Nail Draga, Ulqin
Lulash Nikë Palushaj, Ma shkretnuen zemrën, Fiorentia, Shkodër, 2022
Ngjarjet të cilat i ka përjetuar populli shqiptar në fund të shekullit që lamë pas ka qenë inspirim i veçantë për autor të ndryshëm, duke publikuar botime të ndryshme si shkencore, letrare, artistike e publicistike. Në gamën e tyre autorëve bënë pjesë edhe Lulash Palushaj, i cili deri më tash opinionit i ka dhuruar një numër të konsideruar veprash letrare.
Lulash Palushaj lindi në vitin 1944, në Bëkaj të Trieshit të Malësisë së Madhe. Shkollën fillore e kreu në Tuz, normalen në Shkup, ndërsa fakultetin filozofik – dega gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Përveç misionit të arsimit nga veprimtaria e tij pedagogjike, është veçuar me aktivitetin në jetën kulturore-artistike, duke bërë koreografi e regji të veprave dramatike.
Ai po ashtu është edhe misionar paqeje, vazhdimisht është aktivizuar te “Besëlidhja e Malësisë”. Përveç punës arsimore e pedagogjike ai veçohet me veprimtari krijuese, ku deri me tash ka botuar një numër të konsideruar veprash.
Ka botuar vëllimet poetike “Rrajë të ndame” dhe “Votra ime”; botimin etnografik “Malësia dhe fiset e saj” – dy vëllime, romanin “Malësorja e bjeshkëve tona”, vëllimin me ese “Oqeani që përpin”, romanin “Nusja me duvak të bardhë”, librin me refleksione filozofiko-historike “Lot që nuk teren – zemër që s’pushon” dhe “Me zotin flas shqip”. Ndërsa në vitin e kaluar ka botuar dy libra: “Ma shkretnuen zemrën”, si dhe “Fjalë të Malësisë së Madhe – visar që s’duhet harrue”, ku janë përfshirë rreth tre mijë fjalë, frazeologji dhe shprehje idiomatike.
Duke pasur parasysh veprën e tij mjaft të gjerë e të llojllojshme dhe veprimtarinë e tij atdhetare, Lulash Palushaj është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me dekoratën “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”.
Libri “Ma shkretnuen zemrën” është një botim i veçantë, qe paraqet vazhdimin e opusit të tij eseistik, që pasurohet me të dhëna dokumentare e historike. Ne këtë liber të cilën pa hezitim e quaj se ka trajtuar apologjinë e historisë së popullit tonë, është i veçantë për nga koncepti dhe përmbajtja e tij. Kemi të bëjmë me çështje të cilat nuk janë personale apo krahinore por në nivel kombëtar.
Fotografia në ballinën e librit “Ma shkretnuen zemrën” është monumentale e cila tash është bërë edhe punim artistik me vlerë jo vetëm kombëtare por ndërkombëtare. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse ka të bëjë egzodin biblik të shqiptarëve nga Kosova në vitin 1999. Ishte kjo koha e neofashizmit serb, i cili në startegjinë e tij kishte spatrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë, por dështuan ne realizimin e një projekti të tillë të kobshëm. Sepse organizimi i brendshëm i shqiptarëve në Kosovë, përmes rezistencës së armatosur nga ana e UÇK-së e te ndihmes të NATO-s përfundimisht Kosova u çlirua nga okupatorët serb. Në lidhje me këto çështje autori na ofron të dhëna me interes, sepse kemi të bëjmë me një periudhë kohore e cila ka qenë e njohur për të gjithë ne. Të dhënat e ofruara janë komplekse në diakroni e sinkroni, duke qendruar në raportët shoqërore të kohës deri në ditët tona.
Pikërisht edhe ngjarjet e muajit shtator të këtij viti ne Veriun e Kosovës, dëshmojnë se shqiptarët kanë arsye të jenë të shqetësuar, sepse nuk thuhet kot se “uji fle por hasmi nuk fle”. Kemi të bëjmë me padrejtësitë të cilat kombi Shqiptar i ka përjetuar në vazhdimësi nga shekulli 19 e deri në ditët tona.
Me këtë botim Palushaj , dëshmon se është njohës i historisë dhe çështjes kombëtare, duke shprehur mendimet dhe pikëpamjet personale për të kaluarën dhe të tashmën. Në botim ofrohen të dhëna me fakte për çështjet e trajtuara nga kohërat me të hershme deri të politikat ditore.
Autori në këtë botim dëshmon dashurinë për trojet kombëtare, por edhe për figura të mëdha kombëtare duke theksuar në mënyrë të veçantë Gjergj Kastriotin-Shkënderbeun, Adem Jasharin e Shën Terezën, emra që nderojnë kombin dhe lartësojnë atdheun, Shqipërinë. Ne këtë aspekt ai nuk harron Malësinë e Madhe, duke prezantuar ngjarje e ndodhi të cilat kanë pasur personazhet malësor, të cilët kanë nderuar këtë krahinë në veçanti e popullin shqiptar në përgjithësi. Kemi të bëjmë pikërisht me Malësinë e Madhe e cila qendron në piedestalin e historisë kombetare me ngjarje dhe personalitete patriotike.
Duke lexuar këtë liber lexuesi e kupton se kemi të bëjmë me një autor qe ka dashuri të madhe për atdheun dhe të ardhmën e tij. Ai nuk ngurron të prezantojë padrejtësitë të cilat i kanë përjetuar shqiptarët nga fqinjët tanë, të cilët kanë përgatitur elaborate për shfarosjen e popullit tonë. Kemi të bëjmë me padrejtësitë historike, të cilat janë dëshmuar dhe dokumentuar në shumë aspekte. Por, nuk heziton të shprehë qendrimin inferior të politikës shqiptare ndaj dukurive të ndryshme me pasoja kombëtare. Aspirata e autorit mbetet preokupim jetësor kombëtar, e ai është qe populli Shqiptar për tu bërë një dhe i pandarë siç ka qenë dikur.
Autori Palushaj i lindur dhe i rritur duke punuar dhe jetuar në Malësi, ai nuk ka qenë statik, por k a medituar dhe ka mbledhur material, duke i përgatitur për botim në kohë me të mira. Kemi të bëjmë me kohën e monizmit e cila, nuk ishte në favor të botimeve në shqip qasja ideologjike. Ishte koha kur shqiptarët në Mal të Zi, nuk kanë mundur të botojnë sepse për të shpalosur realitetin ata do të kishin pasoja.
Por, me rënien e sistemit shoqëror socialist e komunizmit si ideologji, nga viti 1990, edhe për shqiptarët filloi një frymarrje e re edhe në fushën e botimeve, sepse një numër I konsideruar shqiptarësh u paraqiten me botime të profileve të ndryshme shkencore, letërsisë e publicistike.
Në numrin e autorëve të tillë bën pjesë edhe Lulash Palushaj, i cili opinionit i ka dhuruar botime me vlerë. Botimet e tilla dëshmojnë horizontin e autorit dhe guximin me u ballafaquar me çështje të te cilat kanë qenë preokupim personal dhe profesional. Por, ndonëse autori ka vite qe është vendosur në SHBA, Miçigan-Detroit ndonëse është larg vendlindjes, ai ate e ka me vete, sikur e kanë edhe të gjithë mërgimtarët tanë në diasporë.
Duke e uruar për punën e deritashme krijuese nga autori presim qe opinionit ti dhurojë edhe vepra tjera, të cilat do të pasurojnë bibliotekat e lexuesve të pasionuar ne vend dhe në diasporë.
(Lexuar me rastin e përurimi të librit me 14.10.2023, Ethno museum-Draginë)
BOTOHET ROMANI I RI “MA SHKRETNUEN ZEMREN I LULASH PALUSHAJT – YouTube