Nga: Nail Draga, Ulqin
Shkrimtari emblematik i humorit shkodran
Donika Selimi – Jani Malo, ARS LONGA-VITA BREVIS, Neraida, Tiranë,2022
Organizimi i përurimit të librit Ars longa, vita brevis të autorëve Donika Selimi e Jani Malo, kushtuar Paulin Selimit(1947-2013) paraqet një moment të veçantë për familjen, artistët e estradave e sidomos për adhuruesit e humorit. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë me shkrimtarin i cili veçohej me elegancën e tij të humorit, duke qenë model për kohën kur ka jetuar e vepruar. Përurimi i këtij libri përkon me rastin e 10-vjetorit të ndarjës nga jeta të Paulin Selimit, shkrimtarit emblematik të humorit jo vetëm në qytetin e Shkodrës por edhe më gjerë në hapësirën etnogjeografike shqiptare.
Sipas informacioneve qe disponojmë, gjatë studimeve në Universitetin e Tiranës, ku Paulini ka studiuar Fakultetin e Gjuhës e Letërsisë Shqipe, duke parë potencialin kriues dy studentë tjerë më në moshë e këshilluan qe mos të shkruante poezi por shkrime satirike dhe humorstike. Ishte ky një këshillim shoqëror e miqësor qe ishte vendimtar, qe Paulini të lëvrojë këtë gjini letrare.
Ai ka filluar të shkruajë e botoj tregime humoristike qe nga koha kur ka qenë student e më pas duke u bërë i njohur në nivelin kombëtar. Janë të panumërta komeditë, skeçet, esetë, epigramet, poezitë, tregimet etj., që dëshmojnë vlerat krijuese dhe intelektuale si pak kush në kohën e tij.
Pas përfundimit të fakultetit në Tiranë, kudo qe ka paunuar në arsim si Pukë, Kukës e Shkodër është dalluar si mësues e drejtues por edhe krijues në fushën e humorit, ku librat e botuara janë dëshmi e një shkrimtari të guximshëm. Sepse nuk ka qenë lehtë të mendohet e jo të shkruhet për defektet e dukurive te ndryshme sociale e shoqërore duke marrë parasysh kohën e diktaturës në Shqipëri.
Ai i ka mbetur besnik gjinisë së humorit gjatë katër dekadave që dëshmohet me tregimet dhe skicat humoristike në shtatë librat e botuara, nga libri i parë “Gati orkestra”(1972) dhe i fundit “Vizita e ujkut plak”(2004). Po ashtu duhet theksuar se ka shkruar edhe artikuj dhe krijimtari letrare, botuar në revista të ndryshme te kohës.
Të gjithë ata të cilët e kanë njohur kanë theksuar se ai dallohej në shoqërinë e tij me humorin e tij elegant, i shoqëruar me batuta e barcaleta qe veçohej nga të tjerët, dhe s´ka si te jetë ndryshe sepse humori është terapi e jetës për çdo shkodran. Madje batutat e momentit i kanë shërbyer si shkas ne krijimtarinë e humorit.
Ndonëse për nga profesioni punoj si mësues, ai me intuiten dhe sensin e kriuesit përveç se ka botuar libra, ka furnizuar me materiale teatrin dhe estradën e Shkodrës. Por penda e tij ishte e veçantë për disa vite në Radio Shkodrën e në veçanti në përgatitjen e programit të Vitit të Ri pranë Radio Televizionit Shqiptar.
Kanë mbetur në kujtesë skenaret e shkruar nga Paulin Selimi dhe vendosur në skenë nga aktorët e mrekullueshëm te Estradës së Shkodrës shfaqjet:”Kunati i shokut Xhemal”,”Kushërini nga Amerika”,”E drejta e natës së parë”, “Erdhën ndihmat”, “Fejesa në Amerikë”, “Mbas mullarit”, “Djali i bosit” etj. Janë këto krijime dhe realizime të pa përseritshme të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut të gjerë.
Formimi i tij prej eruditi dhe kultura e gjerë letrare kanë qenë parakushte të një procesi krijues kulturor model, larg vulgaritetit e shijeve të ulta qe janë të pranishme në kohën tonë. Mjeshtria e Selimit në krijimin e portreteve ka bërë që të mbetet në kujtesën e gjithkujt një galeri e tërë personazhesh.
Ishte mjeshtri artistike dhe guxim intelektual për të trajtuar tema të tilla shoqërore në kohën e monizmit kur ishte e kufizuar liria e fjalës dhe e shprehjes. Por,ne këtë aspekt përjashtim bënte Paulin Selimi i cili pat shkruar skenarët për komedi të ndryshme. E veçantë për atë kohë dhe deri në ditët tona është shfaqja “Kunati i shokut Xhemal”, realizuar nga aktorët e estradës së Shkodrës, qe ka mbetur nder emblemat e humorit shkodran dhe shqiptar në përgjithësi.
Janë pikërisht aktorët e mëdhenj të humorit shkodran si Tano Banushi, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Zef Deda, Drane Xhai e të tjerë qe kanë arritur suksesin duke interpretuar shumë skeçe që mbanin firmën e Paulin Selimit.
Përgatitjen e këtij libri e kanë realizuar dy autor Donika Selimi dhe Jani Malo, të cilët kanë përmbledhur rrefimet e shokëve e miqve të ndryshëm të cilët e kanë njohur e bashkëpunuar me Paulinin. Botimin e këtij libri qe paraqet një monografi në miniatur për Paulinin e vlerësoi te qelluar, sepse autoritete të profileve të ndryshme shkencore, letrare, kulturore e publicistike, meritojnë të përjetësohen në botime të veçanta. Sepse veprimtaria e Paulinit, nuk është çështje personale, apo familjare por e të gjithë neve, sepse krijimtaria humoristike është pronë kombëtare, ku Shkodra kishte fat qe ta kishte në mesin e vet një autoritet të veçantë me vlera kombëtare.
Sa herë qe të trajtohen ne të ardhmën nga autor të ndryshëm çështje artistike nga fusha e humorit, nuk ka dilemë se Paulin Selimi do te jetë pikë referimi tash dhe në të ardhmën sepse kemi të bëjmë me figurën me të spikatur të humorit shkodran dhe ati kombëtar.
Dhe në fund e them pa dielmë se titulli i kësaj monografie, qe në shqip është “jeta është e shkurtë, ndërsa arti është i gjatë”, dëshmon në mënyrë autentike jetën dhe veprën e Paulin Selimit, i cili vdiq në vitin 2013, në moshën 66 vjeçare, ne kohën kur ka pasur mundësi për të dhënë gjithnjë në veprimtarinë krijuese.
Por, ai do të kujtohet nga ne qe ishim të privilegjuar qe e kemi njohur personalisht por edhe nga qytetarët të cilët kanë shijuar artin e humorit të tij të shkruar me plot pasion e profesionalizëm. Po ashtu do të kujtohet nga të rinjtë, sepse ka lënë pas një krijimtari të shquar, një krijimtari qe ka lënë gjurmë në humorin tonë kombëtar.
(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Ulqin, më 22 nëntor 2023)