ARKIVI:
24 Nëntor 2024

Bisedë me Granit Durmishin, ish nxënës imi e nipi i balit Adem

Shkrime relevante

Traditat Ilire-Arbërore, po prehen kirurgjikisht nga antishqiptarizmi islamik

Nga: Engjell Gishti, historian  TRADITA ILIRO - ARBERORE, PAGANE DHE E KRISHTERE...

Vjosa Osmani, “kush kërcen, kafja falas…!”

Shkruan : Refiqe R.Hamiti ___ VJOSA OSMANI, KUSH KËRCEN ,KAFJA FALAS "S'ka ku...

Turboshkrimtari Zekeria Idrizi, ose mungesa e dinjitetit…!

Lis Bukuroca, Gjermani ___ Zekiria Idrizi, një ish-hoxhë që tani identifikohet si shkrimtar,...

Vjosa Osmani dhe fërkimet me Qeverinë e Kosovës: A po kërkon interesa personale dhe po injoron votën e qytetarëve të Vetëvendosjes?

Nga: Luan Dibrani Në një periudhë të tensionuar politike, Presidentja e Kosovës,...

Shpërndaj

Në foto: Granit Durmishi, si nxënës

Sinan Kastrati, Suedi

Vazhdon nga numri i kaluar me titull ”Jeta si mësues në mërgatë”, publikuar më 8 Shkurt 2024

Kujtime nga (jeta dhe puna) si mësues në vitet 1992, 1993-1996

Pjesa e pestë (5)

Si i organizoja orët e temat e mësimit?

Bisedat me nxënës e prindër shqiptarë

Pas çdo pubkimi për kujtimet e mia si mësues, i shkruaj ose flas me ndonjë ish nxënës timin për kohën kur ai ka qenë nxënës. E pyes nëse i kujtohet diçka më tepër nga ajo kohë, 30 e më shumë vjet mbrapa.

Dje bisedova me Granitin, djalin e Xhevatit dhe ish nxënësin tim në Oskarshamn. Granitin e luta nëse ka ndonjë fotografi të balit Adem, axhës së Xhevatit, të ma dërgoj. Iu luta, gjithashtu për emrat e familjeve dhe të disa nxënësve që iu kam harrua emrat por jo edhe qehren (syretin, fotografinë) e tyre dhe vendin ku ata uleshin e me kend uleshin në klasë. Kisha vendosur që ditarët e punës me nxënës, mos ti shfletoj njëherë. Mund të them se ditarët e punës ishin edhe ditarë të jetës për mua. Ndoshta më vonë do ti shikoj për saktësi ngjarjesh, njerëzish e kohë. Nëse kam fat e jetoj, do t`ju tregoj edhe miqëve të mi si punova, ato që pash e dëgjova kur punoja si mësues në Suedi.
Graniti më tregonte për balin Adem se si i blente bonbone, çollallate, ëmbësira e çamçakëze në shitoren e Ramizit, jo fëmijëve të tjerë, vetëm Granitit. Shitorja e Ramizit ishte afër shtëpisë së Granitit e xhamisë në Stanofc.
Për balin Adem, Graniti tregonte gjëra interesante, nga më të ndryshmet, jo para nxënësve se i vinte keq nga frika se mos bali Adem po na del ndonjë personazh si Ukë Topi a Åse e Nise e po e përqeshin të tjerët.
Bali Adem ia kishte blerë një biçikletë Granitit. Kur Graniti ka ardhur në Suedi, bali Adem e ka marr biçikletën dhe e ka qit në tavan të shtëpisë me ia ruajt me shpresë se Granti do të kthehet. Graniti, jo vetëm që nuk u kthye në Kosovë, tash është babë e burrë por edhe bali Adem erdhi në Suedi (më 1999). Bali Adem nuk deshi të rrije në Suedi. Ai i kishte thënë Xhaferit, pasi u larguan forcat serbe e hynë forcat e NATO-s në Kosovë, ”nëse nuk ma nxjerr ni biletë e nuk më k`theni n`Kosovë, unë kam me dalë para vozit (trenit). Kujtime të dhimshme, që shpresoj se nuk do të mbeten vetëm në ditarët e mi.
Bali Adem më shumë e deshi baltën e Stanofcit se jetën në Suedi. U mërzit që e la Granitin por Granti tash ishte bërë burrë.

Në orët e mësimit të gjuhës shqipe, në Suedi isha i kufizuar për shkak të numrit të vogël të orëve të mësimit, ndërsa në Kosovë isha i shtrënguar e i “kujdeshëm” për shkak të politikës diskriminuese serbe e jugosllave. Dy orë brenda javës nuk ishin të mjaftueshme në Suedi por më mirë pakë se hiç. Shpesh nuk arrija ta realizoja planin, ate që mendoja ta shpjegoj para nxënësve, temat nga letërsia po edhe nga gjuhësia. Letësia është një mal i madh, si mali me shumë lloje të drunjëve, ah, bung, frashër, lejthi, shkozë, shpardh, thanë, sikurse letërsia me vjershat, tregimet, drama (komedi, tragjedi), novelat, romani, epi…
Prandaj, temat për Kosovën për mua si mësues ishin ato që (duhej të) na bashkonin, që mundohesha të ngjalli dashurinë për atdheun e robëruar, për gjuhën shqipe, për të kaluarën tonë të ndritshme që nga Skënderbeu. Dhe nga kjo, temat e lira, në hartimet me nxënës e detyra të shtëpisë ishin shumë të rëndësishme. Detyrata e shtëpisë, gjithnjë iu jepja nxënësve me tema nga Kosova psh: rruga se si kanë ardhur me prindër në Suedi, të shkruajnë me ndihmën e prindërve ate që mbajnë mend, malli për të afërmit, për gjyshet që kanë mbetur në Kosovë e nuk kanë më kujt ti tregojnë përralla, pë nipat e mbesat që nuk i kanë, për hallat që iu kënduan ninullat kur i përkundën në djepin e drurit, për axhallarët që lëvronin tokën me parmendë… e barinjët që ruanin bagëtinë në bjeshkë.
Fatkeqësisht, edhe në Suedi ndodhin ato që nuk duhët të ndodhin. Një prind, edhe ai mësues shqiptar, më thirri e me ton urdhërues me pyti ”pse po i pyet nxënësit qysh kanë ardhur në Suedi”?

Vëllezërit e tij nuk dihej se si kishin ardhur (ilegalisht?) në Suedi, me ndihmën e vëllait ”mësues” e ai e kishte keqkuptua gjoja unë jam i interesuar se si e sa (nëse) kanë pagua ata, para të pista tregtarëve e kontrabanduesve. Detyra ime si mësues ishte që ata e ato nxënëse, të shprehen me fjalë në mënyrën e tyre, me gjuhë të thjeshtë e të ”varfër” por të kuptueshme për moshës e tyre, ta përshkruajnë rrugën që e kanë ujit me lot nënat e tyre derisa kanë ardhur në Suedi duke e kthyer kryet mbrapa aq sa kanë mundur ta shohin një copë tokë të Kosovës. Kryet iu ka mbetur shtrembër për tokën e Kosovës. Ato kanë ruajt bukën që e kanë marrë në Kosovë për me i ushqye fëmijët rrugës, edhe nëse buka është mykur nuk e kanë hudhur rrugëve të Evropës, bukën e kripën e Kosovës. Eh, po të qëllonte ndonjë plakë do të shoshte”mos e gjuj bukën se ni qarron Zoti sytë”

Pakë pat dokem unë e po don me folë edhe me gruen teme a?
Një prind kur thirra në numrin e telefonit që ma kishte dhënë administrata e shkollës me bisedua ose me caktua një kohë kur ai mundet me ardhur në shkollë, se ”dua të flas me babën ose me nënen e nxënëses…” sepse nuk kemi të drejtë të flasim për fëmiun me prind tjetër, as me vëllain e motrën e nxënësit, ai daia*), jo burrë por burrec më bërtet në telefon që me siguri edhe fqinjët e kanë dëgjua:
-A pakë po të dokem unë por po don me folë edhe me gruen teme a?
Unë i lutesha “burrit; prindërit të nxënësve të mia që ta ulë zërin se nuk po më frikëson në telefon derisa edhe ai e pa se e teproi. Atëherë filloi të më tregoi se ai është ndarë nga grueja. (është një nga përjetimet e mia që më vonë, kur të flas për Kujtimet e mia, pas vitit 1999, do të tregoj për këtë ndodhi e të ngjashme), kujtime që për mua janë të paharrueshme por, po ta kisha mendjen e hollë e dorën e Mitrush Kutelit, vërtetë do të përzgjidheshin tregimet (e mia) si tregime për librat antologjikë.
Ai “burrë” ishte ndarë nga grueja e parë dhe tre fëmijët, dy vajzat e djalin ia kishte marrë grues. Vajza dhe djali i vogël, mërziteshin shumë për nënen e tyre, ishin të vegjël e të ndruajtur sespe jetonin me njerkën e jo me nënen. Qëllimi i bisedës sime pse e thirra prindërin ishte të flas e bashkë me te, ti mbështesim e ti ndihmojmë dy fëmijët e vegjël që vuanin, mërziteshin e mbeteshim mbrapa në mësime, jo vetëm në gjuhën shqipe por edhe në lëndët e tjera, mendoja unë.

