Irena Kuka Dragoti
___
Poezi
___
Peisazh Vendlindjeje (Lushnjes sime)
___
Qiej marsi bëjnë shtjella të gjera,
në qytetin tim…
Pa dallgë janë fushat,
kur lundrojnë drejt detit…
Ka një rrugë qeshjesh
që bën poshtë për në Lagunë,
ku ditët janë një dritare e gjerë
prej nga çel kujtesa,
me përralla gjyshesh që buisin netëve
pa e humbur fillin
për fytyra engjëjsh që shfaqen,
sa herë një pelikan lind…
*
Paqe të gjelbra si rrëke
zbresin nga ullishtat,pas shirave..
Nata fle drithërash të bruzta
me diellin mbi shpinë..
Në kthesa stinësh ndihet zhurma e ujit
si tinguj pasqyrash që thyhen,
nga bukuria e vajzave të qytetit tim.
*
Zagushi e verës ka përmbytur akaciet,
me fllade trishtimi të pakohë.
Juga e hidhur e dimrit
lëshon ofshe harrese,
me hije që vijnë nga drita
pas kallamishtes së njomë.
*
Veç pishat e plakura
tek kisha e rikthyer
janë të dashuruar me historinë
ajo troket me etje të rriturish
aromës së mimozave të fëmijërisë
dhe sot frymon mbi rrudhat e viteve
si deltë malli, sa herë të kujtoj
a vij tek ti të shlodhem
qyteti im