ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Nuk harrohen …!

Shkrime relevante

Qeveritë Kosovë-Maqedoni e Veriut mbledhje të përbashkët nesër në Prishtinë

-Qeveria e Kosovës sot miratoi nisma para mbledhjes me Qeverinë e...

Shpallen martirë nga Vatikani edhe dy klerikë të tjerë shqiptarë

E shtuna e 16 nëntorit është një ditë historike për Kishën...

Letra nga Janjeva të vitit 1782

Dr. Nusha Zhuba , Romë Letra nga Janjeva Më duhen lekët  për të...

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Shpërndaj

Zekerija Idrizi, shkrimtar
___
Në jetën time gjithnjë kam bashkëvepruar me vëllezërit tanë shqiptarë të konfesionit kristian, të ritit katolik dhe ortodoks. Kurrën e kurrës nuk do t’i harroj takimet e ndejat e mia miqësore dhe vëllazërore me miqtë e mi katolikë: Ernest Lucajn, Mark Lekajn, Gjokë Nikollën, Shtjefën Përdedajn, Tomë Sokolin e të tjerë. Miku im, Ernesti (22 vjetë i burgosur politik në regjimin totalitar komunist të xhaxhait) vizitonte rregullisht tribunat e mia në xhami dhe kuvendonim me të me orë të tëra lidhur me ardhmërinë e Shqipërisë etnike. Marku, ndërkaq, kurrë nuk ndahej nga vëllezërit e vetë myslimanë nëpër kremta fetare. Ai tok me ne jepte rregullisht “fitrat” e Ramazanit dhe ka dhënë, njëherësh, kontribut të madh në çështjen kombëtare. Gjithashtu edhe vëllai ynë Shtjefni, ky njeri më i fisëm që kam takuar në jetë. Ai thjesht në asnjë aktivitet, i çfarëdolloji qoftë, nuk është ndarë nga vëllezërit e vet shqiptarë të konfesionit islamik, duke dhënë kështu një kontribut të madh në rrafshin kombëtar.
S’do të harroj kurrë pjesëmarrjen time në festën e “Krishtlindjes”, që qe organizuar në lokalet e klubit “Bajram Curri” në vitin 1998. Në telefonatën që më bëri kësokohe kryetari i shoqatës për kulturë, arsim dhe sport “Dituria”, Kadri Mulaj, për t’më ftuar në këtë festë kristiane, për habinë time më kërkoi ndjesë se mos vallë bënte farë mëkati që po më ftonte (si hoxhë) në një festë të tillë! I thash se nuk bënte kurrfarë mëkati dhe se me gjithë qejf do të merrja pjesë në atë festë. Në këtë manifestim mbajta një ligjëratë ku potencova me theks të veçantë vlerën e madhe që kanë në fenë islame dhe atë kristiane profeti Isa (Jezu Krishti) dhe e ëma e tij fisnike, Merjemeja (Shën Mëria). Në mënyrë të veçantë apelova tek të rinjt që të mos blasfemojnë, që të mos nëpërkëmbin autoritetin e tyre të pakontestueshëm moral dhe shpirtëror.
Në të këtilla festa kam marrë pjesë shumë herë edhe më herët në jetën time, sepse e ëma ime e ndjerë, Zarifeja (dada Zarë-sikundër e thërrisnin me pietet nipërit dhe mbesat) rrjedh nga fshati Debollde i komunës së Vitisë, e unë gjithnjë për të shkuar atje është dashur detyrimisht të kaloj mespërmes Binçës, kësaj qendreje madhore të katolicizmit në Kosovë. S’e kam lëshur asnjëherë rastin pa u futur brenda kishës së saj pitoreske, ku me orë të tëra, në një atmosferë jashtëzakonisht tolerante dhe vëllazërore, kam diskutuar me priftërit shqiptarë. Mandej rregullisht, qysh në vitet kur ndiqja mësimet në medresenë “Isa Beu” të Shkupit, kam vizituar edhe kishat monumentale të Letnicës dhe të Stubllës (në po këtë komunë), si edhe kishën impozante “Shën Pjetri” në Prishtinë, ku kam zhvilluar debate të numërta me imzot Dom Zef Gashin.
Një herë, edhe përkundër gjithë argumentimeve të mia që ia parashtrova një myslimani fanatik e të pabindur lidhur me sufizmin burimor islamik dhe me vëllezërit tanë shqiptarë sufijë e katolikë, më në fund i thash shkoqur: “I dua ata sepse thjesht jemi vëllezër të një atdheu, të një gjuhe dhe të një gjaku, kemi një Zot dhe, para së gjithash, (i thash zëshëm) i dua për inat të shkjeve! Kjo për arsye se shkjetë e përtejkarpateve gjithnjë janë munduar të fusin pykat e ndasisë, të përçarjes dhe të hasmërisë fetare në mes shqiptarëve”.
Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare fenomeni i tolerancës fetare ndër shqiptarët do të bëhet tipar kombëtar dhe ndër hallkat e fuqishme në integrimin e ruajtjen e njësisë së kombit shqiptar në kushte të ekzistimit të dy feve. Këtë e konfirmon edhe rilindasi ynë, Pashko Vasa, i cili në veprën e tij “E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët“ ndër të tjerash thekson: “Ndërmjet shqiptarëve muslimanë dhe kristianë nuk ka pasur kurrë urrejtje të rrënjosura, as armiqësi shekullore. Ndryshimi në fe nuk ka qenë kurrë arsye që t’ i shtynte në ndarje; muslimanë e kristianë kanë jetuar gjithnjë në një rrafsh barazie, duke gëzuar të njejtat të drejta dhe duke përmbushur të njejtat detyra…”. Këtë, për më tepër, e kanë konfirmuar edhe studjues të huaj, njohës këta të botës shqiptare, si Edit Durham, Thomas W.Arnold, Hahn, Noel Malcolm etj.
Kjo është porosia e Hafiz Ibrahim Dalliut, këtij burri të madh shqiptar: “Ne shqiptarët, të cilës do fe qofshim, jemi që të gjithë vëllezër të një gjaku dhe të një vatani. Do të shkojmë mbarë e mirë, ashtu sikundër jemi duke shkuar, si vëllai me të vëllanë e vet dhe do të punojmë si prore së bashku për lulëzimin e atdheut tonë dhe, po që e kërkon nevoja, do ta mbrojmë atë me gjakun tonë“.
Ky është amaneti i Patër Anton Harapit, këtij apostulli të bashkimit politik shqiptar, sikundër me të drejtë do ta quaj historiani ynë, dr. Muhamet Pirraku,: “Intolerancë dogmatike. Tolerancë shoqërore qytetare dhe tolerancë shoqërore politike !“. Animin e njërit kundër fesë së tjetrit Patër Anton Harapi e quante “zekth i egoizmit“, sëmundje kjo të cilën ai e luftonte me shpirt: “…por fakti është ky, se ne jemi pra muslimanë, katolikë e ortodoksë, dhe si të tillë duam të rrojmë në një harmoni vëllazërore !“.
Dhe kjo, njëherazi, është detyrë madhore kombëtare për të gjitha gjeneratat shqiptare nga Mulla Idrizi i Gjilanit, këtij heroi shqiptar: “Kemi tri fe, por kemi një Atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell dhe, mbi të gjitha, një Zot. Detyrë mbi detyrat kemi bashkimin dhe mbrojtjen e Atdheut… !“
___
(Fragment nga libri im “Veprimtaria universale e imamit në kurbet”, Zekerija Idrizi, Shkup, 2017)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu