Shkruan: Dr Sadri Ramabaja
Monumentet dhe statujat janë si qirinjtë: Ato ndriçojnë gjithandej hapësirën kur janë të vendosura aty ku e kanë vendin, ndërkaq nëse ato vendosen diku në skaje të ndonjë sheshi a këndi pa vlerë, perspektiva mbetet nën hije.
Prishtinë, 16 korrik — Studiuesja angleze e letërsisë Aleida Assmann në një studim të saj i ishte referuar një metafore të filozofit anglez Francis Bacon: “Kushdo që mban qirinjtë në qoshe, errëson pjesën tjetër të dhomës.”
Monumentet dhe statujat janë si qirinjtë: Ato ndriçojnë gjithandej hapësirën kur janë të vendosura aty ku e kanë vendin, ndërkaq nëse ato vendosen diku në skaje të ndonjë sheshi a këndi pa vlerë, perspektiva mbetet nën hije. Kjo metaforë merr kuptim edhe më të plotë, kur kihet parasysh vendosja e shtatoreve në sheshet e Prishitnës pa farë kriteri estetik e historik.
Në sheshin qendror të Prishtinës, fare afër njëra tjetrës, pranë Kuvendit është vendosur monumenti madhështor i Gjergj Kastriotit dhe, vetëm pak metra tutje, shtatorja e Ibrahim Rugovës.
Në cepin tjetër të sheshit, është shtatorja e Zahir Pajazitit dhe pak më tutje, në lulishten para Rektoratit të Universitetit, ajo e Hasan Prishtinës.
Por, në Prishitnë mungon edhe sot e kësaj dite shtatorja e Pjetër Bogdanit dhe ajo e Adem Jasharit, siç mungojnë edhe monumentet e personaliteteve kulmore të Dardanisë antike dhe të kohës së parapushtimit osman — epokës së Arbërit.
Metafora që zura në gojë më lartë, përmbushë kërkesën utilitare, sepse merr parasysh karakterin aktiv të kujtesës: kur qiri është i vendosur në vendin e duhur, ai kryen misionin e tij — ndriçon hapësirën, kështu një pjesë e historisë është ndriçuar qëllimisht, ndërkaq kur ai vendoset në një kënd të pa venerueshëm (siç është bërë psh me shtatoren e Hasan Prishtinës) ose kur ato mungojnë fare, siç është me rastin e shtatoreve të Pjetër Bogdanit dhe Adem Jasharit, një pjesë tjetër e historisë duket se është lënë në errësirë.
Por, a mund të qëndrojë shtatorja e Pjetër Bogdanit aty ku kishte varrin, e prej ku osmnët ia nxorrën eshtrat dhe ua hodhën qenëve, nëse tutje është xhamia që është ngritur pikërisht mbi varrin e tij, dhe edhe sot e kësaj dite mban emrin e Sulltan Mehmetit, njërit prej gjakatarëve më të urryer të shqiptarëve, të cilit i përafrohet me urrejtje ndaj shqiptarëve, vetëm Slobodan Milosheviqi?!
Në Charlottesville [SHBA] një mosmarrëveshje rreth dy statujave përfundoi fundjavën e kaluar. Katër vjet pas një marshimi të qindra ekstremistëve të krahut të djathtë, gjatë të cilit u vra një kundër-demonstrues, statujat e gjeneralëve Robert E. Lee dhe Thomas Jackson u hoqën nga piedestalet e tyre.
Të dy gjeneralët kishin drejtuar trupa ushtarësh në luftën civile në shtetet e jugut, të cilat kundërshtuan heqjen e skllavërisë, por edhe ishin angazhuar kundër çfardo zgjerimi të të drejtave për zezakët. Angazhimi i tyre, pas vdekjes, qe nderuar përmes ngritjes së statujave. Në anën tjetër njerëzit që vuajtën dhe luftuan kundër skllavërisë nuk u pyetën fare se me ktë akt a fyhej nderi dhe kujtimi i tyre për parardhësit e tyre — gjithë ato viktima të asaj lufte civile.
Në vitin 2017, Këshilli i Qytetit Charlottesville votoi për heqjen e statujave të gjeneralëve. Vitet e mosmarrëveshjeve ligjore dhe marshimeve nga grupime qytetarësh me bindje të djathta nuk pushuan përgjatë gjithë kohës sa zgjati procesi gjyqësor. Tani statujat janë zhdukur. Ky akt u krye me ndihmën e vinçave të mëdhenj dhe i shoqëruar me brohoritjet e shumë qytetarëve, që më shumë se mitin mbi gjeneralët, duan lirinë dhe kujtimin për paraardhësit e tyre.
Gjatë po të njejtës periudhë, derisa gjeneralët e Charlottesville po hiqeshin zyrtarisht, qytetarët në Kanada përmbysën statujat e paautorizuara të Mbretëreshës Britanike Victoria dhe Mbretëreshës Elizabeth II në fillim të këtij muaji. Kjo ngjarje ndodhi pasi u zbuluan varret masive të fëmijëve indigjenë (autoktonë).
Ky reagim i qytetarisë aktive, nuk kishte si të mos gjente mbështetje edhe nga zyrtarët kanadez. Madje ai u përshëndet nga bota progresive edhe këtj Atlantikut, në kontinentin e vjetër.
* * *
Më 9 korrik grupi i tifozëve të Prishtinës, Plisat, inicuan nënshkrimin e peticionit për vendosjen e shtatores së heroit kombëtar, Adem Jashari, në Prishtinë.
Në njoftimin e Plisave që e kanë publikuar në llogarinë e tyre në Facebook, ata janë shprehur se “Baca Adem e meriton të jetë në Prishtinë, përkrah heronjve të idealit të tij”. Tek lexoja këtë njoftim në një prej portaleve tona, në kujtesë më erdhi shkrimi im i publikuar më 20.03.2014, derisa isha asamblist në Kuvendin e Prishtinës, me titullin sinjifikativ: “Është koha që Prishtina t’i ketë Adem Jasharin dhe Pjetër Bogdanin në bronz”. Madje pata sugjeruar që shtatoret e të dy këtyre kolosve tanë, t’i kemi në hapësirën përballë Kuvendit.
Kur e pata publikuar shkrimin, ditë më pas, u informova se Kuvendi i Komunës së Prishtinës paska pas aprovuar më heret sheshin, ku do të duhej vendosur shtatorja. Më pas pinjollët e të ashtuquajturës elitë kulturore autonomiste, etërit e të cilëve dikur me krenari identifikoheshin si patriot jugosllav, pra këta bijtë biologjik e ideologjik të të cilëve sot identifikohen si kosovacentrist, shprehen hapur për ruajtjen e „identitetit“ të sheshit „Vllaznim-bashkimi“. Ata e cilësojnë atë si trashëgimi identitare të Prishtinës, meqë aty është një monument që i përgjigjej frymës dhe propagandës së kohës së komunizmit ala jugosllav.
Nuk e marrë me mend se „Plisat“ nuk e kanë edhe informacionin tjetër se, Kuvendi ka aprovuar vitin që shkoi vendin ku pritet të vendoset shtatorja e Adem Jasharit, diku para Kuvendit të Republikës, në një cep që mund të formojë një trekëndësh të vogël me monumentin e Gjergj Kastriotit Skenderbeut dhe shtatoren e Ibrahim Rugovës.
Duket se sërish kemi të bëjmë me metaforën e filozofit anglez Francis Bacon që zura në gojë në fillim të këtij teksti.
Kauza për çlirimin e Kosovës nuk ishte produkt i një klike politike, siç pretendohet të promovohet nga qarqe të ndryshme politike edhe sot e kësaj dite. Përkundrazi, për një periudhë prej pothuajse një shekulli shqiptarët në këtë pjesë të Shqipërisë së pushtuar nga Serbia, nuk kishin arritur dot të krijonin një elitë legale dhe legjitime që do t’i dirigjonte proceset. Këtë mision historik e mori kripto-elita. Ajo që veproi nga pozitat e ilegales së thellë. Kjo kripto-elitë, sipas Arbër Xhaferit, krijohej nga atomet e vetëdijësuara kombëtare që kanë një intencë të brendshme, që instiktivisht i vë në veprim në vijë të artikulimit të interesit kombëtar. Adem Jashari nuk e nisi luftën fillimisht për shkak të një projekti sekret kombëtar, por për shkak të një instikti që Platoni në veprën e tij “Shteti” e quan timos, pra një instikt që vë në veprim individin për të arritur trajtesën e barabartë.
Atbotë besoja shumë se Kuvendi i Komunës kishte mundësi reale, të mirrte vendimin e duhur për shndërrimin e hapësirës përballë Kuvendit të Republikës në një park, në ku do të duhej të ngriheshin madhështore shtatoret e Pjetër Bogdanit dhe Adem Jasharit: ajo e Pjetr Bogdanit aty ku kishte varrin, ndërkaq ajo e Adem Jasharit në cepin tjeëtr të parkut.
Propozimi im për shndërrimin e kësaj hapësire në park, lidhej dhe me një fakt tjetër. Varri i njërit prej korifejve të mendimit filozofik dhe autorit të “Çetës së Profetëve”, që nga studjuesit me të drejtë është cilësuar si bazament i fuqishëm i kulturës oksidentale të shqiptarëve, Pjetër Bogdanit, ka qenë aty, ku sot ndodhet xhamia.
Jo për kategorin qytetarëve tanë që tashmë, fatkeqësisht, duhet t’i shohim si qenie të tjetërsuara, por për masën e gjerë të që kanë ruajtur ADN-në shqiptare, po sjell vetëm një konstatim përmbledhës mbi vlerësimet që i janë bërë nga shkenca e albanologjisë Pjetër Bogdanit.
Bogdani është figura më e shquar e letërsisë së vjetër shqiptare. Ai shquhet jo vetëm si klerik i lartë, por edhe si atdhetar, me një dashuri të pakufi për gjuhën shqipe e për popullin shqiptar, por edhe si dijetar e letrar, si luftëtar i paepur për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane dhe për zhvillimin e përparimin e tij kulturor. Me veprimtarinë e tij politike 40-vjeçare, sidomos me rolin që luajti si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me veprën e vet “Çeta e profetëve”, Pjetër Bogdani me të drejtë është quajtur pararendës i hershëm i lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare.
Me këtë trajtim meritor për këta dy personalitete tona që i bëjnë nderë civilizimit modern, Prishtina do të përfitonte një park në zemrën e saj, por edhe do t’i kishte aty, të skalitur në bronz, dy figura nga më të jashtëzakonshmet të historisë së kësaj pjese të Shqipërisë.
Kryeqendra e Republikës ka nevojë për shtatoret e Pjetër Bogdanit dhe të Adem Jasharit, siç ka nevojë trupi e shpirti të seliten me ujë e dritë.