Ervina Toptani, shkrimtare
___
Fëmijët kishin filluar të rriten tashmë dhe i kishin kuptuar problemet që sa vinin e shtoheshin në marrëdhëniet e tyre familjare për shkak të bashkëshortit të motrës së madhe. Fëmijët e tij keqtrajtoheshin e shpesh liheshin pa ngrënë sa kohë që nuk do të bindeshin se tezja e tyre, pra gjyshja ime, ishte armiku i klasës e cila së bashku me gjyshëri, që këta fëmijë i rritën, duheshin luftuar pa mëshirë, siç i mësonte partia.
Adir D, djali i motrës së madhe e gjeti mënyrën për të vënë paqe ndërmjet tij dhe babait. U bashkua me të në luftën që partia i kishte shpallur armiqve të saj dhe u bë biri i denjë i partisë. Adiri, nuk shkoi më në shkollë. Në moshën 16 vjeçare kuptoi se i mençur është ai që di si të pasurohet pa punuar.
Ai fillojë të vjedhë, e nisi me sende të vogla nëpër oborret e shtëpijave përdhese tiranase e më pas filloi të vjedhë e të ç’montojë biçikletat të cilat i shiste me pjesë për të mos u kuptuar kujt i përkisnin. Paratë që fitonte, një pjesë ia jepte babait të tij e një pjesë i mbante vetë për të rekrutuar djem të tjerë të mitur që do e ndihmonin në “biznesin” e tij të ri. Nëna dhe motra e tij nuk do të pranonin kurrsesi këtë lloj rruge që kishte nisur djali i shtëpisë, i shtyrë fillimisht nga babai i tij. Për këtë, hakmarrja e babait dhe e djalit mbi to, do të ishte e tmerrshme. Arritën deri aty sa babai dhe Adiri i kërkuan motrës 15 vjeçare të prostituohej që të sillte para në shtëpi e rrahjet barbare ndaj nënës dhe motrës ishin të vazhdueshme sa kohë nuk do të pranonin kërkesat e tyre.
Gjyshja ime, e cila ishte shpesh së bashku me babain tim, në qendër të ngacmimeve dhe rrengjeve të Adirit dhe babait të tij, vendosi që motrën dhe vajzën e saj t’i marrë në barakën e vogël për t’i mbrojtur. U munduan shumë gjatë kësaj kohe të flisnin me Adirin, t’i tregonin se kështu siç po vepronte po shkatërronte jetën e tij dhe të atyre që e donin më shumë. Edhe gjyshërit shpesh kishin provuar ta bënin të arsyetonte, t’i vinin në ndihmë e ta shpëtonin nga rruga e keqe. Por Adiri nuk pranoi, e kishte bërë zgjedhjen e tij tashmë. Do të largohej nga kushtet e vështira të jetesës së rrethit të tij familjar dhe të fitonte respektin e partisë.
Kështu pasuan 4 vite të gjatë, me ngacmime e ndodhi të pakëndshme të vazhdueshme, spiunime e sajesa të shëmtuara karshi gjyshes e babait tim prej Adirit dhe të atit. Sa herë rrinin zgjuar natën nga frika se dikush do të lyente barakën me benzinë e mund t’i vinte flakën, siç ata shpesh kishin kërcënuar. Sa herë do të turpëroheshin përpara njerëzve në mes të rrugës duke u quajtur me emra e epitete të turpshme e të urryer, sa herë do e pësonin edhe gjyshërit, tashmë të moshuar, që nuk e pranonin dot atë çka po i ndodhte familjes së tyre. E vetmja mundësi për vajzën e motrës së madhe ishte ta martonin sa më shpejt që të mund ta mbronte dikush prej dy njerëzve që duhet të ishin më të dashurit për të, babai dhe vëllai. E kështu u gjet një burrë, 18 vite më i madh se ajo në moshë i cili do e shpëtonte nga ferri ku ajo jetonte çdo ditë. Por ngacmimet dhe poshtërimet tashmë do i vuante dhe bashkëshorti i vajzës. Asgjë njerëzore nuk kishte mbetur më tek Adiri dhe babai i tij.
