Nga: Zekeria Idrizi
____
(Hyrja e këtij dorëshkrimi)
___
Isha adoleshent, në moshën shtatë vjeçare, kur në klasë, në orën e mësimit të lëndës gjuhë shqipe, mësuesi kujdestar z. Sherif Toska na dha për detyrë të vizatonim diçka lirshëm në saje të imagjinatave tona. Për çudi, unë ia nisa ta vizatoj portretin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kur më vuri re mësuesi ç’po bëja në letër të bardhë, i mahnitur tejmase ma mori letrën dhe u drejtua nga nxënësit duke brohoritur zëshëm: “Ky është një nga portretet më të mrekullueshme që kam parë në jetë! Zekerijau, në këtë moshë të njomë e të bëjë një vizatim të këtillë, kjo vërtet është një mrekulli!”
Më pastaj, ai doli vrik nga klasa dhe i thirri aty mësuesit e mësueset tjetra për të shikuar portretin tim. Të gjithë më uruan përzemërsisht!
Dorën në zemër, qysh nga mosha katër vjeçare babai im, Zeneli, më mësonte privatisht në shtëpi të vizatoja me ndihmën e kokrrave të qibritit. Më kujtohet si sot, ai i thyente ato pjesë-pjesë dhe vizatonim bashkë kafshët shtëpiake. Mandej vazhdova të ushtroj vizatimin me vëllain tim më të madh, Sabedinin. Ai ishte një mjeshtër i artit figurativ. Gjithandej mureve të dhomës ku ai pushonte e flinte ishin vizatimet e tij portrete. Ai kryesisht e vizatonte Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe flamurin kuq e zi me shkabën dykrenore. Vizatimet e tij ishin të mrekullueshme. Në shkollë ai e kishte notën pesëshe në lëndën e artit figurativ. Njësoj po këtë notë e kisha edhe unë në lëndën përkatëse.
Përveç portretit të Skënderbeut, unë e vizatoja kryesisht njē plak shqiptar me plis të bardhë në kokë dhe me tirqi tradicionale shqiptare në një peisazh fshati, duke marrë shtamën me ujë nga e mbesa e tij. Pasi mbaroja së vizatuari, kjo pamje më mrekullonte. I mrekullonte edhe familjarët, nxënësit dhe mësuesit.
Thënë të drejtën, unë u rrita dhe u edukova në një familje me taban të shëndoshë kombëtar. Atëbotë, vëllai Sabedini ishte valltar në Shoqatën Kulturo-artistike Emin Duraku, kurse i vëllai tjetër, Fadili, dhe djali i xhaxhait, Nejaziu, ishin valltarë në Shoqatën kombëtare Ibe Palikuqi. Kështu që në shtëpinë tonë vinin për vizitë rëndomë plot valltarë e valltare nga këto shoqata, si dhe shumë solistë e rapsodë të muzikës shqipe. Nga bisedat dhe kuvendimet e tyre unë kam përfituar shumë. Më mbushej truri dhe shpirti me mësime nga historia jonë kombëtare, si dhe me mësime nga muzika, vallet dhe folklori ynë kombëtar.
Rrjedhimisht, unë fillova të vallëzoj nëpër dasma dhe në shkollat Ismail Qemali dhe Imri Elezi në raste kremtash shtetërore dhe për festat e ndërrimit të motmoteve. Nga mosha ime shtatë vjeçare vallet m’i mësuan Sabedini dhe Fadili.
Më pastaj arsimin dhe edukimin e mirëfilltë kombëtare e mora në shkollë nga mësuesit dhe arsimtarët: Sherif Toska, Sevdije Elezi, Kadri Lamallari, Shadije Shasivari dhe Ismail Ismaili në lëndën gjuhë dhe letërsi shqipe.
Në shkollën fillore veçmë vizatimet e mia ngjiteshin në ankandin e shkollës, të shpallura nga kolegjiumi arsimorë si vizatimet më të mira në shkollë. Në mesin e tyre dominonte portreti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe flamuri ynë kombëtar.
Përveç babait dhe vëllezërve të mi, dashurinë më të madhe për kombin dhe atdheun tonë ma dhanë familja Curri me origjinë nga fshati Dërmjak i Hanit të Elezit. Ata, që të gjithë vëllezërit, Nejaziu, Nehati dhe Naseri, kishin arsimimin sipërorë dhe vetëdije e ndërgjegje të lartë patriotike. Ata, në fakt, rridhnin nga një familje me histori në traditën e muzikës dhe të folklorit kombëtar. Mes tyre kryesonte babai i tyre, axha Nevzat, i cili kishte një formim të lartë kombëtar. Pikërisht për aktivitetet e tij patriotike ai u suspendua nga puna, i kualifikuar atëbotë nga regjimi totalitar e nacionalist sllavo-maqedonas si shovenist e separatist shqiptar. Ka mbi katër dekada që ne jemi në një miqësi të thellë familjare.
Mandej, më vonë, në fazat e mësimit dhe studimeve të mia në Shkollën e Mesme Islame Medreseja Isa Beu dhe në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë, unë vazhdimisht kam mbajtur në mendje e zemër dashurinë ndaj kombit e atdheut, në përgjithësi, dhe ndaj Kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Mësimet fetare askurrherë nuk më kanë lëkundër në rrugën e idealit tim madhor kombëtar. Kjo thjeshtë për arsye se vet vullneti i Perëndisë ka qenë që unë të jem shqiptar, të flas në gjuhën e ëmbël shqipe dhe të rroj në trojet iliro-dardano-arbërore.
Për personalitetin e Skënderbeut më ka folur shumë edhe babai im, meqë ai kishte ndejtur shumë në kuvendime me patriotët e shquar të Kaçanikut legjendar: me kryetarin Sali Bajra, me drejtorin e gjimnazit “Skënderbeu” Bedri Kyqyku dhe profesorin Latif Nallbani. Ata i kishin folur shumë babait tim për jetën dhe veprimtarinë kolosale të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Edhe sot jo rrallë herë e vizatoj me ëndje portretin e Kryelegjendarit kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe rilexoj shumë herë historinë dhe vlerat shumëdimensionale të personalitetin e tij gjigant.
Të kesh damarë dhe gjakë kastriotik është kryeideali më madhor kombëtar i një shqiptari të ndërgjegjshëm.
Për jetën dhe veprën e Kastriotit, Skënderbeut, kam lexuar shumë libra qysh si gjimnazist, por më së shumti jam ndalur në lexim të librit “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, të cilën e botoi italisht në Romë historiani Marina Barleti rreth viteve 1508-1510. Kjo vepër njohu shumë ribotime në gjuhë e në vende të ndryshme të Evropës; librin “Komentar për punët e turqve dhe të zotit Gjergj Skënderbe, princ i Epirit”, i autorit Dhimitër Frangu, librin “Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve”, shkruar në italisht më 1510 nga bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon Muzaka, si dhe librin “Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit) –
Mbretit të Shqipërisë (1412-1468)”, shkruar nga Fan S. Noli, në Boston, në vitin 1921, librin “Skënderbeu” (1975) nga Sabri Godo, si dhe librin “Skënderbeui vërtetë” nga Fatos Daci (botuar në vitin 2009).
Kryeheroi ynë kombëtar shqiptar kishte këto cilësi: qëndresën, çiltërinë, durimin, zgjuarsinë, vendosmërinë, besnikërinë, fisnikërinë, gatishmërinë dhe përvojën e rryer ushtarake.
Kombi ynë sot, në kapërcyell të shekullit XXI ka nevojë për shumë heronjë skënderbegianë, të cilët do të përparonin atë dhe do t’i realizonin idealet madhore kombëtare me durimin, vendosmërinë, largpamësinë, pikëpamjet e drejta, besnikërinë dhe strategjinë cilësore politiko-diplomatike dhe luftarake.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu mbetet për jetë të jetëve personaliteti më përbashkues, më unifikues i të gjitha fiseve, regjioneve, partive, feve e dialekteve të mbarë shqiptarisë.
Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një ndër strategët më të shquar të luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte hordhitë barbare të ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e asaj kohe. Kështu, për 25 vjet me radhë, Gjergj Kastrioti e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët dhe vendlindjen nga sundimi i huaj.
Gjergj Kastrioti jo vetëm që mbrojti dhe shpëtoi popullin e vendlindjen, po me luftën e tij e pengoi, madje e ndaloi edhe ekspansionin osman drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e shteteve evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes.
Pastaj, duhet përmendur se, me Kuvendin e Lezhës, Gjergj Kastrioti vuri edhe themelet e një Shteti Arbër të organizuar – as para tij, as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit.
Pra, në qiellin shqiptar emri i Gjergj Kastriotit ka qenë dhe është një yll polar për gjithë brezat pasardhës, burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve, për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin, vlerat dhe për t’i hapur rrugën e përparimit të mirëfilltë. Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, atdhedashurisë, harmonisë e demokracisë.
Heronjtë janë majat më të larta të kombeve, te të cilët drejtohen sytë e popujve. Prandaj dhe thuhet: “Më trego heronjtë e një kombi e të të tregoj se me ç’komb ke punë”.
Të gjitha kombet e botës kanë heronjtë e tyre.
Heroi i anglezëve është Shën Gjergji, i zviceranëve Vilhelm Teli, i anglezëve Robin Hudi, i hungarezëve Janosh Huniadi, i francezëve Napoleon Bonaparti, i gjermanëve Otto Von Bismarc etj. Madje-madje, ka kombe që kanë krijuar edhe mitet e tyre fiktive, duke i valorizuar dhe glorifikuar skajshëm. Veçanërisht sllavët. Ata edhe nga balta i kanë ngritur e gjallëruar heronjtë e tyre.
Ndër të tjerash, idenë për të shkruar këtë libër ma kanë nxitur edhe fyerjet dhe përbaltjet që ia bëjnë figurës së Skënderbeut fundamentalistët pseudo-myslimanë shqipfolës dhe ca historianë në Shqipëri dhe në botë, të cilët mëtojnë joshkencërisht të demitizojnë dhe të komprometojnë atë me kuazi-fakte historike ….
Idealin madhor kombëtar dhe dashurinë ndaj personalitetit të Skënderbeut ua përcjelli me dinjitet edhe fëmijëve të mi. Për këtë ideal edhe shkruaj e publikoj rregullisht shkrime të ndryshme.
I motivuar pikërisht nga ky ideal dhe nga dashuria e prushtë që kam ndaj Kryezotit të Arbërisë unë jam duke e dorëshkruar librin tim të ardhshëm me titull “Letër Kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”.
Shpresoj që ky dorëshkrim do t’ju lëjë mbresa të thella lexuesve shqiptarë dhe kritikës sonë letrare!
Në vijim do t’ju sjelli për lexim një poezi të rilindasit famëmadh Naim Frashëri për Skënderbeun:
Kush nuk e di Skënderbenë,
që nderojti
mëmëdhenë?…
Dhe sot nga armët e tija
Kullon fjeshtë trimërija!
E di njerëzi e tërë
Atë Zot ç’punë ka bërë:
‘Kur hiq Skënderbeu
Shpatë
Trimave u jepte datë!
Burra të veshur në hekur,
Dhe luftëtarë të pjekur,
Q’ishin në luftë kaluar
Përmbi kuaj’ të harbuar,
Kur hiq me kordhët të prehtë
Q’ishte si pendëz’ elehtë,
Porsi pjepërin e priste,
Në vdekje pa ndjer i klliste,
Njerin’ e kalin e çante,
Të dy më katër i ndante!
Mirësin’ e trimërinë,
Me mendjen e urtësinë
T’ati Zoti njeri kurrë
S’e ka pasur nonjë burrë.
Vet’ aty burr’ e trim ishte,
Edhe shokëtë që kishte:
Si Tanushi me Uranë,
E Mojsiu me Hamzanë
Si Maneshi e Muzaka,
Që hidheshin posi flaka,
E si Lekë Dukagjini,
Si Perlati e Mardini
Zenebisha, Araniti.
Gjon-Koka, q’ish si hastriti,
Kont, prens, mbretër e të tjerë,
Burra të vler e të ndjerë,
Qenë trima të vërtetë,
Nuk u bënë rop në jetë,
Opopo, ç’kanë lëftuar,
E ç’punë kanë punuar!
Sa mbretër e prensë qenë
Njohnë të madh Skënderbenë,
Zun’ udhën e urtësisë,
Ishin larg marrëzisë…
Madhëritë nuk i donin,
Po kishin vëllazërinë,
S’e qasninë djallëzinë,
Pa lan’ emërë për jetë.
Zotërinjtë e vërtetë…
S’kishin ata thash`e theme
Të këqija e të rreme,
Donin gjithë mëmëdhenë
Dhe kombin e Skënderbenë.
___
Autor: Zekerija Idrizi: Pjesë nga dorëshkrimi im “LETËR KRYEHEROIT GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU”
Berlin/Shkup