ARKIVI:
20 Nëntor 2024

Kryeministri Kurti:Të ecim përpara, me disponimin dhe optimizmin e muajit janar 2024

Shkrime relevante

Historia dhe mesazhi tradicional i presidentëve dje dhe sot për gjendjen aktuale në SHBA dhe Presidenti TRUMP

Klajd Kapinova, New York Gjendja e Unionit (ndonjëherë përdoret në mënyrë të...

Mickoski: Gjuha shqipe nuk po rrezikohet, nuk i pengon askujt

G.K/RTKlive “Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, as në Maqedoni, askush nuk...

52 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Nga: Edlira Ruzi 20/11/2024 TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Më 20 nëntor 1972, u mbajt...

210 vjet nga lindja e Jeronim de Radës, ideologut arbëresh të Rilindjes Kombëtare

Nga: Edlira Ruzi TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Më 19 nëntor të vitit 1814...

Intervistë e Lis Bukurocës dhënë gazetares Rudina Xhunga (Video)

Erdha në Shqipëri të bëj dhëmbët dhe zbulova sekretin e madh!...

Shpërndaj

Prishtinë, 10 janar 2024 

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, 

Mirë se po takohemi në mbledhjen e parë të rregullt për vitin 2024. Një vit i ri ky për nga kalendari, por edhe me shumë punë, të cilat na presin përpara. 

Derisa angazhohemi çdo ditë, që masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës t’ju vjen fundi, jemi shumë të lumtur që në këtë fillimvit i erdhi fundi masës më të padrejtë e më të gjatë që Bashkimi Evropian praktikisht kishte mbi qytetarët e Republikës sonë, regjimin e vizave.

Kemi qenë shteti i fundit dhe i vetëm në Ballkan e Evropë, që nuk ka mundur të lëvizë lirshëm përtej shteteve fqinje. Ai regjim, përkundër urimeve e festave, premtimeve e kompromiseve, megjithatë i përshkoi të gjitha qeveritë pararendëse. Përfundimit të kësaj epoke duhet t’i gëzohemi që të gjithë. Fitoret, sukseset dhe arritjet e këtij muaji, së pari janë të shtetit të Kosovës, nga të cilat përfitojnë qytetarët e vendit tonë para se gjithash e mbi të gjitha, e që në fakt, njëkohësisht, janë edhe më meritorët. 

Andaj, le të ecim përpara, me disponimin dhe optimizmin e muajit janar, me angazhimin e vendosmërinë e këtyre tri viteve të qeverisjes sonë të mirë e demokratike dhe në të njëjtën kohë këtë le ta bëjmë natyrisht, drejt rezultateve të reja dhe arritjeve të radhës. 

Megjithatë, përkundër ndryshimeve pozitive e progresiste për vendin tonë, edhe ky vit po na e trashëgon një fqinj të vjetër, i cili po përkeqësohet.

Javën e kaluar dy qytetarë të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Dakaj u ndaluan dhe u arrestuan në kufi me Serbinë. Hasan Dakaj edhe sot vazhdon të mbahet atje padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare. Kjo nuk është hera e parë dhe as nuk paraqet një rast të izoluar. Kjo është sjellje e qëllimshme dashakeqe e Serbisë, që bie ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Serbia vazhdon të mbajë në paraburgim edhe një qytetarë tjetër të Republikës së Kosovës, Nezir Mehmetaj. I mbajtur nga autoritetet serbe për gjoja kryerjen e krimeve kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Nezir Mehmetaj ka qëndruar me muaj të tërë në paraburgim pa aktakuzë, në kundërshtim edhe me vet ligjet e Serbisë, të gjetura këto që i ka theksuar edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi.

Petrit Dula kishte vuajtur burgimin bazuar në vendimin e gjykatës së shkallës së parë në Beograd, përkundër që dëshmitari në rastin e tij ka mohuar që Dula është autori i veprës, edhe kur është marrë në pyetje nga autoritetet në Podgoricë në vitin 2011. 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në dritë të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe në dritë të rrugës së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona, kishte kërkuar transferimin e Petrit Dulës dhe Neziraj Mehmetajt nga autoritet e Serbisë. Përgjigje nuk kemi pranuar kurrë, vetëm lajme për vazhdim të procesit gjyqësor kundër dy shtetasve tanë. 

Të dashur qytetarë, 

Me datën 27 shkurt 2023, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, deklaroi që Marrëveshja bazike ndërmjet dy palëve, Kosovës dhe Serbisë ishte arritur. Kjo Marrëveshje udhëzohet nga parimet e mbrojtura me Konventën e Kombeve të Bashkuara, në veçanti ato të respektimit të pavarësisë dhe integritetit territorial, të të drejtës për vetëvendosje, mbrojtjes dhe të drejtave të njeriut dhe mos diskriminimit. E posaçërisht, në nenin 1 të Marrëveshjes, pra qysh në fillim të saj, theksohet që palët, domethënë Kosova dhe Serbia, do zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me njëra-tjetrën, bazuar në të drejta të barabarta. 

Serbia, megjithëkëtë, zgjedh pothuajse çdo gjë mbi zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me neve. Ajo, në të vërtetë, e zgjedh të sulmojë Kosovën, ashtu siç ka bërë me datën 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, e pastaj të mbrojë nga burgimi kryerësit e kësaj vepre terroriste, në krye me Millan Radojçiqin. 

Serbia nuk është rrezik siç shihet e dihet vetëm për qytetarët tanë, sigurinë tonë, stabilitetin rajonal në Ballkan. Ajo së fundmi ka dëshmuar se paraqet rrezik edhe për qytetarët e saj, sidomos ndaj atyre që kanë guximin të pranojnë se përmes kërkim faljes për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, ndërtojnë bazë të zhvillimit të marrëdhënieve të mira paqësore e të pajtimit. Kështu është rasti me liderin opozitar serb, Nikolla Sandulloviq, Kryetar i Partisë Republikane atje, për të cilin krahas torturave fizike ndaj tij, shteti serb zgjedh të ngritë aktakuzë për nxitje të urrejtjes kombëtare, sepse ai u përkul para varrit të 7-vjeçares Blerina Jashari, e vrarë nga forcat serbe në Prekaz, në marsin e vitit 1998. 

Trajtimi i Nikolla Sandulloviq nga Agjencioni i Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë flet për mendësinë të cilën fqinji ynë e kultivon brenda vetes. Mënyrat, sjelljet dhe veprimet anti-demokratike pasqyrojnë realitetin e hidhur atje, vendin ku nuk njihet fjala e lirë, nuk vlejnë konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, e ku me frikë dhe dhunë tentohet të mposhtet opozitarizmi dhe çdo zë që i kundërvihet pushtetit autokratik të Aleksandër Vuçiqit. Serbia është vendi ku Millan Radojçiq, përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë, në vend se të përgjigjet para autoriteteve të rendit, merr pjesë në rrahjen brutale të Nikolla Sandulloviq. 

E përcjellë në dritën e shkeljeve të të drejtave të njeriut e çdo zëri opozitar e paqësor, Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit nga frikësimi e deri te torturimi çnjerëzor i kundërshtarëve politikë, në drejtim të kundërt me obligimet në kuadër të Marrëveshjes bazike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, ata gjithnjë e më larg vlerave të Bashkimit Evropian dhe të integrimit evropian e euroatlantik, të cilin edhe në teori e pretendojnë gjithnjë e më pak.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu