Nga: Ibrahim Kelmendi, Gjermani
___
JUSUF GËRVALLA – LETRA E DYTË ENVER HOXHËS (19 gusht 1980):
___
[Jusuf Gërvalla në letrën e dytë dërguar Enver Hoxhës më 19 gusht 1980, merr guximin ta paraqet një gjendje të organizimit të “ilegalës” në Kosovë, në vitet e 1970-ta, e cila nuk kishte përputhje me realitetin. Kishte mungesë njohurije për “ilegalen”?
Po e sjell një pjesë të fragmentin që përmban këtë tematikë:
“Thuajse rregullisht, veprimtaria e tyre (grupeve dhe organizatave klandestine) është zbuluar dhe është ndëshkuar që në gjysmë të rrugës. Atyre u ka munguar konspiracioni i thellë, i domosdoshëm në veprimtarinë ilegale. Organizimi i tyre është bërë shpesh në suaza regjionesh të caktuara, të ngushta dhe vetëm në ndonjë rast të rrallë ato, – si bie fjala më 1964, – janë përhapur në ndonjë trevë më të madhe të tokave tona. Përjashtim bën Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi, për të cilën mendoj se jeni në dijeni dhe anëtar i së cilës jam dhe unë. Kjo lëvizje vazhdimisht ka pasur parasysh si një nga qëllimet kryesore përfshirjen në gji të vet të patriotëve dhe revolucionarëve nga të gjitha viset shqiptare. Pos kësaj, edhe anëtarët e saj kanë qenë nga të gjitha strukturat shoqërore, gjë që organizatës i ka dhënë një karakter të përgjithshëm shoqëror.”
Në gusht 1980 LNÇKVSHJ-së faktikisht ishe inekzistente, nuk kishte asnjë organ funksional, kishte vetëm “udhëheqësin” Sabri Novosella i tërhequr në biznis privat në Turqi dhe Jusuf Gërvallën, azil-kërkues në Gjermani, i cili ndihej të ishte në situatë të mjegulluar organizative, pa kontakt me asnjë pjesëtar të organizatës, pa përcaktim çfarë duhet të bënte dhe pa asnjë anëtar në Emigracion në Perëndim. Në dhjetor 1979 në Kosovë kishin ndodh arrestime të 9 vetave të kësaj organizate, të cilët në qershor 1980 u dënuan si “grup armiqësor”, por as ata nuk ishin pjesëtarë të ndonjë organi udhëheqës, sepse LNÇKVSHJ asnjëherë nuk ka pas organe, por vetëm simulime nga “udhëheqësi” Sabri Novosella. Pra, tashmë, kur Jusufi i ka shkruar kështu Enver Hoxhës, LNÇKVSHJ kishte vetëm ndonjë idivid që ishin anëtarësuar nga Ramadan Pllana, Shefqet Jashari (Strovci) dhe të tjerë, por që nuk kishin asnjë lidhje me asnjë organ e person udhëheqës të organizatës.
Përmbajtja dhe formulimi i letrës dëshmon që Jusufi vetëm anti-inverist nuk ishte, siç shpifnin ca LDKucër dhe familjarë të Jusufit. Përkundrazi.
Në vazhdim po publikoj tekstin e letrës, të cilës duhet t’i jetë censuruar të paktën teksti që përmbante lutjen e Jusufit për 10 mijë US Dollarë ndihmë për ta ble një makinë elektronike për faqosje të “Lajmëtarit të lirisë”, për çka më shtynë ta rris dyshimin se edhe kjo letër duhet të jetë e kompiluar nga ustallarë të luftës subversive:]
I dashur shoku Enver!
Ne shqiptarët e shkëputur nga atdheu i lirë dhe të mbërthyer me dhunë mbrenda kufijve politikë të Jugosllavisë, ndjekim me krenari çdo hap të Shqipërisë mëmë në përforcimin dhe përparimin e atdheut. I gëzohemi prej së largu çdo prove të suksesshme të unitetit të pathyeshëm parti – popull dhe kjo na bën më të fortë edhe ne. Mburrja dhe entuziazmi ynë s’ka kufi kur kujtohemi që Shqipëria, nga një vend i varfër dhe i prapambetur feudalo-borgjez, u kthye në një vend të përparuar e të zhvilluar, pa analfabetizëm e pa papunësi në një vend të mirëfilltë, që jo vetëm po ja del ta ruajë në gji të shoqërisë së vet të paprekur kështjellën, por edhe t’i ndezë shkëndijat revolucionare të pjesës dërmuese të popujve të planetit.
Pa frikë se po biem në ndonjë eufori, nesër, kur këto shkëndija të kthehen në zjarre të vërteta revolucionesh, ne jemi të bindur që bota do t’ia njohë një pjesë të madhe të meritave pikërisht atdheut tonë, Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
E qartë, duhej një punë e mundimshme jashtë mase për të arritur në shkallën e sotme. Jemi në dijeni për një pjesë të madhe problemesh, me të cilat u ballafaquan Partia e Punës e Shqipërisë dhe populli shqiptar në rrugën e tyre të ndritshme. Ajo që na mburr dhe na jep shpresë më së shumti, është fakti se në gjithë këtë punë, PPSH dhe populli shqiptar i lirë, në udhëkryqin e njërës nga sprovat më të mëdha historike, ka zgjedhur rrugën e sinqeritetit dhe të guximit të pashembullt, me të cilat është mëkuar ndër shekuj populli ynë i shumëvuajtur, rrugën që i jep dorë të bëhet zëdhënës i ideve më përparimtare të njerëzimit, duke ndarë si me thikë të mirën nga e keqja në botë.
Epoka e lavdishme shqiptare e Gjergj Kastriotit nxorri në pah një përmasë të rëndësishme të shpirtit të popullit tonë: gatishmërinë e flijimit në shkallën më të lartë dhe të frymëzimit të papërsëritshëm të njeriut të kohës për mbrojtjen e atdheut. Dhe hyri me të drejtë në histori si epokë e Prometheut kundër të gjithë perëndive, epokën e sotme shqiptare me Partinë e Punës dhe me Ty në krye, Shoku Enver. Skena e dramës së sotme shqiptare është po ajo e Prometheut të pesëqind vjetëve. Bota e krishterë ishte ajo që pat nisur luftën kundër kuçedrës anadollake. Dhe sa u duk që ajo botë po i gëzohej titanit Skënderbe, që po i çonte në vend tek e fundit dhe interesat e Evropës, u prapsën një pas një fuqitë e kohës. Kishte një cikërrimë që nuk durohej në personin e Gjergjit dhe të popullit shqiptar: seriozitetin dhe këmbënguljen mbinjerëzore, që çështjen e shtrenjtë të lirisë e bënte të kuptohej në gjithë njëmendësinë e saj.
Kështu u sprapsën dalëngadalë edhe forcat që kishin hyrë përpara Shqipërisë “së vogël”në lojën e madhe të dramës komuniste. Shqipëria e “vogël”, me seriozitetin dhe njëmendësinë e saj atyre ua nxorri gjithë merakun në kushte të një temperature të lartë të “lojës” së nisur prej tyre. Marrëveshjet paqësore dhe krushqitë e Venedikut, Raguzës, Serbisë me kuçedrën anadollake, në një kohë që Shqipëria po e lante në gjak çdo pëllëmbë të tokave të veta, nuk ndryshojnë aspak nga tradhtia sovjetike, jugosllave, kineze…që ia kthyen shpinën marksizëm-leninizmit, duke mos qenë të gatshëm t’i bëjnë ballë frymëzimit të lartë dhe duke mos parapëlqyer rrugën e rezistencës së ulët ndaj imperializmit dhe kapitalizmit. Ne ndjekim me indinjatë bllokadën e egër ndaj Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, që nisi imperializmi, për ta vazhduar revizionistët tradhtarë. Por zemra na bëhet mal kur shohim që atdheu ynë marshon sypatrembur, duke çarë një pas një rrethimet dhe bllokadat mizore dhe duke ndjekur me frymëzim e besnikëri të pashembullt rrugën e sigurt të socializmit, që është e ardhmja e afërt e gjithë njerëzimit.
Në sajë të ekzistimit të kësaj Shqipërie të mbarë, të fortë e vigjilente dhe në sajë të traditave revolucionare të popullit tonë, përgjithësisht edhe ne shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të përfshira në dhunën e në padrejtësinë e pashembullt historike brenda kufijve të Jugosllavisë, ndonëse jemi dëmtuar në masë të madhe nga shtrëngimi i vazhdueshëm i darave të shovinizmit serbo-malazezo-maqedonas, ia kemi dalë të ruhemi bukur mirë nga ujërat e zeza ideologjike të revizionizmit titist rankoviçist. Larg ndenjës revanshiste e shoviniste, te ne është ndezur shkëndija e luftës së pashmangshme nacionalçlirimtare, konturet e së cilës po duken në horizont.
Të nxirret pjesa e robëruar e tokave dhe e popullit shqiptar nga kthetrat e përgjakshme të socialshovinistëve titistë dhe të çohet në vend vullneti i ndryshuar i popullit tonë: bashkimi me vendin amë, Shqipërinë, është një e drejtë historike, që iu mohua por nuk iu çrrënjos kurrë popullit tonë të vënë me shekuj përballë padrejtësive të mëdha historike po të papërkulur kurrë. Në dëshmi të përpjekjeve dhe të luftës sonë flasin vetë kampet jugosllave të përqëndrimit, me barkun e tyre të akullt, që s’po resht së gëlltituri qe tridhjetë e pesë vjet me mijëra e mijëra patriotë dhe revolucionarë shqiptarë; në dëshmi të tyre flet vetëdija e zgjuar kombëtare dhe klasore e shqiptarëve me banim në Jugosllavi. Na bën të lumtur fakti se Partia e Punës e Shqipërisë dhe Ti, Shoku Enver, jo vetëm që keni ndjekur në hap të gjitha konjugacionet e gjenocidit sllavomadh të ushtruar mbi ne, por keni qenë edhe të vetmit denoncues të denjë të këtij gjenocidi në sy të botës.
Deri sa ne kemi duruar urinë, deri sa ne kemi shikuar me sedër të vrarë kombëtare si zbret dhe si ndalohet flamuri shqiptar, deri sa nga vatrat tona na kanë dëbuar me dajak, me presion e shantazhe dhe deri sa na kanë vënë në tortura të pashembullta, gjithë kohën që ne kemi shijuar mjetet të gjenocidit nga ana e socialshovinistëve serbo-malazezo-maqedonas, i vetmi satisfaksion për ne ka qenë forcimi dhe zhvillimi i mbarë i Shqipërisë mëmë dhe denoncimi i hapët nga ana e PPSH i të zezave të zbrazura me rrebesh mbi kokën tonë. Dhe, në vend të ndonjë ndjenjeje të braktisjes nga Shqipëria mëmë (këtë ndjenjë provoi një kohë të gjatë të injektonte në qenien tonë kombëtare gënjeshtra e ligë titiste), qenien tonë e mbushi ndjenja e fuqishme se ka kush na del zot dhe kush e davarit mjegullën historike, me të cilën titistët donin të mbështillnin historinë tonë të vërtetë dhe planet e tyre shtetërore për shfarosjen e shqiptarëve. Të shtypur në pikëpamje ekonomike, sociale, nacionale e kulturore me breza të tërë intelektualësh e revolucionarësh të asgjësuar fizikisht nga pushtuesit serbo-malazezo-maqedonas, pa institucione dhe literaturë të përshtatshme, nga do të rridhnin informata e njohuri, në bazë të të cilave do të mund të hetohej aktualiteti politik ndërkombëtar dhe çështja jonë jetike, aktivitetin e djalërisë patriotike shqiptare në këtë pjesë të robëruar të atdheut tonë e karakterizonte një kohë të gjatë vetëm instinkti kombëtar dhe entuziazmi i pashuar.
U desh një kohë relativisht e gjatë që ne të kuptonim një fakt fare të thjeshtë se kufijtë e Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, në kushtet e sotme dhe në shkallë ndërkombëtare, janë të pacenueshëm dhe se çdo intervenim i hapët i Shqipërisë në çështjet e shqiptarëve të robëruar mund të konsiderohet përzierje në punët e brendshme të Jugosllavisë e kështu edhe të sjellë pasoja të rënda intervecioniste edhe për vetë atdheun tonë, pavarësia e të cilit ka kushtuar çdo pëllëmbë e gjak.
