ARKIVI:
11 Janar 2025

Bashkojeni Mitrovicën

Shkrime relevante

Treni i fillimshekullit !

Nga: Fadil Dervishaj OPINION Janë bërë më shumë se dy dekada të daljes...

Trump, shpëtimtari i botës nga gremina shkatërrimtare komuniste

Tomë Mrijaj, New York Zoti me mrekull, fatmirësisht ishte plotësisht në anën...

Më 15 janar do të ndizen qirinj në qendër të Prishtinës

Të dashur qytetarë të Kosovës, Më 16 maj 2019, Kuvendi i Kosovës...

Njomza Vllasa, portreti frymëzues i mjekësisë popullore…!

Nga: Luan Dibrani Bota bimore dhe barnat popullore zënë një vend të...

Shpërndaj

Florim Zeqa

Letër e hapur presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, kryeparlamentarit Glauk Konjufca, të gjithë liderëve partiak dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Mitrovica nuk ka qenë e ndarë as në kohën e Krajlit, as të Titos dhe as të Millosheviqit, por u nda pas rishpalljes së pavarësisë së Kosovës. Siq dihet Mitrovica gjithmonë ka qenë qytet i bashkuar me lumin Ibër në mes të qytetit. Mitrovica Veriore ose Mitrovica e Kosovës Veriore është themeluar në vitin 2013 pas krizës në pjesën veriore përmes të ashtuquajturit proces i decentralizimit!

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, përligjje e marrëveshjes së Kumanovës

Marrëveshja e Kumanovës ose Marrëveshja Ushtarako-Teknike në Kumanovë i dha fund dhunës serbe në Kosovë si një parakusht për ndaljen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet strategjike serbe.

Marrëveshja e Kumanovës, ndërmjet NATOS dhe Serbisë, u nënshkrua më 9 qershor 1999, e cila hyri në fuqi më 11 qershor 1999. Atë e nënshkruan General Sir Michael David Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Havijer Sollana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimeve ndaj Serbisë dhe në të njëjtën ditë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Pra ndarja faktike e Mitrovicës dhe e pjesës veriore në përgjithësi ka ndodhur në Kumanovë më 9 qershor të vitit 1999, me marrëveshjen politiko-ushtarake mes gjeneralëve të NATO-s dhe atyre të ushtrisë serbe. Për çka ish presidenti i Serbisë, Slobodan Milosheviqi, asokohe kishte deklaruar, se Serbia ka fituar me këtë marrëveshje, dhe jo rastësisht KFOR-i ruso-francez u vendosën mbi Urën e lumit Ibër pas tërheqjes së forcave pushtuese serbe nga Kosova në qershorin e vitit 1999.

Marrëveshja e Brukselit të vitit 2013, është vetëm përligjje e marrëveshjes së Kumanovës, në të cilën janë dakorduar që komuna e Mitrovicës veriore të jetë qendër administrative e Asociacionit të Komunave Serbe.

Ndarja “De Jure” u shfrytëzua si pretekst i krizave të njëpasnjëshme në veriun e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia më 17 shkurt të vitit 2008. Komuna Veriore e Mitrovicës u njoh nga Qeveria e Kosovës në vitin 2013 para zgjedhjeve lokale të këtij viti.

Nga ajo kohë qyteti është i ndarë në dy pjesë: Mitrovica Veriore dhe Mitrovica Jugore e cila ndahet në lumin Ibër, por tensionet etnike në atë pjesë mes serbëve dhe shqiptarëve jo vetëm që nuk u ndalen asnjëherë, u përshkallëzuan në vijimësi me barrikadime të kohëpaskohshme deri në përleshje të armatosur e cila ndodhi më 24 shtator të vitit 2023.

Edhe përkundër tensioneve dhe krizave të njëpasnjëhsme politike, Mitrovica në veri të shtetit më të ri në Evropë ende është e ndarë dhe e acaruar mes shqiptarëve dhe serbëve edhe 24 vite pas përfundimit të luftës.

Moment i papërseritshëm për bashkimin e Mitrovicës

Pas ngjarjeve të 24 shtatorit 2023 është hapur rruga për bashkimin e qytetit të Mitrovicës. Për këtë hap ‘Qeveria e Kosovës’ kësaj radhe do ta ketë mbështetjen e plotë të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, të cilat jo vetëm që nuk do ta pengojnë, do t’i gjejnë modalitet e duhura për bashkimin e qytetit për të ruajtur më lehtë shtetin unitar të Kosovës. Pasi nuk mund të ketë integrim të pjesës veriore pa bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

Bashkimi i Mitrovicës është i lehtë dhe i thjeshtë, ngase asnjëherë gjatë historisë nuk kanë qenë dy Mitrovica, por vetëm një, anipse serbët disa herë kanë manipuluar me emërtimet si, Mitrovica e Kosovës, Mitrovica e Titos, etj.

Bashkimi i Mitrovicës është “Alfa dhe Omega” e zgjidhjes së problemit të veriut dhe pamundësimi i krijimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive.

Përderisa 33 vjet më parë u bashkua Gjermania e ndarë gjatë luftës së dytë botërore, pse të mos bashkohet Mitrovica e ndarë 10 vite më parë!?

Kjo është e mundur me vullnet, vendosmëri dhe pragmatizëm politik. Mbase është edhe koha më e duhur për bashkimin e qytetit të ndarë, kur e tërë bashkësia ndërkombëtare tashmë janë bindur për politiken agresive dhe orekset hegjemoniste të Serbisë.

Përveq aspekteve historike të cilat e favorizojnë bashkimin e qytetit, janë edhe resurset natyrore dhe pasuritë nëntokësore që e shtrojnë nevojën e bashkimit të shpejtë të Mitrovicës.

Mitrovica është vet historia, është uji dhe drita, është kristali dhe ari, është shpirti i Kosovës.

Pas 24 shtatorit, me Serbinë nuk duhet diskutuar për ndarjen territoriale të Kosovës, por duhet kërkuar asaj që të bëjë kërkimfaljen për krimet gjenocidale ndaj popullatës civile, duhet kërkuar zbardhjen e fatit të 1617 të zhdukurve shqiptarë gjatë luftës së fundit, duhet kërkuar pagimin e dëmeve të luftës, kthimin e pensioneve, kthimin e librave kadastral, kthimin e librave të regjistrimit civil si dhe ndarjen e hises që i takon Kosovës pas shpërbërjes së ish Federatës Jugosllave.

Kur kjo të ndodhë, do të ndodhë edhe njohja e ndërsjellë si proces i natyrshëm politik.

Me këngë e çifteli nuk bashkohet Mitrovica

I kaluam 24 vite nga ndarja faktike e pjesës veriore dhe mbi 10 vite të ndarjes “De Jure” të Mitrovicës në dysh, i kaluam kaq vite duke ëndërruar, duke kënduar e vajtuar, duke gënjyer e zhgënjyer veten tonë se një ditë do të bashkohet qyteti i Minatorëve.

Përgjatë këtyre viteve i “provuam” të gjitha mundësitë tona për të bindur (frikësuar) pushtuesin tonë verior të na lë Mitrovicën, por kot!

Atë që nuk mundi ta bëjë shumë vite më parë ylli i muzikës shqiptare, e madhja Shkurte Fejza me këngën; “Jo nuk ndahet Mitrovica”, provuan ta bëjnë edhe liderët tonë përmes fushatave zgjedhore disa herë dhe në vijimësi, përderisa në zgjedhjet e viteve të fundit as që humbën kohë të merren me Mitrovicën, jo shkaku i kohës së shkurtër të fushatës, por shkaku i konsumimit të kësaj çështje në fjalorin e tyre politik.

Ashtu sikurse ndarja e Mitrovicës që nuk ishte e rastësishme (e planifikuar), edhe veprimet e mëpastajme të pasluftës në pjesën veriore ishin mirë të planifikuara dhe të koordinuara nga Serbia, Rusia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare për zbrazjen e pjesës veriore nga shqiptarët. Sipas të dhënave, përgjatë 24 vjetve të fundit janë dëbuar mbi 15 mijë shqiptar në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës dhe gjithandej Kosovës.

Heronjët e vetëm të gjallë të asaj toke janë ata pak banorë shqiptar të mbetur në pjesën veriore, të cilët me prezencen e tyre fizike janë duke u munduar t’i dalin zot trojeve te veta stergjyshore, përderisa liderët politik u sillen me hipokrizi ndaj tyre duke ju thënë “Jo nuk ndahet Mitrovica”, duke mos e bërë as hapin më të vogël politik dhe juridik për ri-bashkimin e qytetit.

Të nderuar liderë shtetërorë dhe partiak, të zgjedhur të popullit, të dashur deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, tani është momentumi më i përshtatshëm kohor për bashkimin e qytetit të Mitrovicës dhe pjesës veriore në përgjithësi. Leni ndarjet dhe pikëpamjet ideologjike, leni akuzat ndaj njëri-tjetrit, mos u merrni me gabimet e të tjerëve, por merruni me riparimet e dëmëve, në të kundërtën, nesër edhe ju mund të akuzoheni për mosveprimet e duhura në çastin më të përshtatshëm historik nëpër të cilin po kalon Kosova. Andaj, pa humbur kohë bashkojeni Mitrovicën si parakusht për integrimin e pjesës veriore.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu