ARKIVI:
17 Tetor 2024

Rreziku i kthimit në pikën zero!

Shkrime relevante

Hipokrizia e kërkimit shkencor në Shqipëri dhe një Projekt Ligj që zgjidh

Prof. Dr. Pirro Prifti Projekt Ligji për Kërkimin Shkencor të propozuar nga...

Kujtime nga viti 1979, si student, në Shqipëri e mësues, në Suedi

Sinan Kastrati, Suedi ___ Nga Ditari im ___ Në fillim të tetorit (`24) isha sikurse...

At Shtjefën Gjeçovi meriton më shumë !

Nga: Frank Shkreli 12 Korrik 1874 --14 Tetor 1929  “Këto punë po i...

Rrëfime të Irsa Shores për kalanë magjepsëse të Gjirokastrës

Irsa Shore 𝐊𝐚𝐥𝐚𝐣𝐚 𝐞 𝐆𝐣𝐢𝐫𝐨𝐤𝐚𝐬𝐭𝐫𝐞𝐬 është një ndër më të mëdhatë në...

Ku ishim, ku jemi dhe kah po shkon diplomacia dhe politika globale në suazat e rendit të ri botëror

Nga: Prof Dr Hakif Bajrami, historian Sot zhvillohet një luftë tinzare në...

Shpërndaj

Florim Zeqa 

Për 24 vjet rresht e kemi ndjerë veten të sigurtë në shtetin tonë të lirë dhe të pavarur, të mbrojtur dhe garantuar nga forcat e NATO-s. Por, për një çast gjithçka ndryshon në Kosovë! Pasi, brenda natës instalohet gjuha luftënxitëse dhe pasiguria e qytetarëve!

Pse ekziston rreziku kur veriu i vendit “kontrollohet” nga shteti!?

Sipas të dhënave të kryeministrit Kurti, veriu i vendit është futur nën kontrollë të plotë pas trazirave të fundit në Banjskë. Edhe përkundër kontrollit të plotë të Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it dhe Forcave të KFOR-it, megjithatë kryeministri Albin Kurti paralajmëron trazira të reja, duke aluduar në riorganizimin e grupit të Radoiçiqit!

Kryeministri paranojak, gjuhën e rrezikut e arsyeton me trupat dhe artilerinë e Ushtrisë së Serbisë afër territorit të Kosovës. “Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën”, ishte konstatimi i fundit i Albin Kurtit në rrjetet sociale.

Kryeministri i vendit në vend që të reflektojë shpresë dhe siguri për qytetarët, po i bombardon ata me gjuhën kërcënuese dhe luftënxitëse në Kosovë, duke e arsyetuar me kinse përgatitjet e një lufte të re në Ballkan nga Rusia dhe Serbia!

Loja e dyfisht e Albin Kurtit, duke u thirrur në njërën anë me shtrirje të plotë të sovranitetit në veri, kurse në anën tjetër duke mbjellë frikë dhe pasiguri për qytetarët e vendit të tij, në mënyrë të tërthortë dhe të drejtëpërdrejt është duke e ndihmuar Vuçiçin në fushatën elektorale në Serbi!

Mirëmbajtja e raporteve me SHBA-t dhe NATO-n, mbrojtja më e mirë e Republikës së Kosovës

Sikurse që ishte çlirimi i vendit dhe njohja ndërkombëtare e shtetit të Kosovës produkt i SHBA-ve dhe NATO-s, edhe mbrojtja dhe ekzistenca e shtetit tonë është në përputhje të plotë me interesat e tyre në Ballkan. Andaj, çdo tendencë për t’u larguar nga ky realitet i krijuar paraqet rrezik për ekzistencën e shtetit tonë.

Derisa raportet me SHBA-të dhe shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian ishin në nivelin e duhur, nuk e kishim asnjë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Mirëpo, me mospërfilljen e rekomandimeve të miqve dhe aleatëve perëndimor nga ana e kryeministrit Albin Kurti, kryediplomates Donika Gërvalla e deri diku edhe të presidentes Vjosa Osmani, ka bërë që të ndodh një tërheqje e lehtë e diplomacisë perëndimore nga Kosova.

Kur jemi në këtë segment, duhet cekur zhvillimin pozitiv të ditëve të fundit, ku më në fund presidentja Vjosa Osmani ka filluar të këndellet sa i përket “Draft-Statutit” të Asociacionit, për të cilin deklaroj haur se disa anekse të këtij drafti, jo vetëm që kanë dykuptimësi, bien ndesh edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke e konsideruar gabim të madh mosbërjen transparente të draftit për opozitën dhe shoqërinë civile.

Ky hap i vogël i presidentes Vjosa Osmani duhet të pasohet me hapin e radhës, me distancimin nga politika populliste dhe disfatiste e kryeministrit, i cili, çdo herë, pas një hapi para, i bën tre hapa prapa!

Për më keq se kaq, si pasojë e kryeneqësisë së kryeministrit, për herë të parë Kosova në historinë e saj ndodhet nën sanksione ndërkombëtare, duke humbur qindramiliona euro investime dhe duke e rrezikuar seriozisht anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe Liberalizimin e Vizave!

Meqenëse Kosova nuk është faktor që ndikon shumë në vendimarrjen ndërkombëtare, duhet të tregohet e kujdesshme në ruajtjen dhe kultivimin e raporteve të mira me ndërkombëtarët. Në të kundërtën, rrezikojmë kthimin në pikën zero, në atë të vitit 1999!

Këtë e dëshmon deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg: “Çdo dërgim i Forcave të Sigurisë së Kosovës duhet të marrë pajtimin e NATO-s dhe çfarëdo aksioni i Policisë së Kosovës në ato zona duhet të informohet paraprakisht KFOR-i dhe të mos e rrezikojë paqen dhe sigurinë”. 

Është fat i madh për ne, që interesat SHBA-ve dhe të Aleancës në të fuqishme ushtarake në botë (NATO-s) janë të ndërlidhura me interesat e shqiptarëve në Ballkan, përndryshe, sa për liderët shtetërorë dhe kapacitete ushtarake që kemi për të mbrojtur shtetin, që moti do ta kishim humbur atë!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu