Dr. Sadri RAMABAJA, Prishtinë
Libri “Doktrina putiniste dhe Kosova” nga Dr. Skёnder Demaliaj është nga ajo kolanë e mendimit politik shqiptar që duhet të gjendet në të gjitha zyrat dhe tavolinat e diplomatëve të dy repubikave tona: Shqipërisë politike dhe Republikës së Kosovës, atë duhet ta ketë si almanak pune çdo diplomat dhe përfaqësues yni jashtë, por pse jo, edhe ata që mirren në një mënyrë a një tjetër me politikën e jashtme, mediat tona etj.
Tezat e antitezat e parashtruara në faqet e këtij libri në raport me të drejtën e shqiptarëve, të kësaj pjese të atdheut tonë, që sot është ngritur në nivel të identitetit shtetëror me emrin zyrtar Republika e Kosovës, të cilin e kanë njohur 117 shtete anëtare të OKB-së, do t’i ndihmojnë shumë në largimin e çdo dyshimi dhe dileme të vazhdueshme që mund të kenë këta diplomatë për rolet e tyre në diplomaci dhe përfaqësimin e interesave shqiptare në Ballkanin Perëndimor; ato do të jenë ledh mbrojtës veçanërisht në përballje me ndeshtrashat e vazhdueshme që prodhon e lanson Serbia kundër Kosovës. Si të tilla de fakto, këto teza, që tashti mund të konsiderohen si pjesë e strategjisë mbrojtëse në përballje me veprimet e koordinuara të diplomacisë ruse dhe asaj serbe në raport me Kosovën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi.
“Doktrina putininiste dhe Kosova” është tashmë në duar të lexuesve si një punë krijuese e hulumtuese tepër e dobishme për diplomatët dhe politikё-bërësit shqiptarë, si almanak që u mundëson përballje komode edhe me aparatin e fuqishëm të diplomacisë ruse e serbe, të shquara për doktrinat e tyre antishqiptare përgjatë gjithë historisë, që me themelimin e shtetit modern serb.
Që në hyrje të librit, autori paralajmëron se rusёt ishin gjithmonё, kanё qenё e janë “nё krah tё vёllёzёrve tё tyre serbё.” Vet shteti modern serb është produkt i angazhimit të strukturave shtetërore e shoqërore ruse, i mbështetur për interesa gjeopolitike edhe nga ndonjë prej superfuqive europiane të kohës, siç ishte Franca, për t’penguar depërtimin gjerman dhe ndikimin e këtij blloku [Gjermania & Perandoria Austrohungareze] në tërësinë e Europës Juglindore, përfshirë para së gjithash ujërat e ngrohta të Adriatikut, Jonit e Mesdheut.
Me ndihmёn e drejtpërdrejtë të Rusisë Serbia u krijua dhe u njoh si shtet i pavarur nga fuqitë e kohës në Kongresin e Berlinit [1878], duke gëzuar të drejtën e shtrirjes së saj në jug në dëm të interesit jetik shqiptar. Asaj iu njohën si toka të saj hapësira e pushtuar e Toplicës e Sanxhaku i Nishit, madje edhe dy prej qyteteve etnikisht më të pastra me elementin shqiptar, siç ishin Kurshumlia dhe Vranja.
Bazuar në doktrinën ruse të kohës për mbështetjen e popujve sllavё të Europës Juglindore për çlirim nga Perandoria Osmane, duke i shndërruar me kohë në vasalё të saj dhe një lloj trampoline të interesave ruse në këtë pjesë të Europës, ata iu kishin vënë në dispozicion përveç aparatit shtetëror dhe intelegjencies, edhe një pjesë të mirë të administratorëve.
Edhe Kisha Ruse ishte impenjuar tërësisht në këtë ristrukturim të kësaj hapësire të ortodoksizmit, me idenë që të rikthehet në kufijtë e mëparshëm të epokës së përballjes me Kishёn Katolike.
Janë të njohura përplasjet e dy kishave edhe në hapësirën shqiptare për shekuj me radhë, që fillonte me rrugën Egnatia në Durrës, e kalonte tutje drejt Ohrit e Shkupit, për të vazhduar deri në Konstandinopojë.
Diplomati britanik G.F.Gould për këtë qasje më 26 shkurt 1879 njoftonte me depeshën e tij Markezin e Salisbury-t si vijon: “Si një hap paraprak në drejtim të organizimit të rregullit administrativ të territoreve që i janë dhënë kohët e fundit, Qeveria Serbe ka parashikuar hartimin e një liste ku do të renditen fshatrat e përfshirë në secilën nga të katërta provinacat, mes të cilave ndahen këto fshatra.
Sipas kësaj liste, janë 248 fshatra në krahinën e Nishit, 189 në atë të Pirotit, i njёjti numër në atë të Vranjës, dhe 372 në atë të Toplicës, ose të gjitha bashkë 998 fshatra në të katra provincat e sipër-përmendura.
Tani ata janë të përfshirë tërësisht në kryerjen e regjistrimit të popullsisë me synimin e bërjes së vlerësimeve për përcaktimin e taksave…”
Në depeshet tjera diploamatike të kolegëve të tij që përfshijnë periudhën 1877-1878, qofshin ato nga Beogradi apo nga Shkupi, janë njoftimet tё tjera, që flasin për faktin se tashmë ushtria serbe ia kishte arritur ta kryej gjenocidin e parë kundër shqiptarëve. Sidomos raportet e diplomatëve nga Shkupi e sjellin në pamje pothuajse plastike përmasën e gjenocidit që kishte kryer armata serbe me theks në qytetet si ai i Nishit, Leskocit, Lebanës, Kurshumlisë, Pirotit, Bella Pallankës dhe Vranjës, por edhe në plot 998 fshatra, siç pohohet edhe në depeshën në fjalë.
Gjenocidi ndaj shqiptarëve të këtij krahu të Shqipërisë, që kishte shërbyer gjithmonë si mburojë kundër depërtimit sllav, do t’i krijonte pastaj parakushte Beogradit që të hartojë projekte për pushtimin edhe të Kosoëvs dhe Sanxhakut të Novipazarit në vitin 2012 dhe më pas për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve edhe nga vetë Kosova, duke gëzuar gjithmonë mbështetjen e Rusisë. Kulmi i këti planifikimi shtetëtror ishte operacioni Patkoi, që do ta aplikonte Shtatmadhoria e Armatës Serbe gjatë pranverës së vitit 1999, kur do t’i dëbojë më se një milion shqiptarë, madje edhe gjatë kohës sa po vazhdonin bombardimet e NATOs në caqet serbe për ta ndalë këtë gjenocid.
Këtë fakt e Dr Skënder Demaliaj e pohon që në hyrje të librit:
“Rusёt gjithmonё kanё qenё nё krah tё vёllёzёrve tё tyre serbё. Ata i kanё ndihmuar tё rriten e tё zgjerohen nё kurriz tё tokave shqiptare, ku viktima e radhёs ka qenё Kosova, e cila pёr gati njё shekull mbeti nёn regjimin e egёr serb. Politika ruse nё kёtё ҫёshtje ka qenё konstante: si nё Rusinё cariste, nё Bashkimin Sovjetik dhe nё Rusinё e sotme Putiniste.”
***
Materia e librit “Doktrina putininiste dhe Kosova” i Dr Skёnder Demaliajt është organizuar me akribi të veçantë – e ndarë në dy pjesë, ndërkaq secila prej tyre pastaj e organizuar në disa kapituj.
Në pjesën e parë, siç flet edhe titulli, është mbarështruar një materie e gjerë që përshkruan rrugëtimin e mundimshëm të shqiptarëve të Kosovës në rrugën e tyre drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ndërkaq në pjeësn e dytë të librit, Dr Demaliaj argumenton me akribi shkencore se përse çështja e Kosovës është “çështje më vete” dhe nuk mund të krahasohet me çështjet tjera të hapura e të pazgjidhura gjithandej në Europë e më gjerë; ajo rrjedhimisht nuk mund të shërbejë, siç pretendon ta përdorë Putini, si një “precedent negativ” për ripushtimin e të ashtuquajturave enkalava ruse në shtetet fqinje të Federatës Ruse.
Doktrinën e Putinit ndaj Kosovës duhet parë edhe si një kontribut shtesë që neofashizmi rus ia blaton Serbisë në betejën e saj diploamtike për ta imponuar rikonfigurimin e hartës politike të Ballkanit Perendimor në dobi të Serbisë, rrjedhimisht edhe të Rusisë.
Rikthimi i hegjemonisë serbe në rajon ishte pjesë përbërёse edhe në Strategjinë e sigurisë kombëtare [2020], që përcaktonte shtatë interesa kombëtare prioritare të Republikës së Serbisë, dy prej të cilave cёnojnë drejtpërdrejtë sovranitetin e Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi; e
para – ruajtja e sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Serbisë, dhe e dyta – ruajtja e ekzistencës dhe mbrojtjes së popullit serb “kudo që jeton”, si dhe i pakicave kombëtare, identiteti i tyre kulturor, fetar dhe historik, i cili është parakusht për “mbijetesën e Republikës së Serbisë, të diasporës dhe serbëve jashtë vendit dhe të Republikës Srpska si një entitet brenda Bosnjë-Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit”. [3] Për realizimin e këtyre dy synimeve, koncepti i ri i politikës së jashtme, bazuar në vetëbesimin e ri të Serbisë që po e rishfaq hapur në përballje me trysnin e Perendimit në raport me politikat e saj me Rusinë, tok, paraqesin një kthesë serioze në politikën serbe, e cila padyshim “favorizohet nga rrethanat e reja gjeopolitike në rajon”.
Në këtë kontekst, vlen të rikujtojmë prezantimin e fundit të një prej studiuesve më me peshë të gjeopolitikës serbe, Dr. Milomir Stepiq [Milomir Stepić], i cili është autor i një sërë hartash etnike të territorit të ish-Jugosllavisë dhe një nga nismëtarët e kërkimit shkencor me një titull sinjifikativ “Hapësira etnike e serbëve”.
Sipas Stepiq-it, Kosova është territori qendror — bërthama territoriale e Ballkanit — përmes së cilës mund të mos kalojnë komunikime të rëndësishme, por është e mundur të kontrollohen nga ajo zonë — Korridori 4 / Korridori 8 / Korridori 10 i trafikut shumë të shpeshtë pan-evropian. (Salzburg — Lubjanë — Zagreb — Beograd — Nish — Shkup — Veles — Selanik mbrohet nga NATO / Korridori që do të shpallet Nish — Prishtinë — Durrës). Stepić, konkludon autorja kroate dr. sc. Jadranka Poloviq, përdor tezat e gjeografit të famshëm britanik Halford Mackinder, si dhe të gjeopolitikanit amerikan, Nikolas Spykman, për të përcaktuar pozicionin gjeopolitik të Serbisë, të cilën ai normalisht e konsideron si “një vend me aftësi të kufizuara” pasi është pa dalje në det. Kështu, ai konkludon se “kushdo që vjen nga deti apo “vertikalja strategjike moravë-vardar ka aftësinë për të menaxhuar Kosovën dhe Metohinë, dhe kushdo që e kontrollon Kosovën dhe Metohinë si një fortesë makro të Ballkanit, kontrollon rajonin.”
Doktrina e Putinit për Kosovën është krejtësisht në përuthje me konceptin e ri të politikës së jashtme serbe. Ai koncept është i zhveshur nga reliktet, që formësuan konceptin shtetformues të shekullit 19-të dhe zgjerimin në jug, por ushqen pretendimin e elitës serbe për rikthimin e hegjemonisë në rajon. Koncepti i ri i politikës së jashtme serbe, rezulton të jetë de fakto nusprodukt i doktrinës së Putinit për Federatën Ruse dhe të ardhmen e saj, që ishte aprovuar në nëntorin e vitit 2021. Ai reflekton tërësinë e ankesave të përhershme ndaj Perendimit, të ambalazhuara me elemente të diskursit relativ paqësor. Beogradi tutje dëshiron ta zgjerojë bashkëpunimin me organizatat e të drejtave të njeriut; të bëjë çmos që të aderojë një ditë madje edhe në BE; të përafrohet edhe më shumë me Uashingtonin, duke ia kaluar për nga djallëzia edhe pretendimeve të Moskës së pas viteve `80-ta, kur mëtonte të “ndërtonte marrëdhënie të dobishme reciproke” me Shtetet e Bashkuara, por duke pas parasysh mbi të gjitha investimet dhe tregun perendimor. Këtë kurs Rusia e ndërtonte atbotë me SHBA-të, megjithëse e akuzonte për qëndrim jo miqësor” ndaj Rusisë. Ka disa vite, të njëjtën logjikë në raport me SHBA-të e ndjek edhe Serbia, pavarësisht se në çdo përvjetor të bombardimeve të caqeve ushtarake serbe nga ana e NATO-s (çdo 24 mars), propaganda antiamerikane gumëzhin deri në qiell, ndërkaq zërat më të artikuluar nga bota akademike serbe nuk prajnë të akuzojnë SHBA-të si kampion për prishjen e “Rendit ndërkombëtar”!
Prandaj Serbia ka investuar për gati 20 vite që ta mbajë Kosovën në kursin e Shteti të dështuar, ndërkaq investimi i përqëndruar tok me Rusinë, konform edhe doktrinës së Putinit për Kosovën, në ngritejen e Gjykatës Speciale që do ta gjykonte UÇK-në, duhet shikuar edhe si produkt i dështimit tonë.