Te Björn e Eva në Timmernaben, afër Mönsteråsit, me famile, Nexhën dhe Nëntorin, korril 1995

Po nuk ishte vetëm ai, kishte edhe prindër të tjerë të cilët nuk e lunin kâmen për fëmijët e tyre.
Njëherë, një nënë kishte ardhur në shkollë, për punë të tjera. Nga shkolla më thirr se është në sallën e mësuesve. Unë i them:
-Eja në klasën time!
-Jo, më thotë, jam lodhur. Dikur erdhi
Asaj gruaje i kishte vdekur burri (kishte qenë e martuar me të huaj, jo shqiptar) e bashkë i kishin dy vajza si drita. Vajza e madhe e fliste gjuhën shqipe bukur ndërsa e vogla (nuk kishte më shumë se 11 vjet), belbëzonte, dmth nuk e fliste mirë shqipen e nxënësit e tjerë, kur ajo fliste, fillonin të qeshnin. Unë mundohesha me e përkrah, me i dhënë zemër e vullnet asaj që të mos ndihet keq dhe e vetmuar. Afrohesha te banka ku ulej ajo dhe ngadalë e qetësoja ndërsa nxënësve që e përqeshnin, i këshilloja e nganjëherë I qortoja që të sillen mirë e ta ndihmojnë ate.
Pas një jave, kur nxënësja nuk erdhi në mësim, unë e thërras nënen e saj e dhe e pyes pse nuk ka ardhur në mësim. Nënen, tash e kisha ballë për ballë me dy vajzat në klasën time ku mbaja mësim, me përgjigjet ate që nuk e prisja:
-Ti po i afrohesh shumë ngat vajzës …Vajza e madhe reagoi:
-Mësues, mos e ngo nânen se kjo nuk din shka flet!

Adem Jashar Durmishi-Majanci, bali Adem (1932-2012)

U largova pakë nga tema, por jo edhe nga nxënësit sepse ata ishin e mbeten pjesë e punës dhe një pjesë e jetës sime, ashtu sikur nëna që është e lidhur për fëmiun e bujku për arën.
Për nxënësit, ora e mësimit bëhej më tërheqëse ku zgjidhja ndonjë temë të lirë nga fshati, nga jeta në Kosovë. Këtu nxënësit ishin të lirë të tregonin para të tjerëve ato që mbanin mend nga Kosova, bisedat me të afërm të babës, kusherinj, dajë e teze, shokë të klasës (e shkollës), lojrat fëminore në shkollë, në shtëpi, në fushë e në malë. Nëse ndonjëri nga ata ka qenë çoban, tregonte për jetën baritore. Nxënësve iu jepja liri të plotë.
Mjaftonte që njëri fillonte të tregonte për xhaxhin që e kishte lënë në Kosovë dhe menjëherë nga dy e tre e ngritshin dorën, edhe ata dëshironin të tregojnë për axhallarët e tyre.

Oda e burrave e Mustafë Majancit ku ndejtën intelektualë e pleqnarë. Bali Adem nuk u largua nga ky konak derisa vdiq. Ai asnjeherë nuk shkoi askund e nuk hëngri bukë pos në odë. Ishte malësor si Xha Sulo-Kapedani e gjyshi im, Imer Seferi

Njëri tregonte se si nuk i lente pulat me dalur në oborrin e fqinjit nga frika se atje po i bëjnë voet (vezët), tjetri se si e ruante pulën kur e bânte vezën ia merrte e pinte vezën për me i shkue zâni ma mirë e pula e ngratë ikte e frikësuar e me zërin saj ka-ka-ka, ka-ka-ka tregonte se e bâni vezën sikur ta kishte bërë një trup qiellor. Një I tretë ishte kurreshtar pse knusi nuk bën vezë.
Por kishte edhe nxënës-e të tillë që me dana*) nuk mund të ia nxirrnja asnjë fjalë nga goja.
Një nxënëse shumë e çiltër*) tregonte se familja e saj e kanë hëngër bakllavanë e Bajramit por, shoqja që ulej afër thonte se ata nuk i hanë bakllavatë e ajo shkonte te ajo për bakllava.
Bali Adem, axha i Granitit është një nga njerëzit, personazhet e mia më të dashura, më të sinqertë që e njoha dhe ndejta shumë herë me te, me ditë e javë, disa vjetë deri në frymën e fundit të jetës, kur vdiq si burrat në shtëpinë, truallin që e deshi, në Stanofc.
Më 1999, kur një pjesë e shqiptarëve që u larguan me dhunë nga pushteti policor e ushtarak serb, u dëbuan me trena për në Maqedonia e nga Maqedonia, disa avionë me shqiptarë erdhën në Suedi. Bashkë me ata në Oskarshamn erdhi baca Mustafë e bali Adem, te Xhaferi e Xhevati, baba e axha. Mua më thirrën me punua si mësues, aty ku kisha qenë, në (Blomstermåla), e kisha punua më 1994.
Bali Adem u kthye në Kosovë e atje vdiq e ma bacën Mustafë ndejtëm bashkë një vit shkollor. Çdo natë i dëgjonim bashkë lajmet në gjuhën shqipe në RTK-në e pinim qaj e shetsim.
Baca Mustafë derisa ka vdekur përbehej “pasha at vit”.
Fatosi, një nga nipat e balit Adem dhe bacës Mustafë, dhe ish nxënës imi në Blomstremåla në vitin shkollor 1999/2000 tregonte pjesë nga jeta e vështirë duke ikur nëpër malet e Kosovës, derisa shkuan në Bllacë, një ferrr i vërtetë në kufirin Kosovë- Maqedoni.
Edhe me Granitin u ndamë. E përshëndeta dhe e falenderova ngrohtësisht. Graniti është babë i dy djemëve e burrë i pjekun, majanc me kâm e krye. Dashuria e Granitit për balin Adem dhe e balit Adem për Granitin, më kanë mahnitur, dashuria për nipin.
Për këto, nëse kam ymer (e jetoj) do të shkruaj më vonë, në Kujtimet e mia si mësues në Halmstad e Falkenberg, 1996-1999 dhe 1999/2000.

Me nxënësit Bexhet Hasi e Perparim Ismaili, në fund të vitit shkollor. Oskarshamn, qershor 1995

*) DAI m.
Burrë trim e bujar. Ishte dai. Mos u bëj dai me xhep të huaj. fj. u.

*) Dana, nga DARË f.
Vegël e metaltë, e përbërë nga dy krahë me kokë të harkuar, që lëvizin si gërshërë dhe shërbejnë për të kapur e shtrënguar diçka a për të shkulur gozhdë, dhëmbë etj. Darë e vogël (e madhe). Darë marangozi. Darë kovaçi. Darë dhëmbësh. Kap (shtrëngon) me darë. Shkul (nxjerr, e heq) me darë. E këputi telin me darë.
Ia nxjerr (fjalët) me darë e detyroj të më thotë ato që di, ia nxjerr me zor; përpiqem shumë që t’i nxjerr nga goja ato që di, ia nxjerr me grep (fjalët, të vërtetën etj.). Ia shtrënguan darët dikujt shih te SHTRËNGOJ.

ÇILTËR mb.
Që i shfaq ndjenjat e mendimet e veta drejtpërdrejt e hapur ashtu siç i ka, që flet e vepron pa u shtirë, që është i pastër nga zemra, i sinqertë. Njeri i çiltër. Me zemër të çiltër çiltërisht, me zemër të hapur.
Që shfaqet drejtpërdrejt ashtu siç ndihet a mendohet, që nuk është i shtirë, i vërtetë; që bëhet me zemër të pastër. Ndjenja të çiltra. Mendime të çiltra. Qëndrim i çiltër. Pendim i çiltër. Në mënyrë të çiltër.

Fund deri në kujtimet tjera si mësues në Halmstad e Falkenberg, 1996, 1997 e vitin shkollor 1998/1999

Lista e parapaguesve e shqptarëve nga Mönsteråsi, Komisionit Qendror të Fondit Kombëtar në Göteborg. (1.120 kr.). Mönsterås, nëntor 1993

Malmö, 9, 10, 11 shkurt 2024
sinankastrati09@hotmail.com

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu