Don Lush GJERGJI, Prishtinë
“Të gjithë njerëzit janë të thirrur të formojnë popullin e Hyjit. Prandaj ky popull, megjithëse duke mbetur një dhe i vetëm, duhet të shtrihet në të gjithë botën dhe në të gjithë shekujt, me qëllim që të plotësohet synimi dhe vullnesa e Hyjit, i cili në fillim e krijoi natyrën njerëzore të vetme dhe deshi që në fund t’i mbledhë së bashku bijtë e vet të shpërndarë…Të gjithë njerëzit janë, pra, të thirrur në këtë njësi katolike të popullit të Hyjit…, pa përjashtim, të cilët hiri i Zotit i thërret në shpëtim.” (LG 13)
“Kisha është Nëna jonë, e cila na ka lindë për Zotin, nëpërmjet jetës mbinatyrore, sidomos me anë të pagëzimit. Me anë të rrëfimit na pastron prej mëkateve, me Eukaristi na ushqen si bij të saj me praninë dhe dashurinë e Zotit.” (Nëna Tereze)
Katolociteti apo universalizmi i Kishës është veçori e Kishës së Krishtit. Për herë të parë ishte quajtur Kishë katolike prej Shën Injacit të Antiokisë, i cili, ndër të tjera shkruan: “Aty ku është Jezu Krishti, aty është edhe Kisha katolike.”
Çka domethënë të jesh katolik, të jesh pjesë e Kishës katolike sot?
· Është veçoria e gjithmbarshme – universale që e dallon dhe begaton Popullin e ri të Zotit, të formuar nga të gjithë popujt e tokës, në Shpirtin Shenjt. “Pra, në të gjithë popujt e tokës është rrënjosur një popull i vetëm i Hyjit, pasi ai i merr qytetarët e mbretërisë së tij jo tokësore, por qiellore në mes të të gjitha fiseve. Dhe në të vërtetë, të gjithë besimtarët e përhapur nëpër botë janë në bashkim me të tjerët në Shpirtin Shenjt dhe kështu “ai që rri në Romë e di se indianët janë gjymtyra e tij”…Kisha katolike në mënyrë efikase dhe pareshtur, priret ta mbledh tërë njerëzimin, me të gjitha të mirat e tij, nën kryesin e Krishtit, në njësinë e Shpirtit Shenjt.” (LG 13)
· Krishti, nëpërmjet Kishës, është i pranishëm në botë “dhe çdo gjë vuri nën këmbët e tija e Atë e vendosi mbi çdo gjë – për Krye të Kishës, e cila është Trupi i Atij që plotëson gjithçka në të gjithë.” (Ef 1, 22-23)
· Dërgim i Kishës është i njëjtë me dërgimin e Krishtit, shëlbimi i mbarë njerëzimit (khs. Mt 28, 19), dhe për këtë arsye të gjithë ne jemi të ftuar që të marrim pjesë në historinë e shëlbimit. (khs. LG 13)
· Katoliciteti nuk shkatërron dhe kufizon, por krijon bashkimin në dashuri. “Duke vepruar kështu ata do ta shfaqin çdo ditë e më mirë karakterin e vërtetë katolik dhe njëkohësisht edhe karakterin apostolik të Kishës.” (UR 4)
· Katoliciteti është bashkim në dallime mes popujve, gjuhëve, kulturave, traditave, që e pasuron përvojën e Kishës në shtegtim kah amshimi. (krhs. LG 23) Katoliciteti është i lidhur ngushtë edhe me dërgimin e Kishës. Ajo quhet dhe është apostolike, sepse është e themeluar mbi apostuj në krye me Shën Pjetrin. Shën Pali shkruan: “Në Të mbarë ndërtesa është e lidhur dhe rritet në tempull të shenjtë në Zotin. Në të edhe ju jeni bërë pjesë e ndërtesës së përbashkët që të bëheni në Shpirtin Shenjt banesë e Hyjit.” (Ef 2, 20-21)
· Jezusi i ka zgjedhur apostujt, dhe në mes tyre, Shën Pjetrin, si kryeapostull (krhs. Mt 10, 12), i cili, i pari e ka dëshmuar hyjninë dhe dërgimin e Tij mesianik, duke thënë haptazi: “ Ti je Mesia – Biri i Hyjit të gjallë!” (Mt 16, 16) “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell. Edhe unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj. Ty do t’i jap çelësat e Mbretërrisë së qiellit: gjithçka të lidhesh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur në qiell.” (Mt 16, 17-18)
· Shën Pjetri ishte i pari që e njohu Jezusin gjatë peshkimit të mrekullueshëm (khs. Lk 5, 3), mbi të gjitha fjala dhe premtimi i Jezusit: “Por unë u luta për ty, që feja jote të mos mungojë. Por ti, kur të kthehesh, forcoj vëllezërit e tu”. (Lk 22, 32) Jezusi po ashtu ia ka besuar Shën Pjetrit grigjën e vet (khs. Gjn 21, 15-18).
· Shën Pali thotë: “Dhe njëmend më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi shenjt. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin shenjt. Iu duk Kefës e pastaj të Dymbëdhjetëve së bashku më shumë se pesëqind vet[, prej të vilëve shumica janë ende gjallë e disa kanë vdekur. Pastaj iu dëftua Jakobit e mandej të gjithë apostujve. Më së fundi m’u dëftua edhe mua – dështakut.” (1 Kor 15, 3-8)
· Dërgimi i Shën Pjetrit në Kishën e parë hetohet gjithnjë dhe kudo, në mësime dhe qëndrime, në sjellje dhe veprime, që është edhe misioni i pasardhësve të tij, papës, si Ipeshkëv i Romës, me primatin në fe dhe në dashuri.
· “Zotëria Jezus, pasi iu lut Atit, thirri me vete ata që ai deshi dhe zgjodhi dymbëdhjetë prej tyre që të rrinin me të dhe që t’i dërgonte për të predikuar mbretërinë e Hyjit (khs. Mk 3, 13-19; Mt 10, 1-41); i bëri apostuj të vetë (krh. Lk 6, 13), duke u dhënë atyre formën e një kolegjiumi, domethënë të një grupi të qëndrueshëm, në krye të të cilit vendosi Pjetrin, të zgjedhur mes tyre (khs. Gjn 21, 15-17).” (LG 19)
· Detyra e ipeshkvit dhe Papës vërtetohet rishtas në Koncili e Dytë të Vatikanit. “Ashtu si Shën Pjetri dhe apostujt e tjerë, sipas vullnesës së Zotit, përbëjnë një kolegjium të vetëm apostolik, po kështu edhe Papa i Romës, pasardhësi i Pjetrit, dhe ipeshkvijtë, pasardhësit e apostujve, formojnë ndërmjet tyre një tërësi,.. Kolegjiumi apo trupi ipeshkvor nuk ka autoritetet, nëse nuk e koncepton veten të bashkuar me Papën e Romës, pasardhësin e Pjetrit, si krye të vetin, dhe pa paragjykim për pushtetin e tij të parësisë mbi të gjithë, si barinj ashtu edhe besimtarë.” (LG 22)
Marrëdhënia e ipeshkvijve me Papën rregullohet dhe trajtohet kështu: “Secili ipeshkëv, i caktuar në një Kishë të veçantë, e ushtron udhëheqjen e vet baritore mbi pjesën e vet të popullit të Hyjit që i është besuar atij, jo mbi Kishat e tjera dhe as mbi Kishën e gjithmbarshme.” (LG 23)
Një rol të veçantë në Kishë ka Virgjëra Mari. Shën Papa Pali VI thotë: “Ne besojmë që e Lumja Virgjëra Mari, Nëna e Hyjit, është Eva e re, Nëna e Kishës, e cila vazhdon përkujdesjen e saj amënore për të gjitha gjymtyrët e Kishës.”
“Kisha, na përcjell dhe përkrah në çdo çast të jetës sonë deri te kalimi në amshim te Ati. Dhe ne, unë dhe ti, a kemi kujdes dhe dashuri për Nënën tonë? A jemi ne bij dhe bija të kësaj Nëne kaq të dashur?” (Nëna Tereze)
Nëna Tereze e ka dashur Kishën, Papën, ipeshkvijtë, meshtarët, të gjithë. Papa Piu XII, ia dha lejen për themelimin e rregullit të ri “Misionaret e Dashurisë” në vitin 1950, ndërsa i Lumi Papa Pali VI me “Decretum laudis” në vitin 1965, e pranoi këtë bashkësi rregulltare si Kongregatë me të drejt papnore. I njëjti Papë, ia ka dhuruar Nënës Tereze automjetin me të cilin kishte udhëtuar nëpër Indi. Ajo e kishte shitur dhe me ato para kishte ndihmuar shumë të gërbulur. Po ashtu, Pali VI, ia kishte ndarë Shpërblimin për Paqe “Gjoni XXIII”-të dhe e kishte ftuar për hapjen e një Kuvendi në Romë në vitin 1968.
Lidhur me këtë ngjarje ia çka më tha Nëna Tereze: “Nuk isha shumë e bindur se do të kishte të varfër në Romë, mirëpo kur më thërret Papa, unë nuk mund ta refuzoja. Gjatë bisedës së hapur unë i thashë haptazi: “Shenjtëri, unë jam e gatshme ta hapi një shtëpi në Rome, nëse ka të varfër”. Pas vizitës së Qytetit të Amshuar, u ktheva te Papa dhe i thashë: “Shenjtëri, siç duket Provania hyjnore ka rezervuar për ne ndonjë lagje kudo në botë…”
Një lidhje dhe bashkëpunim shumë të veçantë kishte Shën Nëna Tereze me Shën Gjon Pali II. Ja vetëm disa raste dhe ngjarje. Pas marrjes së Shpërblimit Nobel për Paqe (1979) Nëna Tereze më tha se do të tërhiqej nga jeta botore dhe do të vazhdonte jetën dhe shërbimin në mesin e të gërbulurve. Mirëpo Papa Gjon Pali II nuk ia kishte lejuar këtë, madje kishte kërkuar prej saj që të shkonte kudo që ta ftonin, sepse ajo është “dëshmitare e gjallë dhe autentike e Krishtit dhe Ungjillit në Kishën dhe botën e sotme”. Dhe ashtu ndodhi.
Në vitin 1980, Papa Gjon Pali II e kishte ftuar Nënën Tereze për pjesëmarrje në Sinodin Ipeshkvor, ku ajo pati një fjalim shumë të rëndësishëm dhe të vendosur. Ndër të tjera ajo tha: “Bota e sotme, të gjithë ne, kemi nevojë për meshtarë të shenjtë.”
Rëndësi të madhe baritore pati vizita e Papës Gjon Pali II Indisë në vitin 1986. Duke dashur të takohej me Nënën Tereze në “rrethin e saj”, në Kalkutë, Papa e kishte vizituar edhe Shtëpinë për ata që janë në buzë të vdekjes, me fjalë përkrahjeje dhe nxitjeje për “Misionaret e Dashurisë” për veprim të guximshëm, shembullor, heroik.
Në vitin 1989 Papa Gjon Pali II i dhuroi Nënës Tereze strehimoren “Dono di Mari” – Dhuratën e Marisë, në hyrje të Vatikanit, për njerëz pa kulm, përkujdesje dhe dashuri në Romë dhe në rrethinë.
Më 25 prill 1993 Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë. Pas meshës, nga ballkoni i arqipeshkvisë së Shkodrës, Papa përshëndeti dhe falënderoi Nënën Tereze, botërisht, për praninë dhe dëshminë e saj të krishterë. Ai, ndër të tjera tha: “Nuk mund mos ta përshëndes një person shumë të përvujtë që gjendet në mesin tonë. Është Nëna Tereze e Kalkutës. Të gjithë e dinë prejardhjen e saj , cili është Atdheu u saj. Atdheu i saj është këtu. E mbarë bota e di se Nëna Tereze është Shqiptare, bija e juaj, mishërimi i dashurisë së krishterë në dobi të të varfërve, të vuajturve në botë.”
Nëna Tereze u shkruan kështu motrave: “Ati i Shenjt më ka pranuar me shumë dashuri, pastaj kemi lutur së bashku. Ai ka kërkuar prej nesh besnikërinë ndaj Krishtit dhe Kishës. Ka kërkuar uratë tona për misionin e tij në botë. Unë i kam treguar për të varfrit tanë, ata në buzë të vdekjes, të gërbulurit. Ai udhëton shumë, punon shumë për Kishën, për paqe. Kudo që ka shkuar Papa, është rritur feja, shpresa dhe dashuria. Ne duhet të lutemi për Atin e Shenjt, ta duam dhe ta ndihmojmë me uratë, flijim dhe jetën tonë në dëgjesë ndaj Vikarit të Krishtit, në detyrën e vështirë që ka për Kishën dhe botën.” (Nëna Tereze)
Prishtinë, 27 shtator 2023