Gani I. Mehmeti
Më 5 shkurt 2024 u nda nga kjo jetë arsimtari i Gjuhës e Letërsisë Shqipe në Podujevë, Shemsi Hasani, i cili krejt jetën e tij ia kushtoi arsimimit.
Vuajtjet i pati të rënda, që nga shkollimi i mesëm në Gjimnazin “8 Nëntori” në Podujevë. Ishte diku në klasën e dytë të gjimnazit, kur UDB-a e kishte marrë dhe po donte ta bënte për vete, duke menduar se ai do të thyhej lehtë, por e kishin pasur gabim, se nuk e kishin gjetur njeriun që po e kërkonin. Edhe sot më tingëllojnë në vesh fjalët e tij kur më thoshte: “Dajo, më kanë marrë për çdo ditë pas mësimit dhe më kanë mbajtur në polici çdo ditë rresht deri në mëngjes. Në fillim më ofruan gjithçka, më ofruan pagë të majme, kur iu thash se mua më duhet shkolla, ata më premtonin se të gjitha do t’i kem, edhe pagën e mirë edhe diplomën e shkollimit. Normal, se unë i refuzoja të gjitha. Më lutën me të mirë që të më bëjnë për vete, por unë nuk isha ai që ata po e kërkonin. Kishin gabuar tek unë, përkundër që më premtonin se do të kem një pasuri të majme dhe do të jetoja për mrekulli. Dhe, kur unë i refuzova të gjitha çka më ofronin, ia nisën me tortura, fillimisht më të lehta e shkonin duke i rënduar sa gjithë natën më mbanin të zgjuar, më rrahnin, këmbët po më ajeshin. Ato m’i fusnin në ujë to ftohtë për t’u çajur. Problemin më të madh e kam ndjerë kur më kanë rënë kërbaç në shputa të këmbëve! Atëherë më shkonte dhimbja deri në majë të kokës dhe për një moment nuk dija as ku jam. Nuk guxoja as të tregoja në shkollë për këto tortura e mbetesha pa gjumë. Pork jo më ka ndodhur për plot një javë, nga e hëna e deri të shtunën. Është e vështirë të përshkruhen edhe me fjalë gjithë ato vuajtje, mundime, tortura. Kurrë nuk e kisha marrë me mend se mund të rrahet një nxënës, një i ri në mënyrë të tillë. Pas një jave të plotë, më nuk më kërkuan të shkoja dhe u lirova. Nuk e di se a e ka përjetuar edhe dikush tjetër këtë, qoftë si i ri apo si nxënës”. – më fliste Shemsiu.
Shemsi Hasani kishte pasur telashe edhe në shërbimin ushtarak. Ishte me trup i gjatë, i plotë dhe mendonin se do ta thyenin, por kurrë nuk u thye, duke mbetur vetvetja.
Shemsi Hasani lindi më 1 qershor 1946. Mbasi kreu Gjimnazin në Podujevë, studioi Gjuhën e letërsinë shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Njëkohësisht ai kishte filluar edhe të punonte, duke filluar nga fshatrat e largëta në jugperëndim të Llapit, si në Buricë, Sibovc, Vendenisin e lashtë (Gllamnik) ku udhëtimin e bënte me biçikletë nëpër shi e nëpër bore, në vape e në ngrica për çdo ditë deri sa vie në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Podujevë, ku punon deri në pension.
Në foto: Shemsi Hasani djathtas, bashkëshortja e tij, majtas
Shemsiu, si të gjithë punëtorët e tjerë, kishte punuar edhe në vitet e 90-ta, kur poilicia serbe po i mbyllte shkoillat.
Një ditë, kur ajo po donte të hynte në shkollën ku po punonte Shemsi Hasani, i cili ishte kujdestar dite, ai u del në derë, duke iu thënë: “Ju do të mund të hyni brenda në shkollë, vetëm mbi mua të vdekur”! – dhe i kishte vënë të dy duart në të dy anët e derë dhe këmbët të zgjëruara për të dhënë shenj se ai nuk do të lejonte assesi të hynin për të gjallë të tij, Ishte bërë gati që të qëndronte!
Tortura e maltretime kishte pasur edhe gjatë luftës në fshatin Koliq, por asnjëherë nuk ishte dorëzuar.
Pra, si shumë të tjerë që kishin dalë në mbroijtje të shkollës shqipe dhe të nxënësve, edhe Shemsi Hasani kishte qëndraur në mbrojtjen e shkollës dhe të nxënësve nga pushtuesit serbë.
U shua një punëtor i brezit të Artë i arsimit, përkundër punës së çdo pëllëmbë toke se duhej mbajtur familjen, mbajtjes së bagëtisë, dhe sërish gjente kohë të bënte e shkruante planin për çdo orë mësimore, duke qenë gjithherë i përgatitur për orë në nivelin më të lartë.
Ndante kafshatën e gojës për libra, e shpesh ato i kishte blerë edhe me kredi, të cilat në fund i dhuroi për Shkollën Fillore “Naim Frashëri”, aty ku kishte punuar kohën e fundit.
Ai ishte i etur për dije dhe kurrë nuk iu nda librit edhe pasi u pensionua. Librin e kishte shokun më të mirë, andaj edhe lexonte pandërpre, deri në fundin e jetës së tij fizike.