Parathënje
Ky është fillimi i shpalosjes së aktiviteteve të mërgatës sonë. I pari për faktin se duhen edhe shumë libra të tjerë për të shpalosur aktivitetin prej tre dekadave në emigrim. Librimi im i parë monografik për aktivitetet e mërgatës sonë e pëfshinë periudhën dhjetvjeçare nga viti 1997 e deri në vitin 2007.
Në brendinë e librit të parë monografik do të mësoni për ngjarjet dhe aktivitetet e mërgatës nëpër të cilat kam qenë pjesëmarrës dhe akter i tyre. Të gjitha që i lexoni janë ngjarje të vërteta të bazuara në fakte dhe argumente, disa prej të cilave i kam dëshmuar me foto të kohës. Mirëpo, përveq fotografive në arkivin tim janë video dhe audio-inçizimet që i vërtetojnë në plotni të gjitha ngjarjet të cilat i kam përfshirë në këtë monografi të shkurtër.
Qëllimi i kësaj monografie është shpalosja e ngjarjeve gjatë periudhës së luftës çlirimtare, të periudhës më të vështirë, por edhe më krenare nëpër të cilën ka kaluar popullata jonë në Kosovë dhe ne mërgimtarët në shtetet evroperëndimore në veçanti.
Vetë titulli i këtij libri “Shpresë dhe Nostalgji” flet shumë për gjendjen emocionale nëpër të cilën kaluam ne mërgimtarët gjatë periudhës së luftës së lavdishme çlirimtare. Zemra e jonë çdo ditë qante për vendlindjen dhe familjarët që i kishim në flakët e luftës!
Zemra e ne mërgimtarëve çdo ditë qanë për vendlindjen që e kemi lënë, ku bashkë me vendlidnjen i kemi lënë familjet dhe kujtimet më të bukura të fëmijërisë dhe rritës sonë. I kemi lënë miqt dhe shoqërinë.
Me trup në dhe të huaj, me mendje në vendlindje!
Gjatë periudhës së luftës çlirimtare, në vendin e punës, vetëm kur e godisja me kokë ndonjë trup të fortë zgjohesha shpejtë nga meditimi për vendlindjen, familjen miqt dhe shoqërinë.
Vetëm ata që e kanë provuar, të tjerët nuk e kuptojnë dot këtë ndjenjë të thellë shpirtërore të mërgimtarëve.
Ndjenja e brendshme shpirtërore është reflektim i shpirtit të njeriut. Nuk janë fjalët ato që e tregojnë shpirtin e njeriut, por është ndjenja e brendshme shpirtërore e cila shpërthen nga jashtë me emocione të papërshkruara me fjalë. Kur qan zemra e mërgimtarit shterret edhe oqeani!
Megjithatë, krahas nostalgjisë për vendlindjen dhe thyerjeve shpirtërore që përjetonim nga abuzimet e njerëzve të papërgjegjshëm, jetonim me shpresën e madhe për një të nesërme më të mirë.
Nuk ishte aspak e lehtë për neve që na duhej të punonim çdo ditë pandërprerë në vendet e punës, përderisa nuk e dinim me javë e muaj të tërë për fatin e familjeve tona në flakët e luftës.
Përkundër kësaj sikuate asnjëherë nuk jemi ndaluar së vepruari për të mirën e vendit dhe bashkatdhetarëve.
Gjatë përshkrimit të ngjarjeve të kësaj monografie, në të gjitha aspektet pozitive i kam permendur me emra dhe mbiemra bashkëpunëtorët, kurse në të gjitha ngjarjet negative i kam kursyer në emra ish kolegët dhe bashkëpunëtorët e deridjeshëm, të cilët për përfitime personale kanë devijuar në forma të ndryshme.
Veprimet e tyre i kam trajtuar vetëm si ngjarje negative, pasi nuk kam dashur që ky libër i imi të bëhet objekt i prokurorive dhe gjykatave, por të mbetet një faqe besnike e historisë sonë të lavdishme kombëtare.
Sikurse që “nuk ka mal pa derra, nuk ka as grurë pa egjër” (popullore).
Mospërfshirja edhe e aspekteve negative gjatë ecjes dhe rrugëtimit tonë të përbashkët do ta bënte të mangët rrëfimin e disa ngjarjeve dhe nxjerrjen në shesh të së vërtetës dhe aspekteve pozitive. Sikurse dita pa natën që nuk e ka kuptimin e saj, ashtu edhe drita shndrit më bukur kur e mund errësirën.
Sikurse e kam cekur në fillim, por përserisë, ky është vetëm fillimi i shpalosjes së aktiviteteve të mërgatës sonë. Do të jenë edhe disa vëllime monografike të periudhave të më vonshme, një përbledhje publicistike nga të gjitha aktivitetet e mërgatës për të cilat kam shkruar në të përditshmet në gjuhën shqipe dhe ato italiane, një tregim i veçantë i cili do ta ketë trajtën e një romani, një përmbledhje e 51 tregimeve “Shoqni dhe Pabesi” dhe për fund embëlsira e rrëfimeve nga dita e parë në emigrim e deri pensionim.
Autori: Florim Zeqa