ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Mbyllja e Gjykatës Speciale dhe largimi i NATO-s, dakordim Thaçi-Rama-Grenell-Vuçiq!

Shkrime relevante

Shpërndaj

Idriz Zeqiraj
___
Zgjedhjet e parakohëshme, të 17 dhjetorit 2023, në Serbi, kanë ngjallur reagime brenda kombëtare dhe ndërkombëtare, për parregullësi dhe hajni ekstreme të votave nga pozita. Presidenti, me mandat të vazhduar, Aleksander Vuçiq, ka abuzuar me pushtetin e tij politik dhe abuziv financiar, duke shpërfillur opozitën, madje në mënyrën më cinike. Njëra nga shkeljet më të neveritshme, janë bartjet e votuesëve nga shtetet tjera, përrreth Serbisë, të llogaritura si kontigjente perspektive, për realizimin e ëndrrës fashizoide të krijimit të “botës serbe”, të huazuar nga modeli i “botës ruse”!
Në mesin e shumë lehaqenëve, brenda dhe jashtë Serbisë, në mbështetje dhe mbrojtje të presidentit Vuçiq, rrast të zgjyrosur, në përpjekje për t`i amortizuar kritikat, më saktë, akuzat bazale ndaj tij dhe klikës pushtetare që e rrethon, shquhet edhe emisari special i SHBA-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Mercenari i Serbisë, Grenell, bënë një mbrojtje specifike e konspirative, paksa të veçantë, në krahasim me të tjerët: “Fitorja bindëse e SNS-së ka kontribuar edhe në atë që presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, ka menaxhuar krizën e krijuar nga lideri ekstrem i Kosovës, Albin Kurti”,- spekullon kuadri “diplomatik” më kontravers, që ka pasur Administrata amerikane ndonjëherë.
 
Emisari Richard Grenell provon të arrijë tre objektiva:
Së pari, me pranimin e “fitorës bindëse” të partisë së Vuçiqit, SNS, mohon çfarëdo parregullësie e abuzimi në procesin zgjedhor të zgjedhjeve të 17 dhjetorit;
E dyta, lavdëron dhe madhon skajshëm Vuçiqin, se kinse ai menaxhoi mençurisht “krizën e krijuar nga lideri ekstrem i Kosovës, Albin Kurti”;
E treta, ai shfajëson dhe rehabiliton Vuçiqin, për krizën dhe bllokimin faktik të dialogut, duke ia faturuar fajësinë Kurtit!
Rrjedhimisht, sipas Grenellit, Vuçiq dëshmoi aftësi dhe epërsi, në raport me liderin “ekstremist” Kurti, “në mënyrën universale të menaxhimit të krizës”. Dhe, pikërisht, për këtë “të pavarurit dhe pensionistët në Serbi votuan Vuçiqin”,- shprehet, falsifikueshëm dhe qëllimshëm, emisari mercenar, i paguar edhe zyrtarisht nga Serbia, nën maskën e këshilltarit, por, realisht, agjent, të paktën, i dyfishtë serbo-rus, Grenell.
Kryetari i Partisë Republikane Serbe, Nikola Sanduloviç, mbronë Kurtin dhe sulmon Grenellin, duke i thënë se “ju jeni një mercenar, në anën e gabuar të historisë dhe vendit tuaj! Ju bleu krimineli i luftës, Aleksander Vuçiq, që la pas mijëra viktima të pafajshme të kombësisë shqiptare, kroate dhe boshnjake!”
Faktologjia kronologjike e Richard Grenellit, si argat i Serbisë 
***
Politika konspirative dhe dashakeqe e Grenellit, në drejtim të Kosovës, është e planifikuar dhe e hershme. Mëria e tij ndaj Kurtit është e koordinuar me Hashim Thaçin, Edvin Ramën dhe Aleksander Vuçiqin, sepse ai u bë pengesë për planet e tyre të pista, për ndarjen e Kosovës. Ndërhyrjet e Grenellit në mosdurimin e Kurtit, ishin të vrazhdëta dhe hiç diplomatike:
     1) Në takimin e Sigurisë në Mynih, në vend të kryeministrit Kurti, Grenell ftoi politikanin Hoti. Anashkalimi i qëllimshëm i Kurtit, la shije të keqe dhe ua “hapi gojën” PAN-istëve, me argatët e tyre, se “Kurti është i padëshiruar për amerikanët!”
     2) Më 2019, zgjedhjet i fitoi LVV-je dhe bëri koalicionin më të natyrshëm me LDK-në, duke i lënë komplet partitë-banda, meritueshëm, në opozitë. Grenell nuk e duroi këtë aleancë ideale dhe, në bashkëpunim me Hashimin, urdhëroi Isa Mustafën, me klanin e tij, për ta prishur koalicionin e LDK-së me LVV-në, duke i dhënë vetëm një javë afat. Turpshëm e kriminalisht, qeveria numër 1e Kurtit u rrëzua.
Ishte një ndërhyrje skandaloze, jashtë çdo norme dhe etike diplomatike. Ishte një akt i shëmtuar, skajshëm dëmprurës, jo vetëm për LDK-në, por edhe për Kosovën, sepse ishin të vetmet subjekte politike pa trashëgimi kriminale. Intrigimet e Grenellit, sollën 14 shkurtin 2021, fatal për LDK-në, të zbritur në 11 % të votave, meqë edhe Pacolli ishte hisedar në vota!
     3) Grenell organizoi takimin privat në Berlin të Vuçiq, Thaçi, e pranishme edhe Vlorë Çitaku, për të vazhduar me takimet në mes të Thaçit, përfaqësuesit serb Andrea Vuçiq, me praninë e këshilltarit të Thaçit, Bekim Çollakut dhe Vlorë Çitakut. Dihet se temë bosht ka qenë ndarja e Kosovës, për këtë Grenellit i ishin premtuar miliona euro nga Vuçiq dhe jo vetëm dekorata e lartë akorduar atij. Por, asnjëherë nuk janë dhënë më shumë shpjegime nga Vuçiq dhe Thaçi?!
     4) Prapaskenat nga marrëveshjet konspirative, të diskutuara nga Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq, pa asnjë autorizim të institucioneve shtetërore, vite me radhë dhe në veçanti përgjatë vitit 2020, tashmë, janë denoncuar nga vet Grenell. Në mes tyre është marrëveshja për mbylljen e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.
 
Ujdia Thaçi-Rama-Grenell-Vuçiq, për mbylljen e Gjykatës Speciale dhe largimin e NATO-s nga Kosova
 
“Palët kanë rënë dakord dhe ata po vijnë në Shtëpinë e Bardhë, sepse ne jemi duke i përfunduar negociatat”, – i thotë Grenell – Bruce Schwartz, i Departamentit të Drejtësisë. Ky i fundit e lajmëron prokurorin Jack Smith, i cili shpalli aktakuzën ndaj presidentit Thaçi me shokë, për krime lufte në Kosovë, pikërisht, në rrugëtim, respektivisht, në fluturim e sipër, në Washington D. C., për ta firmosur marrëveshjen e ndarjes të Kosovës.
Presidentët Thaçi dhe Vuçiq, me një guxim të tepëruar dhe unik, përveç mbylljes të Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, ishin duke negociuar edhe për largimin e trupave të NATO-s nga Kosova! Kjo është një tradhti – sui generis – e të shantazhuarit, me dosje krimesh, Hashim Thaçit.
Richard Grenell, tashmë, agjent legal serbo-rus, sulmon ambasadorin gjerman Jorn Rohde: “Jeni në anën e gabuar të historisë, po përqafoni një fashist si Kurti”. Ai i reagon ambasadorit për vizitën e sekretarës të Mbrojtjes, Siemetje Möller, në Kosovë. Ky shfrim i një urrejtje të papërmbajtshme, kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, jashtë çdo norme diplomatike, është shprehje e një rrugaçërie kulmore.
Dekorimi i ish-emisarit amerikan, Richard Grenell, me – Urdhërin e Flamurit Serb – për “shërbime të dalluara, në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe të marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së”, – flet qartë për rolin e tij, por edhe të Hashim Thaçit, në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës, deri në pazaret për ndarjen e saj!
Vuçiq e vlerëson, madje kulmërisht, Grenellin për: “objektivitet, ndershmëri intelektuale e politike dhe konsistencë!” Edhe sot e gjithë ditën, Grenell kërkon që bashkësia ndërkombëtare t`i bëjë presion Kurtit, që t`i zbatojë ato që premtoi Thaçi”, përkatësisht, dhënien komplet të veriut të Kosovës, në këmbim me marrjen e gjysmës të Preshevës, “deri buzë vijës hekurudhore”. Si dhe, të diskutohet me Serbinë edhe çështja e komplet e Mitrovicës, gjithnjë, marrë së bashku, -në këmbim të lirisë të Hashim Thaçit-!
Grenell nuk e fsheh ujdinë, dakordsimin me presidentin Vuçiq, për lirimin e Thaçit. Dhe, Serbia dëshiron ta këtë një partner si Hashim Thaçi, skajshëm, të shantazhuar, me dosjet numerike e faktike, kryesisht, vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë, gjatë dhe pas luftës. Sepse me atë dhe Grenellin Serbia po e realizonte, paqësisht, ndarjen e Kosovës.
93% është ngjyrosur me një gjyrë”, Baton Haxhiu: Demokracia ...
Batoni: “Le ta marrë Serbia Ujëmanin, ne e kemi Liqenin e Kukësit!”
*
Ishte fat i mirë për Kosovën, që Thaçi me shokë shkoi në theqafje. Por, e keqja, rreziku nuk ka kaluar ende, sepse, së fundi, Baton Haxhiu i tij tha: “Lë ta marrë Serbia Liqenin e Ujmanit, ne e kemi Liqenin e Kukësit, nga ku furnizohemi me ujë!” Dhe, batonër të tjerë janë kudo, analistë e banalistë, si Lirim Mehmetaj, Dardan Gashi, Berat Buzhala, Ismail Tasholli, Dardan Molliqaj dhe rrugaçër të tjerë të bollshëm. Në Liqenin e Kukësit, përgjatë verës, ngordhin edhe bretkocat, për mungesë të ujit.
“Kosova ka nevojë përsëri për Thaçin në krye. Dhe, unë do të bëj çmos për ta nxjerrë nga burgu. Jemi në pritje të Trump-it president dhe kjo do të ndodhë”,- deklaron, shpreson dhe beson Grenell. Po këtë pritje dhe besim e ka edhe Vuçiqi me Serbinë e tij fashizoide. Andaj po e prolongon, në pafundësi, dialogun e shpikur dhe të shpifur nga Hashim Thaçi, të proklamuar nga megallomanja Edita Tahiri, e cila, me vite mashtronte, me urdhër të padronit të saj, Thaçi, se “po bëjmë vetëm dialog teknik”, por që rezultoi tërësisht politik.
Deklarata bombë e fundit e Richard Grenellit, se “fitorja bindëse e SNS, ka kontribuar se Vuçiq, ka menaxhuar mirë krizën e krijuar nga lideri ekstremist, Albin Kurti”, është vazhdë e deklaratave serike të tij, të cilat kanë qenë dhe mbetën ogurëzeza për Kosovën tonë. Kjo deklaratë, e cila shpërndanë mjergullënajë në opinion, gjithnjë me qëllime, paraprakisht, mirë të menduara, për ta justifikuar Serbinë dhe presidentin e saj, edhe në veprimet agresive dhe banditeske, siç është ai në Banjskë të Zveçanit, duke e bartur fajësinë tek Kosova dhe kryeministri i saj, Albin Kurti. Padyshim kjo deklaratë është dëshmi e qëndrimeve pro serbe dhe të aleatëve të Serbisë. Tashmë, ka fakte bazike se Grenell është më shumë se këshilltar i presidentit serb, është agjent me peshë i Beogradit.
Kosova t`i kërkojë llogari Francës, për rekrutimin e Thaçit, në shërbim të Serbisë
Kanë kaluar katër muaj nga sulmi terrorist, me shkelje të vrazhdë të sovranitetit, në veriun e Kosovës, respektivisht, në Banjskë të komunës së Zveçanit. Dhe, megjithatë, ende nuk është ndeshkuar Serbia zyrtare, bartëse e drejtëpërdrejtë e terrozizmit në territorin e Kosovës. Përkundrazi, ndodhi e papritura, Kosova u penalizua me sanksione ndërkombëtare, me akuzat e fabrikuara të grenellëve serbë dhe të opozitës PAN-iste të Kosovës, e cila, sabah e aksham, shpif e denigron pozitën aktuale, krejt njëjtë si edhe Serbia!
Shqiptarët e Kosovës janë pykuar, padrejtësisht, para një dileme provokuese e sakatosëse. Ndërkombëtarët, si papagaj, përsërisin dy kërkesat, sa provokative, aq edhe hiç logjike, siç janë Asociacioni dhe faljen e 27 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, të cilat kurrë nuk i ka zotëruar. Për habi, Kishat e këtyre ndërkombëtarëve as oborr nuk kanë, nga porta e kishës dalin në rrugë, pronë publike. Ndërkohë, janë zemërgjerë me faljen e tokave shtetërore kishës. Shembulloj me Kishën sipër qytetit të Istogut, e rrethuar, panevojshëm dhe padrejtësisht, me disa dhjetra hektarë tokë të pashfrytëzuar, pronë publike, shtetërore.
Shqiptarët janë fisnikë. Ata kurrë nuk do të jenë të padrejtë dhe mizorë, siç kanë qenë pushtuesit serbë me ne, shqiptarët. Përndryshe, do të bëheshim si ata. Jemi gadi të pranojmë edhe një Asociacion të dytë, të minoriteteve së bashku me komunat, ku janë shumicë edhe  minoritete tjera jo serbe, madje me një monitorim të përhershëm nga ndërkombëtarët. Por, kurrë një të tillë, siç është ky i hartuar në Beograd dhe Paris.
Kosova duhet t`i kërkojë llogari Francës, pse e rekrutoi agjentin e shantazhuar, me dosje të krimeve, për llogari të saj dhe të Serbisë. Duke qenë i shantazhuar, Thaçi tradhtoi Adheun-Kosovë, nën trysninë e shefit të tij, agjentit të DGSE, Arnaud Demjean, ky i fundit, në koordinim me KFOR-in francez, pranoi boshatisjen e veriut të Kosovës nga shqiptarët. Qëllimi ishte sa i qartë, aq edhe kriminal, spastrimin e shqiptarëve etnik nga trojet e tyre stërgjyshore. Grenelli pranon qëllimet e hershme serbe: “Me presidentin Thaçi dhe Vuçiq, po realizonim ndarjen e Kosovës”!
Hashimi, më 2016, komandoi Gjykatën, për dhënien e pronës publike Manastirit!
Hashim Thaçi, në vitin 2016, komandoi Gjykatën Kushtetuese, respektivisht, zonjat gjyqtare të saj, për dhënien e 27 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit. Presidenti serb Vuçiq, e denoncoi Thaçin, duke treguar në ekranin televiziv, një fletë, me vijëzimin e Hashimit, për një rrugë alternative, drejt Plavës e Gucisë, për në detin Adriatik, e cila i lidhë tri shtete: Kosovë-Shqipëri-Malin e Zi, me devijimin e rrugës klasike ekzistuese prapa 27 hektarëve tokë, rreth Manastirit  në Deçan, duke bllokuar dhe stopuar ndërtimin e saj!
Shoqata e Historianëve, “Ali Hadri”, dega në Deçan, me kryetar historianin Dr. Shkodran Imeri, i ka bërë thirrje drejtësisë, t`i arrestojë zonjat drejtuese të Gjykatës Kushtetuese dhe t`i hetojë, pse iu bashkuan tradhtisë së Thaçit, me vendimin kriminal, për bartjen e 27 hektarëve, nga tokë shtetërore, në pronë kishtare, përkatësisht, faljen Manastirit të Deçanit?! Megjithatë, kjo nuk po ndodhë, sepse pushtetarët kanë frikë të ballafaqohen me të vërtetën, qoftë ajo edhe e hidhur. Problemet nuk zgjidhen me heshtje e retushime. Ashtu si sëmundja, që për t`u shëruar, nganjëherë, kërkon ndërhyrje me bisturi dhe jo kurime anësore.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu