Zeqir Bekolli , Prishtinë
Tashmë kur po afrohet afati i udhëtimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa viza, nëpër vendet e Bashkimit Evropian , kanë shpërthyer debate nëpër media të ndryshme nga individë e ekspertë për rrezikun që po i shfaqet Kosovës nga largimi i qytetarëve.
Në pjesën dërrmuese të këtyre diskutimeve hetohet një përshkrim i gjendjes nëpërmjet te të dhënave statistikore, po pa u ndalur për asnjë rast për mënyrën dhe nevojën urgjente për parandalimin e këtij fenomeni tejet të rrezikshëm për vendin tonë.
Pavarësisht shkaqeve dhe arsyeve, që kanë ndikuar dhe ndikojnë drejtpërdrejt në këtë fenomen, Qeveria e Republikës së Kosovës urgjentisht duhet t’i marrë masat për parandalimin e këtij fenomeni, të paktën për zvogëlimin e tij.
Cilët do të jenë hapat e parë me të cilët duhet të merret Qeveria?
Ndër hapat e parë është marrja e masave për ngritjen e pagave qoftë në nivelin shtetëror dhe atij privat. Nëse bie fjala në vitin 2023 do të kemi një pagë minimale prej 800 eurosh atëherë largimi i shumëpërfolur nuk do të ndodhë sipas parashikimeve. Ky mekanizëm tash për tash do të jetë mënyra më e mirë për ta frenuar këtë migrim të pritur. Në të kundërtën, Kosova do të ballafaqohet me krizë të punëtorëve në të gjitha sferat, e sidomos të kuadrove të kualifikuara. Telashe do të ketë arsimi, shëndetësia, policia, ushtria, administrata, sektori privat i cili do t’i nënshtrohet edhe mbylljes së
bizneseve për mungesë kuadrosh e punëtorësh.
Madje, telashe do të kenë edhe universitetet, qofshin ato shtetërore apo private me mungesa të kuadrove e studentëve. Dhe në këtë lëmsh që pritet të ndodhë, Kosova do të ndodhet drejt një tatëpjete, për të cilën fajtore janë të gjitha qeveritë e deritashme.