Në foto: Fehmi Agani-Ibrahim Rugova- Rexhep Ismajli
-Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi. “Ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, shprehej Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në një nga intervistat ekskluzive që kam zhvilluar/
Nga: Behlul Jashari, Prishtinë
PRISHTINË,11 Tetor 2023/ Në Prishtinë para 32 viteve, në 11 Tetor 1991, është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Deklarata e 11 partive politike kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë”.
Në vitin 1991, Referendumi për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i mbajtur nga 26 deri 30 Shtator me 99,87 për qind të votave pro, që pasonte Deklaratën për pavarësi të 2 Korrikut e Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, pasohej edhe me zhvillime tjera në angazhimet për realizimin e vullnetit kombëtar e demokratik të shqiptarëve në trojet e tyre jashtë kufirit të Shqipërisë. “Deklarata politike për tri opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare më 1991”, është një nga dokumentet e atyre zhvillimeve historike, pjesë e të cilave ishin edhe zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale të Kosovës të 24 Majit 1992.
Presidenti historik i Kosovës, i zgjedhur atëherë, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, duke përkujtuar e vlerësuar dokumentin e tre opsioneve shprehej se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, theksonte se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.
-“Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?”, ishte një nga pyetjet gjatë intervistës, në të cilën Presidenti Rugova përgjigjej:
-“Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër, të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.
Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.
Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.
Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken”.
DOKUMENTI I PLOTË:
DEKLARATA POLITIKE PËR TRI OPCIONET E ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES SHQIPTARE MË 1991
Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen eçështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi japin këtë: |
Deklaratë politike |
A) Çështja e pazgjidhur kombëtare shqiptare në Jugosllavi është pasojë e copëtimit të trojeve etnike shqiptare, kur me krijimin e shtetit të Shqipërisë më 1913 jashtë tij, në territore kompakte etnike, mbeten më shumë se gjysma e popullit shqiptar, të cilët asnjëherë nuk i gëzuan të drejtat legjitime kombëtare, as në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë socialiste; |
B) Copëtimi i territoreve të popullit shqiptar, që u bë pa përfillur parimin etnik në caktimin e kufijve shtetërorë dhe pa përfillur vullnetin e popullit shqiptar, vazhdoi edhe në Jugosllavi, duke e ndarë popullin shqiptar në kufij politiko-administrativë të Kosovës, të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Një autonomi të caktuar politike populli shqiptar e pati vetëm në Kosovë, të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974, që është ende në fuqi dhe sipas së cilës Kosova është emement konstituiv i Federatës Jugosllave; |
C) Serbia, në kundërshtim me Kushtetutën e Jugosllavisë, më1989 hoqi autonominë e Kosovës, suprimoi të gjitha të drejtat kombëtare të shqiptarëve, u mori shqiptarëve çdo të drejtë përsovranitet dhe subjektivitet, i largoi nga të gjitha institucionet shtetërore, suspendoi Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha kuvendet e komunave, ndaloi mësimin në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, mbylli mjetet e informimit në gjuhën shqipe, aplikoi gjuhën serbe dhe alfabetin qirilik si gjuhë dhe shkrim zyrtar në komunikimin publik, largoi nga puna mbi tetëdhjetë mijë shqiptarë; |
D) Si shprehje e mospajtimit me një gjendje të tillë, populli shqiptar organizoi protesta të qeta, në të cilat morën pjesë mbi gjysëm milioni njerëz, u mbajtën grevat e punëtorëve, si dhe greva gjenerale. Pushteti serb reagoi me dhunë: u vranë mbi 100 shqiptarë, u plagosën mbi 300, u burgosën dhe u dënuan me burg shumëvjeçar mbi 12 mijë veta, mbi 600 mijë veta kaluan nëpërprocedurë policore. |
E) Duke parë se Jugosllavia u tregua model i pasuksesshëmpër zgjidhjen e çështjes kombëtare në Ballkan, deputetët eKuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990 shpallën Deklaratën përPavarësi dhe më 7 shtator 1990 Kosovën e Shpallën Republikë. Kjo ishte zgjidhje logjike e organizimit shtetëror të Kosovës, si njësi politiko-territoriale, në të cilën jetojnë 90% shqiptarë dhe vetëm 10% të tjerë. |
Partitë politike shqiptare në Jugosllavi, si zëdhënëse legjitime të vullnetit politik të popullit shqiptar, duke u përcaktuar për rrugën paqesore dhe demokratike të zgjidhjes së të gjitha çështjeve në bazë të së drejtës së popujve për vetvendosje, sipas parimeve të KESB-së, të Konferencës së Parisit, u përcaktuan për këto variante të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi: |
1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika eKosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo. |
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë përserbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë. |
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë. |
Partitë politike shqiptare deklarojnë se vullneti politik i popullit shqiptar, i shprehur edhe në Referendumin e organizuar në Kosovë më 26-30 shtator 1991, me ç’rast Kosova u shpall Republikë sovrane dhe e pavarur, është forcë reale që nuk mund të injorohet nga askush. Kriza në Jugosllavi filloi në Kosovë, me pakënaqësinë e shprehur të popullit shqiptar me pozitën e tij dhe kurrsesi nuk mund të përfundojë pa pjesëmarrjen e më se tre milionë shqiptarëve në Jugosllav. Populli shqiptar rreth shtatë milionësh, si popull autokton e me traditë evropiane, ishte, është dhe do të jetë faktor tejet i rëndësishëm i stabilitetit në Ballkan dhe në Evropë. |
Prishtinë, 11 tetor 1991 |
Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi |
Dr.Ibrahim Rugova, kryetar |
1. Lidhja Demokratike e Kosovës |
2. Partia e Prosperitetit Demokratik |
3. Lidhja Demokratike në Mal të Zi |
4. Partia për Veprim Demokratik |
5. Partia Fshatare e Kosovës |
6. Partia Shqiptare Demokristiane |
7. Partia Parlamentare e Kosovës |
8. Partia Socialdemokratike e Kosovës |
9. Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar |
10. Partia Popullore Shqiptare |
11. Partia Demokratike Shqiptare |
MË 22 KORRIK 1991 FORMOHET KËSHILLI KOORDINUES I PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE TË KOSOVËS
Më 22 korrik 1991, Partitë Politike shqiptare të Kosovës u pajtuan dhe morën vendim që të themelojnë Këshillin Koordinues të Partive Politike Koordinues të Partive Politike shqiptare të Kosovës, me qëllim të zhvillimit, bashkëpunimit dhe të koordinimit të aktivitetit ndërmjet tyre, si subjekte politike të popullit shqiptar, të konstituimit të ndërsjellë të tyre dhe ndërtimit të platformës dhe të strategjisë së përbashkët për të realizuar synimet e shqiptarëve dhe për t’iu kundërvënë me sukses masave që po ndërmerr pushtuesi për thyerjen e qenies kombëtare dhe për rrënimin e çdo subjektiviteti e sovraniteti të shqiptarëve në Jugosllavi.
Këshillin Koordinues, si subjekte të mëvetësishme dhe të barabarta, e përbëjnë këto parti politike: Lidhja Demokratike eKosovës, Partia Parlamentare e Kosovës, Partia Fshatare e Kosovës, Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Socialdemokratee Kosovës dhe Partia Republikane e Kosovës.
Formimi i këtij Këshilli le të hapura mundësi për forma të reja të organizimit dhe të koordinimit ndërmjet të gjitha partivepolitike shqiptare dhe të asociacioneve të tjera.
Këshilli koordinues vendos në pajtueshmëri të plotë të subjekteve politike që e përbëjnë.
Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës u zgjodh dr.Ibrahim Rugova.