ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Monografia që na i sjell të gjalla përmasat e artit e të jetës së Tahir Deskut

Shkrime relevante

Prindër të dashur, tregoni se si është e mundur që fëmiu juaj të përfundoj në pranga…?!

Monika Braja, Selanik ____ Prindër të dashur , Nena dhe Baballarë , që...

Në 15 vjetorin e shkuarjes në amshim të Babait, Halil Zeqës…!

17.04.1933-19.11.2009 Mga: Florim Zeqa Halil Zeqa largëpamës dhe vizionar Halil Zeqa lindi më 17.04.1933...

Arbër Gashi mbrojtës i identitetit kombëtar, luftëtar i vendosur i islamizimit të kombit !

Luan Dibrani, Gjermani  Arbër Gashi është një figurë e njohur dhe aktivist...

Halil Geci ia përkujton Kryeministrit Kurti se ende nuk e ka pranuar në takim për të biseduar rreth “Komunikatës 59”

Halil Geci, Skenderaj Kërkesë për takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Datë:...

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbajtën mbledhjen e dytë të përbashkët

Prishtinë, 18 nëntor 2024  Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria...

Shpërndaj

Mikel Gojani, Klinë

•Prend BUZHALA: “Poeti që hyri në baladë (Poezia e Tahur Deskut)”,
botoi Lena, Prishtinë, 2023 •

Prend Buzhala, tashmë me një përvojë të pasur në shkrimin e studimeve monografike, kësaj radhe na vjen me librin “Poeti që hyri në baladë” (Poezia e Tahir Deskut). Përpos autorëve të vendlindjes (komunës së Klinës), ku hyn edhe Tahir Desku, ky autor deri më tash publikut lexues e studimeve letrare, iu ka dhuruar edhe monografitë studimore për Kadarenë, Anton Berishën, Mirko Gashin, Ali Huruglicën, Ramiz Kelmendin, Shën Jeronimin, Ramadan Mehmetin, etj. këtu hyjnë, pra, edhe nja gjashtë monografi të tilla letrare për autorë të vendlindjes, si dhe tri monografi të tjera publicistike-dokumentare për dëshmorë e njerëz të veprimtarive të ndryshme të jetës sonë nacionale e shoqërore. Këtu do të hyjnë edhe disa vëllime të tjera që Prend Buzhala i ka përgatitur për shtyp e ku përfshihen punime e qasje të autorëve të ndryshëm për një autor.

1. Monografi me linja të pasura pikëtakimesh

Mund të themi, pra, se në veprimtarinë e tij të pasur gjithëpërfshirëse me mbi 120 vëllime, njërin ndër vendet kryesore e zënë edhe studimet monografike. Është ndër autorët e rrallë shqiptarë që i ky hyrë këtij zhanri kaq të rëndësishëm e të vështirë për trajtim. Kur i vështrojmë të gjithë këta libra të tillë të këtij autori, do të vërejmë shtrirjen e madhe, për të mos thënë të pakufishme, të metodologjisë diturore të tij, do të vërehet edhe qasja e përmasave estetike ndaj tekstit poetik, qasja aksiologjike ndaj vlerave letrare.
Në këtë kontekst, edhe kjo vepër na ofron mjaft linja të pasura pikëtakimesh: kontekstet kohore e ato procese që zhvillohen brenda shoqërisë dhe vetë historisë; janë linja ku takohen historia dhe arti, estetika dhe etika e shkrimit dhe jetës, linjat kulturore dhe ato poetologjike, qasjet e interpretimit të mirëfilltë letrar me sintezat historiko-letrare etj. me një fjalë, na shfaqet profili i plotë edhe i poetit, luftëtarit, gazetarit Tahir Desku. Monografitë si kjo për Tahir Deskun, nuk do t ‘ishin të plota pa bazën teorike-letrare e estetike, pa modelet shkencore autoriale, si dhe pa mënyrën origjinale të zgjidhjes së problemeve konkrete të historisë së letërsisë më të re të poezisë sonë në Kosovë. Vërtet në traditën tonë të mendimit kritik e të historiografisë sonë letrare ka një traditë të gjatë të studimeve të tilla, e që të shumtën e rasteve, dekadave të fundit vijnë nga studimet pasuniversitare të doktoratave apo magjistraturave, mirëpo te studimet e Prend Buzhalës hetohen qasjet e një poetike diturore, ku hyjnë teoritë e mendimet kritike letrare të skenës letrare moderne të kohës sonë, siç janë teoritë e leximit e të interpretimit të tekstit letrar, ato të receptimit letrar, të strukturalizmit e të fenomenologjisë letrare etj. gjithnjë duke i ndërlidhur edhe me mendimin kritiko-letrar shqiptar, sidomos të atij në Kosovë. Nuk mungojnë as mbështetjet në rezultatet e sociologjisë, psikologjisë, historiografisë letrare etj. Në këtë mënyrë, edhe kur i bën interpretimet e disa poezive të Tahir Deskut veç e veç, ai këtë interpretim nuk e sheh të izoluar nga tërësia e krijimtarisë së autorit, por e sheh edhe në kuadër të një sistemi poetik, në kuadër të librit, ciklit, e sidomos në kuadër të epokës letrare e historike, kur u krijua poezia e tillë.
Kështu, kur e shohim se si e strukturon lëndën e pasur e të ndërliqshme të kësaj monografie të ndarë në shtatë pjesë, shihet se autori është marrë gjatë me këtë autor, më shumës e dy dekada. Nëse shkrimi i parë për Tahir Deskun i autorit Prend Buzhala është botuar në gazetën “Rilindja” të vitit 2000, për vëllimin e fundit “Engjëjt e lirisë” (sa qe gjallë poeti), nëse prej vitit 2009 e deri këtë vit ky autor ka mbajtur vazhdimisht kumtesa në manifestimin letrar “Ora e Tahur Deskut” (që mbahet në Klinë në ditëlindjen e poetit) e deri te shkrimet ende të publikuara e që përfshihen këtu, atëherë e kuptojmë se përse vjen ky libër sot, kur thekson që në fillim te një referencë tekstuale: “Janë një varg shkrimesh autoriale për Tahir Deskun, të lexuara në manifestimet letrare kushtuar këtij krijuesi që mbahen në Klinë; si dhe shkrime kritiko-letrare të pasluftës.” Më tutje autori pohon: “E vlerësuan poezinë dhe jetën e Tahirit, si krejt të veçantë: bohemi poetike, poet që ka sistemin e tij poetik, poet që i përpunon vargjet. Sa ishte gjallë ai botoi librat poetikë: “Prejardhja e dashurisë” (1982), “Nga biografia e pashkruar” (1984) “Idil e vetmi“ (1989) dhe “Engjëjt e lirisë” (2000). Një libër poezish të tij u përkthye edhe anglisht (2000).
Po qe se lexohen përnjëherësh librat e tij poetikë, lexuesi i vëmendshëm do ta vërejë unitetin e habitshëm të nervaturës stilistike, ndjenjore e tematike.”

2. Poeti i bohemi, revoltës dhe ironisë

Këto pohime, që në fillim, na e japin linjat e profilit që autori do t’i ndjekë deri në fund të librit. Është e natyrshme, pra, që, pjesa e parë titullohet “TAHIRI I ARTIT, JETËS DHE UFTËS” e ku hyjnë punimet “Tahiri i artit, jetës dhe luftës,”, “Reporteri i luftës”, “Profili krijues e jetësor”, “Homazh letrar” dhe “Jeta pas vdekjes e Tahir Deskut”. Te punimi i fundit autori thotë: “Ishte koha e shembjes së kulteve totalitare. Kjo rrymë jete e arti depërtoi edhe ndër ne. Pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i veprës në ripërtëritje: lindja e ndërtimi i një vetëdije të re. Poeti bohem nuk njeh asnjë kult. Cilët ishin këta perëndi të kohës? Vitet 1981 e këndej ishin të rënda… Dhe t’ia përplasësh në fytyrë revoltën e fortë poetike, kjo flet për një vlerë poetike dhe njerëzore krejt të veçantë të Tahirit të Artit, por edhe të Tahirit të jetës: flet për guximin e tij.
Kështu, më tutje autori e shtjellon edhe më tutje këtë atmosferë kohe, kolektive e individuale: “I njohur edhe në rrethet artistike e kulturore si krijues bohem, ai nuk i kishte dëshirat e tij për një jetë luksoze. Bohemët asnjëherë nuk kanë çuar jetë të rregullt, sepse janë shqetësimet e vibrimeve shpirtërore ato që i ngacmojnë tejndijimet e tij, qelqi i vizionit parajsor pëson krisje dhe merr të plasur. Kjo plasje, një si pezmatim plage, një si mjegullinë kohe e krize, përplasej në vargun e tij, në frymëzimet e tij dhe në jetën e tij për ta dhënë kokrrën e pjekur të përjetimit të thellë estetik. Epoka moderne solli në skenën më të re të historisë autorin tragjik, ashtu sikundër theksonte Spinoza, solli veprimin e meditim-krijimin e mendimtarit e të artistit; që e vë në shërbim të ndonjë vlere ekzistencën e vet – pra, erdhi njeriu që vetësakrifikohet, që heq dorë nga disa nevoja e instinkte (mirënjohjet, fama…) në mënyrë që të jepet pas lirisë së krijimtarisë, si vlerën më të lartë. Gjatë atyre viteve, aty ku kafenetë, edhe këtu, në Prishtinë e nëpër Kosovë, si kudo nëpër Evropë, ishin kulte arti e vende seancash shpirtërore për krijuesit e artit. Bohema dhe kafenetë janë marrë si sinonime të njëra-tjetrës.”
Përveç këtij profili prej poeti, profili prej poeti rebelues prej bohemi, te pjesa e parë e veçon edhe një kapitull sublim e të rëndësishëm të Tahirit si luftëtar e reporter lufte:
“Për ato 600-700 ditë lufte që i shkroi e i kumtoi raportet nga fushëbetejat e luftës e të rezistencës për liri, ai u dallua me zërin e tij të veçantë, me informacionet me peshë e me vlerë të jashtëzakonshme dokumentare, si dëshmi kohe… Po vlen të theksohet një gjë që e ka karakterizuar figurën e tij të rrallë: në ato qindra raporte lufte. Asnjëherë me asnjë fjalë a fjali ai nuk e ka sulmuar a kritikuar asnjë subjekt politik e asnjë figurë politike të kohës! Sepse tehu i penës së tij ishte drejtuar dikah tjetër: kundër Serbisë pushtuese. Sepse pena e tij ishte vënë në shërbim të diçkaje më të lartë: të përhapjes së të vërtetës për luftën. E kush më mirë se ai e përhapi atë të vërtetë, si kronist lufte?”
Këtë prirje edhe jetësore edhe poetike, studiuesi Buzhala e mbështet edhe te literartura e gjerë, e cituar me referenca të pasura në këtë monografi.
Me mjaft plasticitet autori përshkruan edhe atmosferën e kafeneve të kohës, më mirë të themi, kafenenë e ngritur në “institucion” nëpër disa kohë e që nda del shkrim mjaft interesant.
Vjen pjesa e dytë Pjesa e dytë “POEZIA E TAHIR DESKUT” me punimet “Poezia E Tahir Deskut”, “Tahir Desku, mesazhe poetike e jetësore në katër kohë”, “Ngazëllimi tragjik niçean dhe zemërimi dionisan i bohemës”. Do theksuar se që të dy pjesët e para janë punime të përgatitura nëpër vite për lexim në manifestimet e sipërpërmendura. Si te pjesa e parë, edhe te dyta, kemi një gërshetim të diskursit eseistik me atë kritiko-letrar e historiko-letrar, gërshetim të përvojës së sintezës (“Tahir Desku, mesazhe poetike e jetësore në katër kohë”) me shtjellimet tipologjike të lirikës e të muzës poetike (“Ngazëllimi tragjik niçean dhe zemërimi dionisan i bohemës”). Ligjërata e Buzhalës, në raste të tilla, vjen e nuancuar, e pasur me përsiatje e shtjellime, e begatshme me të dhëna e me gjurmë të shpirtit poetik, të përsiatjeve e të kodeve në ndryshimet e kohëve, gjithnjë me kërkesën e autorit për t’u thelluar në specifikat e poetikës së veprës së këtij poeti përgjithësisht, e në poetikat e secilës vepër, veç e veç.

4. Struktura e monografisë me këndvështrime të shumta kritiko-letrare

Kështu, pesë pjesët tjera iu kushtohet veprave poetike veç e veç: “Pjesa e tretë LIBRI POETIK ‘PREJARDHJA E DASHURISË’ “me referencën e leximit të titulluar “Gjakimet e prejardhjes së dashurisë dhe poezisë”, “Pjesa e katërt LIBRI POETIK ‘NGA BIOGRAFIA E PASHKRUAR’ “ me punimin e titulluar “Kur arti e jeta janë një”, “Pjesa e pestë LIBRI POETIK ‘IDIL E VETMI’ “ me punimin kritiko-letrar “Idili ironik” dhe “Pjesa e gjashtë LIBRAT POETIKË ‘ENGJËJT E LIRISË’ DHE ‘NË CILIN GJETH KAM VDEKJEN’ “ me shtjellimet kritiko letrare “Poetika e së madhërishmes” për veprën poetike “Engjëjt e lirisë” dhe “Akti heroik i Mujë Krasniqit dhe kënga që nuk ndalet asnjëherë” – poezia “Baladë, interpretim, poezi kushtuar Mujë Krasniqit dhe 36 të rënëve në Gorozhub, më 14 dhjetor 1998).
Deri sa tek tre librat e parë (tri pjesët e mësipërme), botuar gjatë viteve ’80 autori veçon poetikën e reblemimit, revoltës, ironisë dhe të asaj të lirisë estetike (sepse liria tematike nuk lejohej, siç pohon autori), tek librat poetikë të pasluftës veçon poetikën e të madhërishmes, sublimes, heroikes.
Struktura e secilës pjesë, për libra të veçantë, jepet në mënyrë rigoroze: së pari shtjellohet, nga ana kritiko-letrare, vepra poetike përkatëse, mandej jepet aty leximi i një poezia përmes metodës së interpretimit letrar, dhe kah fundi i pjesës, vijnë tekstet autoriale të shënjuara si “Estetika e receptimit”, ku përfshihet historia e leximit të veprës përkatëse poetike, kurse në fund të secilit kapitull vijnë punime të zgjedhura kritiko-letrare për secilin libër, nga autorë e kritikë letrarë. Strukturimi i tillë lexohet si polifoni e leximit, siç e thekson edhe vetë autori në shumë tekste të tij eseistike e kritiko-letrare. Në këtë mënyrë, autori e thyen njëtrajtshmërinë e shkrimit e të leximit, me pasurinë e përqasjeve e të këndvështrimeve të shumta. Kështu, tekstet autoriale të shënjuara si “Estetika e receptimit”,vijnë si një leximi i dytë i secilit libër, përkatësisht si metakritikë, meqë ato ligjërojnë edhe për punimet kritiko-letrare të autorëve të përfshirë këtu, edhe si ballafaqime tekstesh, edhe si mënyra leximi, po edhe si bashkësi e leximit siç pohon autori. Kështu te teksti “ESTETIKA E RECEPTIMIT, 1”, autori thotë: “Historia e leximit të veprave të një krijuesi letrar, përbën bashkësinë e leximit të shumë lexuesve: kritikë, studiues letrarë, dashamirë të letërsisë (receptimi është term teoriko-letrar i studiuesit gjerman Hans Robert Jaus, te vepra “Estetika e receptimit). Është e pëlqyeshme dhe fat i mirë, kur një krijues lexohet nga pena që arrijnë t’i shqiptojnë vlerat artistike dhe të shpalojnë botën letrare të tij. Vepra poetike e Tahir Deskut u botua gjatë viteve ’80, ndërsa me botime të tjera do të duket pas luftës në Kosovën e Lirë, kur po ashtu, pati disa botime veprash autoriale (një sa ishte gjallë dhe një pasi vdiq), si dhe dy libra të tjerë, me poezi përkushtimore, kushtuar Tahir Deskut.” Për deri sa për librin e parë përzgjedh vetëm vlerësimin e kritikut e studiuesit tonë të njiohur Anton N. Berisha, të botuar që në fillim të viteve ’80, te vëllimi i dytë përzgjedh punimet e dy kritikëve tanë letrarë të asaj kohe Sylejman SYLA dhe Xhemail MUSTAFA. Ja si reflekton vetë autori:
“Libri i dytë vlerësohet nga një dorë kritikësh që kishin zënë të bëjnë emër, siç janë emrat e autorëve Sylejman Syla dhe Xhemail Mustafa. Kultura e leximit të këtyre autorëve shfaq atë shkallë të leximit që kishte teoria e praktika e leximit të asaj kohe. Leximet e asobotshme mbanin qëndrim sadopak të rreptë ndaj veprave të botuara. A mos do të thotë kjo, sikundër theksojnë Lawrence Harrison dhe Samuel P. Huntington, se i vetmi lexim i mirë është të lexuarit duke dyshuar?! A mos ndoshta ende kritika letrare po gjendej në kërkim të çelësit për lexim të individualitetit krijues të Tahir Deskut? Sidomos, kjo kritikë, më shumë gjakftohtë, me frymën oficiele të teorive të kohës, qëndronte indiferente kundruall botës tejet të ndjeshme, diapazonit dhe gamës së gjerë të shqetësimeve që e preokuponin poetin. Për poetin Tahir Desku, identiteti nacional i nëpërkëmbur, dhuna sistematike kundër Kosovës, padrejtësia historike, biografia e nëpërkëmbur, vetmia apo dhembja kolektive e ajo personale, nuk ishin ndonjë fshehtësi.”
Si duket pjesa e pestë që i ushtohet librit poetik “Idil e vetmi”? kjo pjesë vjen e na shfaqet edhe më polifonike në leximin autorial. Ja vetëm nëntitujt e këtij punimi: 1. Intepretim: poezia “Idil e vetmi”, 2. Poezia “Kush jam”, interpretim, Poezia “Dreq poet jam”, interpretim, 4. Lajtmotivi i vetmisë dhe 5.Vetironizimi i poezisë. I vumë këta mes tituj për të parë se si autori i gërsheton disa metoda leximi: atë t. Interpretimit, kur merr në lexim tri poezi nga disa cikle, atë të leximit psiko-konceptual për vetminë dhe poezinë dhe atë të leximit të figurës letrare.
Te pjesa e parafundit, iu bëhet leximi autorial dhe i përbashkët i dy librave të pas luftës e që shënojnë një fazë të re krijuese të poetit Tahir Desku. Kur studiuesi Buzhala shtron pyetjet thelbësore;
“Si ta bësh sintezën e përvojës historike dhe sintezën e përvojës letrare në vetë aktin poetik?
Si t’i ngërthesh mbrenda vargut esencën e heroikes e të luftës çlirimtare në ato çaste të rralla meditimi e vetmie të vjedhur, kur përreth gjëmojnë armët; kur në çdo hap je i rrethuar prej vdekjes; kur hapësirat e ekzistimit janë ngushtuar e ngushtuar rrëqethshëm?”
ai, në fakt, i shtron raportet mes letërsisë dhe luftës, në të culen mori pjesë edhe Tahir Desku, duke pohuar:
“I botuar në krye të një viti mbas përfundimit të luftës në Kosovë, ky libër aktualizon preokupimet e interesimet e studiuesve të letërsisë, të historianëve të letërsisë apo edhe të dijetarëve e të estetëve, për t’i parë edhe njëherë raportet në mes letërsisë dhe luftës, nga njëra anë, si dhe interesimet për letërsinë e për literaturën, të lindura në luftë apo menjëherë mbas saj.”
Te ky vëllim autori merret edhe me trajtat e baladës poetike. Dhe, meqë i gjithë libri quhet “Poeti që yhri në baladë”, në brendi të librit autori nënvizon:
“Periudha e pasluftës, në Kosovën e lirë, shënon një fazë të re krijuese në krijimtarinë poetike të Tahir Deskut. Është periudha më e ndritshme e lirisë së Kosovës, por njëkohësisht edhe revoltuese pafundësisht dhe tragjike për vet autorin. Është periudhë edhe fatkeqe, indinjuese pafundësisht, dhe njëkohësisht tragjike për vetë autorin: i pashtëpi pas luftës, askush nuk kujdeset t’i ndihmojë; i akuzuar për vepra penale gjatë luftës, vuan paraburgime të pafajshme dhe lirohet, kur, më në fund, edhe e humb jetën tragjikisht. Prej librit të parë e deri te i fundit ai shkruan balada dhe elegji, dhe, më në fund, ai vetëm kthehet në baladë.”
Meqenëse veprat poetike të botuara aps luftës i nënshtrohen një leximi t gjithanshëm të shumë autorëve, nuk është e rastit përse kritiku e studiuesi Buzhala fut disa punime të autorëve Abdullah Zeneli, Meri Lalaj, Xhemail Mustafa, Rushit Ramabaja, Adem Gashi, Ragip Sylaj, Sokol Bashota, Hajdin Morina, Hajdin Morina dhe Mikel Gojani.
Pjesa e fundit “INTERVISTAT E TAHIR DESKUT NË SHTYPIN E KOHËS”, do të thoshims e është një shtojcë tejet e rëndësishme e librit, me intervistat që Tahir Desku i ka dhënë prej viteve ’80 e këndej e ku ai shfaqet drejtpërdrejt me fjalën e tij, me mendimet e me reagimet e tij. E para mban titullin “KUR QESH POETI…” e botuar te revista “Zëri i rinisë” në shtator të vitit 1985 me krijuesin e gazetarin Arsim Kajtazi. Tri të tjerat janë përzgjedhje intervistash nga ato të pasluftës, me gazetarët Mexhid Mehmeti, Frrok Kristaj e Skënder Zogaj.