Po tani që vetëdija jonë politike po begatohet gjithnjë e më shumë, rrezikun e Shqipërisë mund ta hetojmë më lehtë dhe më lehtë t’i bëhemi prag atij. Sidomos atë të madhin, rrezikun e intervenimit ndërkombëtar në Shqipërinë socialiste, nuk e aprovojmë në asnjë mënyrë dhe jam i bindur se djalëria jonë përparimtare dhe përgjithësisht populli shqiptar brenda kufijve politikë të Jugosllavisë, më parë do të duronte asgjësimin e vet sesa zhbërjen e Shqipërisë, duhet të presim vetëm çastin vendimtar të luftës sonë kur lufta të kalojë në konflikt të armatosur.(Por, gjithashtu ne prekemi thellë në sedër sa herë që, nga mosbesimi në ne apo nga konspiracioni i thellë, ndonjë shtetas i RPS të Shqipërisë ngul këmbë sesi në Jugosllavi nuk jemi aq keq dhe se Shqipëria nuk ka fare të bëjë me të vërtetën sa i përket qëndrimit të Shqipërisë socialiste ndaj tokave të veta të pushtuara, sjellin dekurajim dhe pakënaqësi në mesin e popullit tonë të shumëvuajtur.)
Nga ana tjetër, ne aprovojmë pa rezervë parimin marksist-leninist të PPSH, lidhur me rivendikimin e kufijve. Mirëpo, nga përvoja 35 – vjeçare me titizmin, a mund të priten rrethana të rivendikimit në rrethana marksiste-leniniste? Te ne nuk do të lëkundet kurrë besimi në revolucionaritetin e popujve. Kjo vlen edhe për popujt
jugosllavë. Ti, i dashuri Shoku Enver, ke konstatuar vetë se klima politike në Jugosllavi është e atillë që në të mund të pritet shpërthimi i revolucionit nacionalist. Dhe kushtet ekonomikoshoqërore për një shpërthim të tillë ekzistojnë qëmoti në këtë vend revizionist, sidomos sot, në kohën e krizës më të madhe në të cilën është katandisur ky vend. Aparati fashist jugosllav ia ka dalë t’i shuajë grevat e shumta të punëtorëve, që janë zhvilluar kohëve te fundit, po edhe ta minimizojë jehonën e tyre, duke i ruajtur ato në fshehtësi. Këto greva vërtetë mund të merren si shkëndijë e një revolucioni të ardhshëm, sado që ato, përsa mund të hetohet, nuk dalin me ndonjë program të qartë marksist-leninist. Sa i përket opozitës së regjimit të sotëm titist, sidomos kur është fjala për pjesëtarë të kombit kroat nga Kroacia dhe Bosnja, veprimtaria e saj propagandistike dhe agjitatore i ka rrënjët në emigracionin e orientuar thuajse kryekëput nga imperializmi dhe kapitalizmi perëndimor. Kjo opozitë, me një bazë fare të dobët në vend, po bën presion të vazhdueshëm që populli kroat, krahas luftës për pavarësi të plotë nga Jugosllavia, të orientohet nga regresi i shkelur. Pos kësaj, regjimi social-shovinist i Beogradit ia ka dalë të helmojë me ndjenjë shoviniste dhe të ndërsejë kundër popullit shqiptar një pjesë të madhe të popullsisë serbe, malazeze e maqedonase, sidomos brenda tokave shqiptare dhe në regjionet që kufizohen me viset tona. Prandaj, ne jemi skeptikë se për realizimin e aspiratave tona shekullore, të drejta për bashkimin e tokave dhe të popullit tonë, mund të priten rrethana të rivendikimit në baza marksiste-leniniste.
Ose, së paku, deri sa të arrijë një kohë e tillë, ka rrezik për dëmtime të mëdha të popullsisë shqiptare që lëngon nën regjimin e egër titist.
Aktualisht, siç e di edhe Ti, Shoku Enver, te ne vazhdon eksplorimi i paskrupullt ekonomik i viseve shqiptare nga ana e qeverisë së Beogradit. Vazhdon me të madhe papunësia dhe shitja e krahut të lirë të punës te kapitalistët perëndimorë.
(Kohët e fundit, qeveria “shqiptare” e Kosovës deklaroi me mburrje në shtyp sesi janë duke u bërë përpjekje për t’u siguruar punë edhe së paku dhjetëmijë kosovarëve në Libi, pastaj në RDGJ etj.) Krahas zbrasjes së mëtejshme të Kosovës nga krahu vital i punës (dhe i pushkës), titistët po i shërbejnë, të thuash, pa pengesa edhe një qëllimi sa të lashtë aq edhe aktual sllavomadh: duke sjellë kolonistë të rinj në vend të shqiptarëve të mënjanuar në një mënyrë a në një tjetër, t’i ndërrohet fizionomia etnike tokave të mirëfillta shqiptare. Në kushte të papunësisë, të pagave të ngurtësuara në anën tjetër, populli shqiptar nën Jugosllavi po çon jetë të mjeruar prej skllavi.
Ndërsa rezervat e mëdha ekonomike të viseve tona merren nëpër këmbë dhe me to ushqehet makineria e egër e sistemit revizionist jugosllav dhe ngrihen qendrat e çetnikëve dhe administratorëve serbo-malazezo-maqedonas. Kështu, pakënaqësia e popullit shqiptar, që gjithmonë ka qenë i pakënaqur nga regjimet jugosllave, po rritet dita me ditë. Për djalërinë patriotike e revolucionare shqiptare, pakënaqësia e popullit tonë ka qenë fort e qartë, për të cilin ata janë kapur rregullisht për ta thënë replikën e tyre luftarake. Pakënaqësia në rritje e popullit tonë, njëherazi, është edhe pasqyrë e luftës politike ndërmjet titizmit dhe popullit shqiptar. Dhe kjo pakënaqësi sot ka arritur në atë shkallë, sa mund të thuhet që lufta jonë politike kundër këtij pushtuesi të egër revizionist është fituar gati në mënyrë përfundimtare. Ky është një faktor i fuqishëm shtytës i revolucionit tonë.
Ndonëse të zbuluara e të ndëshkuara, në luftën tonë të përgjithshme kanë kontribuar shumë grupet dhe organizatat patriotike e revolucionare të shqiptarëve në Jugosllavi që nga Lufta e Dytë Botërore e këtej. Është mbarësi e posaçme që pjesa e tyre dërmuese ka pasur platformë të shëndoshë ideopolitike. Ato mund të mburren, se kanë ndjekur rrugën e luftës nacionalçlirimtare dhe revolucionit socialist, duke synuar në mënyrë permanente bashkimin e tokave dhe të popullit e me vullnetin e popullit, me vendin amë, Shqipërinë socialiste të Partisë së Punës dhe të shokut Enver. Në këtë mënyrë ato janë bërë pararojë dhe shprehje e qartë e vullnetit të popullit shqiptar, të ndrydhur nga tradhtia e madhe e PKJ dhe nga interesat e fuqive të mëdha. Por, megjithëse numerikisht kanë aktivizuar në gjirin e tyre një pjesë bukur të mirë të patriotëve dhe revolucionarëve shqiptarë, këto grupe e organizata nuk mund të mburren për konsolidimin e mjaftueshëm të forcave tona përparimtare dhe për punën me efekte të larta në goditjen e armikut.
Thuajse rregullisht, veprimtaria e tyre është zbuluar dhe është ndëshkuar që në gjysmë të rrugës. Atyre u ka munguar konspiracioni i thellë, i domosdoshëm në veprimtarinë ilegale. Organizimi i tyre është bërë shpesh në suaza regjionesh të caktuara, të ngushta dhe vetëm në ndonjë rast të rrallë ato (si bie fjala më 1964) janë përhapur në ndonjë trevë më të madhe të tokave tona. Përjashtim bën Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi, për të cilën mendoj se jeni në dijeni dhe anëtar i së cilës jam dhe unë. Kjo lëvizje vazhdimisht ka pasur parasysh si një nga qëllimet kryesore përfshirjen në gji të vet të patriotëve dhe revolucionarëve nga të gjitha viset shqiptare. Pos kësaj, edhe anëtarët e saj kanë qenë nga të gjitha strukturat shoqërore, gjë që organizatës i ka dhënë një karakter të përgjithshëm shoqëror. Megjithë të metat që janë përcjellë në aktivitetin e grupeve dhe të organizatave patriotike revolucionare të shqiptarëve në Jugosllavi, ne, para se t’i sulmojmë me kritikën tonë lidhur me ndonjë aspekt të posaçëm të tyre më në fund, siç është fare e natyrshme, ka qenë në përputhshmëri me mundësitë që afrojnë kushtet e përgjithshme shoqërore ndër ne.
Po tash, meqë lufta jonë politike ka hyrë në fazën e vet përfundimtare, e cila po zhvillohet në favorin tonë, janë të domosdoshme edhe forma më të larta organizimi të aktivitetit revolucionar. Edhe nga kjo pikëpamje ne, me një vonesë të konsiderueshme, kemi arritur në përfundimin se luftës sonë i duhet një emërues i përbashkët dhe i fuqishëm…, është e domosdoshme një ndihmë konkrete nga ana e Partisë së Punës të Shqipërisë. Një ndihmë e tillë, konsiderojmë ne, është e drejtë e patjetërsueshme si për PPSH-në, ashtu edhe për djalërinë patriotike e revolucionare shqiptare në pjesën e robëruar të atdheut tonë të përbashkët. Kështu do të përligjej dhe do të fuqizohej edhe lufta jonë e drejtë, po edhe përkrahja që do të merrnim nga PPSH. Ndihma, natyrisht nuk ka munguar as deri më tash. Literatura revolucionare dhe patriotike, që ka depërtuar në masë të madhe edhe te populli ynë këndej, ka rëndësi të madhe dhe ka ushtruar ndikim të madh. Një rol të rëndësishëm ka luajtur deri më tash sidomos Radio Tirana me emisionet e saj. Dhe një nga masat më të qëlluara për afrimin dhe për ngritjen e vetëdijes kombëtare, shoqërore, politike e ideologjike të popullit tonë në pjesën e robëruar të Shqipërisë, konsiderojmë ne, ka qenë ajo e 28 Nëntorit të kaluar, qëkur shqiptarët në Jugosllavi mund ta ndjekin edhe programin e Televizionit Shqiptar.
Mirëpo për t’ia dalë në mënyrë sa më të denjë dhe sa më efektive qëllimit tonë të lartë, mendojmë se në mesin tonë duhet të punojë një dorë e rysur komuniste, që do të na i trasmetonte drejtpërsëdrejti bazat e shëndosha të veprimtarisë së një partie komuniste marksiste-leniniste në kushtet e ilegalitetit të thellë. Nga ana jonë mund të themi se një gjë është fare e sigurt: njerëz përparimtarë nga të gjitha strukturat shoqërore te ne janë të gatshëm të punojnë pa kursyer asgjë për atdhe dhe për idetë e larta komuniste.
Pos kësaj, në mesin tonë dita ditës po nxjerr kokë një mendim i përgjithshëm: brezi ynë i sotëm e ndjen veten të thirrur ta bëjë një hap të madh përpara në luftën për liri dhe bashkim me vendin amë, në mos edhe ta realizojë përfundimisht revolucionin e pashmangshëm. Prandaj, të sigurt se kjo çështje është e denjë për kujdesin Tënd, të Partisë së Punës dhe të mbarë popullit shqiptar, ne presim që kërkesa e mbarështruar këtu për ndihmën e përmendur nga ana e PPSH-së, të hasë në mirëkuptim dhe të shqyrtohet në nivelin për të cilin do të konsideroni ju se është adekuat.
Duke çmuar lart kohën Tënde të shtrenjtë, shoku Enver, shpresoj se do të kesh mirësinë t’i propozosh ndonjërit nga shokët e afërm të Partisë së Punës të më përgjegjet në këtë letër. Çdo fjalë, çdo mendim a porosi do të jetë shumë efektive dhe jo vetëm për mua.
Në përfundim të kësaj letre, kam nderin e jashtëzakonshëm të Të uroj punë të mbarë në ndriçimin e idesë së lartë komuniste dhe shëndet të çeliktë në udhëheqjen e popullit të lirë shqiptar dhe të Partisë së Punës të Shqipërisë.
Jusuf Gërvalla
*
[Ky tekst është publikuar për herë të parë në librin e Faridin Tafallarit, “Dhimbje krenare”, Tiranë 1998, faqe 94-99; është ripublikuar në librin e Faridin tafallarit “me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme”, Tiranë 2010, faqe 32-38; është ripublikuar edhe nga Xhafer Durmishi, VERPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 219-224.]