Don Lush Gjergji, Prishtinë
KATEKEZA SOT
Katekeza dhe Koncili II i Vatikanit (2)
Vetë fjala, shprehja apo termi katekeza rrjedh prej greqishtës së vjetër katekeo – që dmth. jehona e mësimit, porosisë në mënyrë të drejtpërdrejt, mësoj me zë, ia barti apo dhuroj dikuj një lajm, porosi, komunikimi ndërnjerëzor, dëshmia. Gjatë shekujve ky term apo shprehje është trajtuar si bartja, dhënia, dëshmia e porosisë së krishterë nëpërmjet fjalës, kumtimit, ungjillëzimit, mësimit të fesë, dëshmisë së krishterë.
Sipas Shën Gjon Palit II katekeza, katekisti (a) është jehona e brendshme e porosisë ungjillore, Lajmit të Mirë, si dhe e mësimit të Kishës. Ja, pra, elementet bazë të katekizimit: Ungjilli, mësimi i Kishës dhe feja e katekistit, bashkësisë së krishterë.
Ungjilli, Jezu Krishti, burimi i parë dhe më i rëndësishëm i katekezës theksohet në shumë dokumente kishtare, enciklika, ndër të cilat po i përmendim disa të rëndësishme:
Pali VI, “Evangelii nuntiandi” – Duke shpallur Ungjillin, 1975;
Gjon Pali II, “Catechesi tradendae” – Duke bartur katekezën, 1979;
Gjon Pali II, “Fides et ratio” – Feja dhe arsyeja, 1998;
Benedikti XVI, “Deus caritas est” – Zoti është dashuri, 2005;
Françesku, “ Lumen fidei” – Drita e fesë, 2013.
Ky takim me Jezusin ka për qëllim kthimin, jetën me Të, nëpërmjet jetës sakramentale, sidomos rrëfimit apo pajtimit, kungimit dhe bamirësisë.
Burimi i dytë i katekezës është mësimi apo doktrina e Kishës që në mënyrë sistematike është përpiluar në Katekizmin e Kishës Katolike, 1992, dhe në Përmbldhja e Katekizmit të Kishës Katolike.
Burimi i tretë i katekezës është feja e bashkësisë së krishterë të cilën e mëson, bart dhe dëshmon katekisti apo katekistja, si mjet informimi, formimi dhe edukimi
Në kuptimin e plotë dhe të mirëfilltë Katekisti i parë është Jezu Krishti, që ungjilltari Mateu e përshkruan kështu: “Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo pamundësi” (Mt 4, 32).
Në këtë pjesë ungjillore theksohen disa elemente: ecja dhe qarkullimi i Jezusit nëpër Galile, mësimi në sinagoga, predikimi i Ungjillit, shërimi i sëmundjeve dhe pamundësive, që dmth. se nuk është një veprim i njëanshëm, i thjeshtë, por gjithpërfshirës, që për synim ka njeriun si tërësi e përbërë, trup, psikë dhe shpirt.
Këtë e thotë qartas vetë Jezusi me këto fjalë: “Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit” (Mt 4, 4).
Apostujt, bashkëpunëtorët më të ngushtë të Krishtit, vazhdojnë misionin apo dërgimin e tij, si parakusht shëlbimi për mbarë njerëzimin. “Kush beson në Birin ka jetën e pasosur, përkundrazi, ai që nuk beson në Birin nuk do ta shohë jetën: hidhërimi i Hyjit peshon mbi të” (Gjn 3, 36). “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: kush e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më dërgoi, ka jetën e pasosur dhe ai nuk del në gjyq, por tashmë kaloi prej vdekjes në jetë” (Gjn 5, 24). “Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai më do dhe atë që më do mua, do ta dojë edhe Ati im edhe unë do ta dua edhe do t’i dëftohem” (Gjn 14, 27). “Por Jeta u shfaq, ne e pamë dhe dëshmojmë dhe ju kumtojmë Jetën e pasosur, që është te Ati dhe na u shfaq neve – çka pamë e dëgjuam po ju kumtojmë juve që edhe ju ta keni bashkësinë me ne. E bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin” (1 Gjn 1, 2-3).
Sipas fjalës dhe porosisë së Jezu Krishtit katekeza ka këtë përmbajtje: besimin apo fenë, mbajtja e urdhërimeve – dashuria, shpallja apo kumtimi i Jetës – Jezu Krishtit, dëshmia, që mundëson dhe krijohen bashkimin me Zotin dhe me njëri-tjetrin, nëpërmjet Kishës dhe në Kishë. Pra, katekeza është para së gjithash përvojë e fesë, jetës me Zotin, në bashkësinë e krishterë – Kishë, që edhe të tjerët ta njohin, ta pranojnë dhe së bashku me ne ta jetësojnë, dëshmojnë risinë e jetës – Jezu Krishtin, si të vetmin ndërmjetës dhe Shëlbues për njerëzimin.
Papa Françesku thotë kështu: “Feja ndriçon jetën shoqërore, ajo ka një dritë krijuese për çdo moment të ri të historisë, sepse i vë të gjitha ngjarjet në marrëdhënie me zanafillën dhe fatin e gjithkujt në Atin që na do” (Lumen Fidei – Drita e Fesë, Nën përkujdesjen e arqipeshkvisë Shkodër-Pult, 2013, nr. 55, f. 111-112).
Katekeza lind nga feja, besimi, jeta me Zotin dhe me të afërmin, dhe si e tillë është dëshmi jete, gëzimi, risie, sigurie, para se të jetë fjalë, mësim, shpjegim, që me dashuri ua ofrohet dhe dhurohet të tjerëve. Kjo domethënë se ne duhet të jetojmë ashtu siç na mëson, kërkon dhe aftëson Zoti, që atë çka u mësojmë dhe dhurojmë të tjerëve, ta dëshmojmë ne në përditshmërinë tonë.
Bota e sotme për çdo të krishterë është një sfidë e vazhdueshme, së pari për ne dhe fenë – jetën tonë, pastaj edhe për ata që duam t’i afrojmë kah Zoti dhe Kisha, feja e krishterë. Një ndër karakteristikat apo tiparet e fesë është edhe guximi i krishterë, pa kurrfarë kompleksi, marrje, por edhe pa krenari, superioritet, përbuzje ndaj të tjerëve, por me shumë nderim, kujdes, mbi të gjitha me përkushtim dhe dashuri.
Frika, turpi, fshehja, të krishterët anonimë, ose një lloj “laramanizmi” apo “kriptokatolicizmi”, janë shenja të mungesës së fesë, si dhe përbuzja, nënçmimi ndaj të tjerëve. Për ne feja – Zoti, është thesari, pasuria më e madhe, thesari fshehtë që kemi zbuluar dhe na është dhuruar, dhe kjo vlen së pari për ne, pastaj edhe për të gjithë të tjerët.
Guximi ynë, siguria jonë, lumturia, mbështetet dhe është në Zotin – Dashuri i cili më do – na do, dhe në vëllai – njeri. Ati e ka dërguar Birin e tij, Jezu Krishtin, tash e dërgon Kishën – neve me të njëjtin mision: “Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt” (Mt 28, 19).
Edukatorja e famshme Maria Montessori thoshte kështu: “Nëse sistemi edukues duhet të ndërrohet, duhet atë ta mbështesim në vetë fëmijën”. Si arrihet kjo? Të jesh një me tjetrin, duke ia mundësuar tjetrit që të jetë vetvetja, që fjala, mësimi, edukimi të jetë i njësuar me qenie, me jetë.
Romano Guardini, teologu i madh i shekullit të kaluar, shkruan kështu: “Fakti që unë luftoj për t’u përmirësuar, më jep guxim që të kujdesem për edukimin e tjetrit”, që me fjalë tjera domethënë interiorizimi i vlerave, fesë dhe dëshmia e krishterë.
Stili i Jezusit, Jetës dhe Dashurisë ishte thjeshtësia, shërbimi, flijimi. “Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj… sepse keni vetëm një udhëheqës – Krishtin! Më i madh ndër ju le të jetë shërbëtori juaj” (Mt 23, 8-11). Nga kjo është më se e qartë se guximi ynë është Zoti, feja, dashuria, shërbimi dhe flijimi.
Papa Françesku thotë: “Katekeza është shtylla për edukimin e fesë dhe shi për këtë kemi nevojë për katekistë të mirë…T’i ndihmoni fëmijët, të rinjtë, të pjekurit për ta njohur dhe dashur gjithnjë më shumë Zotërinë është aventura më e bukur edukative, ndërtohet Kisha. Të jeni katekistë! Jo të punoni si katekistë! Kujdes, nuk kam thenë “të bëni” katekizëm, por “të jeni”, sepse kjo përfshin jetën tuaj” (Papa Françesku, Kongresi katekistik ndërkombëtar, Romë, 23 shtator 2013).
Prishtinë, 17 tetor 2023