Më poshtë e gjeni Fjalimin e plotë të Nënë Terezës në gjuhën shqipe me rastin e pranimit të Çmimit Nobel për Paqe, i mbajtur më 10 dhjetor 1979.
Ta falënderojmë Zotin gjithë së bashku për këtë rast të bukur, në të cilin së bashku mund ta shpallim haren e shpërndarjes së paqes, haren e dashurisë mes njëri-tjetrit dhe haren e njohjes se të varfërit ndër më të varfër janë vëllezërit dhe motrat tona.
Me që jemi mbledhur së bashku këtu për të falënderuar Zotin për dhuratën e Paqes, ju kam dhënë të gjithëve Lutjen për Paqe, të shkruar shumë vite më parë nga Shën Françesku i Asizit, për të cilën mrekullohem se si ai duhet të ketë ndjerë po të njëjtën nevojë për t’u lutur sikurse ne sot. Shpresoj se e keni të gjithë këtë letër me lutje. Le ta lusim së bashku:
O Zot, më bëj të jem mjet i paqes Sate:
ku ka urrejtje, bëj ta sjell dashurinë,
ku ka fyerje, bëj ta sjell faljen,
ku ka mospajtim, bëj ta sjell bashkimin,
ku ka dyshim, bëj ta sjellë fenë,
ku ka gabim, bëj ta sjell të vërtetën,
ku ka dëshpërim, bëj ta sjell shpresën,
ku ka pikëllim, bëj ta sjell gëzimin,
ku ka errësirë, bëj ta sjell dritën,
O Zot,
bëj që unë të mos kujdesem
të jem i ngushëlluar, por të ngushëlloj,
të më kuptojnë, por t’i kuptoj të tjerët,
të më duan, por t’i dua.
Sepse,
duke dhuruar, fiton;
duke falur, e fiton faljen;
duke vdekur, e fiton jetën e amshuar.
Amen.
Zoti e ka dashur aq shumë botën, sa që e ka dhuruar Birin e vet, një virgjëre, të Lumes Virgjërës Mari, e cila kur e pranojë në jetë, menjëherë shkoi me shpejtësi për t’iu dhuruar të tjerëve. Pse e bëri ajo këtë gjë? Ajo ka bërë vetëm punën e shërbëtores, ashtu thjeshtë. Ajo thjeshtë ka shpallur gëzimin e dashurisë së shërbimit. Jezusi të do ty, më do mua, Ai e ka dhënë jetën për ne. E sikur të mos ishte e mjaftueshme kjo për Të, na tha: duaj, ashtu si Unë të kam dashur ty, ashtu si të dua tani dhe ashtu si duhet të duam, të duam (të tjerët) duke dhuruar. Sepse Ai e ka dhënë jetën për ne. Ai vazhdon të jep jetën, vazhdon të dhuron në këto momente gjithkund, në jetën tonë dhe në jetën e të tjerëve.
Nuk ishte e mjaftueshme për Të të vdiste për ne, por Ai donte që ne ta duam njëri-tjetrin, që ne ta shohim Atë tek njëri-tjetri. Ja pse Ai thoshte: Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin.
Që të jemi të sigurt që e kemi kuptuar çfarë donte të na thoshte, ai tha se në çastin e vdekjes do të gjykohemi sipas asaj që kemi bërë për të varfrit, për të uriturit, për të zhveshurit, për të pastrehët, sepse ai është i urituri, i zhveshuri, i pastrehu; e jo vetëm i urituri për bukë, por i uritur për dashuri, jo vetëm i zhveshur prej rrobave, por i zhveshur nga dinjiteti njerëzor, jo vetëm i pastrehë për një dhomë për të jetuar, por i pastrehë për shkak se është i harruar, është jo i dashur, është i braktisur, duke qenë askushi për askënd, duke harruar çfarë është dashuria njerëzore, çfarë është prekja njerëzore, çfarë është të jesh i dashur nga dikush. Dhe thotë: Çfarëdo që keni bërë për njërin ndër këta vëllezërit e mi, ma keni bërë mua.
Është aq e bukur për ne të bëhemi shenjtë për këtë dashuri, sepse shenjtëria nuk është luks vetëm për disa, por është një detyrë e thjeshtë për secilin prej nesh, e përmes kësaj dashurie ne mund të bëhemi të shenjtë. Për këtë dashuri për të tjetrin, unë sot e pranoj këtë shpërblim. Unë personalisht jam e padenjë. Unë e kam pranuar varfërinë që të mund t’i kuptoj të varfrit. Unë e kam zgjedhur varfërinë për njerëzit tanë të varfër. Porse, unë jam mirënjohëse dhe shumë e lumtur për të pranuar këtë çmim në emër të të uriturve, të zhveshurve, të pastrehurëve, të gjymtëve, të verbërve, të lebrozëve, në emër të gjithë atyre njerëzve që ndjehen të papranuar, jo të dashur, të braktisur, të përjashtuar nga shoqëria, njerëz që janë bërë barrë për shoqërinë dhe janë të përbuzur nga të gjithë.
Në emër të tyre e pranoj çmimin. Dhe jam e sigurt që ky çmim do të sjell një dashuri mirëkuptimi mes të pasurve dhe të varfërve. Kjo është ajo që Jezusi ka insistuar aq shumë, kjo është arsyeja pse Jezusi erdhi në tokë; të shpall lajmin e mirë të varfërve. Përmes këtij çmimi dhe përmes të gjithë neve këtu të bashkuar, po iu shpallim lajmin e mirë të varfërve, duke ju thënë se Zoti i do ata, se ne i duam ata, se ata janë dikush për ne, se ata janë të krijuar me të njëjtën dorë të dashur të Zotit, që të duan e të jenë të dashur. Njerëzit tanë të varfër janë njerëz të mrekullueshëm, janë njerëz shumë të dashur, ata nuk kanë nevojë për mëshirën dhe keqardhjen tonë, ata kanë nevojë për dashurinë kuptuese. Ata kanë nevojë për respektin tonë; ata kanë nevojë që ne t’i trajtojmë me dinjitet. Unë mendoj se kjo është varfëria më e madhe që e përjetojmë, që para nesh kemi ata që mund të vdesin për një copë buke, por ata vdesin me dinjitet. Asnjëherë nuk mund ta harroj kur e kam marr një njeri nga rruga. Ai ishte i mbuluar me krimba; e vetmja pjesë e pastër e trupit të tij ishte fytyra. Kur e sollëm këtë njeri në shtëpinë për të vdekur, ai na e tha vetëm një fjali: Unë kam jetuar si kafshë në rrugë, por po vdes si një engjëll, i dashur dhe i pranuar. Ai vdiq në mënyrën e mrekullueshme. Ai shkoi në shtëpi te Zoti, sepse vdekja s’është tjerë përpos kthimi te Zoti. Pasi ai u kënaq me këtë dashuri, të qenët i dëshiruar (pranuar), të qenët i dashur, të qenët dikush për dikë në momentin e fundit; kjo i solli gëzim në jetën e tij.
E ndjejë që një gjë duhet ta bashkëndaj me ju të gjithë; shkatërruesi më i madh i paqes sot është vaji i fëmijëve të pafajshëm të palindur. Sepse, nëse një nënë mund ta vras fëmijën në kraharorin e saj, çfarë na ndal ty dhe mua që ta vrasim njëri-tjetrin? Madje edhe në Shkrimin e shenjtë është e shkruar: po edhe nëse nëna do të harroj fëmijën e vet – unë nuk do t’iu harroj – unë ju kam të shkruar në shuplakën e duarve të mia. Edhe nëse nëna do të harroj, por sot miliona fëmijë të palindur vriten. Dhe ne nuk flasim asgjë për këtë. Lexojmë në gazeta për numrat e atij dhe këtij të vrarë, për shkatërrime të ndryshme, por askush nuk flet për ata miliona të vegjlish që kanë qenë të ngjizur për të njëjtën jetë sikurse ti dhe unë, për jetë me Zotin. Ne nuk flasim, ne kemi lejuar të ndodh kjo. Për mua, kombet që kanë legalizuar abortin, janë kombet më të varfrat. Ata kanë frikë nga një fëmijë, ata janë të frikësuar nga fëmijët e palindur dhe ata duhet të vriten, sepse ata nuk donë të ushqejnë një fëmijë më shumë, të edukojnë një fëmijë më shumë, dhe fëmija duhet të vdes.
Në këtë vend po ju pyes, në emër të këtyre të vegjëlve, a nuk ishte një fëmijë i palindur që e njohu praninë e Jezusit ndër ne, kur Maria kishte shkuar në vizitë te kushërira e saj Elizabeta. Ashtu siç e lexojmë në Ungjill, kur Maria vjen në shtëpinë e Elizabetës, fëmija në barkun e saj, kërceu prej gëzimit dhe e njohu Princin e Paqes. Kështu edhe ne sot, të vendosim për të shpëtuar çdo fëmijë, çdo fëmijë të palindur, t’iu japin një shans që të lindin. Kjo është ajo çka ne po bëjmë, po luftojmë abort pas aborti, dhe Zoti i mirë e ka bekuar punën me aq bukuri sa që kemi shpëtuar mijëra e mijëra fëmijë dhe mijëra prej tyre kanë gjetur shtëpi ku i duan, i pranojnë dhe kujdesen për ta. Ne kemi sjell shumë gëzim tek ato shtëpi ku nuk kishte fëmijë. Sot, ju kërkoj Lartmadhërive Tuaja këtu të pranishme prej vendeve të ndryshme, të lusim që të kemi kurajë për t’i përkrahur fëmijët e palindur, t’iu japim këtyre fëmijëve mundësinë për të dashur dhe për të qenë të dashur, dhe unë mendoj se me hirin e Zotit ne do të mund të sjellim paqe në botë. Ne e kemi një mundësi këtu në Norvegji, ju keni bekimin e Zotit, ju mund ta bëni shumë mirë këtë. Porse unë jam e sigurt se në familje dhe shumë prej shtëpive tona, nuk jemi të uritur ndoshta për një copë buke, por ndoshta dikush në familje është i padëshiruar, i padashur, i braktisur, i harruar; aty nuk ka dashuri. Dashuria fillon në shtëpi. Dhe Dashura për të qenë e vërtetë duhet të dhembë.
Kurrë nuk e harroj një fëmijë të vogël, i cili më dha një mësim të mrekullueshëm. Ai kishte dëgjuar se në Kalkutë, fëmijët që i ka Nënë Tereza, ajo nuk ka sheqer për t’iu dhënë. Ky fëmijë, pesëvjeçar hindu, shkon në shtëpi dhe ju thotë prindërve të vet: unë nuk dua të ha sheqer për tri ditë, sepse dua t’ia jap sheqerin Nënë Terezës. Sa shumë mund të jap një fëmijë! Pas tri ditësh ai e bie sheqerin në shtëpinë tonë. Ishte një fëmijë që mezi e shqiptonte emrin tim, por ai donte me dashuri shumë të madhe, ai deshi deri në dhimbje. Kjo është ajo që dua të ju këshilloj, të doni tjetrin derisa ajo të dhembë. Mos harroni që ka shumë fëmijë, shumë burra e gra që nuk kanë atë që ju keni. Mos harroni t’i doni ata derisa në dhembje.
Para disa kohësh, e kjo do të ju duket shumë e çuditshme, por unë e kam sjell te Zoti një fëmijë nga rruga. Unë mund të shoh në fytyrën e fëmijës se ai është i uritur. Zoti e di për sa ditë ai nuk kishte ngrënë. I jap atij një pjesë të bukës dhe ai fillon ta ha bukën duke e thërrmuar trosha-trosha. I them, haje bukën, haje bukën. Ai më shikon e më thotë: kam frikë ta ha bukën, sepse kam frikë që kur të përfundojë do të jam i uritur prapë. Ky është realiteti dhe aty e gjejmë madhështinë e të varfërve.
Një mbrëmje vjen një zotëri në shtëpinë tonë dhe më thotë se është një familje hindu me tetë fëmijë, e cila nuk ka ngrënë asgjë prej ditësh. Bëj diçka për ta. Marr pak oriz dhe shkoj menjëherë. E gjejë të ëmën me ata fëmijë, të cilët ju shkëlqenin sytë nga uria e madhe. Ajo e merr orizin nga dora ime, e ndan në dy pjesë dhe del jashtë. Kur kthehet e pyes, ku ishe? Çfarë bëre? Ajo më përgjigjet: Ata kanë qenë të uritur po ashtu. Ajo e dinte se i afërmi i parë, një familje myslimane, ishte e uritur.
Ajo që më mahniti më shumë nuk ishte pse ajo ua dhurojë një pjesë të orizit, por që në vuajtjen e saj, në urinë e saj, ajo e dinte se dikush tjetër ishte i uritur, dhe ajo pati guximin të (bashkë)ndajë, të bashkëndajë dashurinë. Kjo është ajo që dua të them: dua që t’i doni të varfrit e kurrë mos ua ktheni shpinën të varfërve, sepse kur e ktheni shpinën të varfërve ju keni kthyer shpinën Krishtit, sepse ai e bëri vetveten të uritur, të zhveshur, të pastrehë, në mënyrë që ti dhe unë të kemi mundësi ta duam Atë. Sepse ku është Zoti? Si mund ta duam Zotin? Nuk mjafton që t’i them Zotit të dua, por, o Zot, të dua këtu. Unë mund të shijoj këtë (ushqim), por e dhuroj. Mund të ha sheqerin, por e dhuroj atë. Nëse do të qëndroja këtu për ditë e natë, do të mahniteshit për veprat e bukura që njerëzit i bëjnë, që bashkëndajnë gëzimin e dhurimit.
Sot, lutja ime për ju është që e vërteta të sjell lutjen në shtëpitë tona dhe nga thellësia e lutjes do të mësojmë të besojmë se tek te varfrit e gjejmë Krishtin. Dhe kur të arrijmë vërtetë të besojmë, do të fillojmë t’i duam. Ne do të duam (tjerët) krejt në mënyrë natyrore, spontane, e do të përpiqemi të bëjmë diçka. Në fillim në shtëpitë tona, pastaj tek i afërmi im i parë në vendin tim dhe në fund në mbarë botën. Le të bashkohemi të gjithë në këtë të vetmen lutje: O Zot, na jep guximin t’i mbrojmë fëmijët e palindur, sepse fëmija është dhurata më e madhe e Zotit që i dhurohet familjes, kombit dhe mbarë botës. Zoti ju bekoftë!/
(Transkripti i fjalimit të plotë të Shenjtës Nënë Tereza i mbajtur në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe. Aula e Universiteti të Oslos, Norvegji, më 10 dhjetor 1979. Përkthimi është bërë nga Don Fatmir Koliqi, që ka pasur për bazë origjinalin anglisht tek web faqja zyrtare e Çmimit Nobel: https://www.nobelprize.org/nobel_prizes/peace/laureates/1979/teresa-acceptance_en.html