-Para 20 viteve, 19 Tetorin 2003 të lumturimit të Nënës Terezes, në Vatikan, nga Papa Gjon Pali i dytë, Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e vlerësonte ditë historike për shqiptarët dhe botën/
-Ishte viti 1995, kur në 7 Dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës takohet për hërë të parë e të vetme me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen në Aeroportin e Romës/
PRISHTINË, 19 Tetor 2023/ Para 20 vitesh, më 19 Tetor 2003, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Vatikan, mori pjesë në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhiu me origjinë nga Kosova-Prizreni, lindur në Shkup. Para më se gjysmë milioni njerëzve, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Gjon Pali i dytë ka lumturuar Nënë Terezën.
Presidenti historik Rugova, pas kthimit nga pjesëmarrja në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, e vlerësoi këtë akt si ditë historike për Kosovën dhe popullin shqiptar.
“Po kthehem nga Roma, ku ishim në ditën e beatifikimit të Nënës Tereze, që është një ditë e madhe për Kosovën, për popullin shqiptar.
Mund të themi se është një ditë historike dhe një ditë e madhe për gjithë botën, sepse ajo është Nënë shqiptare dhe poashtu Nënë e gjithë botës”, theksoi Presidenti Rugova në një deklaratë para mediave në Aeroportin e Prishtinës, në 22 Tetor 2003.
Gjithashtu Presidenti Rugova shprehu kënaqësinë që në ceremoninë e lumturimit të Nënës Tereze morën pjesë me mijëra shqiptarë nga Kosova, viset shqiptare dhe nga bota.
Me këtë rast, Presidenti Rugova falenderonte Papa Gjon Pali II për lumturimin e Nënës Tereze dhe organizimin e ceremonisë madhështore që hapi rrugën për shenjtërimin e Nënës Tereze.
Në 17 Tetor 2003, para ceremonisë së lumturimit, Vatikani publikoi një biografi të Nënës Tereze. Teksti fillonte pikërisht me një deklarim të Nënë Tërezes në vitin 1995, ku ajo theksonte prejardhjen dhe besimin e saj me këto fjalë: “Me gjak jam shqiptare, me shtetësi jam indiane dhe me zemër i përkas Jezu Krishtit”.
Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka takuar të Lumen Nënë Tereza, nobelisten – nënën tipike shqiptare, që është edhe e gjithë botës, siç është shprehur ai.
Ishte viti 1995, kur në 7 Dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, takohet për hërë të parë e të vetme me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen. “Do të lutem për popullin e Kosovës”, tha Nëna Tereze gjatë këtij takimi me Presidentin Rugova. Takimi u zhvillua në Aeroportin e Romës, gjatë rrugës së Presidenti Rugova për në Uashington.
“Unë e kam takuar vetëm një herë Nënën Tereze në Aeroportin e Romës, rastësisht, por veprën e saj e njoh shumë, shumë mirë…
Ato pak çaste që kemi kaluar, kur iu prezantova si President i Kosovës i rodhën lotët, ishte në vitin 1995…dhe dëshiroi sukses dhe punë dhe e ndinte në zemër popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar që e ka dëshmuar edhe me vepër”, ka treguar Presidenti Rugova.