Nga: Pal Shtufi
___
Para tre ditësh në Deçan u tubuan rreth 70 persona për një iniciativë të padëgjuar deri më tani në Trojet e Arbërit. Formuan lëvizjen për braktisjen e fesë islame. Tre nga ata që u prezantuan atë ditë, i njoh për patriotë të devotshëm.
Në shikim të parë kjo ngjarje nuk të le përshtypje serioze, por në thellësinë e saj ka një domethënie të madhe. Ndonëse e emëruar si “braktisje nga islami”, nuk duket të jetë revoltë vetëm me bazë fetare. Ka diçka më shumë se ikjen nga islami. Ka shqetësimin e madh për shthurjen e kombit. Sepse, kosovarët nuk kanë qenë kurrë më keq të ndarë e të përçarë. As në kohën e Haxhi Qamilit.
GJITHMONË ËSHTË NJË SHKAK
Vitin e kaluar nga kishat e perëndimit pati një ikje masive të besimtarëve. Në fillim thoshin me mijëra, por siç duket janë me miliona njerëz, të cilët kanë braktisur fenë dhe kishat. Statistikat zyrtare për këtë braktisje masive dalin më vonë dhe ne do të jemi dëshmitarë të kësaj drame fetare.
Gjithmonë është një shkak për një revoltë. Edhe braktisja masive e kishave pati si shkak zbulimet e reja të pedofilisë në këto kisha. Duke dëgjuar për ngjarje të llahtarshme të disa priftërinjve pedofilë, ata e panë veten të huaj në një fe, e cila tanimë ishte bërë vërtetë e huaj për ta. U irrituan njerëzit. Nuk kishin tjetër armë, pos braktisjen.
ISLAMI POLITIK
Importimi i islamit politik është faktor numër një i mjerimit shoqëror në vendin tonë, të cilën fuqishëm e kanë ndihmuar disa qeveritarë të rëndësishëm. E kanë ndihmuar direkt, por edhe me mjerimin e tyre politik, i cili ka prodhuar pastaj pashpresë në këtë vend.
Islami politik ka shkundur themelet e besimit në islamin tradicional. Sjelljet antikombëtare të dhjetëra imamëve, tash e 23 vjet, nuk kanë të ndalur. Porositë e trishta antinjerëzore që predikojnë imamët, kanë bërë që shqiptarët ta shohin këtë fe si të huaj për ta, prandaj ikjen nga islami e shohin si të vetmen rrugë. Ose edhe më keq: duke e parë shtetin që rri duarkryq para kësaj shthurje kombëtare, njerëzit fillojnë e organizohen për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet. Legjitime dhe korrekte është kjo punë.
ISLAMI YNË TRADICIONAL
Shqiptarët që besojnë islamin-tradicional, sot janë të shqetësuar e të revoltuar me krejt këtë që ka ndodhur e po ndodh në hapësirën tonë religjioze dhe politike. Prandaj, revolta e tyre nuk është revoltë e një pakice të papërfillshme, edhe pse nuk pamë më shumë se 70 veta në këtë themelim të kësaj lëvizje që sapo u bë. Këta 70 veta janë vetëm maja e ajsbergut të kësaj pakënaqësie.
Mendoj që kjo kategori e shqiptarëve është më shumë se 40% e kombit tonë. Në fakt, vetëm kjo kategori mund ta stopojë ekspansionin e islamit politik, i cili duket qartë se është i sistemuar dhe i orientuar kundër substancës kombëtare shqiptare. Pra, po mos ta kishim këtë pjesë të shëndoshë të kombit, shumë njerëz nuk do të jetonin më në këtë vend. As unë.
FETË NUK JANË SHPËTIM
Nuk jam fare i sigurt nëse ndërrimi i fesë e ndihmon qëllimin primar që kanë këta njerëz të revoltuar. Personalisht mendoj që kthjellimi ynë nuk mund të bëhet duke ndërruar qerret, por drejtimin e ecjes.
Nëse vërtet njerëzit duan ta braktisin një fe dhe si qëllim kanë shpëtimin e kombit nga errësira mesjetare, atëherë janë dy zgjidhje brilante.
1. Është ateizmi, si produktet i vetëdijes humane, i cili mundëson zbatimin e formulës më të bekuar për kombin tonë: “Leni kisha e xhamia, feja shqiptarit është shqiptaria!”
2. Të njëjtën gjë do ta thosha edhe për besimtarët, të cilët nuk kanë fare nevojë për religjion. Një besimtar që ka nevojë të besojë në zot, por pa ndërmjetësimin e religjioneve, është edhe besimtar i mirë edhe kombëtar i devotshëm. Kjo praktikë është shumë e përhapur në Perëndim. Pra, besimtar PO, por JO religjioz. S’ka më mirë!
BRAKTISNI FETË!
Ka ikur koha kur fetë kanë qenë shpëtim ose identitet kombëtar. Ato sot janë në perëndimin e tyre dhe kurrë nuk është mirë të gjendemi aty, kur ato fundosen. Barkën e anijes fetare duhet braktisur me kohë.
Braktisni barkat mesjetare sa nuk është bërë vonë. Janë me defekte të mëdha humane. Nëse ka zot, ai na do edhe pa këto fe, të cilat kanë uzurpuar të drejtat e njerëzve për të besuar direkt në zot, pa ndërmjetësimin e tyre.
Jeta pa fe, është rilindje e njeriu. Është kthesa e fundit e njeriut, drejt njeriut.