Gani I. Mehmeti
Me sa dihet, historikisht pas përfundimit të luftërave, shtetet agresore janë dënuar. Dënimet asnjëherë nuk kanë mundur të ngjallin njerëzit e vrarë gjatë luftës. Mirëpo, dënimet janë bërë për disa shkaqe të tjera. Ka pasur dënime politike, pra që janë marrë masa politike ndaj tyre në raport me marrëdhëniet me shtetet e tjera. Ka pasur sanksione, ku në një formë shteti agresor ka qenë sikur i leçitur nga shtet e tjera, pra që nuk ka pasur marrëdhënie në shumë drejtime me shtetet e tjera. Ka pasur dënime në armatim, që nuk i është lejuar të armatoset për vite e vite. E, për dëmet e shkaktuara materiale shtetit që e ka sulmuar, ka pasur dënime në pagesën e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës sa ka zgjatur. Janë paguar dëmet materiale, si rrënimet e shtëpive dhe ndërtesave të tjera ndihmëse e gjithçka tjetër e shkatërruar nga bombardimet apo nga zjarrëvëniet, që janë llogaritur pas përefundimit të luftës.
Të gjitha këto dënime kanë pasur për karakter “edukimin” e shtetit agresor, kur ka sulmuar një shtet tjetër me pa të drejtë. Dihet mirë dënimi i Gjermanisë fashiste pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe, deri sa, bota mundi të dënonte një Gjermani si shtet më të madh e shumë më të fuqishëm, përse një Serbi, pas gjithë atyre luftërave të shkaktuara në zhbërjen e Jugosllavisë – nuk u dënua? Serbia shkaktoi luftërat:
- me Slloveninë, sa do që këtu nuk ka zgjatur, është dashur të dënohet edhe vetëm si agresore.
- me Kroacinë,
- me Bosnje e Hercegovinën, është e njohur masakra e Srebrenicës
- me Kosovën që ka dhjetëra masakra deri në gjenocid.
Serbia ishte agresore në të gjitha këto lufta dhe sërish, nuk i shkoi mendja askujt ta dënonte. Përkundër, pas përfundimit të luftës me Kosovën, ajo nuk u pengua të armatoset sërish, deri sa shtete të ndryshme janë penguar në armatim edhe pa luftuar e pa qenë agresore. Pastaj kjo nuk u dënua fare, deri sa në bisedime me Kosovën, ndërmjetësit Borell e Lajçak edhe ia mbanin krahun, për çka u arrit deri atje sa Kosovës iu vunë masa gjoja se nuk po depërshkallëzonte gjendjen në veri të Kosovës, e cila me të drejtë po përpiqej dhe përpiqet ta mbrojë vendin e vet, ndërsa Serbia, e cila përpiqet ta pushtojë territorin e Kosovës nuk akuzohet e nuk vehen kurrfarë masash ndaj saj.
Ne e dimë mirë edhe shkakun e mossanksionimit të Serbisë dhe me mosdëgjimin e vënies së sanksioneve Rusisë, një thirrje nga BE-ja ndaj Serbisë për sanksione, por kjo nuk e dëgjoi fare zërin e BE, përkundër, vazhdon me bisedime e vizita zyrtare ndërshtetërore me Rusinë, duke marrë edhe instruksione prej saj për destabilizimin e Kosovës, ndoshta deri edhe shkaktimin e luftës, siç u pa më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit në Kosovë. Dhe, krejt këto favore që i bëhen Serbisë, janë të kota se ajo nuk heq dorë dhe kurrë nuk ndahet prej Rusisë. Ajo ia kthen shpinën edhe Bashkimit Europian edhe SHBA, por Rusisë jo kurrë, asnjëherë.
Ajo do të mbante ndoshta një lloj neutraliteti me Rusinë, vetëm nëse do i veheshin sanksione të ashpra Serbisë nga BE dhe SHBA. Edhe këtu, dikur më vonë do kthehej, kur vetë populli i saj do të përjetonte vuajtjet në zhvillim, në ekonomi e tjera. Deri atëhere, kurrë Serbia nuk kupton dhe nuk dëgjon botën tjetër. Përse jo, do duhej edhe të dënohej për të gjitha dëmet e shkaktuara në luftërat e zhvilluara, që të dijë se çka do të thotë të pagunte dëmet, pse populli i saj do vuante dhe do bënte trysni që më të mos jetë shkaktare e luftërave me fqinjtë.
Kjo ngjet njësoj sikur me një kriminel. Nëse ai nulk ndalet, nëse nuk merren masa ndaj tij e nuk dënohet, ai vazhdimisht do të shkaktonte krime. Por, kur dënohet dhe kur vuan, mbledh mend dhe e sheh se nuk shkon asofare.
Për fund: Deri sa të mos dënohet, Serbia nuk ndalet nga sulmet e krimet, sidomos ndaj Kosovës, direkt apo indirekt.