4. Kur studiuesi ligjëron me zërin autentik të poetit

Është meritë e autorit që e përzgjedh edhe atë metodë ligjërimi për t’ia kenë fjalën vetë poetit, ose që nëpërmes përsiatjeve e shtjellimeve kritiko-letrare, të flasë me zërin e vetë poetit, me zërin e tij autentik. Lexuesi i vëmendshëm i kësaj monografie do ta shohë se ai arrin t’i vë në plan të parë tekstet poetike përfaqësuese, sipas konceptit të këtij zëri poetik nëpër kohë, ashtu siç arrin t’i qëmtojë e paraqesë me fanatizëm e respekt edhe autorët tjerë, pa paragjykime e pa dallime ideologjike, si veprohet të shumtën e herës nga autorë të tjerët. E gjithë kjo polifoni shkrimesh, të strukturuara me harmoni të rrallë, arin të vendosë raporte të vlefshme për ta dhënë sa më të gjithanshëm, sa më të plotë e sa më të nuancuar profilin e poetit luftëtar Tahir Desku, po edhe profilin e kohëve që i jetuam e përjetuam. Në këtë mënyrë, edhe portreti letrar i Tahir Deskut, edhe poezia e tij, na vijnë të gjalla, me përmasat e artit e të jetës. Arrin t’i japë këto përmasa, sepse ky studiues e njeh mirë edhe veprën edhe jetën e Deskut. Njohja e tillë dëshmon se ajo e kërkon edhe studiuesin e interpretuesin kompetent. Ky portretizim, po qe se lexohet me kujdes, na jepet së brendshmi: me tensionet e dramatikes lirike e jetësore, nag njëra anë, po edhe së jashtmi, me vendosjen e poetit në kuadrin e poezisë së asaj kohe e në kohëve n vazhdim dhe ë kuadrin e poezisë shqipe. Autori më se njëherë ka theksuar se pa poezinë e Tahir Deskut e pa emrin e Tahir Deskut në luftë, nuk mund të shkruhet një histori as e letërsisë sonë, as e gazetarisë sonë e as e luftës sonë çlirimtare. Dhe këtë pohim ai e dëshmon që nga faqja e parë e deri te e fundit me bollëkun e fakteve, përsiatjeve, analizave, interpretimeve, shtjellimeve e sintezave shtjelluese. Kritiko-letrare. Vetë kritiku letrar Prend Buzhala shfaqet edhe këtu si autor poliedrik, me dije të vjela nga shumë fusha e që i sintetizon mjeshtërisht në shkrimin e tij kritiko-letrar.

Shtator 2023

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Poeti, eseisi, shkrimtari dhe kritiku letrar Prend Buzhala, autori i monografisë

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu