ARKIVI:
17 Nëntor 2024

Konflikti Izrael -Hamas dhe gjeopolitika e strategjia lidhur me të

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Organizata terroriste HAMAS e nisi luftën me sulmet ndaj Izraelit, por po e pëson popullata civile në të dyja anët, Izrael dhe në Rripin e Gazës.
Qindra njerëz qëndrojnë së bashku në kryeqytetin e Jordanisë, Aman, për të shprehur mbështetjen për Palestinën. Foto: Alaa Al Sukhni, Reuters/NTB
Dritan Goxhaj, Tiranë
___
Pjesa e parë
___
Në vitin e largët 1956 Shefi i Shtabit të Ushtrisë Izraelite, Gjenerali Moshe Dajan, në eulogjinë e tij të mbajtur me rastin e vrasjes së një ushtari izraelit pati deklaruar “Të mos ua hedhim fajin vrasësve sot. Përse duhet të shpallim urrejtjen e tyre të zjarrtë për ne? Për tetë (😎 vjet ata kanë qëndruar ulur në kampet e refugjatëve në Gaza duke parë se si, para syve të tyre, ne i kemi shndërruar tokat dhe fshatrat ku ata dhe baballarët e tyre kanë jetuar në pronat tona”.
Do të mjaftonte vetëm fillimi i kësaj eulogjie të dhënë nga një prej ushtarakëve më brilant të kohërave moderne dhe të vetë Izraelit për të kuptuar çfarë po ndodh sot në Gaza. Do të mjaftonte vetëm fjalia e tretë për të pyetur veten:
A ka të drejtë pushtuesi të vetëmbrohet?!
Që prej asaj ngjarjeje palestinezët në Gaza kanë vazhduar të jetojnë nëpër kampe refugjatësh në tokën e tyre, pasi pjesa tjetër e tokave të tyre është shndërruar me anë të dhunës dhe fuqisë ushtarake në prona të kolonëve izraelitë. Kur për vetëm 8 vjet Moshe Dajan kishte konkluduar se palestinezët kishin krijuar një urrejtje, imagjinoni se ku ka arritur sot pas 67 viteve kjo urrejtje e lindur atëhere.
E drejta e palestinezëve për të luftuar për çlirim është një e drejtë universale, por kjo e drejtë nuk mund të vendoset nëpërmjet akteve të terrorit, pasi çdo akt terrori i kryer nga ana e Hamasit dhe grupeve të tjera luftuese në këtë përplasje të fundit midis Izraelit dhe palestinezëve patjetër që është krim kundër njerëzimit. Por edhe kundërpërgjigjja jo proporcionale mbi objekte civile dhe konvoje civile nga ana e ushtrisë izraelite po ashtu përbën krim kundër njerëzimit.
Bazuar mbi parimin se asgjë nuk ndodh rastësisht në botën e politikës së fuqive të mëdha, mund të themi se gjithçka është një derivat direkt ose indirekt i fuqive të mëdha dhe shumë pak gjëra mund të ndodhin pa miratimin e tyre. Por gjëra të tilla si ky konflikt midis palestinezëve dhe Izraelit është një nga ato gjëra që mund t’i vënë flakën gjithë Lindjes së Mesme, ndaj asnjëherë nuk mund të ndodhin pa miratimin dhe dijeninë e këtyre fuqive.
Por tashmë në atë rajon nuk ka vetëm një fuqi. Aktualisht, në atë rajon po garojnë tri fuqi globale dhe një rajonale: Amerika, Rusia dhe Kina si fuqi globale të interesuara veçanërisht për këtë rajon, si dhe Irani si fuqi rajonale.
Përplasja e këtyre fuqive na sjell te arsyet strategjike dhe gjeo-politike të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.
Aktorët kryesorë në këtë rebus gjeopolitik janë Hamasi, një organizatë politike ushtarake e krijuar në vitin 1987 dhe që emrin e vërtetë e ka Lëvizja e Rezistencës Islame (Harakat al Mukauama al Islamija), dhe shteti i Izraelit, i krijuar në 1948 nga fuqitë e mëdha të dala nga Lufta e Dytë Botërore në toka të banuara me palestinezë.
Çdokush që mund të ketë sadopak njohuri mbi çështje ushtarake, sigurie dhe diplomacie duhet të jetë i vetëdijshëm se ky operacion ushtarak i Hamas-it është një operacion kompleks ushtarak dhe inteligjence i planifikuar të paktën për disa vite. Hamasit i janë dashur disa vite për të rritur arsenalin e tyre të armëve për këtë lloj operacioni, për të përgatitur trupat e tyre për veprime ushtarake brenda në Izrael dhe, më pas, në Gaza, si dhe për të mbledhur të dhëna inteligjence për mënyrën e veprimit, organizimit dhe furnizimit të ushtrisë izraelite dhe të kapaciteteve të saj elektronike dhe të sigurisë.
Në gjithë këtë nuk duhet harruar se Izraeli prej vitit 2004 është një anëtar de fakto i NATO-s me një status special, i cili përfshin koordinimin aktiv ushtarak dhe inteligjent, si dhe konsultime që kanë të bëjnë me territoret e pushtuara. Vetë Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) e konsiderojnë këtë bashkëpunim me NATO-n dhe Pentagonin si një qëllim për “të rritur aftësinë parandaluese të Izraelit në raport me armiqtë e mundshëm që e kërcënojnë atë, kryesisht Iranin dhe Sirinë”.
Dhe këtu lind pyetja: Po cilët janë ato fuqi që kanë interes në një konflikt të tillë dhe që i nxitin palët drejt përshkallëzimit?
Për të kuptuar këtë duhet më parë të shohim një fakt.
Prej disa kohësh Izraeli, nën një lëvizje diplomatike të Amerikës, ishte gati për t’i normalizuar marrëdhëniet e tij me Arabinë Saudite, normalizim ky që mund të sillte edhe një njohje nga ana e Arabisë Saudite të shtetit të Izraelit.
Por nëse palët do të arrinin një marëveshje paqeje, atëherë kjo do të thoshte një aleat më pak për palestinezët dhe vetë Hamasin për të pasur një mbështetje nga bota arabe për të arritur ambiciet e tyre politike dhe krijimin e shtetit palestinez, pasi kjo marrëveshje përfshin edhe një deklaratë të përbashkët mbi çështje të sigurisë ndërmjet këtyre dy shteteve.
Por, më e rëndësishmja, nëse kjo marëveshje do të realizohej, Amerika i kishte premtuar sauditëve që do t’u jepte qasje në teknologjinë e saj bërthamore dhe do i ndihmonte që të ngrinin një impiant për pasurimin e uraniumit dhe, kështu, të krijonin mundësinë e të pasurit një bombë bërthamore, kërkesë kjo e sauditëve për të balancuar fuqinë e tyre në rajon, veçanërisht karshi Iranit, i cili është shumë afër të pasurit të një bombe të tillë.
Por në këtë konflikt tani ka mundësi që të hyjë edhe Hezbullahu, që është një forcë politike dhe ushtarake disa dhjetra herë më e armatosur dhe më e përgatitur sesa Hamasi dhe që ka lidhje direkte me Iranin jo vetëm për përgatitje ushtarake, por edhe politike dhe fetare, pasi Hezbullah i përket pjesës islame Shia, ndërsa Hamasi i përket pjesës islame Suni. Futja e Hezbullahut në këtë konflikt do e fuste Izraelin ndërmjet dy zjarreve, një në jug e një në veri, një luftë kjo që për Izraelin do të ishte e vështirë të përballohej.
Por në gjithë këtë rrëmujë nuk duhet harruar aspak deklarata e kryeministrit izraelit në korrik të këtij viti se Hamasi ka arritur që të sigurojë armë të prodhimit të NATO-s dhe amerikane, nga ato që i janë dhënë Ukrainës nëpërmjet Iranit. Por dihet që Irani nuk ka marrëdhënie me Ukrainën.
Atëherë lind pyetja: “Nga i mori Irani këto armë?!”
Llogjikisht i bie që t’i ketë marrë nga Rusia, nga arsenali i armëve që ushtria ruse konfiskon dhe zë prej fillimit të luftës në Ukrainë.
Ashtu siç edhe shihet deri më tashti, të gjitha fuqitë botërore dhe ato rajonale duken të përfshirë në këtë mesele.
Arsyeja?
Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit shkaktoi një kundërpërgjigje të paimagjinuar nga ana e Izraelit jo vetëm ndaj Hamasit, por edhe ndaj gjithë popullatës palestineze në Gaza. Ky sulm i Izraelit dhe masakrat ndaj popullsisë civile që po bëjnë xhiron e botës nëpër televizione dhe veçanërisht nëpër rrjete sociale e detyruan Arabinë Saudite që të ngrijë totalisht bisedimet e paqes me Izraelin dhe të deklarojë që nuk do t’i rifillojnë jo vetëm derisa Izraeli t’i ndërpresë bombardimet, duke kërkuar edhe koncensione për palestinezët.
Kjo prishje e kësaj marrëveshjeje është totalisht në favor të Iranit dhe në dëm të sauditëve, por në rradhë të parë të Amerikës, duke i goditur asaj politikën e jashtme.
Kështu, Irani vazhdon të mbajë marrëdhënie me sauditët dhe do të vazhdojë të mbesë fuqi rajonale.
Futja e Hesbullahut në këtë konflikt do ta dëmtonte pa masë Izraelin, të cilit do i duhet të shpërndajë forcat e tij ushtarake duke i krijuar edhe një kaos në anën llogjistike. Megjithatë, futja e dy vendeve arabe në luftë me Izraelin, Palestina dhe Libani, nuk do të linte jashtë kësaj lufte edhe Sirinë, e cila edhe para dy ditësh u bombardua nga forcat ajrore izraelite. Kështu, Izraeli do të gjendej në tri fronte njëherësh.
Gjithashtu, kjo do të sillte edhe një ngritje të gjithë botës arabe kundër Izraelit, duke mos harruar se të nesërmen e shpërthimit të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit udhëheqësi i Ligës Arabe udhëtoi për një vizitë zyrtare në Moskë.
Angazhimi i botës arabe në këtë konflikt do të sillte automatikisht angazhimin e Amerikës në këtë konflikt në krah të Izraelit. Mjafton të shohësh dërgimin e aeroplanmbajtëses “Ford” dhe grupit të saj luftarak në brigjet e Izraelit.
Nuk besoj se Amerika i ka çuar këto forca për të ndihmuar Izraelin në luftë ndaj Hamasit.
Angazhimi i amerikanëve në këtë konflikt do të thotë tërheqje totale jo vetëm e vëmendjes, por edhe e gjithë ndihmës së mundshme ushtarake të saj ndaj Izraelit, që do të thotë se Ukraina nuk do të mund të marrë më ndihma pa limit nga Amerika dhe as nga vendet e NATO-s. Kjo do i bënte shumë herë më të lehta operacionet luftarake ruse në Ukrainë dhe do e përshpejtonte përparimin e tyre dhe ndoshta edhe lëshimin e një ofensive totale, pasi ajo e pjesshme ka 5 ditë që ka nisur.
Angazhimi i Amerikës dhe i NATO-s në këtë konflikt në Lindjen e Mesme do të hiqte totalisht vëmendjen nga Kina dhe gjithë përpjekjet e saj për Taivanin por, kryesorja, duke qëndruar si një fuqi jo luftuese, ajo do të ishte e vetmja që do të dilte më e fuqishmja ekonomikisht nga këto konflikte dhe angazhime të superfuqive të tjera në luftra lokale dhe rajonale.
Po dy aktorët kryesorë në këtë konflikt çfarë fitojnë nga ana strategjike?
Palestinezët, nëpërmjet Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura që po marrin pjesë në këtë konflikt, fitojnë një supremaci të luftës ndaj Izraelit për çlirim dhe një dobësim total të Autoritetit Palestinez PLO, i cili aktualisht qeveris Bregun Perëndimor. Me anë të kësaj lufte Hamasi do të rrezikonte totalisht pushtetin qeverisës të PLO-së edhe në Bregun Perëndimor, si dhe do të fitonte një fuqi politike si e vetmja forcë në Palestinë e aftë për t’u përballur me Izraelin jo vetëm ushtarakisht, por edhe politikisht nesër nëpër tavolinat e ardhshme të paqes.
Ndërsa Izraeli do të fitonte “një tokë pa njerëz për njerëz pa tokë” – siç i referohej territoreve të banuar me palestinezë babai i kryeministrit aktual i Izraelit, Benzion Netanjahu, në vitet 1948, së bashku me një çifut ukrainas, Vladimir Jabotinski, kur udhëhiqnin së bashku një lëvizje fetare ideologjike të armatosur për krijimin e shtetit të Izraelit në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Interesante kjo thenja e ish kryeministres se Izraelit, Golda Meir: ” Do te kemi paqe nese arabet do te kene me shume dashuri per femijet e tyre se sa urrejtje per ne.”

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu