“Iftar politik” në Kamenicë (Dardanë), i organizuar para disa vitesh për të krijuar përshtypjen e përqindjes së madhe të myslimanëve praktikantë…! Kështu është vepruar në mbarë Kosovës, për ti dhënë fuqi propagandistike fesë islame.
Hoxhë Zekerija Idrizi, Gjermani
***
Si studjues religjioni kam ditur jo rrallë herë në jetë të kaloj dhe në pozita jashtë fetare, në pozita skajshëm skepticiste pra, si dje, ashtu edhe sot, kjo për arsye se unë ka kohë që kam dalë nga kallëpet konvencionale fetare, që i kam trashëguar aksidenalisht që në lindje nga prindër besimtarë myslimanë, madje dhe i kam konceptuar dogmatikisht qysh në fëmijëri (adoleshencë) nga familja dhe rrethi ku jam rritur dhe edukuar. Në këtë kontekst, unë jam thellësisht i ndërgjegjshëm që miliona njerëz në botë, pavarësisht në janë myslimanë, të krishterë, hebrenjë, budistë etj., lindin aksidentalisht (rastësisht) si të tillë dhe jetojnë e vdesin pa qenë të një vetëdije të lartë të të qenit pjesëtar të akëcilit religjion, madje-madje një numër i konsiderueshëm i tyre vdesin dhe në pozitat e të qenit një agnostik o ateist, o në pozitat e një injoranti mbi fenë së cilës i përket, të cilën e ndjek vetëm verbërisht, pa zotëruar teoritë dhe pa zbatuar praktikat përkatëse religjioze, ose madje që i njeh dhe zbaton ato në minimum. Falë përjashtimeve, të cilat, marrë globalisht, te të gjitha komunitetet e kulturat religjioze, janë, thënë kushtimisht, minoritare. Kur jo rrallë herë i vë në kujtesë këto fakte, pyes retorikisht:
Çfarë sensi-logjike kanë statistikat e të gjitha komuniteve e administratave fetare të të gjitha religjioneve e sekteve fetare në botë?!!! Ç’kuptim ka numri formal matematikor në përllogaritjen e atyre vlerave më sublime sakrale që s’ka si formalizohen e materializohen dot, kur ato në thelb janë shpirtërore dhe ndjenja nga më intimet në qenien e individuas njerëzore?!!!…
Ndërkaq, çdoherë kur më vete në mendje fenomeni i rastësisë të të qenit familjarisht në një fe o në një komunitet të caktuar fetar (që nga lindja), pyes retorikisht: “Sa kanë logjikë pohimet e krerëve fetarë te ne që ne shqiptarët qenkemi 97% myslimanë ?!!!
Natyrisht kjo është njëra nga gënjeshtrat më të mëdha që do kem dëgjuar në jetë!
P.S. Qindra mijëra shqiptarë “myslimanë” nuk kryejnë ritualet fetare: nuk falin 5 namazet ditore, nuk agjërojnë ramazanin, nuk japin zeqatin, nuk shkojnë në haxh etj. Në fakt, vetëm 10% prej tyre janë religjiozë, do të thotë që kryejnë ritualet fetare.