Majlinda Zeneli, Fier
___
Demokracia neoliberale konstrukt fiktiv, jo funksional
“Demokracia përfaqësuese në Shtetet e Bashkuara është e korruptuar në mënyrë të pakthyeshme. Aparati i perandorisë në Uashington është bërë tumor malinj me metastaza të pakthyeshme në trupin e politikës amerikane dhe kërcënim ekzistencial për botën.
Njerëzit për të cilët ju lejohet të votoni janë individualisht dhe kolektivisht të pafuqishëm kundër pushtetarëve të vërtetë të botës së nëndheshme që sundojnë dhe mbretërojnë në Amerikë.
Fuqia supreme, elita financiare, nuk i thyen vullnetet e kombeve, por i zbut, i përkul dhe i udhëheq ato. Një fuqi e tillë globale nuk shkatërron, por pengon në themel ekzistencën.” – Ron Pauel Institute for Peace and Prosperity, 5.09.2023 (Ron Pauel, kongresmen republikan amerikan i katër legjislaturave, babai i Rand Paul, senator që prej 2011).
Globalizmi e ka “korrupsionin në ekspansion” ADN-n e konstruktit të vet. Ndërkohë që Demokracia liberale e ka antikorrupsionin themelin e ekzistencës së saj. Dy papajtueshmëritë ekzistenciale, horizontale, pa asnjë mundësi takimi.
Është rezistenca evolucioniste mes rendit moral universal me anarkinë revolucionare të ekspansionit material. Në këtë betejë, kompromisi sjell veç katastrofë dhe mizori.
Morali universal mund ta fitojë betejën e vështirë me globalizmin e kalbur në gjenezë, por tiranik, nëse së paku elita e ndriçuar prej parimeve universale, veçanërisht qeveritë fatlume të drejtuara prej kësaj elite, jetësojnë me bindje të urtë porosinë e Kantit: “Të jetojnë jetën sikur maksimumi i veprimeve të tyre të bëhej ligj universal”.
“Unë jam qytetar i ndershëm që nuk e kam mbështetur asnjëherë korrupsionin, hajdutat dhe kriminelat, sikundër ti!”, – ky pohim përmbajtësor i një aktivisti të shoqërisë civile, i shkëputur nga “Pressing” i 7T të Kosovës përcjell në thelb rëndësinë thelbësore të sakrificës, që duhet të bëjë intelektuali, veçanërisht aktivisti shoqëror, për të qenë i lirë dhe i pashantazhueshëm prej krimit, i besueshëm e i gatshëm në mbrojtje të demokracisë nga pushteti oligarkik politik apo medial.
Ndershmëria, në togëzim me vetëdijen qytetare dhe kulturën, e shndërrojnë individin, me të edhe shoqërinë, në qëndrestarë antikonformistë, të gatshëm të përballen edhe me perandoritë për të ndalur gjunjëzimin dhe zhbërjen e kombit të vet.
Epoka ku kemi mbërritur duket së shënon fazën më të lartë dhe të fundit të kapitalizmit. Gjatë ushtrimit të imperializmit, fuqitë e mëdha po bëjnë rindarjen e botës përmes luftrave të përgjakshme. Në kërkimin e tregjeve të reja elita globaliste po instalon dhe konsolidon qeverisjet e korruptuara autokratike, të cilat përmes shtypjes së popujve të tyre i sigurojnë elitës financiare stabilitet në kolonizimin dhe grabitjen në qetësi të tregjeve të reja.
Në epokën e imperializmit, sfidat ekzistenciale të kombeve të vegjël si i yni, me integritetin territorial ende të padefinuar, kërkojnë në krye të politikës, por edhe të shoqërisë civile, një elitë të Ndershme, Kombtariste, e cila duhet të sigurojë konsolidimin e mëtejshëm të Demokracisë, si sistemi i vetëm politik i ngritur e i kontrolluar nga populli.
Republika demokratike e shndërruar në një “të mirë publike” i lartëson popullin dhe elitën e vet progresiste në “misionarë të shenjtë”, të mençur dhe të pathyeshëm, në mbrojtjen dhe prosperimin e Republikës së vet.
Ndërsa për shqiptarët e Shqipërisë demokracia funksionale mbetet një ëndërr e paarritshme, për Kosovën është një realitet në konsolidim. Ndryshimet shoqërore që prodhon demokracia funksionale në Kosovë në raport me qeverisjen autokratike në Shqipëri janë dramatike në përballje.
Instalimi prej dy vitesh i demokracisë liberale në Kosovë, pas largimit të qeverisjeve të korruptuara dhe establishmentit politik të kapur të dy dekadave të shkuara, ka sjellë optimizëm, aktivizëm dhe pjesëmarrje të publikut në jetën politike dhe mediale të vendit.
Edhe pse e vendosur gati hapur në bllokadë ekonomike nga Perëndimi, ekonomia në Kosovë po shënon rritje të qëndrueshme. Qeveria e VV-s po e orienton ekonominë kombëtare drejt ekonomisë prodhuese, me prioritet prodhimin industrial.
Demokracia liberale, edhe në rastin e Kosovës, e ka funksionale gjenerimin struktural të progresit, që fillon me ridimensionimin e shoqërisë në mënyrë përmbajtësore duke i dhënë publikut liri, por para së gjithash mision shoqëror, detyra dhe përgjegjësi thelbësore në mbrojtjen e Republikës, të Shtetit, të Demokracisë, të mediave në shërbim të publikut (jo të elitës oligarkike), si edhe të akademisë së vet.
Rritja e presionit kritik të publikut, në masën e zhvlerësimit moral të “elitës” mediatike në shërbim të oligarkisë, me lidhje të shumta me vetë regjimin autokratik të Vuçiçit, është një nga treguesit serioz të vitalitetit mbarë shoqëror që gjeneron Demokracia liberale në Kosovë.
Pamja më e dukshme e shoqërive me Demokraci liberale (ku përfshihet padyshim edhe Kosova), është optimizmi, vetëbesimi entuziast që zgjojnë fitoret e betejave individuale apo shoqërore, të vështira dhe plot sakrifica. Është një frymë mbarë shoqërore e vetëbesimit dhe optimizmit publik, që zvogëlon dhe “zbret me këmbët në tokë” çdo tirani “kulturore” të elitizmit oligarkik, të llojit politik apo medial.
Perspektiva shoqërore dhe individuale që ofron demokracia neoliberale si kudo, edhe në Shqipëri, është “pasqyra e thyer”, e ciflosur.
Demokracia neoliberale është projekti politik i përmbysur në mënyrën më mizore i Demokracisë liberale. Rrënimi strukturor që ofron ky sistem i kalbur politik është asgjesues për shoqërinë dhe individin. Rrënimi i kërkuar i individit është kaq pervers, naziskin, agresiv dhe ofensiv sa operon në thellësitë e të pamundurës, insiston devijimin e dhunshëm edhe të genit, madje shkon përtej imagjinatës, deri në mizorinë e asgjesimit edhe të instinktit njerëzor.
Synimi i këtij projekti politik rrënues është përqëndrimi i pushtetit tek oligarkia dhe përjashtimi dhunshëm i publikut nga politika. Thelbin përmbajtësor të demokracisë fiktive neoliberale e shpreh më së miri Chomsky, kur thotë: “Demokracia neoliberale, në vend të qytetarëve, prodhon konsumatorë. Në vend të komunitetit prodhon qendra tregëtare. Rezultati perfundimtar është një shoqëri e atomizuar e njerëzve të paangazhuar, që ndihen të demoralizuar dhe të pafuqishëm. Me pak fjalë, neoliberizmi është armiku kryesor dhe i drjtpërdrejtë i demokracisë pjesëmarrëse, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në të gjithë botën dhe do të jetë kështu për një të ardhme të paparashikuar”.
Ndërsa demokracia liberale kompaktëson dhe integron shoqërinë mes vetes përmes misioneve përbashkuese, demokracia neoliberale gjeneron ndasi, antagonizma, grupime interesash të papajtueshme, për rrjedhojë dhe “automizimin” e shoqërisë, të përcaktuar qartë nga Chomsky.
Në Shqipëri, procesi i çstrukturimit shoqëror është përmbyllur. Gjatë këtij procesi individit iu grabit gjysma e qënies së vet, qënia shoqërore, jeta e të cilit pa gjysmën e vet humbi kuptimin e jetës.
Si një vend eksperimental i globalizmit, demokracia neoliberale po finalizon etapën e fundit të çbërjes sonë të madhe. Të gjithë sulmin e ka drejtuar drejt individit.
Duke nënshtruar lehtësisht rezistencën e individit të izoluar, tirania neoliberale po i grabit individit, tashmë të “bindur”, edhe gjysmën tjetër të mbetur të qënies së vet, individualizmin, lirinë për të projektuar identitetin e vet.
Dhuna e strukturuar, e kontrolluar dhe e mbajtur në heshtje nga pushteti globalist, i devijimit deri edhe të identitetit seksual, veçanërisht në administratën e Rilindjes, favoret spekulative ekonomike dhe të karrierës për pederastinë, pamundësia financiare minimale për të mbajtur familjen, papunësia masive e kalkuluar, refuzimi i karrierës, madje edhe i punësimit të njerëzve kritikë dhe me integritet, si dhe emigrimi masiv i projektuar prej një qeverisje antishqiptare, që po shpopullon vendin, janë disa nga treguesit se si projekti eksperimental i demokracisë fiktive neoliberale po i grabit dhe i pamundëson, në mënyrë të kontrolluar, individit misionin e vet më madhor të jetës, “familjen”, një nga liritë më universale të çdo gjallese.
Pamja më e dukshme e shoqërive me Demokraci neoliberale, pjesë e të cilave fatkeqësisht është edhe Shqipëria, është dëshpërimi i thellë mbarëshoqëror, kriza e thellë kaotike e identitetit shoqëror dhe individual.