Kishte kohë që motra e madhe e gjyshes, nëna e Adirit, kishte kërkuar divorcin nga i shoqi, divorc i cili shtyhej sa më gjatë që ajo të mos gjente paqe. Nuk mund të lë pa treguar seancën e divorcit të tyre në vitin 1985, kur bashkëshorti i motrës së madhe sjell dëshmitar të birin, Adirin, në sallën e gjyqit, kundër nënës së tij e cila akuzohej nga bashkëshorti për tradhëti bashkëshortore. Gjithçka ishte e pavërtetë, një sajesë e shëmtuar e për të thelluar edhe më shumë plagën e hapur. Adiri pranoi pa asnjë problem se ai vetë ishte i biri i një lavireje. Mësimet e partisë, që e kishin shtyrë Adirin të mohonte deri njerëzit që e rritën, ai i zbatonte me dëshirë e kënaqësi. Partia i kishte mësuar se duhet të ishte “njeriu i ri” që në Shqipëri do të sillte ndryshimin e madh, duke i shërbyer vetëm partisë e pushtetit të saj në gjithçka që njeriut i kërkohej. Ky lloj “njeriu” ishte mallkimi më i madh që pushteti komunist krijoi me ideologjinë e tij në Shqipëri.
Kur gjyshi i babait tim vinte në Tiranë për të takuar vajzat e tij dhe me shpresën se do të takonte dhe Adirin të cilin e donte e besonte se ai një ditë do të ndërronte rrugë e do të bëhej djali që të gjithë dëshironin, do të fyhej edhe më rëndë nga të tjerët prej nipit të dashur. Gjyshi i babait tim kishte vuajtur vite të gjata burgimi e tani i lodhur, shpirtërisht i dërrmuar, vazhdonte ende të kryente punë tepër të rënda për një të moshuar. Vetëm shpirti ia dinte vuajtjen. Ishte kërrusur e sytë nuk shihnin më si më parë, gjunjët nuk i mbanin më dhe duart kishin filluar të dridhen por ai nuk dorëzohej dhe i jepte kurajo të gjithëve. Adiri, sapo e shihte tek kalonte nëpër rrugicën e ngushtë që të çonte tek shtëpiza barakë e gjyshes dhe babait tim, niste të bërtiste me aq zë të lartë sa tundej mëhalla e thoshte: – “Erdhi gungaçi, erdhi gungaçi” ….. e gjuante me gurë gjyshin e gjorë. Sikur të mos mjaftonte kjo, thërriste dhe shokët e bandës për ndihmë e lukunia e djemve të partisë torturonte “armikun e popullit”. Sa vuajtje mbajti ai shpirti i gjyshit të tim eti….
Të gjithë në lagjen ku jetonin në Tiranë (sepse për fat të keq shtëpia e Adirit dhe babait të tij ishte pranë me atë të gjyshes time) nuk do të harronin të qarat e rënkimet e një të moshuari mbrëmjeve, i cili në pamundësi të ushqimit kërkonte fshehurazi lëmoshë, duke përdorur një peshore të vogël e të thyer që të mos kuptohej qëllimi (fshehurazi sepse në diktaturë lëmosha konsiderohej krim) dhe Adiri, së bashku me tufën e tij e rrihnin për t’i grabitur ato pak qindarka që ai i mblidhte gjatë gjithë ditës jashtë në të ftohtë, i pangrënë. Plaku i gjorë drejtohej me duar lart nga qielli e luste Zotin, duke pasur frikë dhe ta përmendte (edhe Zoti ishte i ndaluar në diktaturë, kushdo që kapej duke u lutur apo përmendte emrin Zot burgosej e internohej) që të mbaronin vuajtjet e tij e Zoti i madh të bënte drejtësi. Jetonin në kohëra kur e pamoralshmja kishte zënë vendin e moralit, kur arsyeja njerëzore kishte ndaluar së qeni arsye.
Nuk mjaftojnë episodet e shumta për të treguar ligësinë që jetonte në shpirtin e “njeriut të ri” që diktatura kishte përgatitur. Qeniet e krijuara i binden vetëm krijuesit të tyre. Respektimi i ligjeve natyrale dhe të të drejtës natyrale reshtën së qeni baza themeltare e ligjeve të shtetit në diktaturën e vendosur në Shqipëri. Rëndësi kishin vetëm “ligjet” që vendosi partia dhe vetëm atyre duhet t’u bindeshin njerëzit. Kjo u bë dhe detyra kryesore e njerëzve. Detyrimet që shteti kishte për popullin u shndërruan në detyrime që populli kishte për partinë dhe kastën e vogël të pushtetarëve në fuqi. Shteti e shkëputi individin nga qendra e bërthamës ku ky i fundit duhet të qëndrojë. Njerëzit, qytetarët shqiptarë jetonin në një rend paralel dhe nuk edukoheshin për t’u formuar me shpirtin tradicional të së drejtës, të aftë të dallonin të mirën e të vërtetën, të aftë të udhëhiqen sipas botës së ideve, t’i përgjigjen kërkesës absolute, jo të imponuar nga faktet e servirura, e as nga frika apo kërcënimet.
Për të gjithë ata që nuk e kanë jetuar diktaturën dhe shpesh i referohen filozofisë politike për të kuptuar më shumë për rendet e ndryshme politike të aplikuara në botë, është gati e pamundur të kuptohet si u zhvillua dhe funksionoi “njeriu i ri” i diktaturës në Shqipëri. Forma e këtij “njeriu” të mbrujtur në “mitrën” marksiste-leniniste dhe e ruajtur në vazon ideologjike të kohës, përfaqësonte në fakt mashtrimin, shëmtimin e njeriut të vërtetë dhe absurditetin në të gjitha fazat e tij të pakuptimshme. “Njeriu i ri” duhet të ishte shëmbëllyra e vetë diktatorit, një lloj kloni i tij, një model njerëzor i pandryshuar, pa asnjë ndjenjë atdhedashurie, një njeri i transformuar, i denatyralizuar.
Ky “njeri” ishte si një lloj ure që i shërbente partisë dhe pushtetit të saj në dy prizme njëkohësisht. Së pari “njeriu i ri” u vu në rojë për të zbuluar armikun e klasës, reaksionaret, kundërshtarët e pushtetit, të cilët shpesh nuk ishin aspak të tillë. Mjafton të ishe i pakënaqur nëse dyqanet ishin bosh, nëse kushtet e punës apo të jetesës, që shteti duhet të garantojë për shtetasit e tij, të ishin të këqija dhe nëse ndodhte të shprehej diçka e tillë, “njeriu i ri” i vënë në shërbim të partisë kishte për detyrë ta çonte njeriun e vërtetë përpara bankës së të akuzuarit. Kjo ishte njëra nga detyrat e rëndësishme të “njeriut të ri”, ndërsa detyra tjetër ishte të punonte fort me ata si vetja. Të shtoheshin rradhët e “njeriut të ri” e të bëheshin shumë, kështu partia ishte gjithnjë e kënaqur e gjithnjë e mbajur në pushtet nga “njerëzit e saj të rinj”. Detyra të tilla nuk mbartin në vetvete asnjë lloj morali e vlera e saj i shërbente vetëm forcimit të partisë në pushtet. Njeriu i ri nuk e përjetonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vlerën morale siç ajo vjen apriori tek individi i edukuar, e vlefshme në vetvete dhe e shkëputur nga realiteti i jashtëm i imponuar.
Ideologjia, në formën e lavazhit të përditshëm që ishte injektuar papushim në trurin e njeriut të krijuar nga sistemi, zëvendësoi qenien dhe atëherë qenia humbi çdo përgjegjësi morale të vlerave njerëzore. Njerëzit nuk ishin më në gjendje të bënin dallimin ndërmjet “asaj që është” dhe të vërtetës. E pavërteta, ajo që rrëshqet gjithkund, në sytë e njerëzve të zakonshëm, është ajo që ngjan si një e vërtetë e natyrshme. Por e vërteta nuk qëndron në të kuptuarin racional të gjërave por tek vizioni i qenies, e cila u fsheh më së miri “pas veglave” që zotëronte sistemi. Realiteti ku qenia e re jetonte u bë forcë e zakonit e cila bën që gjërat të merren vetvetiu si të vërteta, të mirqena, duke mos ngritur asnjë problem, duke u bindur për realitetin ku qenia jeton, në përdorimin e këtyre qenieve në përputhje me dobinë e tyre.
Frika ishte shoqëruesja e zakonshme në çdo ditë normale të jetës. Terrori dhe frika nuk përdoreshin më si mënyrë për të ndërshkuar kundërshtarët politikë sepse ata tashmë i kishin eliminuar, por frika u bë instrument për të qeverisur masën e gjerë të njerëzve të cilët ishin plotësisht të bindur ndaj partisë e megjithatë duhet të kishin frikë, në rradhë të parë nga vetë partia. Sistemi ia doli në një farë mënyre të ndryshojë edhe atë çka qasja filozofike e sheh si të pamundur: veprimin me forcë mbi ndërgjegjjen. Nuk mund të ndryshohet mendimi i individit duke përdorur dhunën, por në Shqipëri eksperienca e jetës, frika së bashku me dhunën e ushtruar e transformoi njeriun duke i ndryshuar botën e jashtme, kushtet e jetesës dhe të gjithë mentalitetin mbi sistemin shoqëror. Gjithçka që varej nga natyra e brendshme e ndërgjegjjes u përpi nga forcat ekstreme që luftonin ndërgjegjjen nga jashtë. Shumëkush nuk mundet as të konceptojë se duhej të miratonte partia se çfarë librash mund të lexoheshin, se ç’lloj muzike mund të dëgjohej, se cilët filma ishin mjaftueshëm “edukues” për brezin e ri të cilët shndërroheshin gjithnjë e më shumë në ushtarët universal të partisë shtet. Madje dhe të martoheshe duhej më parë të merrje miratimin në një formë apo në një tjetër, të partisë e njerëzve të saj.
“Njeriu i ri” nuk mendonte se të drejtat ekzistojnë për të mundësuar plotësimin e detyrimeve si karshi shtetit po ashtu dhe karshi vetes. Të drejtat dhe detyrimet që janë njëlloj të rëndësishme sepse të drejtat mbrojnë aftësitë e njerëzve për të bërë zgjedhje, të cilat sjellin progresin dhe prosperitetin në zinxhir nëse janë të menduara e të aplikuara sipas normave morale.
Mohimi i të qenit njeri me liri e të drejta të barabarta, ishte ndoshta pjesa më e dhimbshme që shqiptarët provuan në këtë periudhë. Rreth 1/3 e popullsisë që përbënin “armiqtë e partisë e pushtetit popullor” patën fatin e keq të vuanin sepse mendonin ndryshe, ose shpesh edhe pse nuk mendonin fare, u trajtuan si skllevër që duhet vetëm të punonin punët më të vështira në kushte të paimagjinueshme për një mendje normale, pa gëzuar asnjë të drejtë morale e njerëzore. Ata duhet të vuanin për faje që nuk i kishin bërë, për gabime hipotetike, për gënjeshtra të thurura nga mendje të sëmura. Duhet të ishin gjithnjë të bindur se e vetmja e “vërtetë” që ekzistonte ishte ajo që thoshte “udhëheqësi” dhe partia. Por e vërteta e vuajtjes së tyre ishte një tjetër. Në fakt sistemi që u instalua nuk kishte të bënte aspak me politikën apo me doktrinën komuniste në thelb siç është shkruar e shpjeguar ajo në filozofinë politike, u nis si i tillë por degjeneroi ndjeshëm duke u kthyer në një sistem diktatorial ku e vetmja gjë që kishte rëndësi ishte pushteti me dorë të hekurt i një kaste të vogël drejtuese e cila kudo që vinte gishtin sillte mjerim dhe vdekje.
Pasi spastruan radhët e kundërshtarëve të tyre me formulën e rrathëve koncetrikë, ata në pushtet e vazhduan me shoshoqin, me miqtë e deri familjarët e njëri-tjetrit dhe në fund nuk mbeti kush pa dalë armik. Edhe vetë komunistët e devotshëm apo të ndershëm kishin filluar të kuptonin se lufta nuk ishte më çeshtje politike, asgjë nuk kishte më një lidhje logjike e organike me atë çka kishin si aspiratë në fillimet e tyre politike. Shumë prej atyre që kuptuan me vonesë sesi ishin përdorur dhe mashtruar në bindjet dhe idealet e tyre u burgosën, internuan apo dhe ekzekutuan në emër të “popullit”.
Nëse do t’i mblidhja në një statistikë të vetme dënimet, vdekjet, vitet e burgimit dhe internimit vetëm në familjen e babait tim bëheshin 583 vite dënimi e internimi, 18 të dënuar me vdekje, miliona Euro pasuri (sipas konvetimit të monedhës së atëhershme me aktualen sot) të sekuestruar që nuk iu kthyen kurrë më, mijëra hektarë tokë që i përkiste familjes po ashtu e sekuestruar, 5 shtëpi banimi po ashtu të sekuestruara, në të cilat jetuan familjet e komunistëve, në njërën prej tyre vetë diktatori me familjen e tij.
Jetesa e vështirë nën diktaturë i bëri shqiptarët të dobët moralisht, ndërsa pjesën tjetër, persekutorët i bëri tepër të fuqishëm dhe të frikshëm pa e kuptuar dhe ata vetë se çfarë po mbillnin me duart e tyre. Punohej me plane makiaveliste, gjithçka e studiuar në detaje dhe e vënë në skenë përsosmërisht sipas “vullnetit të popullit”, që herë hante bar nga varfëria e herë ushqente gijotinën e diktaturës.
Ideologjia bazë për t’i mbajtur njerëzit nën vete ishte jo më dhunimi si mjet i parë (pasi kishin ekzekutuar të gjithë kundërshtarët politikë dhe ajkën e kombit) por çarmatosja e njerzve nga çdo dëshirë, ngushtimi i pasioneve deri në atë pikë sa ato të fashiteshin, të harroheshin, të luftonin instiktet e tyre, të ndalonin mendimet dhe t’i ndryshonin ato duke i përvetësuar, zvogëlimi i rrethit të njohjes së botës dhe realitetit jashtë mureve. Ishin të aftë të hynin edhe brenda ndërgjegjjes, të kontrollonin ëndrrat dhe të ndërshkonin rëndë nëse “kapeshe gabim”.
Partia shtet zbatonte planet e saj me dorë të hekurt duke shkatërruar frymën publike deri në atë pikë sa të humbisnin interesin për idetë dhe parimet të cilat mund të sillnin zgjimin e njerëzve, hapjen e mendjes e si pasojë revolucione në popull. Partia i përdorte paragjykimet dhe pasionet popullore në mënyrë që të krijonin konfuzion të parimeve dhe moralit duke e bërë kështu të pamundur mirëkuptimin mes të gjithëve që flasin të njëjtën gjuhë dhe që kanë të njëjtat interesa.
Gjyshja ime e ka shpjeguar shumë më thjeshtë e më qartë sesa do të mundesha unë ta bëja, kur më shpjegoi çfarë ndodhi konkretisht në Shqipëri e si jetoi ajo së bashku me mijëra njerëz të tjerë në kohën e absurdit.
Gjyshja: E dashur, sado të mundohesh nuk do të kuptosh dot marrëzinë në të cilën jetuam sepse dhe unë vetë që e jetova në kurriz ende nuk arrij të kuptoj plotësisht përse ishte e nevojshme kaq shumë dhimbje, kaq shumë vuatje, mjerim, degradim. Kujt i shërbeu kjo? Shpesh mendoj se diktatura nuk erdhi si rrufe në qiell të hapur, jo aspak. Ata që e sollën nuk ishin vetëm, ishin shumë, kishin bërë plane të mirfillta, punuar mbi ato plane dhe pritën vetëm çastin e duhur. Ndryshe si mund ta shpjegoj që njeriu më i besuar që kishim ne në familje, kujdestari i shtëpisë përpara viteve 45’, ai të cilit familja ime i kishte besuar çelësat e shtëpisë dhe mbarëvajtjen e ekonomisë së saj, ishte i pari që i tradhëtoi? Ishte rritur në familjen time, ishte martuar aty, i kishin dhënë shtëpi gjyshërit e mi, e paguanin mirë dhe fëmijët e tij u rritën në të njëjtin oborr me fëmijët e shtëpisë. Kur erdhi diktatura burri që ne e njihnin si djalë të shtëpisë, u bashkua me komunistët për të plaçkitur shtëpinë, mori të gjitha sendet me vlerë, të gjitha rrobat tona, nuk la asnjë fotografi pa grisur, nuk la asnjë kujtim nga jeta jonë. Si mund të fajësonim ne shefin e sigurimit që vinte nga një qytet shumë i largët që nuk na njihte, kur ai nuk e dinte ku i mbante nëna ime sendet me vlerë, ku qëndronin fotografitë e familjes, ku ishin bizhuteritë e zonjave të shtëpisë. Shefi i sigurimit nuk i dinte, por kujdestari i shtëpisë po. Shpesh hetuesit që torturonin pa mëshirë të burgosurit ishin po nga i njëjti qytet, të njohur e madje “shokë” lagjeje e klase me ata që fati u kishte rënë të ishin viktimat. Sekretarja e partisë që të tregonte biografinë në mes të kolektivit shpesh ishte vajza e të njohurve. Ata që të përbuznin më shumë, që të bënin të mos harroje asnjëherë, çdo ditë, në çdo orë mësimi që ti ishe “armikja” e popullit ishin një pjesë e shokëve të klasës apo e mësuesve. Ata që të spinunonin tek partia e të çonin në dorë të sigurimit të shtetit shpesh ishin “miq” e madje edhe familjarë. E kupton bijë? E keqja, kishte rrënjë të thella e dashura ime e ne nuk mundëm dot ta shkulnim atë. Dhe kam arsye të besoj se sa kohë rrënjët e saj ekzistojnë ende, e keqja do të vazhdojë të rritet e të helmojë edhe për shumë kohë të tjera ende”.
(2) Vijon…
Edhe shkrimi i i rradhes , pjesa e dyte eshte po aq shokues nga faktet qe përshkruani e nderuara znj E. Toptani .Kuptoj shume mire vuajtjet e gjeneratave te fisit tuaj se dhu une i perkas atij brezi qe studimi ju lejua deri ne gjimnaz .Por tek lexoj shume here fjalen , barrake , gati 6 shekuj burgime e internime ,te vrare 18 te vrare nga rregjimi ku as turku ,gjermani e italiani s’kanë vrare ne nje trung familjar .Perpara jeteve te 18 shpirtrave nuk llogariten demet monetare e materiale. Ne mos gaboj vila e qoftlargut eshte bere objekt Muze .Perse mos i drejtoheni gjykatës se Strasburgut ? Ato shtepi e toka u pervetsuan pas ardhjes ne pushtet komunistet hajdute ,te pa fe . Tek lexoj kalvarin e familjes suaj ,gjyshit ,gjyshes ,barraken ,mjerimin sinqerisht kur kujtoj se kam lindur e jetuar ne shtepi normale ,gati 100 metra katror, as burgje e internime ( u mjaftuan me gjyshin qe e vrane ne biruce pa dale ne gjygj ) them se kam ekzagjeroj kur ankohem .Por jo , mungesa e lirise , ai modeli ” i njeriut te ri ” me japin te drejten te mallkoj e demaskoj at rregjim vrases .Ju cilësoni mafien si familjare .Ne rradhe te pare lloji i mafies shqiptare e krijoi , e përhapi , e zhvilloi vetem rregjimi diktatorjal i Hoxhisteve dhe e përhapi ne cdo familje me format e ditura .Zor se gjen ne nje trung familjar, me gjysh ,xhaxhallarë, dajallarë ,halla ,teze me niper e mbesa te mos kishte 1 deri me 3 spiune te sigurimit . Kjo ishte bërthama e mafies . Përshkruani me hollësi at bishen , egersiren qe quhej ” njeriu i ri ” .Ajo ishte shemtira , shndërrimi i karakterit shqiptar qe u kultivua ,projektua nga njerez te pa shpirte e pa nje dipllome studimi ne xhep .Edhe sot ,3 dekada poskomunizem vazhdon e njejta taktike .Njohja e nje gjuhe te huaj ne Shqiperi (sidomos anglishtja ) shoqërohet me dipllome fallco .Kemi E.Veliaj ,kryetarin e Bashkise se Tirones qe ka mbaruar kurse ne Amerike e tregon dipllome fallco ,ministrja Balluku njejte me dipllome falkco .E sa e sa te tjere .Keto qe përmenda jane pinjollët e denje te projektuesve te ” njeriut te ri ” Goditje , plage qe brezi yne zor se e kalon eshte se projektuesi i ketij njeriu te ri, bishe , adhurohej dashurohej si ZOT ,si nje HERO si nje shpëtimtar nga shqiptaret jashte kufirit ,nga krejt shqiptaret te ish – Yugosllavise .Brezat e ardhshëm do t’a kene me te lehte se sa ne qe e perjetuam .Mos pushoni zonje e nderuar ,tregoni paudhësitë e asaj diktature c’njerezore .