ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Katekeza dhe Koncili II i Vatikanit

Shkrime relevante

Shpërndaj

Don Lush Gjergji, Prishtinë

Katekeza dhe Koncili II i Vatikanit (KDV)

1. KATEKEZA – DETYRË E MBARË KISHËS KATOLIKE 

Pas Koncilit të Dytë të Vatikanit (KDV) – (ka filluar më 11 tetor 1962 dhe ka përfunduar më 7 dhjetor 1965), në të cilin ishte kërkuar mënyra sa më e mirë dhe e përshtatshme kohës dhe hapësirave e shpalljes së Ungjillit, shëlbimit të mbarë njerëzimin, kanë lulëzuar në veçanti dy fushëveprime: liturgjia apo kremtimet e sakramenteve në gjuhët amtare, si dhe katekeza apo edukimi në fe, që tek ne tradicionalisht është quajtur besimi. Të gjitha dokumentet konciliare kanë pasur më tepër domethënie dhe përmbajtje pastorale se sa doktrinore, si dhe ishte mbështetur në dialogun e hapur dhe të sinqertë me botën  e sotme të bazuar në të vërtetën dhe në dashurinë.

Vetëdijen e Kishës mbi dërgimin e saj në botën bashkëkohore e ka shprehur KDV në kushtetutën dogmatike LUMEN GENTIUM – Drita e Popujve, (LG), ndërsa marrëdhëniet e saj me botën si sakrament i shëlbimit, në kushtetutën baritore  GAUDIUM ET SPES – Gëzimi dhe Shpresa, (GS).

Vështirësia kryesore e atëhershme, por edhe e sotme, është kjo: ndarja e jetës nga feja dhe e fesë nga jeta, e cila shprehet nëpërmjet shekullarizmit, materializmit, ateizmit praktik, indiferentizmit, mentalitet trupor-epshor apo hedonizmit, sidomos  relativizmi dhe ateizmit praktik, për të cilin ka folur shpeshherë  po ashtu edhe papa i ndjerë Benedikti XVI. Ky dualizëm Zoti – njeriu, feja – jeta, trupi – shpirti, kjo botë dhe jetë dhe amshimi, bën që jeta dhe feja të jenë dy rrugëtime apo binare paralele, por të ndara dhe të pavarura, që pak herë takohen apo përplotësohen, ndërsa në të shumtën e rasteve nuk kanë gati asgjë të përbashkët.

Me këto dukuri feja anësohet nga jeta, privatizohet, tjetërsohet, formalizohet, në sistemet komunist-ateiste edhe ndalohet me dekrete, ndërsa në botën e ashtuquajtur “demokratike” thjeshtë përjashtohet nga përditshmëria. Sot njerëzimi kremton fitoren dhe ngadhënjimin e “pavarësisë dhe lirisë” edhe prej Zotit, fesë, traditës, moralit, duke e bërë njeriun pothuaj absolut, për të shvlerësuar dhe relativizuar gati çdo gjë.

Sa i përket katekezës rëndësi të madhe ka botëkuptimi i Zotit dhe i njeriut, me pasoja vendimtare edukativo-katekistike. Botëkuptimi  biblik dhe i krishterë i njeriut dhe njerëzimit kërkon që Zotin mos ta paraqesim vetëm si shpëtim të shpirtit, zgjidhje dhe përgjigje të jetës pas vdekjes, çështje kryekëput shpirtërore, por para së gjithash njerëzore dhe tejet konkrete, jetësore. Hyji konkret – Ati ynë i mirë, kujdeset, ndërhyn, ndërmjetëson, na shëlbon në Jezu Krishtin konkret, me lindje, veprime, sidomos me mundime, vdekje dhe ngjallje të tij, dhe kështu ia  mundëson njerëzimin risinë absolute të ndërrimit, përmirësimit këtu dhe tani,  të shëlbimin dhe amshimin, i cili ngushtë ndërlidhet me jetën njerëzore. Nga këtu buron humanizmi   dhe personalizmi i krishterë, sepse Zoti është PERSON, dhe ai krijon persona, njerëz, të pajisur me liri, mendje, vullnet, mbi të gjitha me shpirt të pavdekshëm. Zoti dhe njeriu në krishterim kurrë nuk janë, e as që mund të jenë, antagonistë, armiq, kundërshtarë, por protagonistë, partnerë, bashkëpunëtorë dhe bashkëjetues, që teologu Y. Congari e shpreh kështu: Hyji në krishterim dhe në Jezu Krishtin është funksional, që domethënë në shërbim të njeriut dhe të mbarë njerëzimit.

1. Botëkuptimi i ri katekistik

Katekeza, edukimi në fe, mësimi i fesë apo besimi në këtë këndvështrim nuk është më vetëm bartja ose trashëgimia e mësimit të fesë, të vërtetave hyjnore, por edhe njerëzore, lidhja apo besëlidhja e Zotit me njeriun, i cili na zbulohet dhe na dhurohet tërësisht në Jezu Krishtin. Kjo domethënë qartas se Zoti kujdeset për tërësinë e njeriut dhe të njerëzimit, si dhe njeriu nuk komunikon me Zotin vetëm në disa raste të veçanta, në uratë, në kishë, në kremtimet e sakramenteve, por gjithnjë dhe në vazhdimësi dhe gjithkund, sepse janë tashmë të pandashëm. Mishërimi i Hyjit vazhdon historikisht nëpërmjet Kishës, dhe kjo gjë i jep njeriut mundësi të reja në dy këndvështrime apo drejtime: Zoti dhe njeriu dhe njeriu dhe bashkësia e krishterë.

Katekeza ka për qëllim integrimin e fesë në jetë që domethënë ndërlidhjen e Zotit në jetën e njeriut dhe anasjelltas, gërshetimin e jetës në Zotin, apo njeriun në Hyjin, sepse Zoti dhe njeriu kanë tashmë nevojë dhe dashuri për njëri-tjetrin.

Katekizimi, pra, është edukimi i vazhdueshëm i fesë dhe në fe, për jetë, për këtë jetë dhe botë, dhe vetëm në bazë të saj dhe pas saj edhe për pavdeksisi dhe për amshim. Nëse humbet kjo harmoni mes njerëzores dhe hyjnores, kësaj jete dhe bote dhe amshimit, atëherë rrezikojmë që njerëzit të edukohen vetëm për Zotin, për qiell, ndërsa ata ende jetojnë në këtë botë, dhe kjo do të ishte disi “mashtrim”, apo ta themi edhe më qartë, nuk do të ishte edukim as për këtë jetë dhe botë as për amshim.

Feja është jetë me Zotin dhe me të afërmin, dhe jeta është fe – integrim jete në dy dimensione, sepse njeriu duhet gjithnjë të ndërlidhet së pari me vetveten, pastaj me të tjerët dhe  me Zotin, Krijuesin dhe Shëlbuesin e vet, në këtë trekëndësh jetësor, në harmoni dhe në bashkëpunim.

Këtë e thekson bukur Papa Françesku kur thotë: “Drita e fesë është në gjendje të vlerësojë pasurinë e marrëdhënieve njerëzore, aftësinë e tyre për të qenë të qëndrueshme, për të qenë të besueshme, për të pasur jetën e përbashkët. Feja nuk e largon njeriun prej botës dhe nuk është e shkëputur prej angazhimit konkret të bashkëkohësve tanë. Pa dashuri të besueshme asgjë nuk do të mund t’i mbante me të vërtetë të bashkuar njerëzit” (Letra enciklike e Papës Françesku, Lumen Fidei – Drita e Fesë, Nën kujdesin e arqipeshkvisë Shkodër-Pult, Shtator, 2013, nr. 51, f. 103).

2. Katekeza sipas KDV

Sipas Koncilit të Dytë të Vatikanit katekizimi është detyrë primare e mbarë Kishës dhe duhet të përfshijë të gjitha moshat e besimtarëve, e jo si më parë vetëm fëmijtë dhe vetëm në mënyrë intelektuale, si mësim feje, shpesh edhe formale, si detyrim për marrjen e sakramenteve. Kështu mungonte tërësisht përgatitja e prindërve për pagëzim, për rrëfim dhe kungim të parë fare pak apo aspak, diçka më tepër për kungim të parë. Pastaj disi tolerohej  një lloj ndërprerjeje apo zbrazëtie deri te krezmimi apo përforcimi, ose shpeshherë edhe ky sakrament merrej me rrëfimin dhe kungimin e parë. Përgatitja për sakramentin e kurorës së martesës ishin të mangëta, formale, si plotësimi i pytësorit apo hetimet e famullitarit për kurorë, aty-këtu shpjegimi i ritit të këtij sakramenti.

KDV katekizimin e bëri veprimtari dhe detyrë thelbësore për mbarë Kishën me këto qëllimi kryesore: edukimi në  fe, që me fjalë tjera domethënë thellimi në njohjen, pranimin, zbatimin dhe dëshminë e fesë për të mundësuar veprën e shëlbimit, pjesëmarrjen e vetëdijshme dhe aktive në jetën e Kishës, në liturgji, në pastoral, në formimin e apostullimit  (Khs. CD 14, 30; AG 30).

Risia e parë e madhe e KDV është përfshirja e mbarë Kishës dhe e të gjitha moshave të besimtarëve në katekizim, sepse edukimi në fe është një proces jetësor i edukimit të vazhdueshëm në fe .

Metoda e katekizimit sipas KDV është ajo e takimit, afrimit dhe bashkimit me Zotin nëpërmjet të afërmit, dhe e të afërmit nëpërmjet Zotit, me besnikëri të vërtetave të fesë dhe me metodologji didaktike përshtatur moshave, gjuhës, traditës, kulturës, aftësive intelektuale dhe morale, me mjetet didaktik-aplikative të komunikimit bashkëkohor. Kisha ka dialog të vazhdueshëm me botën e sotme, por gjithnjë e udhëhequr nga e vërteta e zbuluar dhe dashuria e dhuruar, Zoti, zbulimi i tij shkallor në historinë e shëlbimit, pa të cilin dialogu do të ishte monolog apo vetëm dialog ndërnjerëzor. Ketekistët duhet ta kenë një përgatitje të mirë biblike, liturgjike, pastorale, por edhe duhet të njohin sa më mirë botën e sotme, si dhe metodat moderne katekistike dhe pastorale. Mu për këtë katekeza e mirëfilltë duhet të zhvillohet së pari në familje, si “kishë shtëpiake”,  pastaj në Kishë, në bashkësinë e krishterë, si vendi më i mirë dhe më i rëndësishëm për edukim në fe, sepse aty jo vetëm që mësohet feja, por para së gjithash dëshmohet dhe jetësohet.

KDV kërkon që vepruesi kryesor i katekizimit të jetë ipeshkvi, pastaj meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret, xhakonat, shekullarët, pra, me një fjalë të gjithë të krishterët. Këtë e pohon edhe dekreti mbi shërbimin baritor ipeshkvor CHRISTUS DOMINUS duke thënë: ”Në ushtrimin e mbarështimit të tyre për të mësuar duhet t’u kumtojnë njerëzve Ungjillin e Krishtit, që është njëra prej detyrave kryesore të ipeshkvijve, dhe këtë duhet ta bëjnë me forcën e Shpirtit Shenjt, duke i ftuar njerëzit në fe apo duke i forcuar në fenl e gjallë” (CD 12). Pas ipeshkvit janë meshtarët bartësit kryesor të edukimit në fe, si me fjalë, mësim dhe katekizim,  aq më tepër edhe me jetë dhe me dëshmi të krishterë.  “Për sa i përket mbarështimit të mësimit, famullitarët duhet t’ua predikojnë fjalën e Hyjit të gjithë besimtarëve, që ata, të rrënjosur në fe, shpresë e dashuri, të rritën në Krishtin dhe bashkësia e krishterë të japë atë dëshmi dashurie që Zoti ka porositur, gjithashtu me një përgatitje katekistike të përshtatshme për moshën e secilit, duhet t’i drejtojnë besimtarët në njohjen e plotë të misterit të shpëtimit. Në dhënien e kësaj përgatitje të mbështeten jo vetëm në ndihmën e rregulltarëve, por edhe në bashkëpunimin e laikëve, duke ngritur edhe bashkëvëllazërinë e doktrinës së krishterë” (CD 30). E njëjta detyrë u takon edhe xhakonave, si bashkëpunëtorë të ngushtë të ipeshkvit dhe të meshtarëve, si dhe atyre që me predikime dhe me dashuri e bartin porsinë e krishterë tek populli i Zotit (Khs. LG 33).

Katekizimi po ashtu është detyrë edhe e shekullarëve.  “Por edhe nëpërmjet laikëve, që për këtë arsye i bën dëshmitarë të vet duke i pajisur me kuptimin e fesë dhe të hirit të fjalës (khs. Vap 2, 17-18; Zb 19, 10), që forca e Ungjillit të shndrisë në jetën e përditshme, familjare dhe shoqërore… Prandaj, laikët të punojnë me zell në thellimin e së vërtetës së zbuluar dhe t’ia kërkojnë  ne këmbëngulje Hyjit dhuratën e dijes” (LG 35).

Nga kjo që është paraqitur në mënyrë bërthamore dhe panoramike kuptohet se Kisha Katolike në Koncilin e Dytë të Vatikanit, si dhe pas tij, thekson me bindje të thellë dhe me përcaktim të vendosur, mbi të gjitha me përkushtim dhe me dashuri detyrën e madhe të katekizimit, edukimit në fe për të gjithë të krishterët, veçmas për fëmijë dhe rini, për familjet e krishtera, pa të cilën nuk ka as ri-ungjillëzim, zbulim, jetësim dhe dëshmi  në jetën e krishterë.   

Lexo: Kushtetuta mbi Liturgjinë e Shenjtë, Sacrosanctum Coniclium, në Dokumente të Koncilit II ekumenik të Vatikanit, Shkodër, 2012, f. 31-39.

Drita e Popujve, Lumen Gentium, fq 73-84; Gëzimi dhe Shpresa, Gaudium et Spes, fq. 248-260. 

Prishtinë, 10 tetor 2023 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu