Nga Oliver Serani
LONDER, 30 janar /ATSH/- Nëse një ditë njeriu arrin të ndërtojë një anije kozmike të aftë për të depërtuar në atmosferën e Neptunit, atëherë dikush mund të përjetojë ecjen nëpër një dush diamantesh, shkruan focus.it.
Sipas studimeve të reja të kryera nga një grup ndërkombëtar shkencëtarësh planetët ku mund të ”korren” diamante do të ishin shumë të shumtë.
Ashtu si në Neptun, edhe në Uran formimi i kristaleve të diamantit bëhet i mundur nga dy faktorë të pranishëm në thellësi të atmosferës së tyre: presionet e larta dhe temperaturat e larta.
Këto kushte zbërthejnë hidrokarburet si metani në atome individuale, duke lejuar që atomet e karbonit të bashkohen për të formuar molekula diamanti në gjendje të ngurtë, të cilat nga ana tjetër mund të krijojnë struktura gjithnjë e më të mëdha.
Bazuar në hulumtimin e kryer në studimin e fundit – në të cilin proceset e formimit të diamantit u simuluan në mjedise laboratorike – u zbulua se temperaturat dhe presionet për të shkaktuar formimin e diamanteve janë më të ulëta sesa mendohej më parë.
Kjo do të bënte të mundur reshjet e diamantit jo vetëm në planetë të mëdhenj si Urani, por edhe në planetë të ngjashëm më të vegjël të gaztë: ata quhen “mini-Neptune” dhe qindra prej tyre janë zbuluar jashtë sistemit tonë diellor.
“Ky zbulim jo vetëm që thellon njohuritë tona për planetët tanë të akullt lokalë, por gjithashtu ka implikime për të kuptuar procese të ngjashme në ekzoplanetët përtej Sistemit tonë Diellor”, theksoi Siegfried Glenzer i Laboratorit Kombëtar të Përshpejtuesit SLAC.
Ajo që zbuluan Glenzer dhe kolegët e tij mund të shpjegojnë gjithashtu disa karakteristika aktualisht të pakuptueshme të fushave magnetike të Uranit dhe Neptunit.
Ndryshe nga Toka, në fakt, planetët si Neptuni dhe Urani nuk kanë fusha magnetike simetrike, por prania e diamanteve në rënie të lirë mund të ndihmojë në shpjegimin e kësaj anomalie. /os/