ARKIVI:
18 Tetor 2024

Dialog me nënën pak para se të ndërronte jetë, tregim nga Bajram SEFAJ 

Shkrime relevante

Toka e vinçave: Irani ekzekuton një person çdo katër orë

Ekzekutimi publik i Esmail Jafarzadeh. Foto: Mohsen Zare CC BY 4.0 Arnt...

Hipokrizia e kërkimit shkencor në Shqipëri dhe një Projekt Ligj që zgjidh

Prof. Dr. Pirro Prifti Projekt Ligji për Kërkimin Shkencor të propozuar nga...

Kujtime nga viti 1979, si student, në Shqipëri e mësues, në Suedi

Sinan Kastrati, Suedi ___ Nga Ditari im ___ Në fillim të tetorit (`24) isha sikurse...

At Shtjefën Gjeçovi meriton më shumë !

Nga: Frank Shkreli 12 Korrik 1874 --14 Tetor 1929  “Këto punë po i...

Rrëfime të Irsa Shores për kalanë magjepsëse të Gjirokastrës

Irsa Shore 𝐊𝐚𝐥𝐚𝐣𝐚 𝐞 𝐆𝐣𝐢𝐫𝐨𝐤𝐚𝐬𝐭𝐫𝐞𝐬 është një ndër më të mëdhatë në...

Shpërndaj

 nga Bajram SEFAJ

– S’ka më! E lexova krejt, e sosa. 

„Ku i mbajte në mend, loke, krejt ato…?“ 

– Zogjtë,  zogjtë, nënë, më cicëruan në vesh! 

„Ec, bir, ec; mos u mundo të më mashtrosh!” 

– Jo, jo, nënë. As ti mua nuk më ke mashtruar kur më ke thënë se në jetë me ka sjellë lejleku! 

“Kush të ka gënjyer se jam bërë helm, kur në bark të kam n’ie gjallë?” 

– Zogjtë, zogjtë më kanë thënë, nënë! 

“Ku janë zogjtë, t’i shoh me këta sytë që nuk më bëjnë dritë?” 

– Dua të vazhdoj bisedën me ty, nënë! 

”Çka?” 

– Desha të të them se të gjitha ato që i kam shkruar, janë fryt i imagjinatës! 

“E pse, bir, ke shkruar natën?“ 

– Megjithatë, në ide, në fondamentin e saj, mund të ketë diçka reale! 

„Është dashur të çohesh herët e t’i  lash sytë…!“ 

– Ashtu është, nënë, por inspirimi nuk ka orar. Ai vjen papritmas. Po s’e zure, ikën e ndodh të mos kthehet kurrë më! 

„Edhe unë, loke, sonte isha në hall shpirti, nuk kisha asifarë ispirini!”. 

– Inspirimi, kështu thonë krijuesit, është si flutur: sa vjen, sa zhduket. Sa e ke parasysh, të bardhë, të qartë, të vijëzuar, sa zhduket…  

„Qysh jam lodhur, nuk po më bie në mend as për zogj, as për flutura!“ 

– Fluturat, por, mund të jenë edhe simbol. Sidomos kur duhet spikatur ndonjë çast dashurie, gëzimi, ndonjë çast lumturie. Ndonjë idil pranveror a çasti të veçantë. Të një çasti, ngase, ti e di nënë, fluturat janë stoli jetëshkurtra. Jetojnë vetëm pesëmbëdhjetë ditë! 

“Fluturat, vërtet, janë të hijshme, por mua m’u mërdhinë eshtrat!”. 

– Edhe eshtrat, në shumë krijime, mund të gjejnë shtrirjen e tyre simbolike, si fakturë…!. 

“M’u duk se e përmende Medinën!“ 

– Thonë, nënë, se inspirimi, ideja… janë diç si graviteti, si barra. Ngarkohet krijuesi me to e nuk di nga t’ia mbajë. Derisa të mos formulohen e të mos piqen mirë e të shpërthejnë jashtë. Atëherë, dorë e lehtë e krijuesit me talent, grumbullin e ideve dhe të inspirimeve që i vlojnë në shpirt, merr t’i hedhë në letër, në pëlhurë, në lentën e filmit, në pentagramet e muzikës… 

“E di unë çka është barra: i pesëmbëdhjeti je ti. Shyqyr kurrë nuk më ka koritur Zoti, nuk i kam pasur ata që po thua ti. Ua harrova emrat. Mbajta në mend vetëm emrin e një çike. M’u duk se  emrin e pati Idja. Përpara nuk kemi ditur emra të këtillë si tash!“ 

– Njëmend, nëse ideja, inspirimi, tema… e të tjera e të tjera, janë, si të them, lëndë e parë  për krijimin e një vepre të mirëfilltë artistike, letrare apo të çfarëdo gjinie tjetër të shprehjes dhe të transponimit artistik, hallkë e rëndësishme, nënë, në këtë zinxhir është edhe shtjellimi. Transformimi, invenca janë po aq të rëndësishme në kurorëzimin me sukses të gjithë asaj galaksie shqetësimesh, ambiciesh që e sulmojnë ashpër krijuesin e gjorë! 

„Unë,  për vete, i kam pasur pesëmbëdhjetë fëmijë, por është zor, zor është t’i durosh tëra ato dhembje…!“ 

– Edhe krijimtaria artistike është e ngjashme me barrën, me lindjen. Thjesht, krijuesi i akëcilës fushë artistike rëndohet kur sharron në detin e dallgëzuar të preokupimit… për lindjen e re e, më beso, nënë, ato rëndom janë lindje të vështira për të cilat flet edhe ti, kur i ke provuar pesëmbëdhjetë herë me radhë! 

“Gjithmonë të kam thënë e amanet ta kam lënë, mos u largo, loke, prej bregut…!“. 

– Çështje po aq e rëndësishme, jam i prirur të pranoj, një nga elementet më fundamentale të suksesit apo të mossuksesit të një vepre artistike, është porosia që ajo vepër ia çon lexuesit, me beso, nënë! 

“Fryma, loke, fryma, po më zihet e ma ka lodhur shpirtin!”. 

Hermetizmi, kjo sëmundje infektive, që si virus shkatërrues ka depërtuar edhe në krijimtarinë tonë më të re, sidomos në atë letrare, nuk bën fare, Nënë, jo nuk bën fare të mjegullojë e të cenojë porosinë e veprës artistike. Pa porosi të qartë, të mençur dhe universale, vepra artistike është e dështuar, e kotë, është hiç…! 

“Fryma, Loke, fryma…!” 

Edhe nëse mungon syzheu, çështje që, deri-diku, edhe mund të tolerohet, porosia, jam insistues në këtë pikë, në asnjë mënyrë nuk bën të cenohet e të bëhet rrëmujë stilesh…! 

“Fryma…!” 

U mor vesh, angazhimi është çështje primare në krijimtarinë artistike. Nuk ka krijimtari të mirëfilltë pa angazhim të mirëfilltë, e shënoj – shprehimisht, një mendim brilant të një mendimtari të shquar bashkëkohor: “…angazhim është edhe atëherë kur angazhohesh të mos jesh i angazhuar!“  Edhe unë, nënë, në këto shkrimet e mia, kryesisht të mbështetura mbi elemente biografike dhe ngjarje reale, mbushur me të dhëna dokumentare, përpiqem të shqyrtoj shumë probleme të kohës mbi të cilat flasin. Kjo mbase, një ditë, do të veçohet si  vlerë e tyre e pakontestueshme…! 

– „Fry…!“ 

Po, vdekja nënë, përnjëmend, vdekja është një motiv i pakapërcyeshëm, i paevitueshëm dhe shumë in…! 

„!?!…“ 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu