ARKIVI:
24 Nëntor 2024

Pse nuk përmendet roli unik i Kol Bib Mirakës për shpëtimin e hebrenjëve

Shkrime relevante

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli

Më poshtë është një artikull i botuar tre vjet më parë.  Në këtë 75-përvjetor të çlirimit të kampit nazist Auschwitz, po flitet dhe shkruhet shumë në median shqiptare mbi shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, pothuaj askush nuk përmend rolin e Kol Bib Mirakës i cili si Ministër i Brendshëm, në atë kohë, autorizoi lëshimin e pasaportave shqiptare për hebrenjtë në Shqipëri, duke ua bërë të mundur largimin e tyre nga Shqipëria — duke shpëtuar jetën e rreth 2000 hebrejve.  Askush nuk flet për këtë fakt historik sot, megjithëse ekzistojnë dokumentat historike për rolin e tij, siç është libri i Z.Faik Quku, me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Një shënim mbi këtë libër mund ta lexoni më poshtë, botuar tre vjet më parë.  Ka ardhë koha që edhe emëri i Kol Bib Mirakës të rreshtohet në listën e atyre shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë nga nazistët, por edhe në pllakën e nderit, Righteous Among the Nations” të shtetit të Izraelit, për njerëzit që rrezikuan edhe jetën gjatë Hollokaustit për të shpëtuar hebrenjtë nga zhdukja fizike.

Frank Shkreli: Kol Bib Mirakaj: Më në fund një e vërtetë historike

24/01/2017

Më në fund, historia flet, njihet e vërteta.  Të pakën në një rast.  Deri tashti dikush tjetër dhe të gjithë të tjerët — emër e pa emër, të merituar e të pa merituar, — morën kredinë për shpëtimin e hebrenjve nga nazistët gjermanë, në Shqipërinë e okupuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por asnjëherë, në këto 25 vitet e fundit, nuk iu përmend emri protagonistit kryesor të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri nga Kolë Bib Mirakaj, të cilin historiografia komuniste e karakterizon me epitete fyese të lloj-llojshme.

Shumë vite më parë, unë e kisha dëgjuar rolin që kishte luajtur Kol Bib Mirakaj në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga babai i bashkshortës time Vitores, (Pashk Ademi Markgjonaj), por edhe nga bashkohas të tjerë të Kol Bibës, si Ernest Koliqi, e të tjerë.  Por në mungesë të ndonjë dokumentacioni si ky që ka zbuluar dhe botuar në librin e tij kohët e fundit, Faik Quku – i mbajta të dhënat e tyre, të qeta, në heshtje mbrenda vetes.  Ishte një heshtje, jo vetëm për mua por edhe për shumë të tjerë që kishin dëgjuar të njëjtën bisedë, por në mungesë të dokumentacionit si është ky i paraqitur nga autori Faik Quku, duhej pranuar në heshtje ato që dëgjonim e lexonim për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë, megjithse jo të gjitha të dhënat e këtij rasti që kemi dëgjuar deri tani, i përgjigjeshin të vërtetës.

Mbarë Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët kudo, me të drejtë duhet të jenë krenarë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët, por është një njollë e zezë mbi ata që kanë promovuar këtë akt me të vërtetë humanitar të shqiptarëve, por pa përmendur kurrë rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka në këtë mes.  Por, ja tani, gazeta e Tiranës Telegraf sjellë një lajm për lexuesit e saj, në lidhje me librin e autorit Faik Quku, me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ku dokumentohet roli i Kol Bib Mirakës në shpëtimin e hebrenjve, dokumenta të kohës këto, të nënshkruara nga vet dora e tij si Ministër i Mbrëndshëm i Shqipërisë së asaj kohe.  Tashti, kemi librin e Faik Qokut dhe dokumentacionin siç duket të padiskutueshëm që përbën mbrenda veprat e tij në lidhje me rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka gjatë luftës.

Sipas gazetës Telegraf, në librin e tij, autori Faik Quku, bazuar në dokumentacion, ka paraqitur disa të vërteta rreth jetës dhe veprës së Kol Bib Mirakajt.  Siç mund të shihni në linkun e gazetës Telegraf http://telegraf.al/opinion/kole-bibe-mirakaj-ministri-shqiptar-qe-shpetoi-2000-hebrenj-2/ spikaten dy gjëra me rëndësi historike, sipas dokumentave të zbuluara nga autori.

Njëra nga këto të vërteta ka të bëj me vendimin e Kol Bibë Mirakës për të paisur me pasaporta shqiptare 2000 hebrenjtë që gjatë Luftës së Dytë Botërore ndodheshin në territorin shqiptar, një akt ky që mundësoi strehimin e tyre në Italinë jugore, të çliruar nga anglo-amerikanët, duke i shpëtuar ata nga forcat naziste.  E vërteta e dytë me rëndësi është fakti i zbuluar me këtë libër se Ministri “fashist” Kol Bib Mirakaj kishte refuzuar shumën e parave që hebrenjtë donin t’i jepnin atij si shpërblim për vendimin e tij humanitar. Jo një herë, por refuzoi parat dhe napolona ari, dy herë: një herë Shqipëri dhe tjetrën herë në Romë, ku Kol Biba ishte i mërguar dhe ku jetonte në skamjen më të madhe, për të cilin kujdesej urdhëri françeskan, nga të cilët varej për bukën e gojës.

Ta merr mendja se vendimi i Kol Bib Mirakës, si ministër i Mbrendshëm i asaj kohe — duke paisur me pasaporta hebrenjtë shqiptarë për tu larguar shëndosh e mirë nga Shqipëria — mund të kishte pasur pasoja të rënda për ‘të, po të ishte zbuluar ky akt humanitar i tij nga nazistët.  Thonë se burri dhe miku i mirë njihet në ditë të vështirë!  S’ka dyshim se për hebrenjtë shqiptarë Kol Bib Mirakaj, jo vetëm që ishte burrë dhe mik i mirë në një ditë tejet të vështirë për ta, por autori Faik Quku provon se ai në të vërtetë ishte diçka më tepër, ai ishte shpëtimtari i tyre, i cili  madje edhe refuzoi çdo shpërblim nga hebrenjtë shiptarë për paisjen e tyre me pasaporta shqiptare, gjë që tani dihet se bëri të mundur largimin e tyre për në Itali.  Si do që ta merrësh, për atë kohë, por edhe për sot, ky ishte një akt heroik nga ana e Kol Bib Mirakës, për të cilin flitet shumë pak ose aspak!

Tashti, kemi librin e Faik Qukut dhe dokumentacionin që përbën mbrenda vepra e tij, mbi rolin e Kol Bib Mirakës në shpëtimin e 2000 hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, që vet Kol Bib Mirakaj do të shprehej se nuk kemi më nevojë tani, “Me pranue më heshtjen tonë për një cilësim të tillë që nuk i përgjigjet të vërtetës”, sepse ka shkruar ai në librin e tij “Vrasja e Nji Kombi”, me heshtje, “Mua më është dukë se bajmë krim kundër vetvetes, kundër historisë e kundër fëmijve e njerzëve tanë, që do të mbeteshin me kryeultë për breza të tanë, para shoqënisë.”

Kol Biba do të falënderonte Faik Qukun, që me librin e tij mbi këto të vërteta të dokumentuara nga jeta e Kol Bib Mirakës, ai i jep “histori-shkruesit të së nesërmes nji dokument që ta kenë të gjithë Shqiptarët për studim”, një dokument që ai do të pohonte se ia “nxjerrë kartat në shesh dhe ia parashtron haptas Gjyqit të Historisë”, ngjarjet e asaj periudhe.  Ndonse nuk e kam lexuar librin, duke vlerësuar nga këto të dhëna të paraqitura në Gazetën Telegraf, me librin e tij, autori Faik Quku zhdukë jo vetëm heshtjen por edhe shumë paragjykime dhe të pavërteta të promovuara nga disa pseudo historianë shqiptarë, mbi rolin dhe veprimtarinë e shumë personaliteteve shqiptare, përfshirë Kol Bib Mirakën, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

K O M E N T E

2 KOMENTE

  1. Frank (Frane) Shkreli….Nuk te njoh nga afer, por nese me beson je ba bajat (moton) me skribomanine ose grafomanine tende ditore ose periodike! Here me Haten e here me Fate, apo here me Dilen e here me Filen!

    Leri te qete Kole Biben dhe Pashuk Biben e Mirakeve, o zotni Frank!

    Na fole (shkruiaj) dicka edhe mbi holokaustin e cifuteve kunder palestinezeve, lume Frana!

    Thone se Mesuesit Kole te Malesise se MbiShkodres, i vdic gruaja ne moshe te re…dhe e la xshume keq, saqe Mesuesi Kole u detyrua te martohej prap…Kur u martua Kola, nxenesit e tij ne shkolle normale, ia shkruan ne derrasene zeze, para se t´ia fillonte ores se mesimit, keto fjale: “Mesuesi Kole me nuse t´re, mire per m´suesin e mire per ne”!

    Fjalet e shkruara ne derrase te zeze me shkumes (karbon) te bardhe nga nxenesit e tij, e merziten dhe nervozuan shume Mesuesin Kole, saqe ky i nervozuar iu gjegj nxenesve te tij me fjalet: “Kur ka kene Kola i ri, shumekujt tezet ua ka asi….”!

    Nxenesit e kuptuan mesazhin, edhe mesuesi Kole e mori vesh pleaqerine e tij…

    Si duket edhe kesaj hedre jemi “martua” keq dhe pa vakt ne shqioptaret o Baci Frane!

  2. 1- Ndersa i nderti Frank Shkreli shpreh mendimet e veta me dokumenta dhe pa ofendu asnjeri, tu vu emnin dhe mbiemnin e vet, po na del nji fare “ANTIMAKIAVEL” anonim burravec qe hjedh gurin dhe mshef doren, per tu perpjeke me perbalte nji intelektual te ndershem si Frank Shkreli dhe nji patriot te ndershem shqiptar si Kole Bib Miraka, i cil tue vu vehten ne rrezik, pa asnji interese, bani te mujtun me shpetu jeten e 2000 njerzve te pafajshem nga shfarosja e terbimit nazist.

    2- Ky ANTIMAKIAVEL, qe ne fakt asht nji MAKIAVEL fotokopje e Makiavelit, shkruen:
    “Na fole (shkruiaj) dicka edhe mbi holokaustin e cifuteve kunder palestinezeve, lume Frana!”.
    Ky anonim nuk e njef historine ose ma keq kerkon ta shtremberoje historine ne menyre tendecioze.
    Ka prova dhe dokumeta historik qe populli HEBRE’ ka jetu ne TOKEN E TE PARVE TE VET te quejtu PALESTINE, ku ne kete toke perfshihen shume qytete si Jeruzalemi, Betlemi etj. Kete toke e kan pas pushtu Mbretnit e Egjiptit te popullit egjipjan shume para pushtimit arab. Kete toke te hebrejve e ka pushtu ma vone edhe perandoria Romake si dhe ajo Bizantine, por asnjeni nga keto pshtues nuk i nxori jashte hebrejt nga toka e vet. Hebrej qendruen ne tiken e vet te quejtun PALESTINE.
    Ne vitin 637 mbas Krishtit Kalifi Omar (Umar) ibn al-Khattàb (sundimtar arab dhe kryetar fetar islam) ishte kalifi i dytë islam, don me thënë pasardhësi i dytë mbas vdekjes së Muhametit, pushtoi Jeruzalemin dhe krejte Palestinen. Ky u imponoi dhe dhune hebrejve dhe kristjanve te Jeruzalemit KUSHTET e nenshtrimit. Këto ishin një imponim i fituesve muslimanë arab mbi popujt e pushtuar nga besime të tjera monoteiste jomuslimane, hebrejt, mazdejt e kristjant etj, të cilat nuk kishin mundësi të kundërshtonin asgjë. Këto “Kushte” do të ishin zbatimi fillestar i një serie kufizimesh, pak a shumë të rënda të natyrës ushtarake dhe të lidhura me sigurinë e brendshme që u transformuan me kalimin e kohës në ndalime të vërteta ligjore dhe shoqërore. Lexo ma hollsisht kete studim ne gjuhen shqipe: https://albemigrant2011.wordpress.com/2014/11/13/kushtet-e-kalifit-omar-ibn-al-khattab-imponu-kristianve-dhe-hebrejve-ne-token-e-tyre-te-pushtuar-nga-arabt/ .
    Poe te njajta kushte ua imponoi SHQIPTARVE per pese shekuj rresht SULLTANI TURK-OSMAN. Kushte aqe te dhunshme sa shumica e shqiptarve u detyru ke kethehej nga kristjan ne musliman dhe tue e lane ne mbrapambetjen ma te madhe dhe ne injorance.
    Populli hebrè u shkapernda ne te gjithe vendet e tjera dhe nuk pati ma asnji teke te vet sepse ne Jeruzalem-Palestine u KOLONT ARAB, te cilet sot po na hiqen si banor vendas te kesaj toke. Po te njajten gja vune sot populli i Koosves ku pushtuesi serb pretendon te jete popullsi autoktone vendase ne TOKEN E SHQIPTARVE-KOSOVE.
    Sot hebrejt per fat kan nji shtet te tyne ne toke te tyne krejt njilloj si SHQIPTART E KOSOVES kan nji shtet te tyne ne TOKE TE TYNE.
    POR sot Izraelin don ta shfarosin nga faqja e dheut. Kush? Arabt shtete MUSLIMANE sunnit dhe shiit. Ata mbeshteten grupin terrorist HAMASIN, i cili me 7 tetor 2023 filloi sulmin dhe grabisti civila tue vazhdu edhe sot me i mbajte peng. Natyrisht IZRAELI VETMBROHET dhe lufton kundra grupi terrorit HAMAS. Ne kete rast Hamasi duhet te ketheje PENGJET dhe te terhiqet nga synimet e zhdikjes se shtetit legjitim te IZRAELIT.
    Kush asht kundra Izraelit, asht ne krahun e Terroristave arab.
    Pyetje: Ky ANTIMAKIAVELI a asht INJORANT apo asht ne krahun e Terroristave, ashtu si ata qe jane kundra Kosoves jane ne krahun e serbve.
    Lexo ketu shkrimin:
    Ambasadori i ri i Palestinës në Beograd: Nuk do e njohim Kosovën
    Ambasadori i ri Palestinës në Serbi, Muhamed Al Namur deklaroi se vendi do të mbajë të njëjtin qëndrim për Kosovën, duke mos e njohur pavarësinë e saj.

    Gjatë një takimi me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç, diplomati u shpreh se Palestina e konsideron Serbinë vend mik, shkruan Euronews Serbia.

    Orliç falënderoi edhe Palestinën për mbështetjen e fuqishme për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë, si dhe për qëndrimin e qartë në forumet ndërkombëtare lidhur me mosnjohjen e Kosovës./abcnews.al
    https://abcnews.al/ambasadori-i-ri-i-palestines-ne-beograd-nuk-do-e-njohim-kosoven/

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu