ARKIVI:
17 Nëntor 2024

Dëshira e At Valentinit që shqiptarët e kthyer në fenë islame e të ribëheshin katolikë

Shkrime relevante

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Kryeministri Albin Kurti mirëpriti Përfaqësuesin e ri Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestås Mathisen

Prishtinë, 14 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot...

Shpërndaj

Ndriçim Kulla , Tiranë

“Të këqijat që sollën ndryshimet fetare mund të ndreqeshin përmes kulturës”

At Valentini ishte një ekumenist i një lloji të veçantë, një ekumenist kulturor. Do të kishte qenë një gjë shumë e thjeshtë për At Valentinin kur erdhi në Shqipëri që t’i shpjegonte problemet që kalonte vendi me mozaikun fetar të tij. Sigurisht që nuk ishte entuziast për reduktimin e Katolicizmit në Shqipëri dhe zemra e tij do të kishte dashur që shqiptarët e kthyer në fenë islame do të bëheshin katolikë përsëri. Por ai e kuptonte se kjo ishte një aventurë e pamundur dhe ajo që kishte rëndësi ishte që shqiptarët, pavarësisht përkatësisë fetare të tyre, të bashkoheshin në një kulturë me identitet perëndimor. Pikërisht për këtë gjë punonte si misionar. Prandaj mund të thuhet se At Zef Valentini si ekumenist, i përket një lloji më të përparuar se koha e tij, kur ekumenizmi kuptohej vetëm si mirëkuptim mes dy Kishave të krishtere, apo mes fraksioneve të botës së krishterë në përgjithësi.

At Valentini si ekumenist i përket kohës së sotme, shekullit XXI, kur ekumenizmi ka fituar një kuptim të ri, gjithëpërfshirës, që ka të bëjë me dialogun dhe bashkëjetesën mes feve të ndryshme. Prandaj, megjithëse At Valentini ishte një misionar katolik italian, ai asnjëherë në veprën e tij, as pas largimit nga Shqipëria, nuk e akuzoi ekzistencën e shumë feve në Shqipëri si përgjegjëse për të këqijat që kalonte vendi. Ato të këqija që kishin sjellë ndryshimet fetare mund të ndreqeshin me anë të kulturës, dhe njerëzit e ushqyer me këtë kulturë do ta gjenin vetë rrugën e duhur për te Zoti. Në qoftë se do të shtrohej çështja e feve dhe e ndryshimit të tyre masiv, kjo vetëm sa do të shkaktonte turbullira, konflikte, gjë që do të sillte edhe pengimin e projektit të kulturës së përbashkët që Çështja e besimit fetar te shqiptarët, më saktë reforma marramendëse që ata kishin bërë në mesjetën e vonshme, duke zëvendësuar zotërimin e unjisuar të krishterimit, me trifetarinë, kishte qenë dhe mbetej ende pika më e zbuluar, lehtësisht e plagosshme e dosjes së tyre identitare. Haptas apo jo, drejtpërdrejt apo tërthorazi, ajo dosje do të përdorej ndaj Shqipërisë, sa herë që vendi do të ndodhej përpara provash të rënda.

Në të vërtetë, kishte një thelb që e nxiste malcimin në këtë dosje. Ndër tri besimet, dy ishin me kryq, kurse i treti jo. Dhe çështja s’mbaronte me kaq. Besimi i tretë, përveç që ishte pa kryq, ishte besimi i pushtuesit. Dhe prapë çështja s’mbyllej. Ndonëse i tillë, kurrsesi s’mund të thuhej se ai besim kishte qenë i rastit dhe kalimtar. Shqiptarët, të krishterë dhe laikë bashkë, e kishin pranuar si besim të tretë, njëlloj të ligjshëm si dy të tjerët. Nga ana e tij, ai vetë ndonëse i përkrahur nga pushtuesit si fe zyrtare, nuk ishte ndier asnjëherë fitimtar, dhe as i kishte shtyrë jashtë skene fetë e mundura. Shkurt, të tre kishin pranuar ndërsjelltazi ligjshmërinë e secilit, dhe kjo ka qenë baza e paktit të rrallë, ndoshta të vetmit ndaj të cilit shqiptarët herë ndiheshin krenarë e herë me faj.

Filozofia e tij ishte e thjeshtë: besimet ishin tre, por kombi një. Si i tillë, ai ishte me ta. Kurrë nën ta. Madje, asnjëherë baras. Kjo nuk pengonte vramendjet dhe dyshimet. Ishte një cen apo një meritë ky pakt? Kishte qenë përnjëmend e vetmja zgjidhje dhe i vetmi antidot përpara dhe pas katastrofës? Me fjalë të tjera, pushtuesi me të njëjtën fe do të quhej si më parë pushtues, dhe armët do të kryqëzoheshin si më parë me të, dhe, si më parë, liria do të quhej liri dhe robëria robëri? Shkurt, e dëmtonte apo e shpëtonte kombin ky pakt, e bashkë me kombin, ëndrrën e kthimit në kontinent?

Koha sa vente i jepte të drejtë paktit. Myslimanët shqiptarë vriteshin e priteshin me osmanët, pa u penguar aspak prej fesë së njëjtë. E, si të mos mjaftonte kjo, kur Europa nisi të rishfaqej në horizont, ata u magjepsën prej saj, njëlloj si të krishterët. Të krishterët, nga ana e tyre, iu përgjigjën me të njëjtën hapje monumentale. Për asnjë çast të vetëm nuk u shkoi ndërmend se mund ta bënin ata vetë, pa myslimanët, Shqipërinë.

Gjithë shekulli 20-të dukej se s’do të bënte gjë tjetër veç ushtrimit të kësaj aventure që shumëkujt i ngjante e pamundur e shumëkujt e marrë: Një Themelues mysliman shqiptar, me zëvendës një katolik, do të shpallte Shqipërinë e pavarur. Një princ protestant gjerman, i emëruar prej Fuqive të Mëdha, do të bëhej sovrani i parë i vendit tribesimsh. Një peshkop ortodoks, përkthyes i “Hamletit” e i “Don Kishotit”, do të zgjidhej kryeministër i së parës qeveri republikane, një mbret mysliman, por me mbretëreshë katolike do të hipte pas tij në fronin mbretëror.

Fundamentalistët, natyrisht, nuk do të mungonin. Mizorë si askund, aq përçarës sa ç’ishte ai bashkues, si sfurk hekuri tredhëm- bësh, do t’i turreshin paktit për ta prishur. Po s’do të mundnin dot. Do të viheshin në gjunjë prej tij, ndonëse pakti vetë, bashkë me të tria besimet, do të gjendej befas përpara një zezone të papritur. Dukej sikur historia po iu punonte një rreng shqiptarëve. Si një ndëshkim për atë që herë ishte marrë si lodër me fenë e herë si mençuri e marrëzi bashkë, i la një kohë të gjatë pa tempull.

Në një heshtje morgu, pakti ndërfetar e ruajti megjithatë thelbin e vet. Kokulur e pa bujë, nën tmerrin e ndalimit komunist, frymonte megjithatë. E kishte dhënë ndërkaq një pjellë të tij, mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pa ushtrimin e mëparshëm të harmonisë, misteri i asaj mbrojtjeje të bujshme nuk mund të shpjegohej kurrë.

Pas rënies së komunizmit, dhe sidomos pas kacafytjes ballkanike, kur midis pashpresës që u krijua, do të kërkohej një rreze shprese për atë që dukej si gjëja më e pamundur në botë: pajtimi ndërballkanik, vëmendja do të drejtohej ndoshta te shpikja e dikurshme shqiptare. Pas prodhimit të parë të saj, mbrojtjes së hebrenjve, koha do t’u kërkonte ndoshta një prodhim të dytë, edhe më të vështirë: nismën për harmoninë ballkanike.

Besimi për një mision të tillë mund të merrej si ledhatim i tërthortë i sedrës së një populli të shquar ndërkaq për sedër të sëmurë. Kujtimi i hidhur i misionit grotesk shqiptar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit në shkallë planetare, do të kishte mjaftuar ndoshta për sprapsje të çdo ideje misionarizmi për një mijë vitet e ardhshme.

Ndërkaq mendimi se shqiptarët, qoftë edhe në kundërshtim me vullnetin e tyre ishin në skajim të përshtatshëm, për të nismëtuar “pranimin e tjetrit”, shfaqej aty-këtu, e bashkë me të shtohej bindja se Europa do ta kapte një ditë se dy shtetet shqiptare, ashtu si dy buaj të të njëjtit komb, do të mund të ecnin drejt një brazde të panjohur më parë. Dhe kjo mund të ndodhte jo se shqiptarët ishin më të mirët e më mendjehapurit se të tjerët, por thjesht sepse rasti historik u kishte dhënë atë veglën e fshehtë që u përmend më lart.

Ismail Kadare nuk e ka thënë të fshehtën e harmonisë trifetare, apo nëse doni të llogarisim edhe bektashinjtë, katërfetare. E fshehta është: Tre (katër) fe, por një kulturë. Zakonisht fetë janë baza e kulturës. Këtu e kanë burimin konfliktet kulturore me bazë fetare. Në rastin e Shqipërisë, falë disa njerëzve të mëdhenj, nga të tre (katër) fetë, u krijua një kulturë e përbashkët me orientim perëndimor, për të cilën kanë kontribuar myslimanët Naim e Sami Frashëri, Faik Konica, Mehdi Frashëri, Mithat Frashëri etj., të krishterët ortodoksë Jani Vreto, Mihal Grameno, Fan Noli, Branko Merxhani etj., katolikët Pashko Vasa, At Gjergj Fishta, At Shtjefën Gjeçovi, At Anton Harapi, Krist Maloki etj. Por kjo kulturë që ishte baza e harmonisë ndërfetare, nuk do të mund të mbijetonte në qoftë se nuk do të bëhej një konstrukt i fortë, themelet e të cilit shkonin thellë në truallin kulturor europian, dhe këtu At Valentini dallon nga të gjithë të tjerët, se ai më shumë se kushdo gërmoi në thellësi për të qenë këto themele sa më të sigurta. Duke bërë këtë gjë, nuk cenoi aspak bindjet e tij fetare. Ai ishte, veç të tjerash, edhe një teolog, dhe në qoftë se do të kishte pasur mundësi të merrej vetëm me teologji, do të ishte bërë ndoshta një nga teologët e mëdhenj të Kishës. Një nga cilësitë e teologëve të mëdhenj të Kishës Katolike në shekuj, të cilët kanë shkruar libra të trashë dhe që mund të kuptoheshin vetëm nga një rreth i përzgjedhur lexuesish, ka qenë që ishin gjithashtu në gjendje të shkruanin broshura divulgative të destinuara për shtresat e gjera të popullsisë, ku me gjuhë të thjeshtë, të qartë shpjegonin Doktrinën e Krishterë dhe historinë e Kishës. Vetëm ata që e zotëronin thellë teologjinë dhe artin e të shprehurit mund ta bënin këtë gjë. At Zef Valentini tregoi se ishte në gjendje ta bënte një gjë të tillë. Një shembull për këtë është artikulli i tij “Kisha Katolike, Danti dhe reformat”, ku ai si gjithmonë i papërtuar, polemizon me ata që shtrembëronin teologjinë e Krishterë dhe historinë e Kishës Katolike:

Nji farë Izet Bebeziqi me dy artikuj qi, në qershuer e tetuer të kaluem, botoj e perkohshmja “Kombi”, pa ja pasë pá as kartuçat teologjís, na ngrehet e na kokorisë çashtje këso dege, thue se e ka pjellë vetë teologjija e Salamankës. Nder sa e sa tjera, thotë se Kisha Katolike nuk âsht ajo qi ka temelue Krishti. Ndërmjet Kishës e Krishtit “qindron nji humnerë fare e madhe. Larg nga Kisha. Lirí fetare. Lirí personale klithte Dante. Reformë don Kisha, se dogma e shtangët na mbyti, thriste poeti… Mendsija e tij e lirë, dhe sidomos kritika me fr?më reformative ndaj mungesve dhe të metat e kishës dhe veseve të papve xânë vend… kryekrejet në vepren në fjalë. Raca dhe jo Religioni ka randësí të madhe per Danten”, e giatë e giatë këtí krahi.

Këtû nji herë e pikë mâ së pari, pa shkue aspak mâ’ndej, vêhet oroe se ky farë shkrimtari s’na din as gramatikë shqipe! Kjaje, Zo’, të keqen! s’din se ç’rasë don prepozita ndaj, e na kapet me teologjí e me Dant Alighierin!

Dikush mund të thotë se përse At Valentini humbiste kohë me një njeri të tillë si ky Bebeziqi, të cilin e quan një shkarravitës që nuk di as gramatikën shqipe. Shtypi shqiptar i kohës përveç autorëve me vlera, të cilët i kanë mbijetuar kohës, ishte i mbushur dhe me të tillë njerëz. Por At Valentini e dinte se këta mund të bënin dëm duke përhapur të pavërteta, prandaj herë pas herë përzgjidhte ndonjërin prej tyre për t’i dhënë përgjigje kështu shtrembërimeve që përhapnin ata. Në vazhdim të artikullit të At Valentinit “Kisha Katolike, Danti dhe reformat” gjejmë një shpjegim sa sintetik, aq edhe të thjeshtë e të qartë të Doktrinës së Krishterë dhe se çfarë është Kisha Katolike nga këndvështrimi historik: po vrejmë sa grima, padè çka mëson teologjija e tyne. Këjo thotë se dogem, moral (parimet morale), sakramendet e jerarkija, janë ato kater sende qi perbâjnë natyren e Kishës së temelueme prej Krishtit. Këto janë ato kater shtylla granite qi Aj vetë i vûni Kishës, njato kater shtylla qi s’e lânë m’u zhgatrrue kurr, deri të soset jeta. Tashti, padè cila nder to na i ka râ a na i ka mungue kurr Kishës katolike? Asnjêna. Njato të verteta feje e morali qi katolikët besojshin sot 1900 vjet, njato besojnë në dit t’ona e njato besoj edhè Danti. Njato shtat sakramende qi paten katolikët e parë, njato kanë edhè ata të sodit. Njat trajtë monarkike qi i dha Krishti Kishës, tue vû Sh’Pjetrin permbí të gjith tjerët, njatê ka edhè sot me Papen e Romes kryetár të gjithmbarshem. Kush t’a doet gjânë e giatë proven e këtyne fjalve, se Kisha s’ka bâ “tjetertime nder parime të Shelbuesit” ja nep shqip “Pergjegja Katolike Katekizmit Ortodoks” qi, per nji rasë gadi si këjo, botoj Shtypshkroja “Zoja e Paperlyeme” vj. 1933 në Shkoder.

Do dijtë mirë edhè se Kisha katolike s’kje temelue prej Krishit si nji trup i dekun, por si trup organik i gjallë. Per m’e skjarue punen me nji shembelltyrë, po thomi se Kisha mund të pergiasohet me nieri. Ky kúr lén, âsht sa grima; por, sa do i vogel, âsht animal rationale, fr?muer i arsyeshem; mbandej rritet, bâhet i madh, forcohet, xên, perparon, vepron e shto çka të duesh me shtue: me të gjitha këto, per kah natyra, si mëson edhè Aristoteli, mësues udhëheqës i Dantit në filosofí, nuk ndrron, por âsht prap se prap njaj animal rationale, specifice et numero idem.

Njashtû Kisha Katolike, trup shoqnuer i gjallë, pa ndrrue kurr natyrë, shton tue perparue e tue u organixue, e këjo âsht nji nderë e nji lumní e saja. Këjo zotsí e këjo mënyrë perparimi âsht nji nder arsyena per të cilat “Katoliçizmi – Kisha Katolike – âsht nji fuqí jashtëzakonike,” si e rrëfen vetë Bebeziqi, jo per m’e levdue, por per me nzitë t’i kundershtohet, pse e ka ferrë në s?, me gjithse na mbahet liberal e i pafanatizem.

Prej se trup i gjallë, Kisha organixohet per herë e mâ mirë edhè organixon shoqní fetare, si t’a lypin kohët e rrethanat, e sot edhè Veprimin Katolik. Pse na i hypë ndokúj resa e smira, a pse ndokúj i bâhet ferra Brahim, s’i ka faj kurrkush, por vetja. Mosmarrëveshtje ndollin edhè në gjí të njij familje. Ç’farë çude prá në kjoftë se ndollin mes shoqnís çivile e shoqnís fetare, sidomos nder çashtje qi teologjija i quen të perzieme, a se në njato, nder të cilat deri dikû ka të drejtë Kisha per vedi e deri dikû edhè shteti per vedi? Vullndeti i mirë gjithmonë mundet me i skjarue punët e me i pa t’udhueme dý palët. Marrëveshtja ndermjet auktoritetit fetár e shekullár bjen e siguron bashkimin, bashkimi bân forcen. A pak i ka vjeftë Italís pajtimi me Vatikan? Nierz shteti e me randsí kanë mbërrîjtë me thanë: “Sa armët e ushtarve, aq fuqija morale e klerit katolik na ka vjeftë e na ka ndimue!”

Këtu është Valentini polemizues, që është një nga tiparet më interesante të tij. Valentini polemizues na ka lënë shumë faqe të shkëlqyera, se ai që merrte me seriozitet çdo punë që bënte, ishte veçanërisht i kujdesshëm kur polemizonte se e dinte që në Shqipëri, si kudo, kishte njerëz që i lexonin me lupë fjalët e tij, duke dashur që ta etiketonin si njeri konfliktual, si një jezuit djallëzor që kishte ardhur në Shqipëri për të mbjellë grindje.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu