ARKIVI:
27 Nëntor 2024

Albini, si Xhejms Bondi !

Shkrime relevante

Në Pollatë të Podujevës u vu gurthemeli i kishës katolike, të pranishëm edhe gazetarët e “The New York Times”

Arber Gashi, Prishtinë Dje pasdite, në fshatin Pollatë të Besianës është vënë...

Poezi kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë

Nga: Luan Dibrani "Flamuri i Lirisë: Pavarësia dhe Bashkimi i Shqipërisë" Në thellësinë...

Betejë gladiatorësh në fushë të Diasporës!

Florim Zeqa Liberalizimi i vonuar i vizave erdhi si mundësi e artë...

Kosova tradicionalisht feston Pavarësinë e Shqipërisë

Prishtina - 28 Nentor 2018. Foto: Behlul-Jashari - Në Kosovë 28 Nëntori - Dita...

Pavarësia e Shqipërisë dhe thirrja për bashkimin kombëtar: Rruga drejt një Shqipërie të Bashkuar

Nga: Luan Dibrani Në historinë e kombit shqiptar, pavarësia ka qenë një...

Shpërndaj

Dritan Goxhaj

 Një mik më dërgoi në rrjetin social FB një shkrim me titull “Klani i Novi Sadit”. E lexova nga kureshtja dhe në fund mendova që çdokush që mund ta ketë shkruar këtë shkrim ka dorë për të shkruar romane me spiunazh, ose është ndonjë “Xhejms Bond” që ka vendosur të shkruajë kujtimet, ose të nxjerrë ndonjë informacion që mund të qarkullojë nëpër zyrat e shërbimit sekret. Por kur në fund lexova që e kishte shkruar Kryeministri i Kosovës, dora vetë, nuk e besova. Thashë me vete: “Nuk është e mundur. Nuk ka mundësi që kryeministri të nisë e të shkruajë në rrjetet sociale memorie tip lojra spiunazhi”.
E rilexova sërish dhe u trishtova që kryeministri i një vendi, i cili para një muaji u gjend nën sulmin terrorist të shtetit të Serbisë për arsye që vetëm ai i di, të banalizojë në këtë derexhe gjithë atë akt terrorist duke e trajtuar si një histori banale spiunazhi, nga ato që mund të bëhen nëpër kafene midis atyre që hiqen sikur i dinë të gjitha gjërat sekrete të kësaj dynjaje.
Si mundet dhe pse të bjerë Kryeministri i Kosovës në një derexhe të tillë?!
Çfarë halli e ka zënë Albin Kurtin që po shfajëson shtetin e Serbisë për këtë akt terrorist?!
Përse Kryeministri i Kosovës na fyen inteligjencën dhe memorien të gjithë ne shqiptarëve, por në veçanti atyre që banojnë në Kosovë?!
Para disa kohësh, në një letër të tijën publike drejtuar Edi Ramës, në prag të turit Ballkanik të Ramës, pas propozimit të tij të një drafti për asocacionin, Kurti i drejtohej Ramës duke i thënë: “Ju nuk i njihni serbët dhe Serbinë”. Kjo shprehje, ashtu si edhe ajo letër, na drejtohej ne shqiptarëve, por me subjekt Ramën. Sot, Kurti, i cili atëherë në atë letër pretendonte se e njeh mirë Serbinë, po mundohet të na mbushë mendjen se Serbia nuk është ajo që njohim ne.
E ne të gjithë e dimë që Serbia nuk është një shtet që e drejtojnë dhe e manaxhojnë bandat, qofshin ato të Novi Sadit apo të Beogradit, por është dhe ka qenë krejt e kundërta. Është shteti serb ai që i ka krijuar dhe i ka manaxhuar gjithnjë bandat e ndryshme për interesa të vetat. Me ato banda shteti i Serbisë kreu krimet më monstruoze në Bosnje dhe, më pas, edhe në Kosovë.
Kjo që Kryeministri i Kosovës po kërkon të bëjë nëpërmjet rrëfimeve të tij alla Xhejms Bond është tepër e rrezikshme për historinë tonë dhe të Ballkanit. Duhet dikush nga ata që paguhen me taksat e Kosovës për të bërë këshilltarin për çështje të sigurisë dhe të historisë pranë Kryeministrit Kurti t’i tregojë se si funksionon shteti në përgjithësi. Megjithatë, duke parë se këshilltarët Kurti me sa duket i ka vetëm për orendi zyre, po marr mundimin dhe guximin t’i shpjegoj sesi funksionon dhe ç’është shteti.
I dashur Albin, e zëmë për një moment të vetëm pa lajthitur se ajo që ju shkruani është e vërtetë e se gjithë këtë akt e ka organizuar, si thoni ju, vetëm një ministër së bashku me një bandë. Këta njerëz që sulmuan në Kosovë janë trajnuar në një bazë ushtarake të shtetit të Serbisë; janë trajnuar aty për disa ditë ose për disa javë. Shteti e Serbisë, ashtu si edhe çdo shtet tjetër, posedon edhe një organizëm të veçantë që quhet Shërbim Sekret dhe që funksionon në bazë të disa dikastereve të ndryshme, që do të thotë se Ministria e Mbrojtjes e ka një të tillë e po ashtu edhe Ministria e Rendit. Ekziston edhe një i tillë civil që dikur në Serbi quhej UDB, ndërsa tani BIA. A vallë mos mendoni ju se këto shërbime të cilat funksionojnë të pavarura nga njëri-tjetri nuk e kanë marrë vesh një trajnim të tillë?!
Të garantoj që po dhe, si rrjedhojë, kanë informuar secila Kryeministren e Serbisë dhe Presidentin e Serbisë, si dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurisë të Serbisë. Kjo do të thotë se për këtë veprim është vënë në dijeni i gjithë shteti serb.
Ju dhe këshilltarët tuaj do thoni që e dini këtë, por do ngulni këmbë që ky shteti i Serbisë është kapur peng nga kjo banda e Novi Sadit sot në kohën e Vuçiçit dhe nga banda e Beogradit – e Zemunit në kohën e Millosheviçit.
Dhe, sërish, ju them të bëni kujdes se çfarë shkruani, sepse një njeri në pozicionin e kryeministrit nuk mund të thotë kurrë që shtetin e Serbisë e drejtojnë bandat sot, ashtu si e kanë drejtuar dikur. Kjo që po bëni është një shfajësim nga përgjegjësia shtetërore e shtetit të Serbisë për aktin terrorist të 24 shtatorit dhe kalim i kësaj përgjegjësie në një përgjegjësi individuale. Për më tepër, me kërkesën tuaj për një gjykatë speciale për një bandë, duke qenë totalisht i vetëdijshëm se bota e qytetëruar nuk ngre gjykata speciale ndërkombëtare për banda por vetëm për shtete, po hiqni gjithë përgjegjësinë juridike dhe politike të shtetit serb për këtë sulm dhe po kërkoni që kjo të mos shkojë në asnjë mënyrë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe as në gjykatën ndërkombëtare si një sulm shtetëror.
Ajo që ju keni marrë përsipër të bëni është një akt pervers me pasoja të rënda për historinë tonë, pasi ju po nënkuptoni direkt se edhe krimet që janë bërë në Kosovë ndaj popullsisë civile në 1997-1999 i paskan bërë bandat dhe jo shteti dhe, në këtë mënyrë, shteti serb nuk duhet të mbajë përgjegjësi për ato krime pasi ai i shkreti nuk ka faj sipas jush, pasi ka qenë i marrë peng nga bandat, ashtu si edhe sot.
Duhet t’i tregohet Albin Kurtit se bandat mund të ndodhë që ta mbajnë peng një kryeministër për një arsye ose çështje të tyre, por bandat, i dashur Albin, nuk kanë axhenda të strukturuara politike genocidiale, kjo jo se nuk munden të elaborojnë një të tillë, por nuk kanë kapacitetet njerëzore dhe administrative për t’i realizuar këto axhenda dhe ndaj mbeten dhe konsiderohen banda, qoftë edhe të strukturuara. Ndaj, të lutem, mos na fyej duke na thënë se shteti serb është i pafajshëm e se bandat e kanë marrë peng. Mos luaj me viktimat civile në Kosovë e në Bosnje me këtë cinizëm tëndin dhe shpërfillje ndaj tragjedive njerëzore tonat.
Unë e kuptoj perversitetin e mendimit tënd që, duke hyrë në detaje të tilla, kërkon t’u tregosh, së pari, anëtarësisë së organizimit tënd politik, që tashmë më duket më shumë si ‘Vetë-fundosje” sesa si “Vetë-vendosje”, se sa i aftë është Kryeministri dhe qeveria e tij se kanë arritur të zbulojnë me detaje sulmin. Sepse, kur i fut njerëzit në detaje, detaje me të cilat do humbin gjithë kohën duke diskutuar, sigurisht që do humbin tabllonë e madhe dhe themelin e gjithë këtij rrëfimi alla Xhejms Bond.
Themeli është të zbutim dhe heqim përgjegjësinë shtetërore të Serbisë në këtë që ndodhi që nesër, kur të ulemi në tavolinë sërish për bisedime, të jemi të justifikuar se shteti nuk ka faj, faj kanë ata që e kanë marrë peng.
Rruga që ke zgjedhur Albini është rrugë pa krye.
Në rast se nuk ta ka thënë kush, po ta them unë që ti je Kryeminstër i Kosovë e jo i Serbisë. Nuk është detyra jote të justifikosh e shfajësosh shtetin serb, por ta akuzosh atë e ta mbash përgjegjës për Aktin Shtetëror Terrorist të 24 Shtatorit. Në rast se nuk e bën dot, atëherë, më e pakta, të lutem mos hap dyer të cilat do na kushtojnë shumë në të ardhmen e afërt.
Autori jeton në Tiranë. Ai ka studiuar Aviacion te Akademia Ushtarake “Skenderbej”, Fakulteti Forcave Ajrore .

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu