ARKIVI:
24 Nëntor 2024

Dodona dhe Epiri – histori dhe qytetërim pellazgo-ilir

Shkrime relevante

Shpërndaj


Nga: Kujtim Mateli

Pak histori derisa nisa të shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin”
(Pjesa e parë e parathënies)
Aty pas vitit 2000, u njoha me tempullin dhe orakullin e Dodonës, me madhështinë e tyre në botën e antikitetit. Që nga fusha e betejës në Trojë, Akil Pelindi iu drejtua me lutje tempullit të Dodonës, kurse Odiseja do të vepronte sipas këshillave të orakullit, kur të kthehej në Itakë. Enea i Trojës, para se të hidhej në Itali, erdhi në Dodonë dhe u këshillua me orakullin. Duke u njohur me këtë madhështi të Dodonës, vendosa të shkruaj një libër. Rezultatet e kërkimeve të mia më çuan në përfundime të ndryshme nga ato që njiheshin dhe pranoheshin në botën akademike. Burimet e autorëve të antikitetit e vendosnin Dodonën në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, në kufijtë e Atintanisë ilire, që do të thotë se Dodona ndodhej në kufirin midis Ilirisë dhe Epirit. Dodona e Carakovistës, në jugperëndim të Janinës, ishte në mes të Epirit. Kërkimet e mia të disa viteve, më dhanë mundësinë që në dhjetor të vitit 2011 të botoj librin “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”. Libri ishte i ndërtuar në zbardhjen e tri të vërtetave historike:
E para: Dodona nuk ndodhet në jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës.
E dyta: Vendndodhja e Dodonës është në Dëshnicë të Përmetit: qyteti dhe tempulli në perëndim të qytetit të sotëm të Këlcyrës, në shpat të malit Trebeshinë, kurse orakulli përgjatë lumit Dëshnica.
E treta: Përkatësia etnike e Dodonës është pellazgo-ilire dhe nuk ka lidhje me helenët.
Libri u mirëprit dhe u dhanë vlerësime nga lexues dhe studiues. Prof. Neritan Ceka, e vlerësoi librin duke thënë se tani: “…ne e kemi një pasuri të madhe në gjuhën shqipe, një përmbledhje burimesh që me sa di unë, nuk ekziston as në gjuhët e tjera. Asnjeri nuk ka bërë një përpjekje për të mbledhur gjithçka, pothuajse gjithçka që ekziston për Dodonën në një libër të vetëm…”. (Teksti i plotë gjendet te ‘Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit II’ Tiranë 2016, faqe 10)
Shkrimtari Bardhyl Londo, e vlerësoi vendndodhjen e Dodonës në Dëshnicë të Përmetit si të argumentuar mbi dëshmi dhe fakte: “Është për t’u përshëndetur edhe metoda shkencore të cilën ka ndjekur Kujtim Mateli. Pasi ka lexuar gjithë literaturën që është shkruar për Dodonën dhe vendndodhjen e saj, studiuesi hulumton dhe krahason edhe terrenin përkatës duke e ballafaquar atë me të dhënat që japin për Dodonën autorët e lashtësisë. Është pikërisht ky ballafaqim që i jep autorit të librit një nga argumentet më bindëse për të arritur në përfundimin se Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit, se përshkrimi i autorëve të lashtësisë përputhet plotësisht me Dëshnicën dhe nuk ka të bëjë fare as me Janinën, as me malin e Tomorit.” (Teksti i plotë gjendet te ‘Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit II’ Tiranë 2016, faqe 11)
Por tezat që parashtroheshin në libër për vendndodhjen e Dodonës dhe përkatësinë e saj etnike, u kundërshtuan katër muaj më vonë, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nga nënkryetari i saj, prof. Muzafer Korkuti:
“Siç përmenda më sipër rastin e tempullit të Dodonës, që disa thonë se është në mal të Tomorit apo në Këlcyrë. Jo. Dodona është atje ku thotë se e ka parë me sytë e tij Ismail Qemali, që është shënuar në albumin e Kristo Frashërit” (gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012).
Pra, Dodona ndodhej në jugperëndim të Janinës, se e kishte parë me sytë e tij Ismail Qemali. Por Dodonës kishte 15 shekuj që nuk i dihej vendndodhja dhe autorët e shekullit të XIX e kanë kërkuar në çdo hapësirë të Epirit për ta gjetur dhe secili kërkues ka përcaktuar vendndodhje të ndryshme. Kur të gjithë këta arkeologë, historianë dhe dijetarë nuk e shihnin Dodonën, sepse ajo ndodhej diku nën rrënoja, si e paska parë Ismail Qemali?!
Prof. Muzafer Korkuti duke e marrë të mirëqenë vendin ku e kishte parë Dodonën Ismail Qemali, në luginën e Carakovistës, me të njëjtin arsyetim kundërshton edhe vendndodhjen e Dodonës në Dëshnicë të Përmetit:
“Këto që dëgjojmë e shohim sot se do të ngrihet një monument tjetër i pavarësisë në Tiranë më duken si ato diletantizmat e atyre që Dodonën antike 1500-vjeçare duan ta çojnë në kalanë e Këlcyrës.” (gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012)
Akademik Korkuti nuk argumenton përse Dodona nuk ndodhet në Kalanë e Këlcyrës, ku poshtë kësaj kalaje, në shpat të malit ndodhen ende 600 rrënoja shtëpish. Kërkon të krahasojë dy gjëra që janë të pakrahasueshme: Monumentin e Pavarësisë në Vlorë që përjetëson një ngjarje historike të ndodhur 100 vjet më parë me Dodonën pellazge që ka 1500 që iu shkatërrua tempulli dhe orakulli nga perandorët e Romës. Monumenti i Pavarësisë do të qëndrojë në Vlorë, se atje është shpallur Pavarësia, kurse Dodona do të shkojë atje ku ka vendndodhjen e saj të vërtetë, që nuk është në rrethinat e Janinës, por në Dëshnicë të Përmetit.
Nga përgjigjet që jep Akademia e Shkencave e Shqipërisë, shihet qartë se nuk ka argumente as për ta mbrojtur vendndodhjen e saj në Carakovistë të Janinës, as për të kundërshtuar vendndodhjen e saj të vërtetë.
Megjithatë akademik Korkuti e plotëson deri në fund argumentin e tij dhe këtë radhë edhe për përkatësinë etnike të Dodonës: nuk kishte rëndësi se cilës etnie i përkiste Dodona.
“Unë thashë që çdo ngjarje dhe çdo monument ka domethënien e vetë, ka kohën e vetë. Diletantizëm është që të lëvizësh një monument që i takon një fakti historik të njohur dhe ta çosh në një vend tjetër. Është me të vërtetë diletantizëm se shtrembërohet historia. Unë ju thashë një shembull që nuk mund të lëvizë tempulli i Dodonës pellazgjike. Është atje, tek popullsia që ishte, s’ka rëndësi kujt i takon në pikëpamje etnike” (gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012)
Një institucion shkencor e ka për detyrë të zbardhë historinë e popullit të vet. Ky mosinteresim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka bërë që Dodona, e njohur historikisht nga të gjithë autorët e antikitetit si pellazge dhe pas pushtimit romak si ilire, të tjetërsohet si helene dhe si helene ta njohë dhe bota akademike evropiane e më gjerë.
Përgjigjja e z. Korkurti ishte e qartë: Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nuk i interesonte as vendndodhja e Dodonës, as përkatësia e tij etnike.
Në këtë kohë u vura para dilemës: ç`të bëj?
M`u deshën dhe katër vite të tjera, gjersa në vitin 2016, botova librin e dytë për Dodonën. Që Dodona nuk ishte në luginën e Carakovistës, duhej të vinte e plotë, si nga burimet e autorëve të antikitetit, si nga gjetjet arkeologjike të luginës së Carakovistës. Duke i analizuar të gjitha gjetjet arkeologjike të zbuluara nga Karapanos, Evangjelides dhe Dakaris, asnjëra prej tyre nuk e shënonte qytetin. Në mungesë të emrit të qytetit, dëshmia tjetër që do ta vërtetonte Dodonën atje, do të ishte që ky qytet të nderonte Di Dodonen. Gjetjet arkeologjike vërtetojnë se atje nderohej Di Naio, që do të thotë se ky qytet nuk i përket Dodonës. Mungesa e burimeve historike që do ta vendosnin Dodonën në mes të Epirit, mospërputhja e topografisë që paraqet lugina e Carakovistës me dëshmitë e autorëve të antikitetit, si dhe mungesa e gjetjeve arkeologjike, janë provë e sigurt që Dodona nuk ndodhet në vendin e pretenduar deri më sot, por atje ku e kanë vendosur autorët e antikitetit: në veri të Epirit dhe në kufijtë e Ilirisë.
Pas botimit të librit të dytë, kërkimet më çuan te burimet e perandorisë romake, që i përkasin shekullit të IV-t pas Krishtit, që e vendosnin Dodonën në rrjedhat e lumit Aos (Vjosa e sotme), një përputhje e plotë me autorët e antikitetit. Autorët e antikitetit thoshin se Dodona ishte në veri të Epirit, në kufijtë e Atintanisë dhe në tokën molose. Edhe burimet e Perandorisë Romake e vendosnin Malin Tomar të Dodonës si mali që ndante Molosinë me Atintaninë dhe njëkohësisht Ilirinë me Epirin, kurse Dodona ishte në pjesën lindore të këtij mali, në tokën molose.
Para se ta botoja librin e tretë, ua dhashë për ta parë dy personaliteteve në fushë të shkencës, prof. dr. Alqi Naqellarit dhe prof. dr. akademik Flori Bruqit, recensat e të cilëve konfirmuan se Dodona nuk ndodhej në luginën e Carakovistës, por vendndodhja e saj ishte në Dëshnicë të Përmetit, në perëndim të qytetit të sotëm të Këlcyrës ku ndodhet kalaja antike dhe poshtë saj rreth 600 rrënoja të qytetit antik që i përkasin qytetit të Dodonës, kurse orakulli përgjatë lumit të sotëm të Dëshnicës, që në antikitet përmendet si lumi Dodon.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu