Kandidatura “Prishtina 2030” ishte në rend të ditës prej orës 15:30, ku edhe u zgjodh si fituese.
Kjo është konfirmuar pasi në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare kandidatura e Kosovës ka marrë 58 vota pro, pra shumicën dërmuese të votave të të pranishmëve, derisa shtatë ishin kundër.
Kjo është një arritje historike për Kosovën duke ditur se në këtë kompeticion marrin pjesë 26 shtete nga tri kontinente, e të cilat do të zbarkojnë në Kosovë në verën e vitit 2030.
Çfarë duhet të dini për Lojërat Mesdhetare dhe cilat shtete që nuk e njohin Kosovën do të marrin pjesë
Në këto Lojëra marrin pjesë atletë nga 26 shtete, pra nga tri kontinente.
Nga Afrika vijnë shtete si Algjeria, Egjipti, Libia, Maroku e Tunizia, ndërsa nga Azia marrin pjesë Libani, Siria dhe Turqia.
Shtetet evropiane që marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare janë: Shqipëria, Andorra, Bosnja, Kroacia, Qiproja, Franca, Greqia, Italia, Kosova, Malta, Monako, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Portugalia, San Marino, Serbia, Sllovenia dhe Spanja.
Kosova u pranua në këtë organizatë në vitin 2015 dhe mori pjesë për herë të parë në në vitin 2018 në Spanjë.
Në Lojërat e fundit Mesdhetare të mbajtura në Oran, Kosova fitoi gjashtë medalje, tri të arta dhe tri të bronzta.
Lojëra Mesdhetare zhvillohen në 33 sporte të ndryshme: Gjuajtje me hark, atletikë, badminton, basketboll, volejboll në plazh, bocce, boks, gara me kanoe, çiklizëm, zhytje, kalërim, skermë, hokej, futboll, golf, gjimnastikë, hendboll, xhudo, karate, kanotazh, ragbi, lundrim, qitje, not, pingpong, taekëando, tenis, volejboll, vaterpolo, ski në ujë, peshëngritje, mundje.