Në mbyllje, demokracia neoliberale është sistemi politik që përgatit terrenin shoqëror për lindjen e diktuaturave, të autokracive në nivel global, terrene këto të gatshme për konklavën globaliste të Deep State, por edhe të fuqive të tjera të mëdha, për të ushtruar imperializëm, grabitje tregjesh, luftra të përgjakshme, rimodelim të herë pas hershëm të botës, si dhe shkuarje drejt skllavërimit të popujve përmes projektit të një qeverie të vetme globaliste.
Ç’ka ne thelb ideja per funksionalizimin e Republikes versus Bashkimit ķombetar?
Çfarë përcjell për shoqërinë kosovare thirrja për bashkim kombëtar? Do të thotë që në qendër të prioriteteve të veta, Kosova, të vendosë idealin e bashkimit kombëtar, bashkimin e dy republikave dhe jo fatin e Kosovës.
Për t’i dhënë një përgjigje të shkurtër kësaj dileme kombëtare do të parashtroja dy pyetje, që mbeten disi për t’u shtjelluar.
Pyetjet janë për të dyja shoqëritë tona. Së pari, cilët janë prioritet e qeverisë dhe shoqërisë së Kosovës? Po prioritetet e qeverisë dhe shoqërisë sonë në Shqipëri? A ka përafri mes tyre që të mundësohet në praktikë ideja e bashkimit kombëtar?
Prioritetet madhore të politikës dhe shoqërisë kosovare, duket se janë: Shtrirja e integritetit territorial; konsolidimi i demokracisë liberale, tashmë funksionale; si dhe çlirimi i shtetit prej korrupsionit dhe krimit, të cilët kanë lidhje të nëndheshme, ende të forta me regjimin e Vuçiçit.
Ndërvarësia e tri prioriteteve është kaq ekzistenciale për Kosovën, sa nuk lejohet mundësia e dështimit të asnjërit prej prioriteteve. Realizimi i tyre kërkon funksionimin dhe monitorimin e strukturave të shtetit, të qeverisë, por edhe të shoqërisë. Një super projekt që kërkon energji, përkushtim, kohë dhe përgjegjësi të lartë realizimi.
Një projekt të tillë madhor, progresist, e realizon vetëm “Kosovocentrizmi”, pjesë e të cilit ndihem edhe unë si shqiptare e Shqipërisë.
Cilat janë prioritetet e qeverisë dhe shoqërisë sonë në Shqipëri? A kanë përafri ato me prioritetet dhe vlerat që mbron sot Kosova?
Një nga prioritet e qeverisë së sotme globaliste në Shqipëri është grabitja e hapur, në dritë të diellit, e çdo pasurie kombëtare ende të mbetur, me miratimin e heshtur të Perëndimit. Prioriteti tjetër i saj është konsolidimi i sistemit të narko-diktaturës përmes forcimit të Shtetit Mbikqyës, që sheh dhe di gjithçka për shtetasit e vet. Si kryeglobalisti më i zellshëm në Shqipëri, tiran me popullin e vet dhe lëpirës pa censurë i elitës financiare, kryeministri ynë ka për prioritet të dukshëm një nga kërkesat e konklavës globaliste, degradimin e qeverisë në kufijtë e absurdit dhe të mos funksionimit total të saj.
Prioritetet e qeverisë shqiptare janë të shumta dhe impenjative edhe për faktin se ëshë duke zbatuar zellshëm projektin e aleancës globaliste me shërbimet sekrete të fqinjëve tanë shovinistë në falimentimin totoal të Shqipërisë. Një nga prioritete impenjative, që buron pikërisht prej këtij projekti antishqiptar, është ekonomia kombëtare. Pas rrënimit në kufijtë e mbijetesës të ekonomisë prodhuese, ekzekutimit përfundimtar të prodhimit industrial, sot po kufizon në kufijtë e mbijetesës edhe ekonominë e importit, kjo edhe për arsye të varfërimit të skajshëm të popullit “dembel”. Në mbyllje, prioriteti globalist më serioz i kësaj qeverie mbetet shpopullimi skajshëm i vendit prej shqiptarëve “grinjarë”, të “pakulturuar”, që nuk e duan punën.
Sa për shoqërinë shqiptare, prioritet të vet ka braktisjen e madhe të vendit, arratinë kaotike nëpër botë, në kërkim të ekzistencës së mohuar në vendin e tyre.
Në mbyllje, do të sugjeroja “Kosovocentrizmin” për prioritetin më madhor të Kosovës, si dhe MOS shpërqëndrim me kauzën e bashkimit kombëtar, që para së gjithash mbetet detyra jonë, e shoqërisë shqiptare për ta zgjidhur, sigurisht me ndihmën e domozdoshme të Kosovës, por të një Kosove të fortë dhe të integruar tërësisht në vlerat e Perëndimit, pavarësisht se Perëndimi, herë pas here i vë në dyshim vlerat e veta, për kombet si i yni, që kërkojnë prosperitet të qëndrueshëm, ato mbeten vlera ekzistenciale.