Në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK u shënua Dita e Forcës – Dita e Ushtrisë
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës sot shënuan “Ditën e Forcës”. Kjo ditë festive ishte edhe “Dita e Hapur” ku qytetarë dhe nxënës të shumtë nga të gjitha shkollat e vendit u mirëpritën nëpër të gjitha kazermat e FSK-së, si në Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin, ku u ekspozuan pajisje, armatime, demonstrime si dhe aktivitete të ndryshme, që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së.
Ndërsa, manifestimi qendror u mbajt në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë shtetëror, duke filluar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Komandanti i i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendësministrat e Mbrojtjes, Shemsi Syla dhe Adnan Redzeplar, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere me mision në vendin tonë.
Në fjalën e saj drejtuar mediave të pranishme, presidentja Osmani theksoi se data e 27 Nëntorit është ditë kur në kujtojmë sakrificën e madhe të popullit tonë dhe të Ushtrisë sonë Çlirimtare. “Për të ardhur deri në këtë ditë, në mënyrë që Kosova të ketë ushtrinë e saj, është derdhur shumë gjak, prandaj, jam e bindur që secili ushtar dhe secila ushtare e mbanë këtë uniformë me shumë krenari dhe është i gatshëm që të japë edhe jetën për atdheun, nëse është nevoja”, tha presidentja Osmani duke shtuar se FSK është e trajnuar me standardet më të larta të NATO-s, e cila jep kontribut jo vetëm për paqen dhe sigurinë në rajon por edhe përtej, duke shërbyer së bashku me forcat amerikane, forcat e Mbretërisë së Bashkuar dhe ushtritë tjera aleate nëpër vende të ndryshme të botës, me misione paqeruajtëse, duke dëshmuar kështu se FSK është e gatshme t’i bashkohet ushtrive tjera aleate në aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit, në aleancën e NATO-s.
Ndërsa, Kryeministri Albin Kurti, duke uruar për “Ditën e Forcës” të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës tha se: “FSK është forcë e bashkimit dhe krenarisë tonë dhe se kjo ditë është një ditë e gëzimit kur në të njëjtën kohë përkujtojmë ata që sakrifikuan dhe në të njëjtën kohë me optimizëm ecim drejt së ardhmes kur e dimë se sa të sigurt ndihemi me ushtrinë tonë”. Ai ndër të tjera theksoi se FSK është vazhduese e UÇK-së.
Me rastin e 27 Nëntorit, “Ditës së Forcës”, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të gjithë ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve i uroi shëndet dhe në veçanti, zhvillim profesional dhe personal në karrierën e tyre. Ai theksoi se FSK po zhvillohet, ndërtohet dhe profesionalizohet, duke pasur parasysh bazamentin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të popullit tonë dhe rrugën përpara drejt integrimeve euroatlantike. “FSK gjithnjë do të ketë mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës në zhvillimin e saj dhe në përgatitjen e saj për të qenë e gatshme për të realizuar misionin e saj për mbrojtjen e territorit të vendit tonë”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me rastin e kësaj dite festive, shprehu respektin e tij të sinqertë për të gjithë personelin ushtarak dhe civil të FSK-së, duke cekur se përkushtimi i tyre i palëkundur dhe puna e palodhshme që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për Ushtrinë dhe vendin tonë, meritojnë falënderim të veçantë dhe mirënjohje të pafundme. “Në këtë ditë të veçantë, le të reflektojmë së bashku në të kaluarën tonë dhe të nderojmë sakrificat e të gjithë atyre brezave të cilët janë meritoret më të mëdhenj të lirisë të cilën e gëzojmë sot”, theksoi Gjeneral Jashari.
Aktivitetet për ndër të “Ditës së Forcës” do të vazhdojnë edhe në mbrëmje, ku bendi frymor i FSK-së dhe Filarmonia e Kosovës, do të mbajnë koncert në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërore dhe të ftuar nga vendet partnere.