ARKIVI:
20 Nëntor 2024

Ndërroj jetë Simon Simonlacaj, bamirës dhe aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan

Shkrime relevante

Historia dhe mesazhi tradicional i presidentëve dje dhe sot për gjendjen aktuale në SHBA dhe Presidenti TRUMP

Klajd Kapinova, New York Gjendja e Unionit (ndonjëherë përdoret në mënyrë të...

Mickoski: Gjuha shqipe nuk po rrezikohet, nuk i pengon askujt

G.K/RTKlive “Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, as në Maqedoni, askush nuk...

52 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Nga: Edlira Ruzi 20/11/2024 TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Më 20 nëntor 1972, u mbajt...

210 vjet nga lindja e Jeronim de Radës, ideologut arbëresh të Rilindjes Kombëtare

Nga: Edlira Ruzi TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Më 19 nëntor të vitit 1814...

Intervistë e Lis Bukurocës dhënë gazetares Rudina Xhunga (Video)

Erdha në Shqipëri të bëj dhëmbët dhe zbulova sekretin e madh!...

Shpërndaj


Nga Frank Shkreli

NJË SHËNIM PERSONAL — Me 2 Korrik ndërroi jetë, papritmas, në moshën 80-vjeçare, Simon Simonlacaj, njëri prej bamirësve dhe aktivistëve më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan i disa dekadave të fundit. I lindur në një fshat të rrethit të Ulqinit, Simoni emigroi në Shtetet e Bashkuara, si shumë bashkatdhetarë të tij të atyre krahinave nën Malin e Zi, në fillim të 1970-ave, për arsye që dihen.

Simon Simonlacajn e kisha njohur në vitet 1960-ave kur të dy ne – pa ditur për njërin tjerin — gjendeshim në qytetin Rijekë të Kroacisë. Ai i larguar nga vendlindja për të gjetur punë në Kroaci, pasi punësimi ishte i pakët dhe pothuaj i pamundur për shqiptarët në trojet tona dhe shqiptarët e atyre viseve detyroheshin të kërkonin punë, çfardo pune, anë e mbanë ish-Jugosllavisë. Kështu kishte ndodhur edhe me Simonin. Ai kishte gjetur punë në Rijekë ndërsa unë në vitin shkollor 1964-1965 isha regjistruar për të ndjekur mësimet në seminarin katolik në atë qytet larg vendlindjes dhe familjes. Ndërkaq, Simoni kishte zbuluar, nepërmjet famullitarit të Kishës Shën Gjergji në breg të lumit Buena, Dom Simon Filipaj — përkthyesin e Biblës në shqip — që ishte edhe famullitari ynë i përbashkët — se në seminarin klasik katolik të Rijekës gjëndej një student nga famullia e Shën Gjergjit në rrethin e Ulqinit.

Ishte viti 1966 kur Simoni, megjithse nuk e njihja, pasi ai ishte nga një fshat tjetër i Ulqinit por edhe 10-vjeç më i moshuar se unë — erdhi të më takonte në seminarin salezian të Rjekës. Ishim dy shqiptarë prej të njëjtin vend por në dhe të huaj, pasi Kroacia megjithse ishte pjesë e të njëjtin shtet që quhej “Jugosllavi” – për të dy ne ishte vend i huaj, me gjuhë dhe zakone ndryshe, por një vend ku shqiptarët trajtoheshin pak më mirë se në pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë komuniste. Takimet tona u bënë të rregullta me Simonin i cili vinte shpesh të më takonte në seminar, për tu çmallur për vendlindjen derisa të dy vendosëm në mbarim të dekadës së 60-ave që, më në fund, të largoheshim nga ai vend dhe të merrnin rrugën e mërgimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me të ardhur në Amerikë, Simoni u vendos me familje në Nju Jork ku me mundë e djersë ndërtoi një jetë shumë të mirë dhe të begatë për vetën dhe familjen, duke u bërë më vonë edhe njëri prej shqiptaro-amerikanëve më të suksesshëm në fushën e pronave të paluajtëshme. Unë pas dy tre vitesh në Nju Jork shkova në Washington për të punuar për Zërin e Amerikës dhe lidhjet tona, për arsye të distancës, ishin të pakëta. Por si aktivist i dalluar që ishte në komunitettin shqiptaro-amerikan, Simoni vizitonte Washingtonin, nga hera në herë, për të qarë hallet e shqiptarëve, nën ish-Jugosllavi, sidomos të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve nën Malin e Zi. Ai ishte shumë aktivë në organizimet e komunitetit dhe veçanërisht dallohej — për vite me radhë — për veprimtarinë e tij të pa kursyeshme në Kishën Katolike shqiptare në Nju Jork, “Zoja e Shkodrës”.

Me këtë rast të dhimbshëm të kalimit në amshim të Simon Simonlacajt, dëshiroj të përmendi vetëm një prej kontributeve të Simonit me shokë, që ndihmuan në organizimin e Seminarit për Imzor Pjetër Bogdanin në Universitetin Fordham të Nju Jorkut në tetor të vitit 1989. Një veprimtari kjo me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit – e cila është përjetësuar në librin “Imzot Pjetër Bogdani në New York”, kushtuar kësaj ngjarjeje historike, botuar nga një tjetër aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe njëri prej protagonistëve kryesorë të kësaj ngjarjeje, Tonin Mirakaj.

Them historike sepse ishte hera e parë që në Shtetet e Bashkuara mbahej një seminar i tillë në përkujtim të vitit jubilar kushtuar Pjetës Bogdanit – një vigani të fesë dhe të letërsisë shqipe — me një pjesëmarrje të disa prej figurave më të shquara të kulturës dhe letrave shqipe në mërgim dhe të trojeve shqiptare. Në atë seminar dalloheshin At Danjel Gjeçaj, kryekapelani për shqiptarët jashtë Atdheut. Profesor Arshi Pipa dhe profesor Martin Camaj. Por, ajo që e bëri këtë seminar historik ishte pjesëmarrja nga Kosova e Profesorëve të Institutit Albanologjik të univresitetit të prishtinës, Dr. Ibrahim Rugovës dhe Profesorit Engjëll Sedaj. E përemndi këtë rast sepse një orgnaizim i tillë mund të bëhej i mundur vetëm nga individë si Simon Simonlacaj me shokë, i cili nuk mungonte kurrë të merrte pjesë dhe të sakrifikonte për vepra të tilla të rëndësishme kombëtaro-fetare. Pas seminarit në Universitetin Fordham Simon Simonlacaj, në kapacitetin e tij si anëtar i Komisionit Përgatitës i këtij seminari, më telefonoi dy ditë përpara se të niseshin duke më thenë se kishte në plan të shoqëronte Dr Ibrahim Rugovën dhe Dr. Engjëll Sedajn për një vizitë në Washington. Në kryeqytetein amerikan, kaluam dy ditë të mrekullueshme me vizitorët e çmuar nga Kosova të cilët gjëndeshin për herë të parë në Amerikë, por duke marrë parasyshë se si u zhvilluan punët, kjo vizitë vërtetë ishte e para në Washington për Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e ardhëshëm legjendar të Republikës së Kosovës së Pavarur – por jo e fundit. Pas kësja vizite edhe Simoni vinte shpesh në Washington dhe kurrë nuk këthehej për Nju Jork pa kaluar të pakën një natë në shtëpinë tonë.

Ka shumë veprimtari kombëtaro-fetare dhe akte bamirësie në të cilat Simon Simonlacaj merrte pjesë dhe kontribonte, përshir ndihmën për Urdhërin e Motrave të Nenë Terezës, por edhe për projekte në vendlindje. Po përmendi vetëm rastin e kontributit të tij në organizimin e seminarit të Pjetër Bogdanit, si diçka tepër me vend dhe e drejtë, 30-vjetë më parë në Nju Jork, një ngjarje kjo që unë besoj se me pjesëmarrjen e Dr. Ibrahim Rugovës në 300-vjetorin e vdekjes së Pjetës Bogdanit – mund të ketë ndryshuar rrjedhën e historisë për shqiptarët, sidomos për ngjarjet e mëvonshme në Kosovë.

Për shumë arsye sot e kujtojmë me mendje e me zemër Simon Simonlacajn, mikun tim të dashur prej viteve, që nga viti 1966 kur e njoha në Rijekë të Kroacisë ku na kishte hedhur fati të dyve, larg familjes dhe venddlindjes sonë, për tu bashkuar disa vite më vonë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së bashku me familjen e tij të ngtushtë e kujtoj me dhimbje Simonin ashtu si e kujton me mall i mbarë komuniteti i gjërë shqiptaro-amerikan, të gjithë shqiptarët që e njohën në Ulqin, Kosovë e Shqipëri, por edhe të huajt që patën rastin ta njihnin dhe të punonin me Simon Simonlacajn. Kur ndahet nga të gjallët një njeri kaq zemër mirë, patriot e fetar, jo vetëm familja e tij por të gjithë miqtë e Simon Simonlacajt dhe të familjes së tij, jetojnë përgjithmonë me ndjenjen e një humbjeje të madhe. Ndarja e papritur nga kjo jetë e Simon Simonlacajt me të vërtetë le një zbrasti të pazevendsueshme për familjen e tij fisnike si dhe një mungesë të madhe në gjirin e komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithësi.

Ulur ga e majta: I ndjeri Simon Simonlacaj, Dr Ibrahim Rugova, Dr. Engjell Sedaj në shtëpinë e autorit në Falls Church, Virxhinia, afër Washingtonit, Tetor, 1989.

Marrë nga libri “Imzot Pjetër Bogdani në New York”, me botues Z. Tonin Mirakaj

Ngushëllimet e mia më të thella bashkshortes Santës dhe mbarë familjes e farefisit të Simonit me respektin më të sinqert për ta dhe për jetën e veprimtarinë e të dashurit të tyre më të shtrejntë dhe mikut e shokut tonë due të gjithë atyre që e njohën due punuan me të.

NJOFTIM NGA FAMILJA:
Our Lady of Shkodra
July 6 at 11:38 AM · 
Lajmërim Mortor
Simon Zefi Simonlacaj
12 Shkurt 1941 – 2 Korrik 2021
Me hidhërim njoftojmë se me 2 Korrik, papritmas u nda nga jeta atdhetari dhe bamirësi Simon Zef Simonlacaj në moshën 80 vjeç.
I ndjeri do të pushojë në shtëpinë mortore, Yorktown Funeral Home 945 East Main Street, Yorktown, NY 10588, të Dielën me 11 Korrik 2021, nga ora 2pm – 9pm.
Mesha e Dritës dhe salikimet e fundit do të kremtohen të
Hënen me 12 Korrik 2021, në orën 11:00am në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” prej ku mbas meshës trupi i të ndjerit do të përcjellët në varrezat “Gate of Heaven”, 10 West Stevens Ave, Hawthorne, NY.
Famullija “Zoja e Shkodrës” i shpreh ngushllimet e sinqerta Familjes dhe gjithë Farefisit.
Simoni, pastë dritë në amshim, dhe të gjallëve u dhashtë Zoti forcë.
Jepja o Zot pushimin e pasosur, e i shëndritë drita e pambarueme. Pushofte ne paqe. Ashtu Kjofte.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu