ARKIVI:
24 Nëntor 2024

Çfarë është dinjiteti?

Shkrime relevante

NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit në ushtri

Përgatiti: Fadil Gashi/ Radio Kosova Ekipi Këshillimor dhe i Lidhjes i NATO-s,...

Depolitizimi i mërgatës!

Florim Zeqa Partitë politike siq shihet nuk kanë nevojë për intelektual, por...

Traditat Ilire-Arbërore, po prehen kirurgjikisht nga antishqiptarizmi islamik

Nga: Engjell Gishti, historian  TRADITA ILIRO - ARBERORE, PAGANE DHE E KRISHTERE...

Vjosa Osmani, “kush kërcen, kafja falas…!”

Shkruan : Refiqe R.Hamiti ___ VJOSA OSMANI, KUSH KËRCEN ,KAFJA FALAS "S'ka ku...

Shpërndaj

Nga: Ervina Toptani, shkrimtare, Tiranë
___
Po sjell një shembull të vogël mes dhjetrash që kam njohur e parë në jetë…
Kishim një mik ne në familje dikur, them dikur sepse sot nuk jeton më. Quhej Bajram, një burrë i urtë, punëtor, baba i dy vajzave e bashkëshort i një gruaje tepër të vuajtur si ai vetë. Bajrami ishte djalë i një tregtari i cili u dënua me pushkatim dhe natyrisht familja e tij u internua. Edhe Bajrami vetë pas disa vitesh u burgos e bëri 10 vite burg, 4 prej të cilave në të njëjtin burg me dajën tim.
Pas disa vitesh që doli nga burgu e jetën familjare e kishte me po aq vuajtje sa brenda burgut, e thërret sigurimi i shtetit dhe i kërkojnë që të bashkëpunonte me ta për t’i ndihmuar ata të gjenin “elementët reaksionarë” brenda rrethit shoqëror të Bajramit e për t’i asgjesuar ata.
E thërrisnin shpesh gjatë atij muaji dhe sigurisht që kthehej prej atje me shenja në trup e fytyrë. Zgjati ca kohë “përpunimi” i Bajramit e në fund ai firmosi se do të bashkëpunonte me ta. Ditën tjetër Bajrami u kërkoi të gjithë miqve e familjarëve që të mos i shkelnin më në derë, madje e kërkoi me ngulm e nerv këtë gjë e fillimisht qenë të shumtë miqtë që u zemëruan me Bajramin.
Mbeti i vetëm Bajrami, askush nuk i shkelte më në derë por në të njëjtën kohë dhe ai vetë nuk doli më nga shtëpia.
Kësisoj Bajrami nuk pati kurrë asgjë për t’i thënë sigurimsave e mundi të mbrojë dhe ato çka kishte më të shtrenjtë, vajzat e tij.
Po si ndodhi që firmosi Bajrami për sigurimin?
Sigurimsat pasi e kishin provuar me javë ta bindnin Bajramin me mënyrat e tyre te forta, rrahje e tortura, kur e panë se nuk kishte ndër mend të dorëzohej i thanë se haraçin e mosbindjes së tij do e paguanin vajzat, njëra 17 e tjetra 15 vjeç. Ia lidhën të bijat në karrige para syve të tij të zhveshura lakuriq dhe 4 sigurimsa prisnin të kryenin akte të dhunshme turpi me të miturat. Bajrami firmosi menjëherë!
Pas disa muajsh që jetonte i mbyllur brenda në shtëpinë e tij të varfër, për të mos iu dorëzuar përbindëshave të kuq, për të mos parë lemeri me të bijat e për të mos tradhëtuar asnjë mik a të njohur, Bajrami i mirë u hodh nga kati i pestë i një pallati. Ai u largua nga kjo botë që i jepte çmime të majme vetëm ligësisë. Vdiq me dinjitetin e një shqiptari që nuk vijnë më në kohët tona!
Kur përmendej emri i tij në shtëpinë tonë ulnim kokën në shenjë respekti për të e familjen e tij.
Raste si ky kam njohur mjaft gjatë jetës, që i përkasin një epoke kur të rinjtë e sotëm pak dinë prej saj, a thua se kanë kaluar mijëra vjet ndërmjet. Dinjiteti ruhet edhe në kushte ekstreme, edhe kur sheh vdekjen me sy sepse mendoj se kur nisesh për në botën tjetër, dinjiteti është e vetmja gjë që marrim me vete por e lemë dhe prapa njëkohësisht.
Unë jam rritur mes njerëzve si Bajrami dhe e kam prekur me dorë vuajtjen e dhimbjen e tyre. Ndaj më dhemb çdo ditë Shqipëria, se më dhembin varret e tyre e më dhemb në shpirt ende dhimbja e tyre e patretur.
p.s. ishin shqiptarë ata të sigurimit, edhe ata që i torturonin, edhe ata që u përdhunonin fëmijët e mitur, edhe ata që i ndërsenin e i ushqenin të tilla kafshë, edhe ata që i spiunonin njerëz si Bajrami, edhe ata që paguheshin për të vrarë, edhe ata që firmosnin urdhra të tillë, ishin të gjithë shqiptarë, si Bajrami, si unë, si ty…

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu