Nga Gëzim Muçolli
Sipas lajmit të para një ore, në Itali janë duke u vaksinuar për çdo ditë mbi gjysmë milioni njerëz dhe në mëngjesin e të dielës numri i vaksinave të dhëna ka kaluar mbi 53.000.000.
Sipas fjalëve të ministrit të shëndetësisë të Republikës së Italisë, z. Roberto Speranza , efikasiteti i fushatës së vaksinimit masiv të popullsisë po jep shenja për optimizëm në të ardhmen e afërt.
“Kishim mbi 30 mijë të sëmurë me Covid në spitale kurse tash kemi më pak se 1500 , kurse nga 3800 vetë në terapi intenzive numri tash është rreth 200, si dëshmi se situata e mëparshme dramatike ka ndryshuar në mënyrë pozitive”.
Nga të dhënat e institutit shtetëror të statistikës Istat , me 1 janar 2021 numri i banorëve rezident në Itali ishte 59 milion e 258 veta, d.m.th 384 mijë më pak se një vit më parë ( numri më i vogël i lindjeve dhe numri më i madh i vdekjeve: 7 të lindur e 13 të vdekur në 1000 banorë). Mosha mesatare e popullsisë italiane është ngritur në 46 vjet, si indikator i plakjes së popullsisë.
Edhe pse nga shihet se nuk duhet shumë kohë që të përmbyllet me sukses fushata e vaksinimit anti-Covid, ekipet punues të së cilës me sukses po i udhëheq komisari i jashtëzakonshëm gjenerali i ushtrisë Francesco Paolo Figliuolo (i dëshmuar edhe në Republikën e Kosovës gjatë mandatit udhëheqës të trupave Nato), sipas ministrit Speranca nuk ka ardhur ende koha ta konsiderojmë se e kemi fituar këtë sfidë.
Duhet kujdes maksimal edhe për shkak të prezencës së varianteve të reja të virusit që nuk na lejojnë të jemi të qetë. Numrat e raportuar nga Britania e Madhe tregojnë se beteja vazhdon dhe nuk është fituar ende- porositë ministri Speranza.