Shih për këtë, statusi i Kosovës si Republikë e dytë e shqiptarëve nuk është produkt i vullnetit politik të shqiptarëve, por produkt i kompromisit në dobi edhe të interesave strategjike të partnerëve tanë strategjik. Doktrina e Putinit për Kosovën mëton ta minojë pikërisht këtë pozicion të Kosovës dhe të kombit tonë si tërësi. Në përballje me këtë marsh ruso-serb edhe në rrafshin diplomatik, i mbetet diplomacisë shqiptare që të ndërtojë kohezion mendimi për pretendimet dhe gjakimet e ligjshme të Kombit, që ta ngrejnë nivelin e raporteve me partnerët tanë strategjik në pozitat e partneritetit, ashtu që ata shohin të ardhmen e Kosovës në përputhje të plotë me interesat tona nacionale, pa cënuar interesat e partnerëve tanë strategjik as në rrafshin gjeopolitik.
****
Krijimi i modelit analitik të kësaj problematike që parashtron Dr. Skënder Demaliaj është një proces kompleks e i shumanshëm, sidoqoftë autori ia ka dalë që ta zbërthejë shkëlqyeshëm doktrinën e Putinit ndaj Kosovës dhe ta demaskojë atë si një doktrinë tipike të neofashizmit sllav.
Ky lloj i qasjes analitike është kyç për të kuptuar çështjet komplekse politike dhe faktorët që i kanë paraprirë doktrinës së Putinit ndaj Kosovës. Duke marrë parasysh faktorët e ndryshëm kulturorë, ekonomikë, historikë dhe gjeopolitikë, Dr. Demaliaj ofron një qasje gjithëpërfshirëse të dinamikës së zhvillimit kësaj doktrine, duke mos lënë anash edhe tezat për kundërveprim.
Një ndihmesë e jashtëzakonshme për lexuesin janë përfundimet e përmbledhura në formë të tezave politike.
- Pavarёsia e Kosovёs nuk ka asnjё ngjashmёri me rastin e pavarёsisё sё kёtyre rajoneve. Bashkimi i kёtyre rajoneve me Rusinё nuk i pёrgjigjet gjendjes aktuale dhe ёshtё kundёr ҫdo norme ndёrkombёtare mbi lirinё dhe pavarёsinё e popujve, thuhet taksativisht në konkluzionin e parë.
- Donetski, Luhanski, Khersoni, Zaporizhzhia asnjёherё nuk kanё qenё njёsi konstituitive tё Bashkimit Sovjetik. Kosova e fitoi pozitёn e subjektit juridiko-politik e shtetёror tё pavarur edhe me Rezolutёn e Kёshillit tё Sigurimit tё OKB-sё nr.1244. Mbi ato norma u ndёrtua shteti dhe e shpalli pavarёsinё, mё 2008. Edhe nё Kushtetutёn e vitit 1974 tё RSFJ, Kosova ka qenё element konstituitiv i Federatёs, është një konkluzion tjetër me peshë specifike.
- Me vendim tё Gjykatёs Ndёrkombёtare tё Drejtёsisё, mё 15 dhjetor 2004, Serbisё nuk i takon asnjё referencё ndaj rezolutave dhe dokumentave tё OKB-sё, sepse Serbia nuk ka qenё anёtare e OKB-sё nё atё kohё. Pra nuk ka fuqi juridike as Rezoluta 1244 e Kёshillit tё Sigurimit tё OKB-sё, e cila njeh Kosovёn si territor tё Serbisё, e cila nuk ekziston mё, është njëra nga konkluzat tjera që autori ia vë përballë doktrinës së Putinit.
Përmes këtij libri Dr. Skënder Demaliaj sjell argumente të shumta të mendimit teorik interdisiplinar dhe shtjellon me kompetencë shkencore metodologjinë dhe argumentet që duhet t’i aplikojë, jo vetëm diplomacia jonë, në përballje të mësymjes ruse-serbe për zhbërjen e Republikës së Kosovës, respektivisht krijimin e parakushteve për ndarjen, gjegjësisht aneksimin e Veriut të saj.
Dr. Skënder Demaliaj me këtë libër hyn kështu triumfalisht në lagjen e studiuesve dhe krijuesve të mendimit politik shqiptar, duke e bërë të pakalueshëm edhe librin e tij për diplomatë, studiues dhe politikё-bërës.
*Drejtor i Institutit Shqiptar pёr Gjeopolitikё Prishtinё