- Në Kosovë 28 Nëntori – Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e Flamurit Shqiptar festohej edhe kur ishte e ndaluar…
-Urimet e mesazhet e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në jubiletë e 80 e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të botuara në gazetën e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha dhe në gazetën tradicionale Rilindja kur isha kryeredaktor i fundit i saj\
Shkruan: Behlul Jashari, Prishtinë
PRISHTINË, Nëntor 2023/ Në Kosovë në këtë Nëntor 2023 festohet në përvjetorin me tre njësha – të 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Shqiptarët kanë dy festa të pavarësisë, të Shqipërisë dhe të Kosovës. Pavarësisë së Shqipërisë të shpallur në Vlorë në 28 Nëntor 1912 dhe të Pavarësisë së Kosovës të shpallur në 17 Shkurt 2008.
Në veprimtaritë festive dhe nga të gjithë shqiptarët përkujtohet përgjithmonë edhe ajo që shkruan e flet historia jonë se para 111 viteve Heroi Kombëtar, Isa Boletini, në Nëntorin e madh 1912 nga fshati Boletin në rajonin e Mitrovicës – nga Kosova me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në Vlorë, Isa Boletini me bashkëluftëtarët nga Kosova përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë Shqiptare të kryesuar nga Kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i Shtetit Shqiptar, firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare…
E para 31 viteve, i sapo zgjedhur President i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova jubileun e 80 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë e ka festuar në Vlorë.
Edhe nga Vlora, edhe në festimet e urimet nëpër vite të 28 Nëntorit, edhe në intervistat ekskluzive që kam zhvilluar, Presidenti Rugova theksonte edhe mesazhin se Pavarësia e Kosovës është plotësim i Pavarësisë Shqiptare.
Në 80 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – Ditën e Flamurit, në 28 Nëntor 1992, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, uronte të gjithë shqiptarët në botë.
“Një URIM I MADH në këtë kremtim jubilar për të gjithë shqiptarët edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe në viset e tjera etnike dhe në diasporë, duke filluar nga Zelanda e Re, Australia, Evropa dhe Amerika, të cilët gjithmonë kanë qenë të lidhur me Shqipërinë dhe me trojet etnike shqiptare dhe me çështjen shqiptare”.
Ky ishte urimi i parë për 28 Nëntorin i Dr. Ibrahim Rugovës si President i Kosovës i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 – vitit të 80 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 Shtatorit 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind…
Rilindja më 28 Nentor 2002-foto: Behlul-Jashari
Dr. Rugova vlerësonte arritjet e shqiptarëve dhe theksonte aspiratat e idealet shqiptare:
“Në këtë moment jubilar dhe të rëndësishëm mund të them se sot shqiptarët, pa marrë parasyshë kufijtë aktualë, janë më të bashkuar se asnjëherë dhe sot, pas 50 vjet ndjekjesh dhe persekutimesh që përjetuan edhe në Shqipëri e edhe në Kosovë dhe represionit që kemi këtu, kremtojmë së bashku këtë festë kombëtare, e mund të themi edhe me rezultate të mëdha, sepse Shqipëria aktuale këtë vit ka hyrë definitivisht në proceset demokratike, gjithnjë e më shumë po bëhet një vend i hapur edhe në pikëpamje politike e edhe në pikëpamje ekonomike dhe po integrohet në proceset evropiane dhe ndërkombëtare, ndërsa Kosova, me shpalljen e pavarësisë së saj shtet i pavarur dhe neutral, po afirmohet gjithnjë e më shumë në planin ndërkombëtar, po ashtu edhe trojet e tjera etnike të shqiptarëve në Maqedoni, si grupacion i dytë nacional, pastaj në Mal të Zi dhe në Serbinë Jugore. Mund të themi se me politikën e rezistencës dhe të qëndresës paqësore, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve tjera janë afirmuar sot në botë. Në kohën kur po shkatërrohet e që u shkatërrua ish-Jugosllavia e po ashtu edhe në kohën e një organizimi të ri në Ballkan, edhe shqiptarët e Kosovës e të viseve tjera etnike kërkojnë vetëvendosje për ardhmërinë e tyre.
Në këto momente të rëndësishme, Shqipëria si shtet ndihmon mjaft çështjen e Kosovës dhe çështjen e shqiptarëve në përgjithësi në planin diplomatik dhe në planin politik dhe mbron interesat e shqiptarëve.”
Ibrahim Rugova mbanë në duar gazetën Rilindja me 28 Nentor 2002 , derisa bisedon me kryeredaktorin Behlul Jashari në Rezidencen Presidenciale
Presidenti historik Rugova ka folur kështu në një deklaratë ekskluzive për gazetën e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që kishte nisë të dalë në Prishtinë nga 18 Janari 1991, pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia të gazetës Rilindja - të vetmes së përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë.
Me titullin “Shqiptarët sot janë më të bashkuar se asnjëherë” deklarata ekskluzive gazetës “Bujku” botohej në numrin e 28 Nëntorit 1992 në ballinë, ku me titullin “Urojmë që përvjetorët e ardhshëm t’i festojmë bashkërisht” botohej edhe përgëzimi i Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha:
Rugova-Berisha – Vlorë, më 28 Nentor 1992
“I dashuri President,
Sot, në ditën e 80-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë shqiptarët festojnë kudo. Më 28 nëntor mbushen plot 80 vjet kur në Vlorë Ismail Qemali ngriti Flamurin e Kastriotit, Flamurin shqiptar. Ishte ditë e Pavarësisë së Shqipërisë, ditë e çlirimit dhe ditë për të hyrë në jetën e lirë shqiptare e qytetare. Por, për fat të keq, Shqipëria u nda dhe Kosova e trojet e tjera etnike ranë prapë në robëri. Të gjithë shqiptarët nuk e gëzuan pavarësinë dhe lirinë.
Shqipëria demokratike dhe e lirë sot po bëhet një faktor i integrimeve kombëtare dhe i stabilitetit në Ballkan. Ajo Kosovës po i jep ndihmë të madhe politike dhe diplomatike në rrugën e saj të Pavarësisë, po i mbronë interesat e të gjithë shqiptarëve.
Urojmë që Shqipëria të bëhet një shtet edhe më i fortë edhe më i zhvilluar ekonomikisht, Urojmë që përvjetorët e ardhshëm t’i festojmë bashkërisht.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Kryetari i Republikës së Kosovës,
Dr. Ibrahim Rugova”
Në 28 Nëntor 1992, “Në mbarë Shqipërinë manifestime madhështore” ishte kryetitull balline i raportimit nga Tirana i gazetës “Bujku”, e cila në numrin vijues raportonte edhe se, Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova ishte në Shqipëri në kremtimin e 80 vjetorit të Pavarësisë.
“Dr. Rugova mori pjesë së bashku me presidentin e Shqipërisë dr. Sali Berisha në solemnitetin qendror të përvjetorit jubilar në Vlorë, ku 80 vjet më parë Ismail Qemali ngriti Flamurin e Pavarësisë…Në kuadër të vizitës në Shqipëri, dr. Rugova zhvilloi bisedime me presidentin Berisha dhe me udhëheqës të tjerë të Shqipërisë”, shkruante gazeta e vetme e përditshme shqipe e Kosovës në atë kohë “Bujku”.
E, para 21 viteve, në fundvitin 2002 të jubileut të 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Rezidencën Presidenciale në lagjen Velania të Prishtinës kishte në tavolinë dhe mbante në duar gazetën tradicionale e historike shqiptare të Kosovës Rilindja që kishte kryetitull “Kosova për herë të parë feston 28 Nëntorin me institucionet e saja të njohura ndërkombëtarisht”, derisa si kryeredaktor i saj zhvilloja edhe një tjetër intervistë ekskluzive e cila u botua në numrin festiv të ndërrimit të moteve me kryetitull “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”.
Në jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja doli me botim special festiv, siç theksonte në ballinë, me shkrime të autorëve dhe personaliteteve të shquara nga gjithë bota shqiptare, ndërsa u shpërnda në të gjitha trojet etnike shqiptare - në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Ulqin e lokalitete tjera në Mal të Zi.
Gazeta Rilindja në ballinë botonte mesazhin e Presidentit historik Rugova me mbititull “Mesazh i Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, për 28 Nëntorin, Diten e Flamurit”, me titull “Shqiptarët forcohen në të gjitha viset” dhe me nëntitull “Një Kosovë e pavarur, e integruar në NATO, në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të është përcaktimi i popullit të saj”.
Teksti i plotë i mesazhit të Presidentit Rugova në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ishte ky:
Qytetarë të nderuar, zonja dhe zotërinj
Për Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin, ju shpreh urimet e mia të sinqerta dhe krenare, ashtu siç e ndiejmë dhe e nderojmë të gjithë ne këtë ditë.
Dita e 28 Nëntorit është data më e shënuar në historinë moderne shqiptare pas 28 Nëntorit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Dita e 28 Nëntorit e vitit 1912 është po ashtu Dita e Pavarësisë shqiptare, e cila u cungua pa vullnetin e shqiptarëve.
Në këto 90 vjet, shqiptarët u forcuan në të gjitha viset e tyre. Pavarësia e Kosovës, që bazohet në vullnetin e shprehur të popullit, do të qetësonte Kosovën, të gjithë shqiptarët dhe këtë pjesë të Evropës e të botës.
Pra, një Kosovë e pavarur, e integruar në NATO, në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të është përcaktimi i popullit të saj.
Në Ditën e Flamurit, do theksuar se forcimi i shqiptarëve në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, është evident dhe në progres e sipër.
Po ashtu, edhe Shqipëria është në rrugë të mirë të konsolidimit demokratik dhe ekonomik.
Për këto tri vjet pas luftës, Kosova ka pasur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Kjo është bërë me përkrahjen e miqve tanë dhe në bashkëpunim me UNMIK-un dhe KFOR-in. Kështu, Kosova po forcohet gjithnjë e më shumë si shoqëri dhe shtet demokratik, për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj, dhe pret njohjen formale, që do t’i shpejtonte proceset demokratike dhe ekonomike.
Me fat Dita e Flamurit!
Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj të qytetëruar!
Dr. Ibrahim Rugova
President i Kosovës”
Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001 dhe pas tyre Kuvendi zgjodhi President Dr. Ibrahim Rugovën.
Rilindja festive në 28 Nëntor 2002 në ballinë paralajmëronte edhe dy intervista ekskluzive që botoheshin në brendi të gazetës, që i kisha zhvilluar me atëherë Kryeparlamentarin Nexhar Daci me titull “Statusi përfundimtar i Kosovës do të përcaktohet sipas vullnetit të popullit dhe me Kryeministrin Bajram Rexhepi me titull “Pavarësia e Kosovës është në çdo hap, në çdo lëvizje, në çdo proces që i shpie gjërat përpara”.
Si në një kartolinë, me foton e Shtatores së Gjegj Kastriotit – Skenderbeut në Prishtinë, të ngritur një vit më parë në 28 Nëntor 2001 në Kosovën e lirë, dhe me Flamurin Kombëtar Shqiptar në ballinë shkruhej: “Rilindja” ua uron Festën e 28 Nëntorit.
Dhe, në ballinë botohej edhe editoriali im – Kryeredaktorit të gazetës Rilindja:
KOSOVA FESTON LIRINË
Behlul JASHARI
Kosova feston 28 Nëntorin e katërt në liri. Liria e Kosovës është ngjarja më e madhe e botës shqiptare pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që ndodhi para 90 vjetësh.
Kosova në rrugën e demokracisë e të pavarësisë së vet ka vullnetin e popullit dhe manifeston fuqishëm përcaktimin për përmbushjen e standardeve për një Kosovë Euroatlantike, të integrimeve dhe të zhvillimeve moderne.
Duke manifestuar fuqishëm përkushtimin për këtë rrugë të Kosovës e të popullit të saj “Rilindja” del sot botim special për Festën edhe në kushtet kur nuk mund të dalë rregullisht, edhe për të treguar se çfarë do të jetë kjo gazetë tradicionale e simbol i Kosovës kur të krijohen kushtet për të ridalë.
“Rilindja” histori e shkruar e Kosovës kështu shënon e feston edhe një Ditë Historike.
“Rilindja” është gazetë e popullit të Kosovës, e ndërtimit të institucioneve, demokracisë, lirisë dhe pavarësisë.
Në këtë ditë kur të gjitha shqiptarët festojnë “Rilindja” për të gjithë ka një urim të madh: Gëzuar!
***
“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin” dhe “Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”, janë titujt e tre nga intervistat ekskluzive që kam zhvilluar nëpër vitet e rezistencës, luftës e lirisë me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, derisa isha kryeredaktor i gazetës Rilindja dhe korrespondent në Kosovë i Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë nga 24 Maji 1992.
Këto tre intervista janë ribotuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: Kosova shpalli pavarësinë bota e njeh shtetin më të ri.
Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 Shkurti 2008 dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë.
Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: Rilindja ju uron shpalljen dhe njohjen e Kosovës Shtet i Pavarur.
Demonstrata ne Prishtine-27 e 28 Nentor 1968-mes demonstruesëve Behlul Jashari- foto nga Shtepia e Pavaresise se Kosoves Dr. Ibrahim Rugova
Në Kosovë Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e Flamurit Shqiptar festohej edhe kur ishte e ndaluar, festohej edhe me demonstrata në vitin 1968 në Prishtinë e qytete tjera me kërkesa për Kosovën Republikë, për Kushtetutë, për Universitet e të tjera për të drejtat e shqiptarëve. Atëherë, marshi i fillimtarëve të demonstrates, ndër të cilët isha edhe unë nxënës i klasës së tretë të Shkollës Normale nisi në orët e pasditës nga Fakulteti Filozofik (tash Fakulteti Filologjik i Univerisitetit të Prishtinës), dhe më pas deri natën vonë u mbushën përplot demonstrues rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës. Për ato demonstrata në 24 vjetorin e tyre “Nata që bënte dritë” ishte titulli i shkrimit tim në gazetën “Bujku” të 28 Nëntorit të 80 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë, ku në legjendën e fotografisë theksoja: “Pas Krujës, Vlorës…edhe në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1968, në prag të Ditës së Flamurit, u ngrit flamuri për pavarësinë shqiptare…”
“Valonin shumë flamuj kombëtarë shqiptarë, valonin edhe për Festën e Flamurit që ishte e ndaluar bashkë me flamurin”, përshkruaja pamjet madhështore…Tregoja edhe se si në 28 Nëntorin 1968 për demonstrat shqiptare në Kosovë dhe për Flamurin Shqiptar në ditën e madhe historike kisha shkruar vargje – vjershën “Himni i Flamurit”, të cilën ma botoi gazeta studentore “Bota e Re”…
E para vitit 1968, në vitet kur Flamuri Kombëtar Shqiptar ishte i ndaluar në Kosovë, 28 Nëntorin e Pavarësisë së Shqipërisë e festoja në fshatin tim Strofc të komunës së Vushtrrisë e edhe afër tij te Guri i Madh në majë të Malit Qyqavica ku ngrihej Flamuri kuqezi me Shqiponjën dykrenare, prej nga, duke dëgjuar Radio Tiranën në një radio të vogël – transistor me bateri, përtej krahinave kosovare të Drenicës e Dukagjinit shikoja tokat e malet e Shqipërisë, nga të cilat na ndante kufiri i hekurt – “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në tutullin e një reportrazhi…
E, në pranverën e vitit 1996, në 1 Prill, nga vendkalimi kufitar Kosovë-Shqipëri, në Vërmicë-Morin kam shkruar këtë skicë:
KRONIKË KUFIRI
Kufiri Kosovë-Shqipëri nuk është më si fundi i botës. Pas shumë vitesh kalohet sot për herë të parë pa viza dalëse nëpër pikën kufitare të Vermicës. Po, megjithatë, aty ende ndalojnë forcat serbe dhe është një kontroll i hekurt.
Në njërën anë – bunkerët e betonit, që kanë mbetur si të harruar e janë mbuluar nga ferrat e bari.
Në anën tjetër – “piramidat e betonit”, kaherë të vendosura në zonën kufitare si “pengesa antitanke”.
E, mbi të gjitha pejzazhet shqiptare, midis të cilave sikur mbytet vija e mallkuar e kufirit të aq shumë ndarjeve. Mbi malet e ashpra me borë të Sharrit, Pashtrikut e Koretnikut fluturon një Shqiponjë, nëpër qiellin e përflakur nga dielli në pranverë si në sfondin e flamurit.
E, jo vetëm stinën, por edhe kohën që vjen, sikur e paralajmërojnë dallëndyshet e lejlekët që fluturojnë mbi syprinat e kaltra të lumit të Drinit.
Megjithatë, vetëm zogjtë kalojnë kufirin pa pengesa…(Vermicë, 1 prill 1996)
NGA REPORTAZHI IM I MARSIT 1996 “MURI NDËRSHQIPTAR SI ‘FUNDI I BOTËS’”:
E më pak se dy javë para 1 Prillit 1996, jo rrugës po nëpër male fshehtas nëpër shtetrrethimin e forcave serbe shkova deri afër kufirit Kosovë-Shqipëri dhe nga një kodrinë shihja si dukej e çka ndodhte në vendkalimin kufitar në Vermicë-Morinë, prej nga shkrujta reportazhin “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, të cilin e botova në gazetën e rezistencës “Bujku” më Prishtinë para 27 viteve, në 18 Mars 1996.
Reportazhin e dërgova edhe në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë. Në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetura” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se reportazhi është botuar në 19 Mars 1996 edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues serb në Prishtinë. Në atë reportazh mes tjerash, kam shkruar:
“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.
Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 Marsit.
Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”… ***
Pas botimit të reportazhit “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, që edhe u përkthye dhe arriti edhe te diplomatë më erdhi edhe mesazhi se kurrë më nuk do të jetë ashtu ai kufi…