ARKIVI:
25 Nëntor 2024

Dy nga ata që një jetë ia kushtuan arsimit të brezave në shkollat e Llapit

Shkrime relevante

Kujtime e mendime rreth tridhjetë vjetorit të themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 1994 – 2024

Nga: Prof Dr Hakif Bajrami, historian, Prishtinë  Më 1 tetor 1997 u...

Florim Zeqa: Shtrirja e sovranitetit në veriun e vendit, është një mashtrim i madh…!

Florim Zeqa  Situata e krijuar në Veriun e Kosovës, është një problem...

Presidentja Osmani takoi një delegacion bipartizan të Kongresit Amerikan, të udhëhequr nga senatorja Jane Shaheen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, takoi sot në Halifax,...

Presidentja Osmani takoi Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po e...

Çka e pyeta djalin tim 13-vjeçar…?

Nga: Aurel Dasareti E pyeta djalin tim 13-vjeçar: “Kush është shtëpia më e...

Shpërndaj

Nga: Arif Ejupi

Sabri Ilaz Dema dhe Tafil Hashim Latifi nga fshati Pollatë e Podujevës, me kusht që ta ndihmojnë zhvillimin e Arsimit  edhe në fshatrat malore të trevës së Llapit, qyshkur ishin studentë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Kosovës, përkatësisht të Shkollës së Lartë Pedagogjike nisën detyrën e shenjtë  të arsimtarit në shkollën 8-vjeçare “Ramiz Sadiku” të Pollatës  dhe në paralelet e saj të ndara në Zhiti e Sllatinë. Kjo shkollë tani mban emrin e dëshmorit dhe mësuesit veteran Shefki Mursel Latifi.
Sabri Dema lindi më 14 shkurt të vitit 1959 në fshatin Pollatë të Podujevës. Tetë klasat e mësimit të detyrueshëm i kreu në vendlindje. Kurse gjimnazin e përgjithshëm në Podujevë.
Gjatë viteve 1977 – 1978 regjistrohet në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Kosovës, dega–gjuhë dhe letërsi frënge.
Pas përfundimit me sukses të studimeve  Sabriu kalon si mësimdhënës në shkollën fillore”  Josip Broz Tito “të Podujevës, tani “Naim Frashëri“.  Ai në këtë shkollë punoi me sukses dy -tre semestra.
Me reformimin e gjimnazeve në të ashtuquajturat  Qendra të Arsimit të Mesëm të Orientuar, Sabriu  punon 16 vite e  8 muaj, si profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge në shkollën “Isa Boletini“ të Podujevës, drejtimi ekonomi dhe financa.
Meqenëse deri në vitet e pasluftës ai dhe familja e tij jetonin në fshatin Pollatë të Podujevës, me pëlqimin e udhëheqësve lokal të Departamentit  të Arsimit, Sabri Dema nga shtatori i vitit 2007 e deri në pensionin e merituar të moshës do ta kryejë me përpikëri  dhe ndërgjegje detyrën e Drejtorit në shkollën 9 – vjeçare “Shefki Latifi“ të Pollatës.
Sabriu  përveç shkollës së fshatit Pollatë, punoi me seriozitet dhe përkushtim të veçantë edhe në dy shkollat e Mesme të Podujevës, në atë” Aleksandër  Xhuvani” dhe “ Isa Boletini. “
Ai i njohur për modestinë dhe raportet e shkëlqyera me kolegë e nxënës ishte dhe mbetet i dëshirueshëm në çdo mjedis shoqëror.
Të kësaj familjeje janë edhe dëshmorët  Hasan Sejdi Dema dhe Behram Sadik Behrami, të cilët si ushtarë të rregullt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u vranë nga forcat pushtuese të armikut  më 28 maj të vitit 1999, tek mulliri  i Demajve në Pollatë të Podujevës.
Po ashtu, Tafil Hashim Latifi i lindur më 12 shkurt të vitit 1959 në Pollatë të Podujevës, ngjashëm me vërsnikun e tij Sabri Dema, bëri përpjekje maksimale që të kontribuoj në mbarëvajtjen e mësimit  dhe rriten e shkollave të Grykës së Mavriqit .
Tafili  për dallim nga moshatarët e tij ka një histori të veçantë dhe tepër  të dhimbshme . Ai si nxënës i vitit të dytë të gjimnazit “8 Nëntori” të Podujevës, në verën e vitit 1976 bije në konflikt me një serb lokal.
Deri ditën kritike familja Latifi nuk kishte pasur as  eksesin më të vogël me këtë familje serbe që në Pollatë ishte sjell si kolone nga Serbia.
Meqenëse familjen Latifi e kishte kaherë në shënjestër Serbia, kjo zënkë e çastit  merret si shkas dhe zullumi ndaj kësaj familje shumëfishohet.
Edhe përpara këtij  incidenti të paparashikuar babai i Tafilit, Hashimi si njëri nga mësuesit  e parë  të Llapit, së bashku me vëllezërit  e tij Avdiun dhe Shefkiun si dhe kushërinjtë e tyre Sabitin e Muhametin, duke mos u pajtuar me pushtimin e Kosovës nga Serbia, kishin vuajtur vite të shumta burgimi në burgjet skëterrë të ish-Jugosllavisë.
Tafili në atë periudhë edhe pse ende i mitur dënohet me burgim të rëndë. Ai burgun e vuan në Gradishë të Kroacisë.  Me shpresën që një ditë do të kthehet pranë familjes dhe më të dashurve të tij, gjatë qëndrimit në burg i kryen edhe dy vitet e mbetura të gjimnazit. Atje e  mëson edhe gjuhën angleze.
Pas lirimit nga burgu bën përpjekje që regjistrohet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, seksioni gjuhë dhe letërsi angleze, por papritur refuzohet si i papërshtatshëm “moralo- politikisht”.
Kjo një masë ndëshkimi që u shqiptohej në atë periudhë atdhetarëve më të devotshëm të Kosovës nga Serbia dhe lojalët e saj.
Nga dëshira që të mos i veniten njohurit në gjuhën angleze të fituara në Kroaci, Tafili provon të regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prizrenit .
Edhe pse e kishte kaluar provimin pranues pak para fillimit të vitit akademik merr një letër nga kjo shkollë, në të cilën thuhet se atij i ndalohen studimet për shkak të  “cenimit të rendit dhe sigurisë dhe prishjes së  vëllazërim-bashkimit, në mes të kombeve dhe kombësive të ish-Jugosllavisë.”
Tafil Latifi i njohur për vullnetin e tij të çeliktë nuk heq dorë asnjëherë nga qëllimi i tij. Ai njohuritë  e tij në anglisht i thellon duke studiuar si autodidakt.
Me ngadhënjimin e demokracisë ai  më në fund realizon dëshirën  e tij të kahmotshme duke u regjistruar në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, dega–gjuhë dhe letërsi angleze.
Tafili pasi që kishte bazë të mirë në anglisht diplomohet pa vështirësi. Pas diplomimit kthehet në fshatin e tij të lindjes  Pollatë të Podujevës, në cilësinë e Arsimtarit të gjuhës angleze, ku kontribuon në kohët më të vështira kundruall një page simbolike.
Derisa familja Latifi ishte halë në sy për pushtuesit Tafili as pas kryerjes së dënimit nuk do të lihet i qetë.
Më 13 shtator të vitit 1990 forca policore dhe ushtarake të Serbisë në orët e hershme të mëngjesit e rrethojnë Pollatën.  Ato me këtë rast në familjen Latifi kryejnë krim duke vrarë Besimin të vëllain e Tafilit, student i vitit të -III- të Fakultetit Juridik të Prishtinës dhe kushëririn e tij Skënder Hamit Monolli.
Po ashtu gjatë këtij krimi makabër rrahën dhe burgosën edhe shumë burra e gra të kësaj familje atdhetarësh të hershëm.
Fatmirësisht Tafili atë natë të kobshme nuk ishte aty. Ai kishte shkuar në Podujevë, tek axha i tij Shefkiu të cilin e donte dhe e çmonte shumë .
Me gjithë vuajtjet  e mëdha dhe përndjekjet e pandërprera që ia bënte atij dhe familjes së tij Serbia,Tafili i burrëruar parakohe  qëndron i pathyeshëm.
Ai së bashku me Latifajt e tjerë do të jetë pjesë e të gjitha organizimeve që kanë të bëjnë me çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës.
Serbia duke parë që kjo familje nuk do të nënshtrohet asnjëherë më 4 korrik të vitit 1995 e  mbyt me tortura nga më barbaret  Shefki Latifin,aktivist i Fondit për Financim të Republikës së Kosovës, dega në Podujevë,
Kolegë e nxënës  të shkollës së Mesme të Ulët “ Shefki Latifi” të Pollatës për nderë të këtyre dy pishtarëve të Arsimit organizuan një program të pasur kulturor dhe artistik. Përveç mësimdhënësve, nxënëseve e familjarëve në këtë solemnitet mori pjesë  dhe z. Avni Fetahu, udhëheqës  i Departamentit të Arsimit në komunën e Podujevës.
Si për Sabriun ashtu  dhe për Tafilin u thanë fjalë miradije dhe u ndanë mirënjohje.  Kuptohet që kjo ndarje e tyre nga kolegë e nxënës u përshkrua  edhe me emocione e lot.
Sabriu dhe Tafili të cilët u pensionuan javën e kaluar pas një pune të suksesshme dhe të gjatë në shkollat e Llapit, do të kujtohen përherë jo vetëm nga kolegë e nxënës por nga e gjithë  popullata e kësaj zone.
Ata vërtetë e meritojnë respektin sepse në kohën kur Serbia i dëboi mësimdhënës e nxënës shqiptarë me dhunë nga objektet e tyre ata një dekadë të plotë punuan edhe në shtëpitë shkolla të Podujevës.
Ky organizim i këtij mësimi me shumë sakrifica de fakto ishte paralajmërim që Serbia, do të shporret  njëherë e përgjithmonë  nga Kosova. Të gjitha ata që e ndihmuan mbarëvajtjen e këtij mësimi Zoti i bekoftë ! /ARIF EJUPI/
Pamje nga ceremonia e organizuar me rastin e shkuarjes së Sabri Demës dhe Tafil Latifit në pension.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu