Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier ka thënë se draftstatuti i ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe i propozuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Megjithatë, ai ka thënë se fjalën e fundit do ta japë Gjykata Kushtetuese.

“Ne besojmë se është dhe e kemi shkruar në një mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit. Por në të vërtetë është vetëm një institucion që mund të marrë përfundimisht vendimin nëse është në përputhje me Kushtetutën e vendit apo jo. Kjo është Gjykata Kushtetuese. Siç tha kryeministri Kurti të premten në Kuvend, një nga dispozitat e këtij draftstatuti është që ai të shkojë në Gjykatën Kushtetuese që ta bëjë atë shqyrtim dhe ta bëjë atë përcaktim para se të hyjë në fuqi. Mendoj se shumë nga këto pyetje dhe komentet pothuajse histerike rreth kushtetutshmërisë së këtij draftstatuti janë të gabuara, sepse është bërë punë e kujdesshme në hartimin e statutit dhe dispozitave në fuqi për të siguruar që i vetmi organ në Kosovë që në fakt ka aftësinë dhe autoritetin për të përcaktuar kushtetutshmërinë e tij, Gjykata Kushtetuese, do të ketë mundësinë ta bëjë këtë përpara se të hyjë në fuqi”, ka theksuar Hovenier.

Lidhur me atë nëse ka ndonjë afat kohor apo kornizë kohore kur Kosova duhet ta dorëzojë këtë statut dhe pse ky dokument po mbahet në fshehtësi, Hovenier u përgjigj: “Këtu nuk ka asgjë sekrete, por negociatat diplomatike dhe angazhimet e ndjeshme të komunitetit ndërkombëtar me qeveritë shpesh bëhen në kushte diskrecioni. Sepse kushtet e diskrecionit janë më të përshtatshme për arritjen e mirëkuptimeve të përbashkëta dhe avancimin e gjërave. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për marrëveshjet në dialog, nëse bëhej fjalë për Rambujen, për negociatat për Ahtisaarin, apo gjëra tjera. Ekziston koha kur bëhen gjërat publike e kur duhen konfidencialitet. Në një kohë të përshtatshme publiku do ta ketë mundësinë ta vlerësojë drafstatutin. Ajo kohë do të përcaktohet nga një kombinim i përshtatshëm i qeverive dhe Miroslav Lajçakut”.

Tutje ambasadori amerikan ka thënë se nuk është vetëm Asociacioni i cili duhet të zbatohet, por të gjitha obligimet e marra nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i zbatimit në Ohër.

“Nëse lexohen deklaratat e kancelarit gjerman, presidentit francez, kryeministres së Italisë, e më duhet të them është e jashtëzakonshme që këta liderë të lartë evropianë po përfshihen direkt në këtë proces për ta ndihmuar Kosovën të ecë përpara në rrugën evropiane, euroatlantike e të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, në të mirë të dy vendeve, e në veçanti të popullit të Kosovës. Ata përdorin fjalët si urgjent, sa më shpejtë të jetë e mundur e gjëra të tilla. Ka urgjencë, ekziston një dëshirë për të parë që të ecët para. Kjo është pjesë e bisedave tona me Qeverinë tash. Nuk ka arsye që Qeveria e Kosovës të mos ecë para me këtë drafstatut. Kryeministri shprehu gatishmërinë e tij për ta pranuar në tërësi vetëm disa javë më parë. Ne jemi duke punuar për ta parë atë të realizuar si një element të strategjisë sonë më të gjerë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin dhe e as nuk mund të jetë. Bëhet fjalë për zbatimin e plotë të të gjitha obligimeve të marra nga Kosova dhe Serbia me Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e zbatimit në Ohër. Pra, kjo është ajo që ne duam të shohim”, është shprehur Hovenier.

Ambasadori amerikan ka thënë se shteti i tij beson fuqishëm se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës dhe do të formohet bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk do të jetë një shtresë e re e pushtetit.

I pyetur nëse serbëve po ju ofrohet një autonomi, ai është përgjigjur: “Së pari më ka habitur numri i njerëzve që po interpretojnë një drafstatut që nuk e kanë parë. Ky është një truk mjaft mbresëlënës. Dhe në fund të fundit, ata që nuk e kanë parë draftin ndoshta nuk kanë shumë arsye për të dhënë mendimin e tyre. Unë mund të them se çfarë kam thënë më herët. SHBA-ja e beson fuqishëm se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk duhet të jetë një shtresë shtesë e pushtetit, pra nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk kuptoj se si mund të keni autonomi në këto rrethana. Nuk e keni. Besoj fuqishëm se ky drafstatut që i është prezantuar Qeverisë së Kosovës i përmbush këto kritere. Siç e thash, përgjegjësia është te Gjykata Kushtetuese për ta vendosur këtë. Në drafstatut, siç e tha kryeministri, ka një dispozitë për të siguruar që ai rishikim të ndodhë dhe të veprohet para se të hyjë në fuqi. Nuk mendoj se kjo është diçka për t’u shqetësuar”.