ARKIVI:
17 Tetor 2024

Histori: Franca, si aleate e Rusisë, ështe shprehur gjithnjë në favor të kufinjve pro Serbisë dhe Malit te Zi

Shkrime relevante

Rrëfime të Irsa Shores për kalanë magjepsëse të Gjirokastrës

Irsa Shore 𝐊𝐚𝐥𝐚𝐣𝐚 𝐞 𝐆𝐣𝐢𝐫𝐨𝐤𝐚𝐬𝐭𝐫𝐞𝐬 është një ndër më të mëdhatë në...

Ku ishim, ku jemi dhe kah po shkon diplomacia dhe politika globale në suazat e rendit të ri botëror

Nga: Prof Dr Hakif Bajrami, historian Sot zhvillohet një luftë tinzare në...

Luftë vëllavrasëse ndërshqiptare nuk mund të ndodhë, se ne e kemi në pushtet “Esat Pashë Toptanin!”

Pamje nga perurimi i xhamisë turkomadhe të Namazgjasë në Tiranë, ku...

Simbolika e numrit shtatë (7) në kulturën tonë popullore dhe te popujt me qytetërim të lashtë

Qazim Namani, studjues, Prishtinë ___ Këto ditë me erdhi një foto nga miku...

35 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit: Anë e mbanë botës demokracia është në rrezik!

Nga: Frank Shkreli Shtatorin që kaloi, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB)...

Shpërndaj

….Shqipëria për Francën konsiderohej territor osman dhe si e tillë ishte pjesë integrale e problemeve orientale, të paktën deri në periudhën përpara Kongresit të Berlinit. Që prej vitit 1881, periudhë që po tregonte se konflikti ballkanik tashmë ishte shumë pranë dhe që përfshinte brenda tij Rusinë, mbështetsja kryesore e shteteve ballkanike. Franca, si aleate e Rusisë, ështe shprehur gjithnjë në favor të kufinjve pro Serbisë dhe Malit te Zi. Megjithatë, në Kongresin e Berlinit, Franca propozoi dhe mundi të sigurojë një protokoll të veçantë mbi privilegjet dhe liritë e popullsisë katolike të zonës së Mirditës, në Shqipëri. Sido që të shkonte fati i luftës, popullsia katolike nuk duhej prekur.
Politika që Franca ka zgjedhur përsa i përket Ballkanit është e njëjtë me atë të Shën Petërburgut. Në shtypin francez pavarësia e Shqipërisë në 1912 provokoi qëndrime të ndryshme të shoqëruara me publikime artikujsh e librash në seri. Gazetarë si Jerome Tharand, i cili në vitin 1912 ka qenë korrespondent në Ballkan, Francis Delaisi, Gastion Gravier, Lèon Lamouche e monopolizuan analizën mbi çeshtjen shqiptare duke qenë se Shqipërinë e njihnin nga afër. “Formula franceze” që përdorej gjerësisht në shtyp dhe që domosdoshmërisht vërehej dhe në mendimin e opinionit publik që nuk e njihnin aspak Shqipërinë, ishte “reduktimi i tokave shqiptare do të thotë reduktim i territorit otoman”.
Revistat franceze si “Revue de Paris”, “Questions diplomatiques et colonials” (revistë e specializuar mbi çeshtjet e politikës së jashtme), “Revue des deux mondes” (revistë që mbulonte çeshtjet mbi politikën e jashtme, ndërkombëtare dhe çeshtjet kulturore) sikurse dhe gjithë gazetat e përditshme pothuajse në çdo numër të tyre botonin artikuj për Shqipërinë të shkruar nga analistë e njohës të mirë të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare, specialistë të konflikteve ndëretnike e specialistë të politikës së jashtme. Francis Delaisi, ekonomist, publicist e shkrimtar i njohur në Francë shkruante shpesh mbi Shqipërinë dhe ka botuar dhe një libër me titull “Les aspirations autonomistes en Europe” ku flitet për Shqipërinë. Sigurisht në këtë libër flitet për këtë vend nga këndvështrimi francez i çeshtjes. Flasin për një Shqipëri e për një popull që nuk e njohin, japin fromula “precize” për problemet e jashtme të një populli të panjohur i cili herë etiketohet si “kundërshtar” (kjo për arsye se shqiptarët janë kundërshtarë të Serbisë dhe automatikisht janë dhe të padëshirueshëm për francezët si mbështetës të saj) e herë nuk iu intereson aspak.
Edhe Franciz Delaisi në “L’autonomie albanaise” shprehet me një afirmim radikal përsa i përket njohjes së Shqipërisë prej Europës: “Shqipëria është një vend fare i panjohur për ne francezët. Saharaja dhe Tibeti njihen më mirë prej europianëve sesa Shqipëria”. Gaston Gravier, lektori francez i universitetit të Beogradit nuk resht së botuari artikuj e studime mbi Serbinë e në mënyrë direkte edhe mbi Shqipërinë duke qenë se problemi i Serbisë dhe Shqipërisë është bërë aktual edhe për mbështetësit e tyre si Franca. Në numrin e fundit “Revue de Paris” i vitit 1912 ai ka botuar një studim mbi domethënien e kufinjve shqiptarë, rezultat i 3 udhëtimeve të tij në Shqipëri. Sipas Gravier, kufiri i Shqipërisë mbaron në lumin Shkumbin dhe pastaj fillon menjëherë Serbia. Ai i sheh shqiptarët si pro-austriakë dhe pro-italianë dhe popuj të tillë sipas tij nuk mund t’i shërbejnë Francës për asgjë të mirë. Gravier mendon se shteti shqiptar duhet të kufizohet vetëm në pjesën qëndrore aty ku popullsia është pothuajse e gjitha myslimane ndërsa pjesa jugore së bashku me Janinën dhe Prevezën duhet t’i jepen Greqisë. Manastiri e Kosova dhe gjithë pjesa tjetër veriore duhet t’i jepen Serbisë (sipas të drejtës historike të Serbisë ku ata pretendojnë se në këto treva ka pasur vetëm popullsi serbe) Sanxhaku, Peja e Shkodra duhet t’i jepen Malit te Zi. Madje për të mbështetur tezat e tij, Gravier citon dhe historianin çek Jirêcek i cili në studimet e tij të gjeografisë historike thotë se: “Shqipëria deri në shekullin e XXI duhet të reduktohet edhe më shumë. Ajo duhet të përfshijë brenda saj rajonin ndërmjet Krujës, Elbasanit deri në Shkodër e asgjë më tepër”.
Rènè Puaux, tjetër gazetar dhe korrespondent lufte shkruan se i gjithë programi kombëtar shqiptar së bashku me pavarësinë e shpallur janë frymëzuar dhe formuluar nga Austro-Hungaria dhe Italia. Në një ndër artikujt më të fundit, botuar në 15 mars 1912 ai shkruan: “Në të vërtetë interesat shqiptare janë vetëm një pretekst që Austro-Hungaria dhe Italia po i përdorin sipas interesave të tyre. Këto dy shtete janë aleate të Gjermanisë, kundërshtares kryesore të Francës, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi janë mbështetëset e Rusisë e për rrjedhojë edhe të Francës. Francezët e kanë shumë të qartë në mbrojtje të kujt duhet të rreshtohen. Italia dhe Austro-Hungaria veprojnë nën petkun e “partizanëve” të gjoja interesit kombëtar shqiptar por nga ana tjetër kjo bie ndesh me aspiratat e kërkesat e Francës e cila nuk dëshiron kurrsesi rritjen e mbështetjen italo-austro-gjermane në Ballkan e Mesdheun oriental”. Në përgjithësi analistët mendojnë se liria e veprimeve dhe manovrave diplomatike franceze është penguar mjaft prej Austro-Hungarisë dhe Italisë për të cilat çeshtja shqiptare është një “casus belli” si për Vjenën dhe për Romën.
___
Shkëputur nga libri “Esad Toptani dhe shqiptarët në vështrimin europian”.

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu