Foto e aktorit, shkrimtarit dhe poetit Çun Lajçi nga një fshat me shtëpi të braktisura në Medvegjë.
Nga: Arben Ferati, Medvegjë
___
Reagim Publik
___
Belgzim Kamberi deklaroi të pavërteta mbi pasivizimin e shqiptarëve në komunën e Medvegjës
Me shqetësim të madh e kemi ndjekur një intervistë, me datën 4 nëntor, në Euronews Albania, ku z. Belgzim Kamberi paraqiti fakte të pavërteta mbi numrin e shqiptarëve të pasivizuar në komunën e Medvegjës. Një shtrembërim i fakteve, qoftë për shkak të informimin të tij jo adekuat apo për aryse tjera, vjen në një moment të ndjeshëm politik për komunitetin tonë dhe bartë pasoja negative sepse kontribuon në ndërtimin e narrativave false për minoritetin shqiptar në Serbi.
Faktet të cilat u thanë në Euronews Albania, por që nuk qëndrojnë në realitet:
Gjatë intervistës me gazetarin Thimi Samarxhiu, ndër të tjerat z. Belgzim Kamberi deklaroi se niveli i pasivizimit të shqiptarëve në komunen e Medvegjës është 21 për qind. Në vazhdim, ai la të kuptohet se si pasojë e pasivizimit janë larguar 3370 votues shqiptarë nga listat e votimit në Luginë të Preshevës. Për habinë tonë të madhe, të vetmen arsyen që dha tutje pse u shenjëstruan shqiptarët e Medvegjës për pasivizim deri në këtë shkallë, ishte se “atje na qenkan kinse më pak shqiptarë“. Dhe deklaroi se raporti mbi pasivizimin e shqiptarëve në Serbi i cili u publikua së fundi nga OJQ-ja, “Nisma e të Rinjve-Serbi“ është publikuar në bashkëpunim me Këshilin për Drejta të Njeriut në Preshevë, ku ka qenë vetë i përfshirë në këtë raport hulumtues.
Faktet të cilat njihen gjerësisht tani, por u shtrembëruan nga z. Belgzim Kamberi:
Në komunën e Medvegjës, nga viti 2011 deri në vitin 2020, janë pasivizuar gjithësej 4214 persona dhe janë larguar nga listat zgjedhore mbi 4309 votues gjatë periudhes 2015-2022. Kjo nuk e bënë shkallën e pasivizimit në komunën e Medvegjës 21 për qind, por mbi 40%. Së dyti dhe tejet me rendësi të sqarohet për opinionin, 3370 votuesit e hequr nga lista zgjedhore nuk kanë qenë shqiptarë të hequr në nivel të Lugines së Preshevës—por vetëm në komunën e Medvegjës. Numri i qytetarëve të pasivizuar dhe çregjistruar në nivel të tri komunave në bazë të dhënave të deritanishme shqiptarë është shumë më i lartë: mbi 6000 persona.
Këto janë faktet që kanë luajtur rol kyç për miratimin e rezolutës për pasivizimin nga Parlamenti Europian, në korrik të vitit 2021. Si rrjedhojë, jemi të habitur që në fund të vitit 2023, z. Belgzim Kamberi si drejtor i Këshillit për Drejta të Njeriut në Preshevë, për shkallën e pasivizimit në komunën e Medvegjes e merr ende për bazë përgjigjen e ish ministrit të brendshëm të Republikes se Serbisë, Aleksandar Vulin dhe jo studimin e Max-Planck-Institute dhe të dhënat e Parlamentit Evropian, ku i demantojnë të dhënat e këtij të fundit. Kjo është e papranueshme për shqiptarët e Medvegjës.
Duke u thirruar ekskluzivisht në raportin e fundit të OJQ-së, “Nisma e të Rinjve- Serbi“, z. Belgzim Kamberi ka dhënë një numër të pasaktë për shqiptarët e pasivizuar në komunen e Medvegjës. Fatkeqësisht, ai ka dhënë një numër madje shumë më të ulët se që ka dhënë vetë MPB-ja e Serbisë-i për Medvegjën. Sikur vërtet do të kishte ardhur në Medvegjë në kuadër të përgaditjeve për raportin hulumtues mbi pasivizimin e shqiptarëve me organizatën partnere „Nisma e të Rinjve-Serbi“, ne do t’ju kishim prezentuar këto fakte të pamohueshme për komunën tonë.
Si përfaqësues politik, aktivistë, e studijues nga Medvegja, ne nuk mund të konfirmojme asnjë lloj asistence ose prezencën qoftë të vetë z. Belgzim Kamberit apo bashkëpuntorëve të tij në komunën e Medvegjës gjatë viteve të fundit. Dhe shfrytëzojmë këte reagim, meqë u deklarua në Euronews Albania se Këshilli pë Drejta të Njeriut Preshevë ka bashkëpunuar me OJQ-në „Nisma e te Rinjve-Serbi“ për raportin e fundit mbi pasivizimin, të ngrisim këtë pyetje për dy organizatat: Përse u zhvilluan me dhjetëra intervista me shqiptarët e pasivizuar në komunën e Medvegjës dhe asnjë rrëfim të tyre nuk e përfshitë në raportin e fundit për pasivizimin? Përse u heshtën rrëfimet e shqiptarëve të pasivizuar në Serbi?
Me nderime,
Fehmi Beha (Asambleist ne Kuvendin Komunal te Medvegjës)
Bajram Mustafa (Asambleist ne Kuvendin Komunal te Medvegjës)
Dr. Flora Ferati-Sachsenmaier (Lektore dhe Hulumtuese ne Universitetin e Göttingen-it)
Prof. Gani Krasniqi (ish asambleist ne Kuvendin Komuan te Medvegjes dhe Aktivist Politik)
Arben Ferati (Perfaqesues ne Këshillin për Marrëdhënie ndër-Etnike ne Medvegjë, Aktivisit Politik)
Bislim Musliu (Kryetar i Klubit të vendlindjes „Trojet“)
Burim Uka (Drejtues i „MedvegjaForum“ dhe Aktivist)
Fadil Selmani (Shoqatat LSHPMVZ dhe Anetar i KShGj)
Shih shtëpitë e braktisura në fshatra të Medvegjës: