlera e tyre. Kur flasim për Kadarenë, nuk vihet problemi i vlerës sepse Kadare njihet si shkrimtar shumë i mirë, prandaj kam përkthyer nga disa shkrimtarë të tjerë shqiptarë si Arbër Ahmetaj që punon si farmacist në Zvicër. Pasi t’i lexoj veprat, pastaj vendosi a janë të përkthyeshme apo jo. Kjo varet dhe nga aftësia e shtëpisë botuese me të cilën bashkëpunon. Pa sponsorizim nuk bëhet asgjë në kohën tonë.

E keni spikatur ndonjë autor nga Kosova për përkthim në gjuhën tuaj?

Marius Dobrescu: Po. Më pëlqen shumë dhe mora tre libra të tij, Eqrem Basha. Kam dëgjuar që në këtë kohë është shkrimtari numër një i Kosovës. Do të konstatojë edhe vet nëse është e vërtetë apo jo kjo, duke i lexuar librat. Kam përkthyer mjaftë nga poezia shqipe e Kosovës siç janë autorët Besim Bokshi, Radije Hoxha, Ali Aliu, Eqrem Basha…poezi kam përkthyer, e romane ende jo. Besoj që proza shqipe e Kosovës është një prozë e shëndoshë, e mirë dhe moderne.

Keni përkthyer në gjuhën tuaj veprën e shkrimtarit shqiptar me përmasa botërore, Ismail Kadare. Ndër librat e përzgjedhur është dhe romani “Kronikë në gurë”. Pse e përzgjedhët këtë, për shkak të vlerave letrare, për shkak të historisë që është brenda?

Marius Dobrescu: Sepse më ka pëlqyer shumë. Besoj se është një nga romanet më të mira të Ismail Kadaresë. Po bëj një parantezë. Kadarenë e kam pasur dhe profesor në Universitetin e Tiranës. Na ligjëronte letërsi botërore të shekullit të 20-të, dhe që në atë kohë ishte i famshëm edhe në Shqipëri. Kolegët e mi shqiptarë kur dëgjuan se do të vinte Kadare në mësim, bënë uauuu…Kadare ishte shumë modest dhe na fliste shumë bukur. I kishte lexuar gjithë ato vepra dhe avantazh ishte se kolegët e mi shqiptarë nuk e kishin pasur sepse letërsia botërore e shekullit 20-të, ishte pak e përkthyer në Shqipëri, kurse ne që e kishim bibliotekën në Ambasadë, i lexonim zakonisht. Prandaj, thashë ta marr që ta përkthej librin e parë “Kronikë në gurë” dhe kështu bëra. U botua nga Shtëpia Botuese “Univers”, në vitin 1983. Kjo ka qenë vepra e parë e Kadaresë që e kam përkthyer në rumanisht.

Ndërkombëtarët thonë se gjuha shqipe është shumë e vështirë për ta mësuar. Për ju, sa ishte?

Marius Dobrescu: Ashtu është. Në fillim e kam pasur të vështirë, madje babai im kur u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme për të firmosur se është i pajtimit për ikjen time në Shqipëri, nuk ishte i pajtimit. Më tha, jo sepse shqiptarët janë popull rebel. Por, pastaj kur ishim në Bukuresht, para se të shkonim në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ai takoi një shok të tij nga Brajla, Brajla është qyteti im i lindjes, qyteti i Naum Veqilharxhit, është një qytet shumë i bukur buzë Danubit, dhe ai i tha: “Lëre djalin të shkojë se ky është një tren që vjen një herë në jetë”! Kështu ka qenë. Në fillim shqipja m’u duk si ca gurë që bien mbi një çati të shtëpisë, shumë e rëndë, por pastaj duke jetuar në mesin e shqiptarëve dhe duke pasur mësime të gjuhës shqipe tërë verën e vitit ’71. Në shtator filluan mësimet, kuptohet duke shkruar në rumanisht e duke i përkthyer pastaj në konvikt. Më pas, në vitin e dytë, të tretë dhe të katërt, u specializova. U specializua gjuha aq mirë saqë nuk dallohesha nga shqiptarët. Mbaj mend një skenë që isha me shokun tim të dhomës, Flamur Shabani nga Lushnja. Ishim duke shkuar në mensë dhe rrugës u takuam me një lushnjar tjetër. Para se ta takonim, shoku më tha që t’i them atij se edhe unë jam lushnjar, që banoj në filan lagjen, e kështu me radhë…u përshëndetëm dhe më pyeti se në cilën lagje banoja. Ia thashë emrin e lagjes. Nuk të njoh, më tha. Flamuri pastaj i tha se jam rumun, si nuk e more vesh deri tani?! Domëthënë se e flisja shumë mirë gjuhën shqipe në atë kohë. Pa pasur kontakte me shqiptarë, është e vështirë. Unë flas shumë rrallë dhe pa e praktikuar është vështirë të mbahet në mend. Flas shqip vetëm me ata të Ambasadës Shqiptare kur shkoj ndonjëherë atje, ose me ndonjë shok që vjen nga Shqipëria apo nga Kosova. Shumë rrallë, shumë rrallë…

Si vlerësohet letërsia shqipe e përkthyer në gjuhën tuaj, nga rumunët?

Marius Dobrescu: Mirë në përgjithësi, por është akoma e panjohur. Tirazhet janë të vogla dhe disa vepra i nxjerr vet komuniteti, shtëpia botuese e vet komunitetit. Ka një komunitet të vogël shqiptarësh atje që financohet nga shteti, por prapë se prapë shumë pak.

Sa shitet libri në Rumani sot?

Marius Dobrescu: Tirazhet e librave janë shumë të pakët. Kadare botohet në një tirazh deri 4 mijë copë e jo më shumë. Kuptohet se shkrimtarët e tjerë botohen në një tirazhe akoma më të vogël. Kadare nuk është një shkrimtar që të ketë lexues të shumtë, nuk është shkrimtar komercial. Kadarenë e lexojnë ata që e njohin historinë e Ballkanit, kryesisht që njohin pak letërsi, pak histori e pak traditë, prandaj nuk ka shumë lexues, por ata lexues që i ka, i ka të zgjedhur. Gjithsesi mund të them që lexohet shumë më pak sesa përpara dhe shkruhet më shumë. Kjo është paradoks. Ka nga ata shkrimtarë që shkruajnë më shumë se sa që lexojnë.

Aktualisht a jeni duke përkthyer diçka nga gjuha shqipe?

Marius Dobrescu: Po. Sapo kam mbaruar “Koncert në fund të dimrit” të Kadaresë dhe e kam dorëzuar te shtëpia botuese. Unë tani luftoj me veprën e Kadaresë. Ky përkthim ka fituar një sponsorizim nga një organizatë evropiane “Traduki”, që sponsorizon veprat e autorëve të Evropës juglindore. Gjithashtu, jam marrë është më një vepër tjetër që është vëllim kujtimesh e shkruar në vitin ’91, pas ikjes së Kadaresë nga Shqipëria. Quhet “Pesha e kryqit” që trajton periudhën e viteve ’60 – 85, pas vdekjes së Enver Hoxhës, që flet për problemet që i ka pasur me regjimin dhe gjithashtu për veprën e tij.

Në edicionin e 41-të, të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, morët pjesë me kumtesën “Letërsia shqipe e përkthyer në Rumani, në gjysmëshekullin e fundit”. Cili është konkluzioni juaj për këtë çështje?

Marius Dobrescu: Mund të konkludoj se para vitit ’90-të, letërsia shqipe ka qenë shumë pak e përkthyer në Rumani. Kemi pasur një profesor të Universitetit, Grigore Brenkush, akademik, që ka përkthyer shumë nga Migjeni, “Fruti i ndaluar” sidomos, në vitet ’67 – 68. Në vitin 1973 është përkthyer nga Foqion Miçaço “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe me “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Kadare ka hyrë në tregun rumun. Është përkthim i përkryer, të cilin nuk e kam shfrytëzuar kur e përktheva vet Gjeneralin sepse nuk doja të ndikohesha. Përkthehej pak nga letërsia shqipe, me rastin e festës së Shqipërisë, 28 Nëntorit, kurse tash janë shumëzuar përkthimet. Pas vitit ’90-të, kanë dalë përkthyes të rinj, kanë dalë ca shqiptarë që përkthejnë në gjuhën rumune, por kuptohet që përkthimet nuk janë në nivelin e duhur sepse ata nuk janë lindur e formuar në territorin e gjuhës rumune. Gjuha rumune është e komplikuar edhe për të huajt, megjithëse ka shumë ngjashmëri me gjuhët latine në përgjithësi, me gjuhën italiane kryesisht, ka edhe disa gjëra të veçanta. Shqiptarët edhe pse mësojnë shpejt dhe mirë, sepse shqiptarët në përgjithësi i mësojnë  gjuhët e huaja shumë mirë dhe shumë shpejt, megjithatë ata nuk e kanë saktësinë e shprehjes rumune. Por, prapë së prapë kemi përkthyes shqiptarë si Ardian dhe Kopi Kyqyku, at dhe bir, Luan Topçiu, Baki Ymeri, që ka përkthyer shumë nga poezia shqiptare e Maqedonisë, e të gjitha vendbanimeve shqiptare. Kemi edhe disa përkthyes rumunë që kanë përkthyer nga shkrimtarët aktual të Shqipërisë. Mund të them se letërsia shqipe tani është më e njohur në Rumani, por më pak e lexuar sepse tirazhet janë të vogla dhe lexuesit janë më të pakët.

Diçka për fund të kësaj bisede?

Marius Dobrescu: Po kaloj shumë mirë në Prishtinë. Më janë kujtuar vitet e jetës studentore dhe janë mahnitur shumë se si qenka zhvilluar Prishtina. Kur erdha këtu për herë të parë në vitin 1978, në seminarin e 4-ët, të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, Prishtina ishte qytet i vogël provincial, kurse tashti është zgjeruar shumë, është ndërtuar shumë…më la përshtypje shumë të mirë, është bërë qytet evropian.