Nga: Lirim Gashi, Prishtinë
____
Sado që ndonjëherë mpreh majën e lapsit më shumë seç duhet kur përshkruaj dukuritë negative të pasluftës në shoqërinë tonë, ne sot e gjejmë veten në një arkitekturë politike globale që ka ndryshuar shumë rrezikshëm dhe që e bën të pazëvendësueshme jo vetëm thirrjen për unitet në shoqërinë tonë, por edhe thirrjen për ta gjetur gjuhën e përbashkët në politikën tonë të jashtme, të brendshme dhe të sigurisë.
Çfarë dua të them me këtë?
Ajo që dua të them është se për t’u mbrojtur nga armiqtë e përjetshëm si Serbia dhe Rusia, na duhen edhe liderët e politikës opozitare, të cilët ne sot nga frustrimi me paraardhësit e tyre i shohim si modele politike të dështuara.
Dhe i shohim si të tillë për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të paraardhësve e tyre ndaj pronës publike, apo ndaj të drejtës së qytetarëve të këtij vendi që të mos vidhen prej tyre dhe të mos detyrohen të bëhen nomadë dhe lypsarë të Perëndimit, Jugut, Lindjes dhe Veriut të botës.
Pse na duhet një bashkëpunim më i ngushtë mes liderëve të pozitës dhe opozitës?
Krerët e opozitës kanë fituar ndërkohë edhe një përvojë reale politike dhe kanë mësuar diçka nga gabimet e paraardhësve të tyre.
Për më tepër, paraardhësit e tyre kanë merita në luftën çlirimtare që askush nuk mund t’i mohojë.
Ne kemi nevojë për ta jo vetëm sepse edhe ata i kanë votuesit e tyre, të cilët janë motrat dhe vëllezërit tanë, por sepse situata globale është e rrezikshme jo vetëm për shkak të luftës në Ukrainë, por edhe për shkak të marrëdhënieve shumë të tensionuara midis SHBA-së, Kinës dhe Rusisë.dhe për shkak të rrezikut urgjent që partitë ultra të djathta naziste të afërta me Rusinë dhe Kinën të vijnë në pushtet në Francë, Gjermani, Itali, Poloni, Sllovaki, Greqi, Austri dhe shumë vende të tjera të rëndësishme në mbarë botën.
Përveç kësaj, këtë vit kemi zgjedhje presidenciale në SHBA në të cilat shanset e Donald Trump për t’u rizgjedhur janë shumë të larta dhe duke pasur parasysh paparashikueshmërinë e tij në politikën e jashtme, kjo vë në perspektivë nevojën për të mos ia nxjerrë sytë njëri-tjetrit në politikën e brendshme dhe të sigurisë, në një situatë në të cilën ne kemi nevojë për një nivel të lartë uniteti dhe bashkëpunimi në politikën e jashtme, në mënyrë që të mbrohemi sa më mirë nga agresioni i mundshëm serbo-rus.
Fatkeqësisht, ne në të ardhmen nuk guxojmë të mbështetemi ekskluzivisht vetëm në NATO, SHBA dhe KFOR, edhe pse roli i tyre në mbijetesën e vendit tonë deri më tani ka qenë i pazëvendësueshëm apo thelbësor, për çka duhet t’u jemi përjetësisht mirënjohës për gjithçka që kanë bërë për ne.
Çfarë dua të them tjetër me këtë?
Unë e kam të qartë se disa nga politikanët tanë kyç të viteve të pasluftës, të cilët i konsiderojmë si modele kalimtare apo të dështuara, nga injoranca dhe lakmia janë bërë hajdutë, madje edhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Radojçiqit, Veselinoviqit dhe kriminelëve tjerë të rrezikshëm serbë në veri të Kosovës.
Por pavarësisht gjithçkaje, ne nuk mund ta mohojmë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në luftën çlirimtare, pa të cilën nuk do të ekzistonte vendi ynë i lirë dhe i pavarur.
Nga ana tjetër, disa prej tyre janë bërë demokratë të bindur, sepse përvoja e tyre në politikën reale i ka mësuar se ne, si një popull i vogël dhe jo mjaftueshëm i mbrojtur, pa bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Italinë, Austrinë etj., asgjë nuk mund të arrijmë jo vetëm në një luftë të mundshme çlirimtare kundër Serbisë dhe Rusisë, por edhe në luftën kundër rrymave pro-serbe dhe proruse në shoqërinë tonë duke mos i lënë pas dore as rrymat ekstremiste islamike që janë krahu i tyre i zgjatur, sepse vijnë nga e njëjta kuzhinë politike dhe fetare.
Prandaj, duke pasur parasysh kërcënimet e shumta që vijnë nga jashtë, do të ishte një marrëzi e pafalshme t’ia nxirrnim sytë njëri-tjetrit dhe t’ia bënin jashtëzakonisht të lehtë Serbisë dhe Rusisë arritjen e qëllimeve të tyre pushtuese.
Sot ne jetojmë në një kohë jashtëzakonisht të paparashikueshme dhe të rrezikshme, ndaj nuk guxojmë t’i shohim dhe analizojmë problemet, fenomenet negative dhe perversitetet vetëm nga këndvështrimi i milingonave, sepse milingonës edhe kutia e qibritit i duket e madhe sa neve ndërtesa më e lartë e New York-ut.
Pra, duke pasur parasysh se sa të mëdha janë rreziqet që na vijnë nga situata e paparashikueshme globale që e kërcënon drejtpërdrejtë ekzistencën e popullit dhe shtetit tonë, do të vijë koha kur mëkatet e tyre ndaj nesh do të na duken të vogla si milingona.
Kjo është arsyeja pse ne nuk guxojmë kurrë të humbasim instinktin për krahasim racional.
Sepse nëse e humbasim këtë instikt kurrë nuk do të arrijmë ta hartojmë një listë prioritetesh se si të përballemi më mirë me sfidat e ardhshme në politikën e brendshme, të jashtme dhe të sigurisë.
Prandaj pa asnjë dyshim, ne sot kemi nevojë për përfaqësim sa më të arsyeshëm dhe më efektiv në politikën e jashtme, të brendshme dhe të sigurisë nga njerëz, në patriotizmin e të cilëve unë personalisht nuk kam fare dyshim.
Më një fjalë, në këtë kohë kaq të rrezikshme dhe të paparashikueshme, unë personalisht nuk do të hiqja kurrë dorë as nga përvoja ushtarake, politike dhe diplomatike e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, përkundër gabimeve të tyre në të kaluarën, sepse nuk kam aspak dyshim në patriotizmin e tyre dhe sepse besoj fort se ata, kur ajo thënia e Shekspirit “të jesh apo të mos jesh” të bëhet e pashmangshme, do të jenë sërish të parët që do t’i dalin zot atdheut.
Nga ana tjetër Pdk-ja dhe LDK-ja nuk duhet të konkurrojnë me njëra-tjetrën se cila parti do t’i dërgojë për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese më shumë ligje të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, sepse në këtë mënyrë vetëm sa po e humbasin akoma më shumë besueshmërinë tek votuesit, të cilët ende janë skeptikë në qëllimet e tyre. .
Po ashtu, me pezullimin e vazhdueshëm të ligjeve që tashmë janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës, vetë Gjykata Kushtetuese po e humb edhe më shumë besimin e qytetarëve, sepse tek shumica e shqiptarëve po e lë përshtypjen se ende është kukull e partive opozitare.
Pra, nëse do të ishin pak më inteligjentë se sa që janë, drejtuesit e dy partive më të mëdha opozitare do ta kishin kuptuar prej kohësh se pa besueshmëri tek votuesit nuk kanë të ardhme politike.
Sinqerisht nuk e di se kush po i këshillon të gatuajnë vazhdimisht ushqim politik me kaq shumë kalori dhe kaq pak vitamina?!
Sepse është ushqim jashtëzakonisht i dëmshëm për shëndetin e tyre politik dhe për shëndetin fizik dhe mendor të shumicës së qytetarëve të Kosovës?
Ose më qartë, nuk e di se kush po i këshillon kaq keq sa të vazhdojnë të gatuajnë byrek me mish të skaduar dhe helmues.
Kam përshtypjen se liderët e dy partive tona më të mëdha opozitare janë vazhdimisht nën vëzhgimin dhe komandën e njerëzve dekadentë të së shkuarës, të cilët i kanë vënë në krye të partive të tyre, vetëm për të hedhur pluhur në sytë e votuesve, d.m.th. për t’u dhënë atyre përshtypjen e rreme se në partitë e tyre po fryn një erë e re politike e së ardhmes.
Gjithashtu, kam përshtypjen se dekadentët e së kaluarës e kanë kushtëzuar emërimin dhe zgjedhjen e tyre në krye të partive të tyre private me sabotim, frenim dhe bllokim të vazhdueshëm të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, që të mos miratojnë dhe zbatojnë ligje, që do të rezultonin me humbjen e pasurisë së tyre të fituar në mënyrë të paligjshme.
Më vjen shumë keq që është kështu, sepse në këtë mënyrë ata vetë e po e devalvojnë thirrjen time të vazhdueshme për unitetin e shoqërisë dhe përfaqësuesve të saj politikë në të gjitha nivelet e qeverisjes, për shkak të situatës jashtëzakonisht të rrezikshme globale.
Është koha që ata të zgjohen nga gjumi dhe të mos shpresojnë se do t’u mjaftojnë vetëm pengesat që po ia vënë në rrugë qeverisë së Kurtit, që ajo të mos konfirmohet në zgjedhjet e ardhshme me plebishit nga qytetarët.
Sepse ata do të bëhen të besueshëm vetëm kur të mos jenë më kukulla të njerëzve dekadentë të së shkuarës në partitë e tyre.
Ngaqë, ata vetëm në ato rrethana do të mund të hartojnë strategji, taktika dhe metodologji veprimi që do ta çojnë përpara shoqërinë dhe vendin tonë.