ARKIVI:
27 Nëntor 2024

Nuk mund të kini “Ditë të Alfabetit”, si festë Kombëtare, pa At Gjergj Fishtën!

Shkrime relevante

A po u mbesim borxh nismave për kthim në origjinën fetare të kombit

Nga: Ragim Kçiku ___ NISMAT PËR KTHIM NË ORIGJINË ___ A u kemi mbetur borxh...

Një trashëgimi e përbashkët dhe rruga e kombit Shqiptar përmes Heroit të Kombit, Profetit Gjergj Kastriotit – Skënderbeu

Nga: Luan  Dibrani Besimi Abrahamik është një trashëgimi e përbashkët për të...

Kryetari Konjufca priti në takim homologun e Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashin

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar...

Presidentja Vjosa Osmani: Gjatë qëndrimit në Halifax, Kanada, takova shumë shqiptarë që janë rrëfime suksesi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Halifax,...

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli     

“Padrejtësi të hipokrizisë njerëzore”, do ta quante vet Fishta.

/Telegraf.al/ Qeveria e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Z. Igli Hasani, njoftoi vendimin se: “Data 22 nëntor, e cila shënjon “Ditën e Alfabetit” do të shpallet festë kombëtare, duke shtuar se Këshilli i Ministrave do t’i propozojë Parlamentit të Shqipërisë, shtimin e ‘Ditës së Alfabetit’, si një nga festat kombëtare të Shqipërisë”. Ministri Hasani: ‘Dita e Alfabetit’, festë kombëtare e Shqipërisë – Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme (punetejashtme.gov.al)

Në njoftimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme theksohet se Ministri Hasani shtoi se, “22 nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, teksa nënvizoi se gjuha shqipe është ajo që i bashkon vërtetë shqiptarët kudo ndodhen nëpër botë”, por pa përmendur asnjë nga pjesëmarrësit në atë Kongres. Por, ky “moment i madh unfikues i shqiptarëve” nuk ndodhi vetvetiu, por kishte protagonistët kryesorë, organizatorë të Kongresit të Alfabetit shqip, këtij “unifikuesi të madh” të shqiptarëve, figura kombëtare si At Gjergj Fishta. Ishin ata që mundësuan këtë ngjarje historike dhe është merita e tyre dhe jo e burokratëve të sotëm.

Fishtën, për 50-vjet regjimi komunist i Enver Hoxhës, e ka përjashtuar dhe ai vazhdon të përjashtohet edhe sot nga nostalgjikët e atij regjimi, si “tradhëtar i kombit”, “fashist”, e të tjera epitete fyese ndaj figurave të Kombit shqiptar, siç është At Gjergj Fishta. Por, Fishta ndonëse ishte pjesëmarrësi më kryesor, që vërtetë luajti rolin unifikues me atë rast. Përveç tij, atje morën pjesë edhe disa nga përfaqsuesit më të denjë të Kombit në atë kohë, Mit’hat Frashëri, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci e Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi e Shahin bej Kolonja, Petro Nini Luarasi, Thoma Abrami, Sotir Peci, Bajo Topulli e përfaqsues të familjes Qiriazi, ndër të tjerë – një përfaqësi mbarë kombëtare, unifikuese, ndryshe nga klasa e sotme politike;pa dallim ideologjie, feje a krahine.

Diçka që komunistët shqiptarë e luftuan për një gjysëm shekulli dhe diçka që burokratët modernë të Shqipërisë “post-komuniste” e zbuluan tepër vonë, ishte se At Gjergj Fishta ka qenë ai që promovoi Alfabetin që kanë sot shqiptarët – si një forcim të unitetit kombëtar, gjë që më në fund u miratua nga pjesmarrësit e tjerë në atë Kongres.

Albanologu italian Fulvio Cordignano ka shkruar në ‘Epopeja Komtare’, Shkodër, 1925, se “Mënyra me të cilën Fishta u del zot ideve të veta, që janë ide lirie, mbrojtje për tagre të veta, mësimit kombëtar në mbështetje të gjuhës kombëtare, bashkimit të zemrave për qëllime e në veprim për të përtëri popullin shqyptar: ashtë nji mënyrë luftarake, nga nji herë e përcjellme prej nji fuqie të pafrigueshme. Ai këndon në mes të poterës së stuhisë ballkanike, në mes të ngatrresave të fuqive të mëdha, që me një politikë plot dredhi ja mohojnë tagret popujve të vegjël; këndon ndërsa i kërcënohet Shqypnisë përmbrenda, ndasia e partive, interesat e veçanta, pabesia, korrupsioni e tradhti politike gjithfarësh”.

Nuk di nëse e vuri kush re, por në njoftimin e qeverisë shqiptare për të caktuar 22 Nëntorin  “Ditën e Alfabetit” festë kombëtare, nuk përmendet asnjë emër i përveçëm si At Gjergj Fishta, por as edhe ndonjë nga pjesmarrësit e tjerë, por as si grup, që meriton të përmendej, si protagonistët e kësaj arritjeje historike. Kështu që kam drojë se Tirana zyrtare (politike dhe akademike) e këtyre tre dekadave “post-komunizëm”, siç e quajnë ata, janë ende në siklet me disa emra që morën pjesë në Kongresin e Manastirit, që prodhoi Alfabetin e sotëm të gjuhës shqipe; monumentin më unifikues të shqiptarëve, emra si Gjergj Fishta. Sidomos, me emrin e At Gjergj Fishtës, i cili ka luajtur rolin kryesor në Kongresin e Manastirit dhe në miratimin e Alfabetit të gjuhës shqipe që përdoret sot anë e mbanë trojeve shqiptare. Por që ende, sot e kësaj dite, megjithëse, privatisht, veprat e tija botohen dhe lexohen kudo që ka shqiptarë, At Gjergj Fishta, zyrtarisht, është gjithnjë i përjashtuar. Epitete fyese nga regjimi komunist kundër tij ende janë zyrtare. Për më tepër, protagonistit kryesor të Alfabetit të gjuhës shqipe, bashkvëllëzërit shqiptarë të frymëzuar nga sllavo-komunistët aziatikë, jo vetëm që i dogjën veprat dhe zhdukën emrin e tij nga gjuha, letërsia dhe historiografia shqiptare, për një gjysëm shekulli, madje edhe eshtrat e tij ia hodhën në lumin Drin, ndërsa varri nuk i dihet. Ndërkohë që për dekada të periudhës “post-komuniste” e deri tani, bashkvëllëzërit e tij nuk ia kushtuan asnjë muze sado të vogël, Poetit të Kombit dhe kryearkitektit të Alfabetit të gjuhës shqipe, këtij projekti unifikues mbarë kombëtar. Sot me të drejtë, qeveria shqiptare, nëpërmjet njoftimit të saj pranon se ky dokument përbën momentin më unifikues kombëtar dhe që dita e miratimit të tij duhet të shënohet si një “festë kombëtare”, por pa përmendur meritat e Fishtës dhe të asnjë tjetër pjesëmarrësi, të cilët së bashku, kanë bërë të mundur këtë arritje unifikuese kombëtare historike fillim shekullin e kaluar, për të gjithë shqiptarët pa dallim. Kjo është një arritje historike e atyre burrave të Kombit dhe e askujt tjetër. Kjo është një histori prej më shumë se një shekulli dhe merita doni ose nuk doni t’i përmendni emrat, u mbetet atyre dhe askujt tjetër.

Një akt me vend nga qeveria, megjithëse tepër i vonuar dhe i ndërmarrë me gjysëm zemër; një vendim që më duket se po merret më shumë si rrjedhim i rrethanave aktuale politike, ose si një kockë që i hidhet diasporës, sesa vërtetë, merret për meritat e këtyre burrave të Kombit përfshirë At Gjergj Fishtën, të cilët më shumë se një shekull më parë, si apostuj të mëdhenj të shqiptarisë, iu përgjigjën thirrjes së Atdheut për t’i ardhur në ndihmë dhe në mbrojtje, gjatë një periudhe tepër kritike për ekzistencën, jo vetëm të alfabetit dhe gjuhës shqipe, por edhe mbrojtjes së identitetit dhe ekzistencës së shtetit shqiptar. Është e vështirë të merret me mend se si miratimi i Aktit të Alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit, 1908, sot cilësohet me të drejtë si një “akt unifikues mbarëkombëtar”, ndërsa burrat më të dalluar të Kombit, që mundësuan një gjë të tillë – Shqipëria “demokratike”- i konsideron ata ende si, “armiq të Atdheut”, “fashistë” e ‘’tradhëtarë”…përfshirë At Gjergj Fishtën!?

Siç duket,  At Gjergj Fishta  ka mbetur edhe jasht derës së shtëpisë së tij – i huaj edhe në shtëpinë e vet.

Deri kur? Ishte fati i Kombit që At Gjergj Fishta jetoi dhe veproi gjatë një periudhe jashtëzakonisht kritike për ekzistencën e shtetit shqiptar, gjuhës dhe kulturës kombëtare. Ai iu përgjigj thirrjeve të Atdheut, kudo e kurdoherë i kërkohej t’i shërbente të mirës dhe dobisë së Shqipërisë. I ndjeri Profesor Namik Resuli i universitetit të Napolit, e ka thënë më së miri, në një fjalim në Romë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Fishtës se: “Kontributi i çmueshëm që ka dhënë Fishta në lëmin e letrave dhe në edukimin e Kombit, në ruajtjen e kulturës dhe në naltësimin e gjuhës, vërtetojnë njëherë e përgjithmonë se Shqipnija pa Fishtën kishte për të qenë e mangët; ashtu si letrat tona pa pendën fishtjane kishin për të paraqit nji golle (boshllëk) të paplotësueshme. Këndej del e qartë se vetëm mënija e vneri ndaj zhgunit e ndaj meshtarit katolik, terratisin mendjet dhe ia mohojnë Fishtës vlerën e vendin që ai xen në panteonin e Kombit”.

“Populli shqyptar flet nji gjuhë krejt të veten… prandej s’ka si të mohohet se të gjith njata që flasin shqyp janë kombsijet shqyptare; e se për ketë arsye shteti shqyptar do të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshinë gjuha shqype”. (At Gjergj Fishta)

Në përmbyllje, unë e përshëndes vendimin e qeverisë shqiptare për të caktuar 22 Nëntorin si Ditën Kombëtare të Alfabetit, si një monument unifikues për të gjithë shqiptarët me gjithëse është një vendim i vonuar e gjysmak. Por edhe njëherë, të nderuar burokratë ideologjikë, politikë dhe nostalgjikë të komunizmit – merreni, silleni dhe pshtilleni si të doni – se më në fund, nuk mund të kini një “Ditë të Alfabetit”, si festë kombëtare pa At Gjergj Fishtën! Do të ishte një, “padrejtësi e hipokrizisë njerëzore”, do ta quante vet Fishta, i cili, ashtu si shqiptarët gjatë shekujve edhe në amshim vazhdon t’i “bëjë ball me fuqi kurrë të përkulme të shpirtit të vet bujar e thellimeve të kavaljeteve e padrejtësive të hipokrizisë njerëzore”, që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite në Atdheun e tij, kundër Poetit të Kombit.

 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu